TERRORIST ISHTE ENVER HOXHA DHE JO XHAFER DEVA

Intervistë me historianin Nue Oroshi, Nënkryetar i Shoqatës se Intelektualëve Shqiptarë ”Trojet e Arbrit”

Gazeta Shqiptare- Zoti Oroshi, duke qenë se jeni studiues i mirëfilltë i historisë se shqiptarisë, ju keni botuar dhe një libër “Gjurmeve të se Vërtetës historike”, ku flitet për fallsifikime të historisë nga ana e komunistëve, ju lutem, brenda kontestit të një gazete a mund te na renditni fallsifikimet më të mëdha të komunistëve dhe ku bazoheni ju, pra mbi c’fakte dhe dokumenta për të vërtetuar të kundërten?

Nue Oroshi– Gjatë sundimit të diktaturave komuniste si në Shqipëri, si në viset Etnike Shqiptare në ish Jugosllavi kemi krijimin e dy blloqeve politike, kulturore tek shqiptarët në përgjithësi. Kemi bllokun perëndimor politik dhe kulturor që udhëhiqej prej organizatave dhe partive politike në mërgim si dhe prej personaliteteve të mëdha politike, shkencore dhe kombëtare, si dhe bllokun politik lindor i cili politikën, kulturën dhe letërsinë shqiptare e orjentoj drejt ideologjisë ruso-jugosllave. Dhe, gjatë gjithë këtyre viteve përveç konfrontimit politik dhe ushtarak, kemi edhe konfrontimin historik dhe kulturor, në mes të këtyre dy rrymave politike.
Vetvetiu gjatë kësaj kohe të sundimit të diktaturave komuniste në viset Etnike Shqiptare u krijuan dy Histori u krijuan dy letërsi, njëra ishte historia e vërtetë kombëtare që shkruhej nga studiuesit më taban kombëtar, por me akribi shkencore siç ishin, profesor dr. Ernest Koliqi, prof. dr Zef Valentini, prof.dr.Athanas Gegaj, prof dr Isuf Luzaj, Kapidan Ndue Gjomarku, dr.Halim Begeja,Imzot Zef Oroshi, Mithat Frashëri, Tahir Kolgjini, Martin Camaj, Arshi Pipa dhe shumë të tjerë. Ndërsa në anën tjetër blloku i historianëve lindorë, e që fallsifikonte historinë shqiptare me metodologji ruso-jugosllave. Çdo kundërshtar politik e quanin tradhtar, kolaboracionist, revezionist dhe shumë terma të ndryshmë që dinë t’i pjellë vetëm mendja e orientimit të idologjisë komuniste. Derisa të parët kishin orientim politik konceptin e ndërtimit të shtetit me pluralizem, demokraci perëndimore, bashkëpunimin politik dhe ekonomik me perëndimin, të dytët komunistët orjentimin e tyre e kishin drejtuar rreth ndërtimit të shtetit diktatorial, sistemin njëpartiak, vrasjen e atdhetarëve shqiptarë, burgosjen e familjeve të tyre dhe internimet, dhe si mjet i fundit ishin edhe historianët me pikpamje komuniste e që ishin shkolluar ekspres në Mosk dhe Beograd, për fallsifikimin e historisë për të gjithë ata atdhetarë që vepronin në orjentimin perëndimor të politikës dhe shtetit shqiptar. Koha e vërtetoi se politikanët që vepruan në të djathtë dhe për bashkim kombëtar patën të drejtë. Sepse, ata qyshë herët kishin krijuar ura lidhëse në mes të shqiptarëve dhe shteteve perëndimore në Evropë si dhe në veçanti në Amerikë. Dhe, ne tani si historianë të rinjë para vetës kemi dy lloj historishë, njëra është ajo e fallsifikuara sidomos gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore e pjesërisht edhe gjatë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe periudha tjera historike, dhe tjetra ajo e shkruar me metodologji shkencore të nivelit perëndimor. Gjatë krahasimit të këtyre dy variantave të shkrimit të historisë shihet qartë se historianët komunistë e fallsifikuan historinë për nevojat e politikës së tyre ditore.

Një ndër ato fallsifikime ishte edhe fakti që historianët komunistë bënë ndaj derës së madhe kombëtare të Kapidanit të Mirditës, derë e cila për 500 vjetë ishte në shërbim të kombit shqiptar. Një ndër ato fallsifikime është edhe ai i vrasjesë së atdhetarit Ded Gjon Lulit. Këto të pavërteta rreth vrasjes së Ded Gjon Lulit historiografia e kuqe komuniste i ka bërë me qëllim për t’ja humbur vlerën kombëtare familjes princore të Kapidan Gjon Marka Gjonit për tri arsye:
1. Që të gjuhet sa më tepër gurë e dru mbi familjen atdhetare të Kapidan Gjon Marka Gjonit që për pesqindë vjetë e udhëhoqi Mirditën në luftë kundër Perandorisë Osmane.
2. Që me të gjitha metodat të shkatërrohet kjo familje atdhetare, pasiqë dy djemtë e Kapidan Gjon Marka Gjonit, Kapidan dr Mark Gjon Marku dhe Kapidan Llesh Gjon Marku e kishin udhëhequr me plot sukses luftën antikomuniste jo vetëm në Mirditë por në mbarë Shqipërinë Etnike derisa ranë heroikisht.
3. Për të mbjellë urrejtje në mes të dy krahinave heroike Shqiptare Mirditës dhe Malësisë, krahina të cilat gjithmonë bashkëpunuan me njëra tjetrën për të mirën e kombit shqiptar, për këtë flet edhe fakti që trimi i Malësisë Ded Gjon Luli nuk i kishte rënë në dorë Knjaz Nikollës së Malit të Zi pas përfundimit të kryengritjes së Malësisë por kishte gjetë strehim dhe mikpritje pikërisht në Mirditën kreshnike. Në Mirditën e cila në mbrojtje të Ded Gjon Lulit dha shtatë djemë më të mirë të saj.

