Teksti origjinal në The Guardian
Dokumentat sekrete të NATO-s, që citohen nga gazeta “The Guardian” e konsiderojnë Hashim Thaçin si protagonist të botës së krimit në Kosovë dhe Xhavit Halitin si të lidhur me vrasjen e gazetarit të “Gazetës Shqiptare”, Ali Uka në 1997 në Tiranë. Dokumentet që janë zbardhur nga gazeta, kanë etiketën “USA KFOR” dhe përmbajnë detaje të rrjeteve të krimit të organizuar.
Duke cituar shërbimin sekret amerikan dhe atë të NATO-s, Xhavit Haliti përshkruhet si i lidhur me një masakër të frikshme.
“Ali Uka, një gazetar kosovar me qendër në Tiranë që e mbështeste lëvizjen për pavarësi, por e kritikonte atë në shtypin e shkruar, u masakrua me një shishe dhe një kaçavidë në vitin 1997. Shoku i tij i dhomës në atë kohë ishte Hashim Thaçi”, thekson dokumenti. Ali Uka ishte gazetar i “Gazetës Shqiptare” dhe vrasja e tij shkaktoi jehonë të gjerë në shtypin shqiptar të asaj kohe.
Në dokumenta, Thaçi identifikohet si një “peshk i madh” i krimit të organizuar në Kosovë. Po kështu edhe Xhavit Haliti, një ish-shef i logjistikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që është tashmë aleat i kryeministrit dhe një deputet i ri i PDK.
Duke e përshkruar atë si një fuqi pas Hashim Thaçit, raporti thekson se Haliti ka lidhje të forta me mafian shqiptare dhe shërbimit sekrete të Kosovës, të njohur si KShiK. Dokumenti thekson se Haliti është i përfshirë në prostitucion, trafikun e armëve dhe të drogës dhe se përdorte një hotel në Prishtinë si bazën operacione të tij.
Haliti është gjithashtu këshilltar politik dhe financiar i kryeministrit, por sipas dokumentave, ai është bosi i vërtetë i lidhjes. Ai lidhet edhe me frikësimin e kundërshtarëve politikë në Kosovë dhe dy vrasje që datojnë në fund të viteve ‘90, kur UÇK thuhet se ka kryer shumë vrasje.
Një prej tyre ka qenë një politikan kundërshtar që u gjend i vdekur në afërsi të kufirit me Kosovën, me sa duket pas një konflikti me Halitin. Ndërkohë, përshkrimi i një tjetër vrasjeje e lidh Halitin me masakrën e një gazetari të ri në Tiranë, Ali Uka që punonte për “Gazetën Shqiptare”.