Propaganda serbe anti-shqiptare nuk lë guri pa lëvizur. Ata së fundi kanë tentuar të njollosin edhe storjen më unike të historisë kombëtare shqiptare, atë të shpëtimit të hebrejëve gjatë Holokaustit duke portretizuar Xhafer Deven si kolaboracionist të nazistëve. Qëllimi këtu nuk është veç Deva, por njollosja e komplet kësaj perle të historisë sonë që është unike në botë.
Fillet e kësaj fushate janë në letren e Dr. Efraim Zuroff nga Simon Wiesenthal Center në Jerusalem dërguar shefit të zyrës së BE-së ne Israel, Amb. Tzantchev, të datës 8 shkurt 2022. Kushdo që e lexon letren me vëmendje e sheh se në të, historiani Zuroff, më shumë merret me kinse “gjenocidin ndaj serbëve” sesa edhe me vet hebrejtë! Kjo dëshmon se letra e tij, nëse nuk është draftuar nga mekanizmat e propagandës anti-shqiptare të Beogradit, ajo gjithësesi është influencuar tejmase.
Si njeri që ka pasë fatin të punojë në stafin e Kongresistit Tom Lantos, që ka qenë hebre dhe i vetmi i mbijetuar i Holokaustit ndonjëherë i zgjedhur në Kongresin e SHBA-ve, dhe si autor i librit me titull “Shpëtimi Shqiptar i Hebrejëve Gjatë Holokaustit’ botuar në anglishte në origjinal në SHBA dhe promovuar pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit në OKB më 2020, nuk munda të heshtja.
Thjeshtë, në letrën time që ia kam përcjellë Dr. Zuroff-it bashkë me një kopje të librit, ia paraqes atij të paktën katër fakte kredibile që mohojnë insinjuatën e tij dhe faktojnë të vërtetën historike mbi saktësinë e storjes së shpëtimit të hebrejëve nga shqiptarët dhe për Xhafer Deven si përkrahës të shpëtimtarëve e jo nazistëve! Këto katër fakte — te gjitha të dokumentuara në librin tim — përfshijnë:
— dy Rezoluta Kongresionale të Kongresit të SHBA-ve për shpëtimin e hebrejëve nga shqiptarët;
— një letër origjinale nga Avner Shalev, Kryetar i Yad Vashem, Autoritetit Israelit të Përkujtimit të Martirëve dhe Heronjëve të Holokaustit;
— një letër nga kryerabini i Shtetit të Israelit, Yona Matzger, ku vlerësohet lart roli i shpëtimtarëve shqiptarë të Kosovës;
— një artikull prestigjiozes New York Times ku citohen hebrejë të shpëtuar nga Holokausti duke treguar për takimin e tyre me Ministrin Xhafer Deva në Tiranë dhe faktin që ai ishte mbrojtës i tyre e jo vrasës assesi (shih letren time të plotë për detaje).
Prandaj, nuk do heshtim ndaj asnjë tentimi për baltosje të historisë sonë nga askush, e veçanërisht jo nga Serbia! Ka kaluar koha e portretizimit të shqiptarëve sipas dëshirës së të tjerëve. Jo më! Asnjëherë!
Këtu po ua paraqes edhe tekstin e plotë të letrës sime dërguar Zuroff të përkthyer në shqip:
I nderuar Dr. Zuroff,
Po ju shkruaj sot në cilësinë time si ish-Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe si Anëtar Ekzekutiv i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane për të shprehur brengosjen time të sinqertë në lidhje me letrën tuaj drejtuar Ambasadorit Dimiter Tzantchev, Kryesues i Delegacionit të BE-së në Shtetin e Israelit, të datës 8 shkurt 2022.
Përgjerësa e vlerësoj punën tuaj prej historiani për të sjellë në dritë sa më shumë fakte për njollën e njerëzimit të njohur si Holokaust, është fatkeqësi që letra juaj në fjalë duket të jetë më shumë absorbuese ndaj propagandës historike serbe kundër shqiptarëve sesa ndaj të vërtetës dhe fakteve.
Ju lutem, keni parasysh se hebrejtë e zënë nga serbët u janë dorëzuar menjëherë nazistëve, gjerësa e kundërta është e vërtetë për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Realisht, Shqipëria është vendi i vetëm në botë që ka pasë më shumë hebrejë pas luftës sesa para saj. Secili hebre që kishte arritur të futej në Shqipëri ishte shpëtuar, dhe ata kanë mundë të arrijnë në Shqipëri kryesisht përmes ndihmës së shqiptarëve të Kosovës të cilët kishin rrezikuar jetën e vetë vetëm e vetëm që të shpëtonin hebrejtë në nevojë. Kjo storje e jashtëzakonshme e orëve më të errëta të histories njerëzore buron nga tradita e vjetër shqiptare, besa.
Më saktësisht, letra juaj pretendon se Ministri i Brendshëm i Shqipërisë së asaj kohe, një shqiptar etnik nga Mitrovica, Kosovë, Xhafer Deva, ishte një bashkëpunëtor i nazistëve dhe se i njejti ishte përgjegjës për “persekutimin dhe deportimin për në kampin e përqëndrimit në Sajmiste të qindra hebrejëve.” Për një shkollar historije sic jeni ju, të bëhen akuza të tilla pa dhënë asnjë dëshmi të verifikueshme e as edhe ndonjë referencë kredibile që do të përligjnin një akuzë të tillë është thjeshtë e papranueshme.