E vërteta historike e vrasjes se Ded Gjon Luli qëndron në atë se Ded Gjon Luli është vrarë nga dora e kriminelit serb Kapetan Gjura. E vërteta historike e vrasjes së këtij vigani të Malsësisë dhe mbarë Shqiptarisë është kështu: Serbët pas hyrjes në Mirditë filluan akte violence dhe terrori. Plaqkitën dhe dogjën Abacinë e Oroshit dhe vilën e Monsinjor Doqit, në maje të Malit të Shëlbuemit në Malin e Shejtë. Populli i Mirdites filloi me jetue nën Terror. Tue pa këto akte terrorizmi Ded Gjo Luli kujtonte se, mund t’i bindte serbët që mos të terrorizojnë popullin dhe pa e pyet askënd, vendosë me shkue në komandën e ushtrisë serbe, me i thanë komandantit ta ndalonte dorën. Megjithë këshillat e këshillit të te parëve që mos të shkonte atje, se shkau është i pabësë, ai vendosi me shkue. Tu mos mundë me bindë me hjekë dorë prej atij qëndrimi, mirditasit ia dhanë shtatë burra për ta shoqërue, dhe emrat e të cilëve janë këta: 1. Mark Llesh Doda, 2. Ndue Kol Pjetri, 3.Zef Ndue Gjoka, 4.Preng Qup Deda, 5.Preng Gjok Skana, 6.Bib Marlula, dhe 7.Llesh Deda. Porsa mbërrijtën në komandën serbe, që ishte vendosun në Abacinë, e pa i lënë shtek të paraqiste ankesën, i qarmatosin dhe i lidhin, e Ded Gjo Lulin e qojnë në rrafshnaltën që quhet Sheshas, e aty e pushkatojnë, kurse të shtatë burrat i qojnë në Breshten (Pyllin) e Oroshit, në Mal të Shejt, e atje në grykë të shpellës së Akullit, që është 15 metra e thellë në tokë, jua nxjerrin shpirtin duke i therë me bajoneta, e ashtu të gjallë i hedhin mbrenda ku kanë vdekë të ngrimë.

E dhashë vetëm një fakt të këtij fallsifikimi, sepse kjo familje në regjimin komunist kishte këtë bilanc tragjik- Dy djemtë e familjes Mark e Sandër (Llesh) Gjon Markagjoni të vrarë në vitin 1946-1947, në moshën 33 dhe 27 vjeçare, 40 vjetë burg, 254 (dyqindë e pesdhjetë e katër vjetë internime), dhe tri nëna të shtrenjëta vdiqën në internim. Iu shtetzuan pronat, konfiskim i çdo gjëje, rrafshim i kullave të familjes në Orosh -Mirditë, atje mbetën vetëm gurët. Për afro 50 vjet vazhdoi tortura, burgjet internimi dhe denigrimi i familjes me anë të radios, librit, artit skenik, filmit, televizorit, deri në pafundësi shpifje arti i gënjeshtrës në stadin më të lart, thuhetë në librin, Dhembje, të studiueses shkodrane Fatbardha Mulleti Saraqi. Fallsifikimet tjera bëhen ndaj shumë figurave historike siç janë atdhetarët Mithat Frashëri, Mustafa Merlika-Kruja, Xhevat Korqa dhe shumë e shumë atdhetarëve të tjerë me koncepte dhe veprime politike perëndimore.

Gazeta Shqiptare:- Në Shqipëri është hapur debati, si gjithnjë fillimisht nga politika për arsyet e veta ajo, për rishikimin e historisë së Shqipërisë, një debat që i ka ndarë historianët në të djathtë dhe në të majtë. Duke qenë se nuk jeni përfshirë në këto ‘ndarje’ a mund të na thoni ju lutem ku ka nevojë historia e Shqipërisë të rishikohet, cilat figura mund te vlerësohen, cilat mund te zhvlerësohen, apo kujt duhet t’i jepet vendi që i takon më të mirat dhe të këqijat e tij?

