STUDIUESIT E HUAJ TË SHQIPES DHE MENDIMI KRITIK I AKADEMIK IDRIZ AJETIT

SHKRUAR NGA PROF. DR. BAHTIAR KRYEZIU

Në vitet kur klasiku ynë, akademiku Idriz Ajeti, po i afrohet një shekulli jete dhe afro 7 dekada pune, e ndjejmë për obligim dhe detyrë nxënësi të themi edhe dy-tri fjalë për punën e tij prej dijetari e shkencëtari të paepur. Me këtë nuk pandehim se i lajmë borxhin këtij njeriu të dijshëm e të urtë – fjalëpak e punëshumë, për gjithë atë që ka bërë e po bën në fushën e arsimit, të shkencës e të kulturës shqiptare; ngase edhe çdo fjalë e mirë e thënë për punën e tij, madje edhe kur ai portretizohet si mësues i mësuesve, dijetar, shkencëtar, doajen e klasiku i fundit i albanistikës, arushan, babaxhanë, kurrizdrejt, patriarku i albanistikës, Nestor e të tjera epitete që mund t’i shkojnë vetëm një personaliteti si ky, sikur nuk e kanë fuqinë e duhur për të shprehur gjithë respektin e madh që kemi ndaj tij.

Veprimtaria shkencore e akademik Idriz Ajetit është e begatë dhe e nduardushme. Ajo ngërthen me vete një korpus të gjerë studimesh: sa nga dialektologjia aktuale e historike, po aq edhe nga historia e gjuhës së shkruar, sa nga morfologjia historike e shqipes dhe problemet e diskutueshme të saj, po aq edhe nga historia e leksikut, sa nga interferencat e dyanshme gjuhësore shqiptaro-sllavojugore, po aq edhe nga onomastika mesjetare, sa nga normimi i shqipes, po aq edhe nga çështjet e kulturës së gjuhës etj., preokupime këto që kaherë ishin ngulitur në zemrën dhe në mendjen e akademikut Idriz Ajeti. Po nga i tërë ky opus, ajo që vlen të theksohet këtë radhë, e që i kemi vënë vetes si detyrë të veçojmë, është padyshim dhe mendimi kritik i profesor Ajetit në studimin, vlerësimin e pse jo edhe në kundërshtimin e tezave dhe pohimeve të papranueshme të disa dijetarëve të huaj që i bënë shqipes e popullit shqiptar.

Që në fillim të këtij shkrimi duhet konstatuar se në tavolinën e tij të punës thuaja gjithmonë gjendeshin e gjenden, pos shkrimtarëve tanë të vjetër, edhe figurat më të shquara të gjuhësisë shqiptare të këtyre dy e sa shekujve të fundit, si: Dhimitër Kamarda, Konstandin Kristoforidhi, Sami Frashëri, Aleksandër Xhuvani, Eqerem Çabej, Selman Riza, Kostaq Cipo, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Rexhep Qosja, Rexhep Ismajli e sa e sa të tjerë, por edhe studiues të huaj, të cilët jo rrallë kishin treguar interesimin, nga ato njohuri që kishin në kohën kur edhe jetuan e vepruan, sa për të ndriçuar probleme të shqipes, të historisë e të kulturës së popullit shqiptar, po aq edhe për interesa të tyre studimore: studimet krahasimtare të gjuhëve indoevropiane, ku bën pjesë edhe gjuha shqipe. Ndër ta duhen përmendur, sigurisht: Holger Pederseni, Gustav Majeri, Karlo Tagliavini, Vaclav Cimohovski, Henrik Bariqi etj., por edhe të tillë (veçanërisht ata sllavë, si: Selishqev, Vajgand, Skok, Jovan Cvijiqi, Atanasie Urosheviqi, Milica Gërkoviqi, Jovan Ristiqi, Ivan Popoviqi,… etj.), disa nga të cilët (këta të fundit), me paragjykimet dhe detyrat që kishin marrë nga urdhërdhënësit e tyre, përpiqeshin e nxënësit e tyre përpiqen edhe sot, që përmes një “objektiviteti shkencor” të caktojnë, jo vetëm fatin e shqipes, si një dialekt ilir, pellazg, trakas apo edhe tjetër, por edhe për të treguar “shtëpinë tjetër” të shqiptarëve. Të tillëve, sa herë që e kërkoi puna, me objektivitetin më të madh shkencor, rreptësinë e guximin e duhur, përgjigjen ua dha, më mirë se rrallëkush tjetër, akademik Ajeti, mendimet e të cilit edhe i kemi bërë objekt trajtimi në këtë shkrim.

