Takimi sekret i Ilir Metës me ekstremistin grek Jorgos Surlas

Shkruan: Arben Llalla

Kryetari i LSI-së u takua me kryetarin e shoqatës “Dëshmorët e luftës së 1940” të cilit i premtoi ngritjen e 8 mijë varreve greke në Shqipëri Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka mbajtur sekret një takim të rëndësishëm që ka kryer gjatë vizitës tre-ditore në Greqi.

Zoti Meta është takuar atje edhe me Jorgos Surlas. kryetarin e shoqatës “Dëshmorët e luftës së 1940” dhe përfaqësues të tjerë të kësaj shoqate. Por nuk është publikuar asnjë e dhënë nga stafi i tij, për këtë takim jo pa rëndësi me kreun e një shoqate që mban ende në fuqi ligjin e luftës mes dy vendeve.

Takimi i delegacionit të Ilir Metës me përfaqësuesit e shoqatës ekstremiste greke që pretendon të ndërtojë rreth 8.000 varre boshe të ushtarëve greke të vrarë gjatë luftës italo-greke, u zhvillua në ambiente të mbyllura dhe larg mediave shqiptare. 27.al ka mësuar se kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, e ka garantuar përfaqësuesin e shoqatës greke se shumë shpejt ai do të ndikojë për marrjen e vendimit për nisjen e ndërtimit të varrezave të ushtarëve grek në Shqipëri.

Në atë takim mësohet se Meta ka premtuar se më 28 tetor do vendosë lule tek varrezat greke në Bularat. Kreu i kësaj shoqate, Gjeorgjios Surlas ka qenë deputet i Kuvendit të Greqisë 1981-2007 me partinë e djathtë Demokracia e Re. Në vitin 1990-1992 ishte ministër në qeverinë e Konstandin Micotaqit, ndërsa në vitin 2007 ishte nënkryetar i Kuvendit të Greqisë. Sot është kryetar i shoqatës “Dëshmorët e luftës së 1940”.

Në fotografitë që 27.al publikon sot, duket edhe një detaj i rëndësishëm, në dhomën ku zhvillohet takimi mungon flamuri shqiptar përkrah atij të BE-së dhe Greqisë. Një tjetër detaj i vizitës së Metës në Greqi është edhe një fjalim i munguar i tij në në Kuvendin e Greqisë ashtu siç e do tradita demokratike.

Me sa duket, Ilir Meta është pritur nga zyrtarët grekë më shumë si kryetar i LSI-së se sa si kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Në cilëndo cilësi që Meta të ketë zhvilluar vizitën në Greqi, do të ishte e udhës të japë sqarime rreth takimit sekret, çfarë i kërkuan dhe çfarë iu premtoi ekstremistëve grekë që vazhdojnë të mbajnë në fuqi ligjin e luftës mes dy vendeve.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top