Nue Oroshi– Shpeshëherë njerzit janë të ndarë, ata që i shërbejnë të mirës, të bukurës dhe të madhërishmës si dhe ata që i shërbejnë të keqës djallëzorës të mallkuarës dhe mefistofilisë. Kështuqë edhe shqiptarët në luftën e dytë botërore u ndanë në dy taborre. Në atë Nacionalistë të cilët i shërbenin kombit shqiptar dhe u flijuan për të, dhe komunistët apo djallëzorët që i shërbyen sllavizmit,dhe u vënë në shërbim të djallit, të keqit mefistofilit duke shërbyer komunizmit proletar që s’njeh komb as fe. Derisa komunistët edhepse i shërbyen djallit dhe pansllavizmit, fëmijët e tyre gëzuan privilegje të shumta, si dhe patën mundësi që prindërve të tyre t’ju ngrisin nga një lapidar me shenjën e mefistofilit dreqit dhe të mallkuarit, pro, t’ju vendosin yllin e kuq komunist në varr. Një pjesë e madhe e fëmijëve të atdhetarëve nacionalistë nukë patën fare mundësi që prindërve të tyre t’ju ngrisin një lapidar, sepse iu mungonin eshtrat e tyre, pra nacionalistët që luftuan për Shqipërinë Etnike mbetën të vrarë, të sharë, të përbuzur, dhe eshtrat e tyre sot e asaj dite prehen në varre të përbashkëta, ndersa fëmijët e këtyre nacionalistëve sot e asaj dite kërkojnë eshtrat e tyre dhe s’kanë mundësi që së paku t’ju ngrisin një lapidar ku do të shkruanin fjalët, këtu pushon Luftëtari i Shqipërisë Etnike. Derisa të parët fëmijët e komunistëve ju gdhenden në lapidare yllin komunist simbolin e dreqit prindërve të tyre, këta të dytët fëmijët dhe të afërmit e nacionalistëve ende sot janë në kërkim të eshtrave të tyre edhe pas më shumë se gjashtë dekada, që së paku në lapidar tju gëdhendin shqiponjen dykrenare simbolin e Shqiptarisë për të cilin u flijuan atdhetarët shqiptarë. Në kërkim të gjetjes së eshtrave të prindërve dhe të afërmeve të tyre janë shumë atdhetarë dhe familje të ndershme nacionaliste, por sot e asaj dite nuk kemi asnjë reflektim nga ana e atyre që i vranë dhe i gjuajtën nëpër varret e përbashkëta, nuk kemi asnjë ndërgjegjësim të ish udhëhqësve komunistë të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe femijëve dhe të afërmeve të tyre që së paku të na i tregojnë vendet se ku u masakruan atdhetarët nacionalistë që t’i vorrosim sepse edhe ata patën të drejtë ta kenë një varr ku pasardhësit e tyre të shkojnë dhe të dërgojnë lule të freskëta dhe tu thojnë fjalët, ju kujtojmë me mallë për jetë të jetëve. Në këtë drejtim edhe Arben Puto si njeri më i besueshëm i kriminelit Enver Hoxha mund të bëj shumë të na tregoj së, se ku janë gjuajtur eshtrat e atdhetarëve të vrarë në Tivar, ku siç shkruan Azem Hajdin- Xani në Librin “MASAKRA E TIVARIT” (MEMOARE), Prishtinë, 1998, f. 17-18, tekstualisht shkruan: “Më 31.3.1945, 4310 shqiptarë u masakruan nga serbët e malazezët, në Tivar. Djem e burra të zgjedhur nga të gjitha vise etnike shqiptare: të Mitrovicës, të Shalës së Bajgorës, të Drenicës, të Skënderajt e të Gllogofcit, të Vushtrrisë, të Podujevës, të Llapit e Gallapit, të Kamenicës, të Preshevës e Bujanovcit, të Vitisë, Gjilanit, Prishtinës të Lipjanit, të Kaçanikut e Ferizajt, të Suharekës, Prizrenit, Dragashit, Opojës, të Pejës e Gjakovës, të Klinës e Istogut, të Tetovës, Manastirit, Gostivarit, Shkupit dhe viseve të tjera të Kosovës, thërrasin politikanët tanë, historianët, poetët, shkrimtarët, dhe të gjitha istitucionet shkencore shqiptare, me sa zë kanë:-Ku është gjaku ynë, ku gjenden eshtrat tanë?” Me siguri Z Arben Puto posedon dokumenta që i ka mëshefur deri me tani, për vrasjen e 4310 shqiptarëve në Tivar nga forcat okupuese serbomalazeze, sepse këta shqiptarë nga Kosova ishin vrarë me lejen dhe dijeninë e Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, Mehmet Shehut, Rrahman Parllakut dhe shumë të tjerëve. Kështuqë i bëj thirrje publike zotit Arben Puto se, para se të ngjallë polemikën për 86 shqiptarët e vrarë ne Tiranë, të na i tregon se ku u gjuajtën 4310 shqiptarë të vrarë në Tivar, në këtë varr masiv të shqiptarëve. Sepse, një pjesë e këtyre shqiptarëve nga Kosova janë vrarë edhe gjatë rrugës nga forcat e përbashkëta partizano-çetnike jugosllavo-shqiptare. Që asokohe kalonin vitet e përbashkëta të mjaltit të martesës së tyre politike kriminelët Enver Hoxha dhe Josip Broz Tito, duke luftuar atdhetarët shqiptarë. Ndërsa sa i përket pjesës së dytë të pyetjes figurat atdhetare që duhet vlerësuar janë të gjithë këta atdhetarë që punuan deri në frymën e fundit për bërjen e Shqipërisë Etnike, e këta janë: të mbledhur rreth Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Ballit Kombëtar, Grupit Nacional Independent, Besës Kombëtare dhe organizatave tjera nacionaliste. Po kush ishin nacionalistët të cilët luftonin për bashkimin e kombit shqiptar në një shtet të përbashkët. Ata janë të shumtë, po kësaj radhe do ti përmendim vetëm disa prej tyre, duke filluar nga Kapidan Dr Mark Gjon Marku, Midhat Frashëri, profesor Ernest Koliqi, Kapidan Gjon Marka Gjoni, Ismail Vërlaci, Xhevdet Blloshmi; Xhevat Korqa, Shaban Polluzha, Ndue Përlleshi, Mehmet Gradica, Gjon Sereqi, Prenk Cali, Gjelosh Luli, Muharrem Bajraktari, Alush Leshanaku, Gjon Gjinaj, Haki Tahaj, Hysen Terpeza, Hysni Rudi, Kapidan Ndue Gjon Marku, Xhafer Deva, Marie Shllaku, Aqif Blyta Haxhiahmeti, Rexhep Mitrovica, pater Anton Harapi, Mulla Idriz Gjilani, Xhem Gostivari, Pater Bernard Llupi, Mulla Nuredin Gjinovci, prof dr Rexhep Krasniqi, kapidan Llesh Gjon Marku, Tahir Shaban Zajmi, Ukë Sadiku, Zef Gjidoda, Adem Gllavica, Luan Gashi, Ibrahim Lutfiu, Qazim Komoni, Fuad Dibra, Ibrahim Osman Kelmendi, Ajet Gërguri, Bedri Pejani, Halim Spahia, Tahir Deda, Kajtaz Ramadani, Rexhep Kabashi, Stak Mark Shkorreti, Miftar Bajraktari, Mulla Ilaz Broja, Bedri Gjinaj, Tahir Kolgjini, Xhelal Mitrovica, Kol Parubi, Gjergj Martini, Demë Ali Pozhari, Kolë Margjini, Mulla Ramë Govori, Esat Berisha, Qazim Bllaca, Ahmet Selaci, Bislim Bajgora. Adem Voci, Hajredin Vidishiqi, Sherif Terstena, Ukshin Kovaqica, Gjon Destanisha, Mustafa Kruja, Mulla Jakup Kombi, Musa Shehzade, Hysen Lepenica, Halim Begeja, Pater Danjell Dajani, Patër Gjon Shllaku, Mark Ndoc Quni, Faik Quku, Hasan Dosti, Shuk Gurakuqi, Sak Fazlija,Imzot Zef Oroshi,Karl Gurakuqi, Zhuk Haxhia, Kol Bib Mirakaj, Pashuk Bib Mirakaj; Jahja Fusha, Njazi Alishani, At Lorenc Mazreku, At Daniel Gjeqaji, Rexhep Xheli, Miftar Bajraktari, Hazir Gjakja, Sulejman Vuqitërni, Mehmet Agë Rashkoci, Mufaili i vogel, Mufaili i Madh nga Zajazi, Vasil Andoni, prof dr Isuf Luzaj, Mark Staka, Sylë Hotla, Bardh Isufi, Col Bajraktari, Bajram Gashi, Osman Bunjaku, Shemsi Mramori, Rifat Krasniqi, Hajdar Planeja. Qazim Bajraktari, Lec Kurti,Ymer Lutfia, Zef Pali, Gasper Pali, Seit Kazazi, Dom Ndre Zadeja, Ndoc Jakova, Ndue Pali, Qazim Rroji, Zef Kuka, Xhelal Hardolli, Xheladin Kamata, e shumë e shumë të tjerë, është për t’u theksuar se shumë prej këtyre nacionalistëve kishin një përgaditje të lartë shkollore duke mbaruar studimet nëpër Univerzitet perëndimore, kryesisht në Itali, Austri e Gjermani, por edhe në vende të tjera. Duke kërkuar falje prej shumë e shumë nacionalistëve tjerë të Shqipërisë etnike, që përkulem para veprës së tyre dhe që në këtë intervist nuk po i shënoi emrat, për shkak se nuk mundemi të zgjerohemi për shkak të natyrës së gazetës.



Gazeta Shqiptare -Ne nje moment te librit ku zoti Puto permend zotin Deva, arrin ne perfundimin se ai ‘ishte minister terrorist’. A ishte vertete i tille ai?

Nue Oroshi:-Shikoni, më vjen keq që zoti Arben Puto, edhepse kan kaluare dy dekada te pluralizmit, ka mbetur ende historian i mendësisë komuniste. Xhafer Deva nuk ishte terrorist por ishte njëri ndër atdhetarët më të devotshëm të Shqipërisë Etnike. Ai u përpoq me të gjitha forcat për bashkimin e shtetit shqiptar në një shtet të përbashkët. Por fatkeqësia më e madhe ndodhi kur Brigadat komuniste Shqiptare u vun në ndihmë të plotë të Jugosllavisë. Këtu është për tu theksuarë fakti se shqiptari komunist si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë i del në përkrahje sllavit komunist vetëm se e kishin të njetën ideologji, kundër vëllait të gjuhës, gjakut dhe flamurit. Pra, komunistët shqiptarë dhe sllavë luftojnë kundër nacionalistave shqiptarë, meqenëse historia do fakte, atëherë për këtë bazohemi në librin (Tahir Zaimi, Lidhja e II e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës Bruxelles 1964 i cili shkruan: Për me shtypë e shkatërrue fare këtë rezistencë të fortë me kryeneqësi që sapo shuhej më një anë, plaste papritmas në tjetrën, kërkohet prap kontributi i shqiptarëve të zezë, të cilët të inkuadruem në tri Brigada, njana e (V-ta) nën komandën e Shefqet Peqit dhe tjetra e (III-ta) në atë të Rrahman Parllokut, që kishte për sekretar politik Gafurr Qyqyn, vrapojnë në ndihmë të Marshallit Jugosllav i cili nuk e ndjente veten aspak në gjendje me zotnue situatën. Brigada të cilat arrijnë më shpejt e para e nisun nga Elbasani e tu kalue nëpër Librazhd-Klenjë-Zerqan-Peshkopi, Kalaja-Dodës në Lusen të Lumës ku i plasë pushka dhe mbas një ndeshje të përgjakshme mbetën 14 dëshmorë prej Lusne, kurse në anën tjetër vriten 180 nga efektivat e Brigadës, e cila kalon nëpër Topojan, Shishtavec, dhe së andejmi në Gjemashicë-Bellushë-Prizren, prej kah në Gjakovë, Pejë e vise tjera të Kosovës, ku qëndron për një kohë prej dy vjetesh, dhe tjetra e nisun nga Shkodra, e tu kalue nëpër malet e Dukagjinit, e nëpër Malësi të Gjakovës, në Junik dhe prej andej në Pejë e vende tjera të Kosovës, kurse një tjetër brigadë nën komandën e Aqif Lleshit, niset nga Peshkopia e kalon në Dibër të Madhe, Kërçovë, Gostivar,Tetovë e Shkup për t’ja dorëzuar patronit-aleat viset e Maqedonisë Shqiptare. Forcat komuniste maqedone që deri në mbarim të vitit 1944 ishin dermue e paralizue prej komandantit të fuqive nacionaliste Xhemë Has Gostivari mbasi vendi u shkel prej brigadës Shqiptare, filluen prap me u forcue e me u shtri në atë sektor, ku masakruan me qindra e mijëra shqiptarë, ndër të cilët vetëm në Tetovë 4000, në Gostivar 700, dhe në Kërqovë 500 veta.