Gjuha, historia dhe kultura e shqiptarëve, që nga fundshekulli XVII dhe fillimi i shekullit XVIII, tërhoqi vëmendjen e studiuesve të huaj, në radhë të parë të atyre të botës gjermane, por edhe të dijetarëve të tjerë, siç përmendëm pak më sipër. Këto studime nisin me opinionet e filozofit të madh gjerman, Gotfrid Vilhelm Lerbnitz, që punoi një shekull para lindjes së gjuhësisë krahasimtare, e i cili, pos rëndësisë që i jepte studimeve krahasuese të gjuhëve, për të ndërtuar një histori universale të botës, shprehet edhe për natyrën dhe prejardhjen e gjuhës shqipe, duke pohuar më në fund, se shqipja është gjuha e ilirëve të lashtë. Megjithatë, studime më të thelluara për gjuhën shqipe, si dhe për shumë gjuhë të tjera, nisën pas lindjes së gjuhësisë historike-krahasuese, nga mesi i shekullit XIX, me përfaqësuesin e parë të kësaj gjuhësie, dijetarin gjerman, Franz Bopp, i cili që në vitin 1854 arriti të provonte, se shqipja bënte pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane dhe se zinte një vend të veçantë në këtë familje gjuhësore. Edhe studiues të tjerë, si G. Meyer, H. Pedersen, N. Jokli etj., kapën aspekte të ndryshme të leksikut dhe të strukturës gramatikore të gjuhës shqipe. G. Meyer harton Fjalorin e parë etimologjik të gjuhës shqipe (Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache, Strasburg 1891), ndërkaq gjuhëtarët: F. Miclosich, G. Weigand, C. Tagliavini, St. Man, E. Hamp, A. Desnickaja, H. Ölberg, H. Mihaescu, W. Fredler, O. Bucholtz, M. Huld, G. B. Pellegrini, etj., i rreken studimit të historisë së gjuhës shqipe, të problemeve që lidhen me prejardhjen, fonetikën dhe gramatikën historike të saj, si edhe me studimin e gjendjes së sotme të shqipes, kur me gjuhën e tyre filluan të merren edhe studiues shqiptarë (shek. XVII), si Frang Bardhi, me të parin fjalor të gjuhës shqipe “Dictionarium Latino-Epiroticum” (1635), Dhimitër Kamarda, me veprën “Laggio della grammatica comparata sulla lingua albanese”, Livorno, 1864, vëll.II “L’Apendice al saggio dalla gramatica comparata sulla lingua albanese”, Prato, 1866, pastaj Konstandin Kristoforidhi me botimin e “Gramatikës së gjuhës shqipe” (1882) dhe me një “Fjalor të gjuhës shqipe”, botuar më 1904, Sami Frashëri me “Shkronjëtoren e gjuhësë shqipe” (1886), Shoqëria “Bashkimi” me një Fjalor të saj (1909) etj., punë kjo e cila vazhdoi edhe më me ngulm pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me themelimin e Fakultetit Histori-filologji, të Institutit të Gjuhës dhe të Letërsisë në Tiranë, si dhe me fillimin e punës të Fakultetit Filozofik e të Institutit Albanologjik të Prishtinës në Kosovë, kur u botuan një varg gramatikash dhe fjalorë të ndryshëm (dygjuhësh), për të plotësuar nevojat e shkollës dhe të kulturës kombëtare.

Studimet dhe prurjet e këtyre dijetarëve për shqipen, e kemi fjalën këtu për ata të huaj, nga cilado fushë qofshin, nuk shpëtuan pa u vërejtur nga syri i mprehtë dhe mendja e hollë e akademik Ajetit. Ishte dhe mbetet bindja e thellë e shkencëtarit tonë se ndihmesa e studiuesve të huaj për shqipen ishte e padiskutueshme, porse jo edhe pa të meta të caktuara*. Akademik Ajeti është i vetëdijshëm se në mungesë të studimeve të mirëfillta, më shteruese për shqipen dhe kulturën tonë, në mungesë të monografive nga fusha të ndryshme të albanologjisë për kohën, albanologët e huaj ju rreken kalimthi problemeve e studimeve filologjike shqiptare. Duke ndjekur parimet dhe metodat e gramatikanëve të rinj, ata rroknin kryesisht historinë e jashtme të shqipes, ndërsa studimit shkencor, historisë së brendshme të saj i lihej një vend i vogël.

