TË RILINDET GEGNISHTJA!

Shkruar nga Ardian Ndreca, Prof. Pontificia Universitas Urbaniana (Roma)

Atëherë kur, jo burrnija e rojeve, por, pafuqija e skopàjve i rrinte sogje mëkateve të nji pushteti gjakatar, askurrkush nuk pati zâ për me çilë gojën kundër dhunës qi po i bâhej kulturës shqiptare, historisë sonë e punës zelltare të qindra intelektualëve të heshtun e zâmëdhaj, – tue e zhbî gegnishten e tue e leçitun pa arsye prej areopagut të letrave shqipe.

Monologun e dhunës e mbylli nji kohë vorfnijet lândore e shpirtnore, gegnishtja u dënue veç me qenë nji e folme, e s’i dolën zot gjuhëtarët, shkrimtarët e artistat, e, âsht nji paradoks, vetëm humoristat e estradës së Shkodrës qenë ata qi e mbajtën gjallë në jetën publike ketë të folme.

Gjuha e unjisueme, ase tosknishtja e ngritun në rang standartit, pat synimin madhor me u imponue si “gjuhë letrare” me pendat e shkrimtarëve mâ në zâ qi realizmi socialist polli, ushqeu e vorrosi me nderime e në pompa magna. E ata qi e kanë të qartë se kjo letërsí nuk mbërriti objektivin e caktuem, ngushëllohen tue shtue se kanë qenë përkthimet e letërsisë botnore qi e kanë formue gjuhën e unjisueme!

Por, ne e dijmë se gjuhën letrare e bâjnë veprat e mëdha e jo fjalët e mëdha e vullnesa e nji ideologjije qi nuk u diftue bujare as me lirín qi njeriu vetvetijshëm gëzon prej natyret. Gjuhën letrare ndër kombe tjera e kanë plazmue nji Dante, nji Luter, nji Schiller e Goethe, nji Malherbe, nji Racine e Montaigne.

Por, mjerë të mundunit – vae victis, kur ndeshin në fituesa të dhunshëm e të verbët, të cilët ngjyene pendat e veta në shkumën, endè të pa përthâme, qi epilepsia gegicide shkarraviti në cepat e ndërgjegjes së tyne të shpërfytyrueme.

Deri dje t’paktën sulmi ndaj gegnishten ishte ballor e i pamëshirshëm, sot t’ndërsyemit kundër saj âsht mâ i hollë, pranohet qi âsht bâ nji gabim, por shtohet menjiherë qi tashma sic stantibus rebus – tue qenë kështu si janë punët, duhet të përmirësojmë çka kena e mos të kërkojmë bucilaja. Kjo âsht dialektika e bezdisshme e atyne qi kur s’kanë mâ në dorë dhunën për me shqymb mendjet e shpirtat e lirë, kujtojnë se me taftin e sofizmave të tyne e fikun dritën e arsyes së shëndoshtë.

Endè, këto mendje të nalta e këta arqisofista të dijes sjellin argumentin e «nji gjuhe të vetme për nji komb të vetëm», a thue se Shqipnís, anmiqt shekullor, otomanët e fqinjët e pangiem, q’prej 1878 e deri në mbarim të Luftës së Dytë Botnore i qethën Hotin e Grudën, Çamërinë, Kosovën e troje tjera, tue argumentue se shqiptarët flasin dy gjuhë e prandaj po i a marrim këta troje! Bâ me qenë se «gjuha e unjisueme» âsht nji përgjegje ndaj nji akuze të tillë qesharake, atëherë ishte dashtë me i përgjegjë edhe atyne qi na kanë akuzue se kena bisht e jetojmë të kacavarun nepër pemë!

Por, edhe ne thomi se e shkuemja s’mund të qahet mâ, e tash duem me e ndrrue fletën e kësaj historije të pezmatueme.

Nuk mundet mâ askurrkush me ndalue gegët me mësue, me shkrue dhe me përdorë gjuhën e tyne. Ne nuk e harrojmë, bjen fjala, se gjuha katalane qe ndalue në Spanjë, s’parit për 10 vjet prej diktatorit Primo de Rivera e mandej 40 vjet të tjera prej Franco-s, i cili s’e lejoi qi të flitej as në bisedat telefonike. Kurse sot Katalonja ka rifitue tana të drejtat e gjuha âsht ringjallë. Sot po ngjallen gjuhë të pandieme si ajo e indianëve mapushë të Patagonisë argjentinase, po i jepen të drejtat e mohueme disa gjuhëve qi historia s’i kujton veçse tue nisë prej qindvjetshit të kaluem. A mundena ne me e lanë endé gegnishten në poshtním?