Se, rexhimi komunist në Shqipëri vepronte njetrajtshmërisht me rexhimin komunist në ishë Jugosllavi dhe në bashkëpunim të plotë në luftën kundër atdhetarëve shqiptarë tregon edhe rasti i dy atdhetarëve shqiptarë, kolonel Fuad Dibrës dhe profesor Kolë Margjinit. Që të dy këta atdhetarë kishin shtetësinë shqiptare por që forcat komuniste nga Shqipëria i dorëzuan të dyt tek forcat komuniste jugosllave, dhe, ku më pas u vranë që të dy. Profesor Kolë Margjini u arrestua nga autoritetet komuniste shqiptare, të cilatë ia dorzuan organeve jugosllave. Gjykata e dënoi me burgim të rëndë ndërsa UDB-a e likuidoi në burgun famkeq të Mitrovicës së Sremit, më 1949. Nuk i dihet varri se ku është gjuajtur pas likuidimit. Kolonel Fuad Dibra me 14 nëntor 1944 u shoqërua nga forcatë e Brigadës së V-të të Ushtrisë Komuniste të Shqipërisë për në Tiranë ku u arrestua dhe iu dorëzua autoriteteve jugosllave. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua në Korishë të Prizrenit, me 9 tetor 1946, sot e asaj dite nuk i dihet varri. Gjithsejtë, sipas të dhënave të Tahir Zaimit dhe historianëve tjerë, janë vrarë nga sllavokomunistët në viset etnike Shqiptare jasht Shqipërisë Londineze 47.300 shqiptarë. Vlenë të veçohet fakti se Nacionalistët Shqiptarë, Kosovë, i kanë quajtur në shkrimet e tyre të gjitha viset shqiptare të cilat kanë mbetur jashtë shtetit shqiptar, pra përafërsisht në kufijtë etnikë të Dardanisë antike. Këtë shtrirje gjeografike e përdorë edhe Tahir Zaimi kur jep të dhënat për vrasjen dhe masakrimin e shqiptarëve në këto krahina. Këtu shihet qartë se terrorist nuk ishte Xhafer Deva sepse miqët tanë Amerikanë asnjëherë s’kanë punuar me terrorista por vetëm me politikanë serioz dhe me koncepte dhe ide të pastra kombëtare. Prandaj faktet tregojnë se terrorist nuk ishte Xhafer Deva por terrorist ishte Enver Hoxha, por këtu i japë të drejtë Arben Putos i cili me besnikëri prej një komunisti të pandreqshëm e mbronë ishë shefin e tij terroristin Enver Hoxha, sepse ka qenë njëri ndër dy studiuesit më të besuar te kriiminelit Enver Hoxha, dhe ka një borgj dhe mëkat të madh në fallsifikimin e Historisë Shqiptare sidomos ndaj figurave kombëtare që i sherbyen kombit shqiptar.

Gazeta Shqiptare -Cili është pozicioni i Xhafer Devës sa i takon masakres se 1944, ku gjeten vdekjen 86 shqiptarë?

Nue Oroshi -Rexhimi komunist gjithmonë është bazuar në falsifikime për kundërshtarët politikë. Kjo tani është fakt i njohur, e sidomos tani kur po kemi mundësinë t’i shfletojmë dokumentët qoftë nepër arkiva perëndimore qoftë nëpër arkivat e organizatave dhe partive shqiptare kundërshtare të rexhimeve komuniste, qoftë shtypin dhe botimet tjera të Mërgatës dhe shkrimet dhe studimet e Intelektualëve shqiptarë që kanë punuar dhe vepruar për qështjen kombëtare në botën e civilizuar. Këtu zotit Arben Puto i perkujtojë se aksionin e 4 Shkurtit 1944 që Qeveria Komuniste e Tiranës ia mveshi Xhafer Devës për pesdhjetë vjet, nuk është e vërtetë që ky aksion është kryer nga Xhafer Deva. Sipas dëshmisë së profesor Rexhep Krasniqit botuar në librin e Idriz Lamajt “Xhafer Deva në Dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të Mërgatës” New York 2002 f.30, thotë: “Aksionet në fjalë gjithkush e din që janë kryer prej një grupi luftarësh që nuk ishin në shërbim të Qeverisë dhe kryesoheshin prej Gjelal Staravecka ish oficer shqiptar që ka qenë ndër udhëheqësit më aktiv të partizanëve komunistë në një shkallë me Mehmet Shehun e Enver Hoxhën. Pra siç shihet kjo ishte një qërim hesapësh mbrenda llojit të vet komunistëve. Për qëndresën që bënte Deva në shërbim të kombitë shqiptar, një kryeminister serb për Xhafer Devën do të deklaronte: ”Deva nuk blehet me pare se është i pasur, Deva është armiku ynë i përbetuar, Deva duhet vrarë”, dhe atë që s’mundi ta bej Serbia, që ta likuidoi fizikisht atdhetarin Xhafer Devën, sepse ishte në mbrojtje të miqëve tanë Amerikanë, të cilët punuan me të politikishtë, dhe mosmundësia e likuidimit fizik të Devës i mbeti shumë merak Serbisë, atë që s’mundi ta bëjë Serbia e bënë shqipfolsit duke e sharë dhe akuzuar për 50 vjet me radhë si dhe pasardhësit e pansllavistëve komunistë shqiptarë. Këtu dua të japë edhe një fakt që është shumë i vlefshëm për historinë shqiptare. Për rrezimin e Komunizmit në viset etnike shqiptare ishin angazhuar misionet e posaqme të parashutistëve që udhëhiqeshin prej Xhafer Devës, Kapidan Gjon Marka Gjonit, profesor Ernest Koliqit, Ismail Verlacit etj. Atdhetari Xhafer Deva në këtë mision përkrahej nga politika Amerikane, dhe ndimohej prej dy Gjeneralëve Amerikanë, Roger Hollingshead dhe Hart, si dhe admirali i Marinës Italiane Talarigo dhe konti Karabio. Pra Xhafer Deva qysh herët ishte mik dhe bashkëpuntor i Amerikanëve, dhe për disa vite e krijoj bazën e fortë miqësore Shqiptaro-Amerikane që e arriti suksesin me përkrahjen që i bëri e po i bën Amerika qështjes Shqiptare në përgjithësi.

Cfare roli ka pasur Xhafer Deva gjatë pushtimit nazist në Shqipëri?

Nue Oroshi -Fillimishtë dua t’ju them se, para ardhjes së forcave Gjermane në Kosovë, Kosova ka qenë koloni klasike e pushtuar nga ish Jugosllavia. Me ardhjen e forcave Gjermane atdhetarët shqiptarë janë treguar shumë largëpamës. Ata e kanë shfrytëzuar shumë mirë thënjen popullore, se armiku i armikut tim është miku im. Dhe vërtetë gjatë këtyre viteve për herë të parë Kosova ka fillu të frymojë shqiptarisht. Janë hapur Shkollat e para shqipe, nga Ministri i atëhershëm i Arsimitë, i nderuari profesor Ernest Koliqi, është mbajtur administrata e tërë në gjuhën shqipe. Është bërë bashkimi i kombit shqiptar në një shtet të përbashkët dhe është formuar një Parlament dhe një Qeveri e përbashkët. Në atë Qeveri Xhafer Deva ka qenë Ministër i punëve të Brendshme. Por, më pas forcat komuniste në krye me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Koqi Xoxen, Shefqet Peqin, Ramiz Alinë, Rrahman Parllakun dhe shumë të tjerë ia kthyen sërisht me forcën e armëve Kosovën Serbisë, por ky kthim na kushtoi neve shqiptarëve me 47300 të vrarë. Nuk ju dihen as varret se ku i kanë. Natyrisht, se në këtë kthim të Kosovës Serbisë, një tradhëti të madhe i bënë edhe komunistët shqiptarë nga Kosova në krye me Fadil Hoxhën, Ali Shukriun dhe shumë mbeturina të tjera komuniste. Ata me 7-8- dhe 9 Korrik 1945 në Prizren e bënë tradhëtinë e madhe kundërkombëtare, duke nënshkruar bashkangjitjen e Kosovës me Serbi. Kjo u bë pas shpartallimit të forcave ushtarake nacionaliste në Kosovë që udhëhiqeshin nga Mehmet Gradica, Shaban Polluzha, Ndue Perlleshi, Profesor Ymer Berisha, Marije Shllaku, Ukë Sadiku, Ahmet Selaci, Patër Bernard Llupi, Mulla Idriz Gjilani dhe shumë atdhetarë të tjerë.

