Jo vetëm Rruga e Kombit. Gati edhe bërja me pagesë e 8 akseve të tjera kombëtare. Ky planifikim ogurzi, përpjekje për t’i kthyer shqiptarët në epokën e izolimit. Partia Demokratike deklaroi dje zyrtarisht se do ta anulojë koncesionin e dyshimtë të rrugës Milot-Morinë, pasi e konsideron taksën e re si të papërballueshme për qytetarët
Deputetja demokrate, Jorida Tabaku ka deklaruar se Edi Rama ka vendosur një taksë të re e të rëndë mbi shqiptarët, duke u marrë 10 euro për çdo udhëtim në Rrugën e Kombit. Në një dalje për mediat, Tabaku thekson se 10 euro do të merren nga xhepat e lodhur e të varfër të qytetarëve të vendit. Partia Demokratike i siguron qytetarët shqiptarë se do ta anulojë këtë koncesion të dyshimtë, këtë taksë të papërballueshme për jetën e tyre. “Edi Rama ka vendosur një taksë të re e të rëndë mbi shqiptarët, duke u marrë 10 euro për çdo udhëtim në Rrugën e Kombit. 10 euro, para që do të merren nga xhepat e lodhur e të varfër të qytetarëve të vendit. 5 euro në vajtje e 5 euro në kthim. Ky skandal thellohet edhe më shumë, kur del në pah se qeveria ka vendosur këtë nivel takse, 33 për qind më të lartë se niveli maksimal që kanë sugjeruar ekspertët. Sipas strategjisë, pagesa për rrugën e Kombit duhet të varionte nga 0,5-3.5 cent/km. Për 114 km nga Miloti në Morinë pagesa e përballueshme për veturat duhet të ishte nga 0.57-3,99 Euro për të gjithë gjatësinë e rrugës. Në rast se pagesa do të zhvendoset në Rrëshen atëherë totali nuk duhet të kalojë 2,8 Euro për të gjithë distancën. Mirëpo Edi Rama e caktoi 5 Euro! Të paktën 33% më shumë se çmimi i maksimal sugjeruar nga ekspertët! Një aferë e pastër me miliona euro çdo vit, një barrë e re e vendosur në kurrizin e shqiptarëve, sipas skemës së qeverisë për 30 vite me radhë, në emër të mirëmbajtjes së rrugës, kjo, shtuar subvencionit prej 5,6 milionë euro çdo vit që do të japë shteti”, tha Tabaku. Në vazhdim, ajo tha se “Po taksa e qarkullimit që është rritur në dy vjet me 240 lekë, për çfarë përdoret në një kohë që mirëmbajtja e rrugëve është në minimumin historik?! Përpara se të merrej ky vendim duhej bërë një analizë e plotë, shteruese dhe shumë serioze e kosto-përfitimeve, një analizë e plotë e impaktit ekonomik, një analizë e plotë e impaktit në turizëm, kur dihet se turistët nga Kosova mbizotërojnë në plazhet Shqiptare. Partia Demokratike i siguron qytetarët shqiptarë se do ta anulojë këtë koncesion të dyshimtë, këtë taksë të papërballueshme për jetën e tyre”.
Të gjitha autostradat me pagesë. Zbardhen tarifat e rekomanduara për 8 akset e tjera veç Rrugës së Kombit/ Shqiptarët do të paguajnë për çdo autostradë. Tarifa më e lartë është ajo në Rrugën e Kombit. Për çdo kalim tek kjo autostradë do të paguhen 5 euro ose 700 lekë të rinj, për një udhëtim të vetëm. Tarifa është më e lartë se ajo që ka sugjeruar firma konsulente e kontraktuar nga Ministria e Transporteve për përllogaritjen e çmimit. Konsulenti kishte propozuar pagesa nga 05. Në 3.5 cent të euros për çdo kilometër, ose tafifë maksimale prej 2.3 euro për 100 km. Ministria e Transporteve tha se kjo tarifë ishte pa TVSH dhe se shtuar këtë taksë ajo shkon në 4.9 euro, siç është vendimi final. Por veç Rrugës së Kombit, shqiptarët do të paguajnë edhe për 8 autostrada e rrugë të tjera nacionale. Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim jep këto rekomandime në bazë të një studimi të bërë. Për rrugën Tiranë – Durrës, me gjatësi 34 kilometër, tarfifa mund të jetë nga 23 në 166 lekë të reja. Tiranë – Elbasan me gjatësi 27 kilometër do të paguhet nga 18.9 në 132 lek. Rruga e Arbrit, edhe pse s’dihet se kur mund të përfundojë, do të taksohet nga 52 lekë në 367 lekë për 75 kilometrat e gjatësisë së saj. Levan – Vlorë, me gjatësi 24 kilometër do të taksohet nga 16.9 lekë me 118 lekë. Në Durrës – Fier, me gjatësi 68 kilometër, pagesa do të jetë nga 47.7 lekë minimalja në 334 lekë maksimalja. Levan – Tepelenë me gjatësi 47 kilometër do të kushtojë 32 lekë ose 230 lekë. Elbasan – Kapshticë, tarifa do të jetë 29 deri në 203 lekë. Tiranë – Hani i Hotit mendohet të taksohet 31 ose 220 lekë. Nëse do t’i referohemi precedentit të Rrugës së Kombit, tarifat e miratuara nga qeveria pritet të jetë maksimalja. Nga një përllogaritje e thjeshtë, për të udhëtuar nga Tirana në Vlorë, çdo drejtues automjeti do të paguajë 618 lekë të reja për 126 kilometër autostradë të taksueshme.