Ta falim Parkun e Liqenit të Tiranës

Shkruan: Rexhep SHAHU

Ta falim Parkun e Liqenit të Tiranës, me gjithë liqen e me gjithë ujë në të. T’ia falim kryeministrit dhe ndërtuesve të pallateve, aq më mirë nëse këto ndërtues janë pronarë mediash e televizionesh. Si do ndihmohet e përkrahet ndryshe media e lirë…

Se po bëhemi qesharakë, për ca drurë e lisa po pengojmë që të ndërtohen ca pallate siç po thonë, të mëdhej, të shndritshëm, modernë, gjigandë, që tregojnë e pohojnë madhështinë tonë kombëtare, zhvillimin tonë, modernizimin tonë, betonizimin tonë, gradaçelizmin tonë.

Po pse, kush janë më me vlerë, lisat që i djeg zjarri, që nuk i shërbejnë askujt, me të cilët nuk fitohet asgjë, nuk fiton askush, apo pallatet që shërbejnë për strehim popullate të zgjedhur, pallatet që nuk i djeg zjarri, pallatet që shkojnë edhe 40 a 50 kate, pallatet që tregojnë zhvillim, urbanizim, betonizim, që tregojnë modernizim.

T’ua falim atë park të gjithin me gjithë Liqen e me ujë në të. Për aq park ka mbetë Tirana? Joo! Tirana është e rrethuar nga gjelbërimi. Nëse janë pak drurë të mbjellur, le të urdhërohen studentët si dikur që mbollën drurët e parkut aktual që synohet dhe të mbjellin prapë diku tjetër, le të urdhërohen edhe gjimnazistët dhe do bëhet mrekulli me drurët e mbjellur.

Ta falim Parkun e Liqenit të Tiranës me gjithë Liqen e ujë në të. Të bjerë rehat njëherë qeveria se ka tre vjet që e grricni, e nervozoni, e acaroni, e giciloni.

Të bjerë rehat shoqëria civile, të mos merret me vogëlsira siç është Parku i Liqenit të Tiranës.
Ne i kemi falë votën qeverisë, i kemi falë besimin, dhe bëhemi kurnacë për ca lisa, për ca mijëra metra katrore park, për ca qindra lisa në këmbim të ca qindramijëra metra katrorë pallate shumëkateshe mes ajrit të paster ku do jetojnë zotnitë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top