Gazeta Shqiptare – A mendoni se një qendrim i tillë i studiuesve shqiptarë në Shqipëri ndaj zotit Deva, por edhe ndaj zotit Mitrovica, mbahen edhe për faktin se ata janë kosovarë?

Nue Oroshi -Këtu që në fillim dua tju bëj një korrigjim. Kombi shqiptar është një dhe nuk janë dy kombe, nuk janë dy popuj por jemi një, të gjithë shqiptarë pavarësisht se në cilin cep apo pjesë të Shqipërisë Etnike jetojmë. Unë nuk mendoj kështu, se ky qëndrim mbahet pse janë shqiptarë nga Kosova por ky qëndrim ndaj tyre dhe ndaj mbarë nacionalizmës shqiptare mbahet për faktin se një pjesë e mirë e studiusve janë prodhim i shkollës së Miskovit (Moskës), në Shqipëri dhe asaj të Beogradit në Kosovë. Për këtë atdhetari, poeti dhe shkrimtari më i madh shqiptar i të gjitha kohërave Atë Gjergj Fishta jonë i madh komplet e kishte parashikuar dhe profetizuar komunizmin me këto vargje: ”Shka të lanë këta katër ujq / që i turren shoqi shojt/thonë do të dalë një djallë i kuqë/që për të gjallë do tja vë thojtë/atdhetarët do ti qojnë drejt qengelit/ndërsa ata që i shpëtojnë qengelit/merr e i qonë n’shkollë t’gabelit”. Ky ishte profetizimi i Fishtës tonë. Ky qëndrim i një pjese të studiusve shqiptarë me mendësi komuniste ndaj atdhetarëve Xhafer Deva dhe Rexhep Mitrovica, është për faktin se ata historianë dhe studiues, kanë mbetur të kuqë si molla e rremit, dhe skanë ndryshuar fare, ata të njëjtin qëndrim e mbajnë edhe për Kapidan dr Mark Gjon Markun, edhe për Mithat Frashërin edhe për Isuf Luzajn edhe për Halim Begen edhe për Xhemë Gostivarin edhe për Prenk Calin, dhe shumë atdhetarë tjerë. Besoj se gjenerata e re e historianëve do ta shkruan historinë ashtu siç ka ndodhur, dhe jo ashtu siç kanë dëshirë disa të ket ndodhur.

Gazeta Shqiptare – Se fundmi historiani Arben Puto sjell nje libër ku u ka vënë nga një përcaktues për Fishtën, Frashërin, Koliqin, Devën, Mitrovicën, etj, si kaloboracionistë, bashkëpunetorë të fashizmit, të nazizmit etj. Cila është pikëpamja juaj për këto figura dhe të tjera sa i takon bashkëpunimit me këto regjime?

Nue Oroshi-Përsonalisht ende nuk e kam parë këtë libër që në bazë të pyetjes del se është vazhdimësi e librave të fallsifikuara që shkruan zoti Puto. Ta them të drejtën, këto nuk janë libra historik por janë libra ideologjik. Në këtë aspekt zoti Puto si jurist i shkolluar në Rusi për të drejtën ruse ka një përvojë shumë të madhe. Sepse, ne të gjithë e dijmë se në Rusi kurrë nuk ka pasë drejtësi, ndërsa edhe sot e asaj dite nuk ka drejtësi, dhe Rusia është shteti më armik i shqiptarëve, së bashku me vëllain e vogël Serbinë, në të gjitha kohërat. Edhe zoti Puto është prodhim i mentalitetit të shkollës ruse, që si duket nuk ka ndryshuar fare në krahasim me disa studiues të tjerë të cilët vërtetë e kanë korrigjuar vetvetën dhe po punojnë nëpër arkivat përendimore dhe me zell po e studiojnë historinë shqiptare.

Nuk diskutohet fakti se këto përsonalitete të nderuara e të përmendura negativisht nga historia ideologjike komuniste, të kenë bashkpunuar me forcat Gjermane për të mirën e popullit shqiptar. Dhe, tani unë si historian i ri do ta bëj një analizë të dyanshme dhe pa asnjë anim rreth këtyre dy grupeve politike shqiptare që u krijuan gjatë Luftës së Dytë Botërore, grupit politik komunist dhe grupit politik nacionalist.