Kam shpenzuar një kohë të konsiderueshme në hulumtimin dhe përkrahjen e përpjekjeve të LQSHA-së të kryesuara nga Shirley Cloyes DioGuardi për të dokumentuar si duhet këtë storje unike të historisë shqiptare në lidhje me shpëtimin e hebrejëve, bashkë edhe me mikun tim të cmuar Lekë Rezniqi nga Shoqata e Miqësisë Kosovë-Israel, gjyshi i të cilit është nderuar me cmimin “Fisnik Ndër Kombe” për shpëtimin e qindra hebrejëve në Kosovë. Kam pasë nderin që të shërbej në stafin e Kongresistit Tom Lantos, i vetmi i shpëtuar i Holokaustit që ndonjëherë është zgjedhë në Kongresin e SHBA-ve, dhe së fundi jam autor i librit “Shpëtimi Shqiptar i Hebrejëve gjatë Holokaustit: Një storje unike e trimërisë, vet-sakrificës, dhe tolerances, e hedhur në pah nga Liga Qytetare dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan,” e cila u promovua pikërisht më 27 janar 2020 në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit në OKB (dhe kopjen e para kisha nderin t’ia dorëzoja personalisht Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, z. Guterres). Andaj, me kompetencë të plotë, ju ftoj të keni parasysh disa fakte si në vijim:
– Ka dy Rezoluta Kongresionale jashtëzakonisht të rëndësishme që dokumentojnë shpëtimin e hebrejëve nga shqiptarët gjatë Holokaustit, H. Res. 812 e datës 15 nëntor 2021, e bashkëhartuar nga Kongresistët Rohrabacher (R-CA) dhe Nadler (D-NY), si dhe S. Res. 521 e datës 27 qershor 2006, e bashkëhartuar nga Senatorët Schumer (D-NY) dhe McCain (R-AZ). Teksti i plotë i këtyre rezolutave është i paraqitur në faqet 67-76 te librit tim.
– Letra nga Avner Shalev, Kryetar i Yad Vashem (Autoritetit Israelit Përkujtues të Martirëve dhe Heronjëve të Holokaustit), e datës 26 nëntor 2012, adresuar Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, në të cilën vlerësohet lartë roli i shqiptarëve në shpëtimin e hebrejëve, dhe ku potencohet se me dhjetra shqiptarë janë nderuar më nderin më të lartë të shtetit të Israelit “Fisnik Ndër Kombe” për shkak të sakrifices së tyre të pashembulltë në shpëtimin e hebrejëve gjatë Holokaustit. Letra në formën e saj origjinale është e paraqitur në faqet 86-87 të librit tim.
– Është edhe një letër tjetër nga Kryerabini i Shtetit të Israelit, Rabin Yona Matzger, adresuar Kongresistit Joe DioGuardi dhe znj. Shirley Cloyes DioGuardi të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e datës 28 nëntor 2012, në të cilët Rabini shumë kjartë lartëson përpjekjet shqiptare për shpëtimin e hebrejëve duke rikujtuar “rolin instrumental që shqiptarët në Kosovë luajtën në mbrojtjen e shpëtimin e hebrejëve në Jugosllavinë e pushtuar nga nazistët.” Edhe kjo letër në version origjinal paraqitet në faqen 88 të librit tim.
– Fakti i fundit, e ndoshta edhe më i rëndësishmi, është artikulli nga Joseph Berger me titull “Dritësimi i Storjes Pak të Njohur të Shpëtimit të Hebrejëve nga Nazistët në Shqipëri,” i botuar në të përditshmen pretigjioze botërore, The New York Times, në Seksionin A, Faqen 9, të datës 19 nëntor 2013. Ja vetëm një citat i shkurtër nga ky artikull, i cili po ashtu është i paraqitur në librin tim në faqet 89-97:
“Rafael Jakoel and kunati i tij shkuan në Tiranë për të takuar Ministrin e Brendshëm Xhafer Deva… Ministri u tregoi atyre listen me emrat e hebrejëve që po kërkonin gjermanët. Por, ‘besa’ ishte aq e fuqishme sa që ai nuk ua kishte dorëzuar atyre këta njerzë në listë, ka treguar Jakoel. “Përderisa ne jemi këtu, ju s’keni nevojë të brengoseni,” u kishte thënë Deva atyre, sipas Jakoel… “Por, nësë na ndodhë dicka neve, atëherë, ruajeni vetën.”
Si rezultat i këtyre fakteve (unë po ju nisë një kopje të librit tim me postë), secili që nuk ka pikëpamje të një-anëshme në këtë cështje, mund të sheh shumë kjartë se Xhafer Deva nuk ka qenë bashkëpunëtor i nazistëve. Ai ka qenë përkrahës i shpëtimtarëve!
Në fund, letra juaj duket të jetë më shumë e preokupuar me anën serbe të storjes (e cila po ashtu është e pasaktë). Por, si cdo historian i mirë, edhe ju besoj e dini se i vetmi shtet që ka kryer gjenocid të Ballkan është Serbia.
Përzemërsisht,
Faton Bislimi, PhD
Ish-Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës