ARTUR ROSHI, KRYETAR I BALLIT KOMBËTAR DEMOKRAT

Tepsia në një dorë rrëzon Qeverinë

Opinion nga Artur Roshi, kryetar i partisë “Balli Kombëtar Demokrat”

Opozita po dorëzon mandatet e deputetëve. Eshtë një veprim i fortë që nuk lë kompromis veç atij që kërkohet, Qeverisë Tranzitore.

Pak a shumë jemi në një situatë të përafërt me atë të vitit 96 kur Opozita e atëhershme u tërhoq nga zgjedhjet në mes të procesit dhe parlamenti ngeli pa Opozitë.

Dikush mund të thotë se kjo gjë mund të kthehet në trend për çdo Opozitë, edhe atë të së nesërmes. Nuk ka të keq të praktikojmë një demokraci të zhdërvjellët.

Stabiliteti i qeverisjeve fiktive na ka dëmtuar dhe një mostabilitet i tyre do ti bënte ato më shërbyese ndaj qytetarit dhe demokracisë. Shembull këtu është fqinji ynë Italia,ku çdo qeveri e ka të vështirë të mbylli një 4 vjeçar.

Unë them se demokracia krijon kushtet që nëpërmjet egos së pushtetit të ruajë apo krijojë në këtë rast Lirinë e qytetarëve. Politika duhet ti hapi rrugën demokracisë së vërtetë, ku fuqia e pushtetit ngrihet mbi lirinë, duke kuptuar se nuk qëndron dot në pushtet pa dakortësimin e kundërshtarit, i cili pranon epërsinë vetëm kur ke fuqinë e votës së lirë.

Rituali i urimit të fitores së kundërshtarit në perëndim nuk ka dalë rastësisht, por nga përulja ndaj të vërtetës, ndaj besimit të qytetarëve dhe votës së tyre. Rama thotë se ky vendim i prish punë Shqipërisë, jo Qeverisë.

Dakort, por Qeveria nuk vlen para prishjes së punëve të Shqipërisë dhe Shqiptarëve dhe duhet ta korigjojë këtë vakum pa humbur kohë.

Në rast se qeveria tërhiqet nga drejtimi i vendit, Europa do e vlerësojë si funksionalitetin e demokracisë dhe do vazhdojë përkrahjen për hapjen e negociatave. Kur përplas makinën me një tjetër, nuk ka rëndësi nga anon gabimi, makinat janë dëmtuar.

Ai që ka të drejtën Qeveria apo Opozita rivlerësohet ne zgjedhje. Le të futemi në thelbin e problemit. Pse ndodhi akti politik i djegjes së mandateve ? Përgjigjia ime është për shkak se në Kushtetutë nuk është theksi tek kontrolli dhe korigjimi i pushteteve, por tek siguria e tyre.

Korigjimi i qeverive që vjen nëpërmjet ndërrimit të tyre, realizohet nëpërmjet mekanizmit të votës së qytetarëve sa herë që ndryshon balanca e besimit të tyre në të kundërt të qeverisë.

Opozita mendon se protesta e dt.16.Shkurt tregon një gjë të tillë, ndryshimin e raportit të njerëzve me qeverinë. Nuk ka asgjë të keqe që Qeveria të verifikojë mbështetjen e saj nëpërmjet një sistemi të vërtetë të Lirisë së Votës, i cili mungon.

Duke mos pasur votën e lirë krijojmë mazhoranca të sforcuara mbi realitete besimesh që nuk ekzistojnë. Konkurrenca e pushteteve duhet të pajtohet me Votën vërtet të Lirë. Në se sërish do vazhdojmë jashtë sistemit të Votës, në sistemin e të fortit të momentit për 2 vjet të njëjtin fat do të ketë dhe Opozita e sotme si qeverisje e nesërme.

Por sërish nuk do të bëhet hataja. Përfundimisht Qeverinë e mori në qafë “Tepsia” e gjitha në një dorë, stimuloi Shqiptarët nën postulatin e Migjenit “Mjerimi Kafshatë që nuk Kapërdihet”, që të mbështesin pa kushte Opozitën.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top