Së pari po e filloj tek nacionalistët:
1. Ata bashkëpunuan me forcat Gjermane për shkakun se më tepër se gjysma e Trojeve Etnike Shqiptare ishin nën okupimin klasik të ish mbretërisë Jugosllave, dhe, shfrytzuan thënjen e vjetër popullore, se armiku i armikut tim është miku im.
2. Në këto rrethana politike bashkuan Kosovën dhe viset e tjera shqiptare më Shqipërinë; formuanë një Qeveri të Përbashkët, një Parlament të përbashkët.
3. Për herë të parë në Kosovë u hapën shkollat shqipe me përpjekjet e Ministrit të Arsimit profesor Ernest Koliqit dhe atdhetarëve tjerë, komplet Administrata u mbajt në Gjuhën Shqipe, sepse mos të harrojmë faktin se vetëm disa vite më herët vetëm e vetëm se iu mësonte fëmijëve shqiptarë alfabetin e Gjuhës Shqipe ishte vrarë mizorisht nga forcat okupuse jugosllave atdhetari atë Shtjefën Gjeqovi.
4. Forcat atdhetare Shqiptare krijuan Lidhjen e Dytë të Prizrenit, Ballin Kombëtar, Grupin Nacional Independent, Besën Kombëtare dhe shumë organizata tjera politike ku me pushkë në dorë mbrojten kufirin etnik shqiptar për mos depërtimin e forcave qetnike të Drazha Mihajlloviqit në Kosovë dhe viset tjera shqiptare.
5. Këto forca orjentimin politik e kishin në ndërtimin e shtetit me koncepte perëndimore, pluralizem, demokraci, zhvillimin e shtetit përmes bashkëpunimit më ekonominë perëndimore, pikërishtë atë që po e kërkojnë sot shqiptarët në Demokracinë moderne, integrimin e shtetit shqiptar në Evropë.

Ndërsa Komunistët e bënë të kundërtën:
1. Bashkëpunuan me Ruso-Jugosllavët dhe Partia Komuniste e Shqipërisë si dhe Partia Komuniste e Kosovës u krijuan nga jugosllavët, apo siç thoshte atdhetari Prenk Cali në një dialog me komunistin Mehmet Shehu edhepse i zënë tradhtisht në mes të këtyre dyve u zhvillua ky dialog: Mehmet Shehu i thot Prenk Calit: E more Prenk Cali të pat ardhur koha që ta mbyllje historinë me shkronja ari po t’u bëje me ne Komunistat, pse veprove kështu.
E vigani i Malësisë Prenk Cali i përgjigjet: Jo zotni, faji bie mbi ju komunistat, se ju u bëtë me anmikun shekullor të shqiptarit me shkaun.
2. Partia Komuniste e Shqipërisë i ndimoi serbëve dhe sllavëve tjerë që ta rikthejnë Kosovën dhe viset Etnike Shqiptarë serish në ish Jugosllavi, madje edhe me forcë duke vrarë e masakruar vëllezërit e vet shqiptarë në Kosovë dhe viset e tjera Etnike Shqiptare në ish Jugosllavi, ku vetëm në këto vise shqiptare kemi rreth 47300 deri në 49000 shqiptarë të vrarë, pjesa dërmuse mbetën pa varre.
3. Komunistët vranë dhe prenë çdo kundërshtar politik edhe në Shqipërinë e cunguar ku kemi me dhjetra mijëra të vrarë, intelektualë, klerikë si dhe qytetarë me ndjenja të pastra nacionaliste, dhe me dhjetra e mijëra të tjerë të burgosur dhe të internuar.
4. Komunistat krijuan shtetin njëpartiak, izoluan Shqipërinë dhe dirigjoheshin prej Beogradit dhe Moskës, dy shtetetve me armike të shqiptarëve gjatë gjithë kohës. Tani dua të japë vetëm një fakt që janë pikërishtë këta Aleatë të Komunizmit, Rusia dhe Serbia, që edhe sot e asaj dite nuk po e njohin Pavarësinë e Kosovës, që ne e konsiderojmë si fazë kalimtare drejtë Bashkimit Kombëtar.
5. Komunsitët shqiptarë mbyllën objektet fetare dhe u munduan ta krijojnë njeriun e ri pa komb e pa fe, pa dinjitet e pa atdhe, duke vrarë klerikët shqiptarë,dhe brugosur kundershtaret politik, ku vetëm në Shkodër që në atë kohë kishte 40.000 (katërdhjet mijë banorë) në vitin 1946 kishte 26 burgje.

Dhe, krejtë në fund, përgjigjen në këtë pyetje do ta përmbylli me një poezi të shkruar nga komandanti i luftës për Shqipërinë Etnike, kapidan Mark Gjon Marku, i cili shkruante nga malet dhe kreshtat e Mirditës heroike aty ku luftonte me pushkë në dorë por nuk harronte ta përdorte edhe penën, si në poezinë “Shqipnia mbi çdo gja”, që është një thirrje dhe kushtrim për nacionalizmen shqiptare, këto vargje:

Atje nder malet e Shqipnis
Ku shqypja rrit zogjt e liris
Larg vales kuqe t’bolshevizimit
Larg rrenes e t’merrit t’pansllavizmit
Lanun familje braktisun shpi
Shqipnin n’zemer flamurin ngji
pushken n’tef te krahit
besimin n’Zotin
do djelma trima e kalojn motin
per ta Shqipnia asht mbi çdo gja
prandaj shqiptarit ja lshojn nji za
Shqiptar-shqiptar mos harro fenë
Nderen ta mbajsh ta duesh atdhen
Sot komunizmi don me t’korit
Ke sllavi vendin ty ta ka shit.

Gazeta Shqiptare – Zoti Oroshi, cilat nga ngjarjet, faktet historike të Shqipërisë janë ende të errta dhe që kanë nevojë për një qartesim nga ana e historianëve?

Nue Oroshi -Siç thash edhe më herët, së pari komplet periudha historike gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore duhet ndryshuar. Duhet shkruar historia ashtu siç ka ndodhur. Ndërsa kemi edhe shumë figura tjera kombëtare që ende nuk ju është dhënë vendi sa duhet në histori. Njëri ndër ta është edhe arkitekti i ndërtimit të shtetit shqiptar Imzot Nikoll Kaqorri. Kemi edhe shumë figura tjera historike siç është Hasan Prishtina, Zefi i Vogël, Pjetër Qeli, Prenk Bib Doda. Më tepër duhet të angazhohemi të punojmë edhe në mesjetën Shqiptare pak është bërë deri më tani për Principatën e Artës e sidomos për kontributin e Gjin Bua Shpatës dhe Pjetër Loshës, është interesant fakti se pas shkatërrimit të Kësaj Principate Arbërore shumica e arbërorëve të Artës u vendosen në Kalabri dhe Sicili, ku edhe u krijua Komuniteti Arbëresh që për pesqindë vjetë e ruajti gjuhën, traditën dhe kulturën. Por edhe më vonë pati lëvizje të popullsisë Arbërore në këto vise e sidomos kur tokat Arbërore ranë nën pushtimin Osman, pas vdekjes së heroit tonë kombëtar te të gjitha kohërave Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Nuk duhet harruar kurrsesi që në Historinë tonë kombëtare të zënë vend edhe një kapitull i veçantë për kontributin e Diasporës shqiptare, në të gjitha periudhat historike. Sepse, shumica e shqiptarëve edhe pse mërguan, ata me çdo mjet e ndihmuan vendin dhe sot e asaj dite vazhdojnë ta bëjnë të njejtën punë, ta ndihmojnë vendin e tyre.