Një fushë ku më tepër bie në sy interesimi i tyre, është padyshim ajo e dialektologjisë, me të cilën u morën në udhëtim e sipër, me vështrime të shkurtra për tiparet e të folmeve të caktuara, duke shprehur mendimet e tyre herë-herë jo dhe aq të qëndrueshme.

Kështu, bie fjala, Ajeti sado që ka pasur parasysh metodologjinë e punës së Hahnit, respektin ndaj tij për kontributin e dhënë, nuk pajtohet me te se zanorja e rrokjes së theksuar në përgjithësi del e gjatë; se okluzivet palatale q, gj në mbarë të folmet e Kosovës (shih vepërzën Vehbije të Boshnjakut) janë rrafshuar në afrikatet paragjuhore ç, xh, siç kanë menduar edhe: Lamberci, Albanische Märchen, 103; Mladenov, Balkan-Archiv, I, 5; Jokli, Vuks albanesische Liedersammlung te Zbornik A. Beliq, faqe 40, 41; 103, 105; Taljavini, Le pallate albanesi di tipo zhego orientale, f. 50-52 etj., të cilin mendim, në gjysmën e parë të shekullit XIX, duke u mbështetur në këngët popullore nga rrethi i Pejës, të mbledhura nga Vuk Karaxhiqi, e dëshmon edhe vetë Jokli, e të cilin problem Ajeti e vërteton edhe një herë te studimi i tij mbi gjuhën e Divanit të Sheh Maliqit, rahovecas[1].

Edhe në njërin nga studimet shteruese të profesor Ajetit, Istorijski razvitak gegijskog govora arbanasa kod Zadra[2], ai pohon me të drejtë, se si në këtë të folme, ashtu si edhe në mbarë shqipen, ekzistojnë dy tipa të l-së, e jo tre tipa të këtij tingulli, pra edhe të një l-je evropiane a të ndërmjetme, siç pohonin disa nga studiuesit e mëparshëm të këtij areali*. I bindur thellë në mendimin e shprehur për këtë problem, Ajeti është i një mendimi me Vajgandin (Gustaw Weigand), por jo edhe me Majerin, Rejnholdin dhe gjuhëtarin tonë të zellshëm, Pekmezin. Megjithëkëtë, akademik Ajeti, si njohës i mirë i të folmeve shqipe të të gjitha trojeve shqiptare, dallon nga një mendim i Vajgandit, i cili, duke folur për vokalizmin e të folmes së Elbasanit, pohon se në këtë dialekt të gjitha vokalet, pavarësisht pozicionit të tyre në fjalë, janë nazale. Ka edhe vokale, si bie fjala, vokali palatal e, i cili te shumë shembuj paraqitet i denazalizuar, thotë Ajeti, duke sjellë edhe shembujt, si: gεršān, tεršān; shkod. gěršān, těršān; tosk. tεršεrε etj.[3]

Duke shqyrtuar problemin e nazaleve në disa tregime popullore, që i kishte mbledhur M. Lambertzi nga e folmja e Zadrimës, profesor Ajeti “edhe këtu shpreh dyshimin e tij në besnikërinë e koleksionit të tregimeve të përmendura”[4] dhe se tendenca e alternimit të a > o, nuk ka të bëjë me nazalitetin, por kemi tendencën e labializimit të a-së, d.m.th. të ndërrimit të vokalit a në o, si te shembujt: e di nãta, vlã, e kishte pã, ngase nazaliteti i vokaleve është diçka tjetër, kurse labializimi i vokalit a një gjë tjetër – shprehet Ajeti.

Një mospajtim plotësisht të arsyeshëm profesor Ajeti shpreh edhe ndaj Jan Urban Jarnikut, i cili, në një përmbledhje mjaft të thukët të tregimeve popullore nga e folmja e Shkodrës, pa të drejtë bën rrafshimin e një e-je të mbyllur, të cilën e paraqet ose të zhdukur fare ose si një e të pastër, si te shembujt: baben, věnen, doren, flanzen, mjal’ten; doren s ams[5] etj., mendim të cilin e kanë ndjekur edhe studiues të tjerë, si Jungu (me fjalët: štuls ose stüles), Julius Pisko (me shembujt: nãnen, nãna e čikes… moter, koder, lunder…), e dihet se fjala është për një vokal të shkurtër të zhdukur, ose edhe si një gjysmëvokal mjaft i reduktuar (si te fjalët: vjehěr, motrěon ditěn…)[6].