Konçesjoni i fundit qi jepet prej ithtarëve të «unjisimit» âsht ky: gegnishtja të lejohet vetëm si gjuhë letërsijet. Por ata qi shprehin ketë idè janë inkoherenta, e ne i pyesim këta partizan të unjisimit: po pse duhet qi shqiptarët me i bashkue gjuha e burokracisë dhe me i nda ajo e letrave?

Pse duhet medoemos nji standart kur realiteti po e tregon qi vendin e standartit e ka zânë nji standartizim injorancet? Kanalet televizive dhe monovijat editoriale të shumë fletoreve shqiptare i kanë stacionet e nisjes së tyne mendore shumë larg e shumë mbrapa, bash atje ku lirija e kryqzueme jepte shpirt; e ne ndihena të lumtun qi ndër programet e ndër faqet e tyne nuk flitet e nuk shkruhet gegnisht, vetëm për faktin qi kështu nuk përlyhet gegnishtja tue u detyrue me shpreh gjysa mendimesh, palavina shpirtnore e rrena të turpshme.

Po çfarë të ardhmet ka nji gjuhë-dialekt qi nuk mësohet mâ ndër shkolla? Ketë e tregojnë ankesat qi ndjeksat e Kongresit të 1972 kanë për keqtrajtimin qi i bâhet vetë standardit edhe tue qenë i mësuem ndër shkolla. Problemi i gjuhës âsht problem i tanë shqiptarëve, e kur gjuhëtarët duen me i a mbyllë gojën të tjerëve tue i quejt “diletanta në gjuhësí”, harrojnë se ka edhe mâ keq, e âsht me qenë: “gjuhëtarë diletanta”, ase racë ripërtypsash t’ideve qi pararendësit kanë lanë trashgimí.

Mjerimi ynë s’i prekë aspak gjuhëtarët, e pra sot shqiptarët po mësojnë gjuhë të hueja e po harrojnë me shkrue gjuhën e nanës.

Çashtja e gjuhës more geometrico demonstrata, ase e ftillueme simbas nji vargoni arsyetimesh të domosdoshme, nuk âsht aq e errët sa duen me e paraqitë disa. Kena dy dialekte, njeni âsht standartizue, pra ka format e veta të kristalizueme e të paqta, ndërsa tjetri âsht zhbî. Ai i standartizuemi don me vazhdue me u mbajtë si i vetmi i vlefshëm, edhe pse tjetrin e flasin 2/3 e shqipfolësve. Pretendimi qi gjuha e 1972 të zâvendësojë gegnishten âsht: nji proiectio per hiatum irrationalem, mbasi ajo nuk âsht standarti i shqipes, por vetëm norma e tosknishtes.

Çka kërkojmë ne!

Ne kërkojmë qi gegnishtja të mësohet në shkollat e Gegnís e kudo qi shqiptarët t’duen me e nxânë. Duem qi Shteti shqiptar, t’i bâhet krah kësaj inisiative tue mbrojt e tue zhvillue gegnishten, mos të harrojmë qi politika kulturore e UNESCO-s, karta e të drejtave themelore të Bashkimit Europian, njohin të drejtat e gjuhës e s’pranojnë nji politikë diskriminuese ndaj cilitdo dialekt ase të folme.

Kena gramatikat tona tue fillue te J. Rrota, K. Gurakuqi, M. Camaj, kena drejtshkrimin gegë të vjetit 1964, kena fjalorë, kena edhe vullnesen për me i a hî kësaj pune e nuk ndalena përpara vështirësive qi mbetjet e nji mendësije tashma të kalueme na qesin pa prâ.

Ne nuk harrojmë se në raport me gjuhën shqipe, visar i përbashkët e i përbâmë prej tosknishtes e gegnishtes, të gjithë ne jetojmë në nji enfitèuzi ideale, pra, kena të drejtën me e përdorue ketë visar, por njikohësisht jena të detyruem me e ruejt e me e përplotësue me dashuní.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top