Gazeta Shqiptare – A shihet e nevojshme, që edhe pse debatet i hap politika, intelektualët, jo vetëm të dy kryeqyteteve shqiptare, të mblidhen për ta rishikuar me kujdesin e duhur historinë e tyre?

Nue Oroshi -Unë këtë e shoh si nevojë urgjente, që ne historianët të mblidhemi dhe në bazë të fakteve dhe argumenteve shkencore ta shkruajmë historinë tonë pa anime. Ka përfunduar koha kur dy apo tre historian kanë vendosur për çdo gjë. Tani ne historianët e rinjë kemi mundësi t’i vizitojmë arkivat nga të gjitha vendet e botës; të pasurohemi me literaturë dhe dokumente të tjera të veprimtarisë kombëtare të shumë organizatave dhe partive politike shqiptare, si në Evropë ashtu edhe në Amerikë, por edhe të atyre që vepruan brenda trojeve Etnike shqiptare dhe bënë rezistencë për etninë shqiptare.

Gjithnjë duke punuar për ndriqimin e Historisë Shqiptare, kemi themeluar Shoqatën e Intelektualëve Shqiptar “Trojet e Arbrit”, që përfshinë 120 Intelektualë; kemi mbajtur 13 sesione shkencore, 8 akademi dhe kemi botuar 12 vepra enciklopedike të Historisë Shqiptare, me një volum prej më shumë se 8000 faqe, e ku me punimet e tyre gjatë këtyre sesioneve shkencore janë paraqitur profesorët me eminentë të Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, të Institutit Albanologjik në Prishtinë, Instituitit të Historisë në Prishtinë, studiuesit nga Arkivi i Kosovës, Muzeu i Kosovës, Akademia e Shkencave, Univerziteti i Tiranës, Univerziteti i Shkodres, Univerziteti i Durrërsit, Univerziteti i Prishtinës, profesorët shqiptarë nga Maqedonia, nga Mal i Zi, Kosova Lindore, Çameria, Evropa, Amerika dhe Australia. Në krye të këtij organizimi është profesori i nderuar dhe vizionari i kombit shqiptar Prof. Dr. Muhamet Shatri, ndërsa unë e kam fatin të jam nënkryetar i Shoqatës së inteletkualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit”.

Intervistoi: Gilmana Bushati

 


 

6 thoughts on “TERRORIST ISHTE ENVER HOXHA DHE JO XHAFER DEVA”

  1. Si gjithmon historin e bejne fituesit simbas mendjes tyre dhe jo fakteve.i kujtoj ketyre sherbyesve enverisrokomunistosllav se ata te cilet ky lloj i njollos jane ata qe qeverisen edhe se jo e plote shqiperin natyrale.kata nacionalist nuk ishin kriminela nazist por antikomunist po te ishin si enveristet kriminela eterrorist nuk do te ndihmonin qindra familje hebre qe gjndeshin ne shqiprin e kohes qe duke i paisur me dokumente i ndihmuan te largohen duke i shpetuar nga masakrimi nazist por ju kujtoj se nje pjese e vogel hebre qendroi por kur moren pushtetin enveristet filoserb keta hebre te shkolluar u persekutuan dhe u pushkatuan gjoja si sabotator.le krahasojme sa u vran nga ata ballist e legalist dhe2sa u vrane nga pushteti komunit pa harruar ata gjate luftes qe u pushkatuan per gjoja tradheti te idealit pra lufta mbrenda llojit e ti shtojme te internuarit che burgosurit politik temasakruar shohim se peshorja a non nga everistet e mos harrojme mijrat djejmosha te kosoves qe komisari enverist shefqet peci ja dorzoi skuadrave sebe te pushkatimit vllezerve tyre te idealit ky puto me kompani te kerkojne falle per krimet komunistoeveriste me pare e pastaj ta1analizojne mire historin e cila duhet riber simbas fakteve dhe jo simbas deshirave

  2. Bshkpuntoret e pushtuesit po na dalin heronj ca poshtersie , Enver Hoxha udhehoqi luften per clirimin e vendit dhe dalin sot ata qe bashkpunuan me fashizmin qe na paskan luftuar per Shqiperi

    1. Bashkpuntoret sic i cuan ti zoteri punuan mbi 40 mi lidh shqiptaret me Amerikan kurse Enverist uit te lidhi me Rusin Serbin e Kinen e te izoloj per 50 vjet
      Lirija e Kosoves eshte meritat e atyre se formuan Lidhjen e Dyt te Prizrenit.
      Aleksander Vucic thot: Lidhja e Dyt e Prizrenit na ka shkaktu aq shum deme sa vet bombardimi i NATO s.
      Shqipnija Shqiptareve vdekje tradhetareve Rroft Shqipnija Etnike 🇦🇱

  3. Superballisti

    Ing. Xhafer Deva, nuk e ka vra asnje SHQIPTAR.

    TERORISTI KOMUNIST enver hoxha ka vra mbi 8 mije SHQIPTAR , gjate viteve te sundimit te tij ahmakoid….1944-1985. Burgosi mbi 28 mije , internoi 250 mije…dhe i beri “budall” shumicen e popullates SHQIPTARE.

    1. petrit belliu

      REXHEP MITROVICA E XHAFERR DEVA, jashte syzeve enveristo-serbosllave, ISHIN DY PRIJESA TE SHQUAR TE LUFTES PER KOMB, LIRI, SOVRANITET, PROFIL PERENDIMOR DHE PROSPERITET..!

  4. Arben Puto ka tradhétue historiné kombetare dhe nuké meriton titullin historian por mashtruesi eenverian.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top