Në mungesë të studiuesve tanë më herët, me të folmet shqipe të Kosovës po edhe të Maqedonisë Perëndimore ishte marrë shkencëtari bullgar S. Mladenov, i cili opinionet e tij për këto të folme i publikoi në Balkan-Archiv, I (1925). Ai, me rastin e okupimit të këtyre trojeve nga ushtria bullgare (gjatë Luftës I Botërore), kishte vizituar këto pjesë dhe kishte shënuar disa tipare dialektologjike, me ç’rast në të folmen e Maqedonisë Perëndimore kishte hetuar diftongimin e vokaleve të gjata ī, ū >aį, eį, etj., inovacion ky i cili ndeshet edhe në të folmet e Kumanovës, Shkupit, Tetovës, Dibrës, por jo edhe në të folmet e Kosovës e të Luginës së Preshevës. Studimi i Mladenovit, me gjithë disa të dhëna, nuk shpëtoi pa u kritikuar nga akademik Ajeti, si “një vështrim i shkruar shkel e shko”, i përgjithshëm, ku nuk thuhet gjë për kuantitetin, kualitetin dhe hundorësinë e vokaleve, për dallim nga një punim më i mirë i Petar Skokut i botuar në Godišnjak Muzeja Južne Srbije (1941)*, përkitazi me të folmen e shqiptarëve të Shkupit, me ç’rast kishte hetuar diftongizimin si veçori e vonshme në këtë të folme dhe shtrirjen gjeografike të kësaj dukurie, por edhe ky, si S. Mladenovi, kishte lënë pa përmendur, si kuantitetin dhe kualitetin e vokaleve, ashtu edhe hundorësinë e tyre, konstaton Ajeti.

Parimin shkencor të tij, akademik Ajeti e shpreh edhe ndaj mendimit të dijetarit të njohur Taljavini, i cili, duke marrë disa shembuj nga Fjalori i Kujinxhiçit, si p.sh. fjalët: ćüš, ndrüšk etj., kishte pohuar kalimin e ü > u në të folmen shqipe të Kosovës, e që profesor Ajeti nuk e pranon një konstatim të tillë. Nuk ia pranon Taljavinit e as Joklit, të cilët, të bazuar në shembuj të pasigurt të Fjalorit të Kujinxhiçit, mendojnë se e folmja e Gjakovës nuk njeh bashkëtingëlloren h. Për t’i arsyetuar pohimet e veta, Taljavini përmend shembujt: ōngar (honger – hangër), ekar (hekër), ōn (han), gua (guha – gjuha), vjera (vjehra), kra (krah); Jokli shembujt: iću (hiqu), ndërkaq Elezoviqi sjell shembujt: šoin (šohin), ongěr (honger) etj.

Me Taljavinin Ajeti nuk pajtohet edhe te gjëja alternimi i spirantit të zëshëm ndërdhëmbor l > ł (= ll), kur Taljavini bazohet te një studiues (jo gjuhëtar) serb, Atanasije Urosheviqi, i cili kishte shënuar shembujt në Vushtrri: “… me dasht zoti me i łon (ll = ł) beriqet; kur don zoti me i łon beriqet…” etj., raste të cilat nuk ndeshen as dje e as sot në të folmet e shqiptarëve të Kosovës, porse po te banorët turq të Vushtrrisë, të cilët pasi nuk e kanë këtë tingull në gjuhën e tyre, e shqiptojnë si ł të trashë (= ll)[7].

Akademik Ajeti, mbetet njohësi dhe studiuesi më i thellë i të folmes së arbëneshëve të Zarës, si në aspektin sinkronik, ashtu edhe në atë diakronik, në të cilën të folme edhe fitoi titullin “doktor i shkencave të filologjisë”*, pasi që këtë tezë aspiranture e kishte mbrojtur para një komisioni studiuesish eminentë, të cilin e përbënin: prof. dr. Karel Oshtir, profesor i Universitetit të Lubjanës, prof.dr.Milan Budimir, profesor i Univeristetit të Beogradit, prof. dr. Milivoj Pavloviç, profesor i Universitetit të Novi Sadit dhe Glisha Elezoviç, anëtar korrespondent i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve të Beogradit, duke pasur për udhëheqës albanologun e njohur të asaj kohe, profesor Hanrik Bariçin. Me të folmen e këtij areal që më parë ishin marrë edhe dijetarë të tjerë, si: Franjo Mikloshiqi, kroati Ivo Berçiq, studiuesi Tullio Erberi[8], Stjepan Buzoliq, Vajgandi[9], Taljavini, famullitari Çurkoviq[10] etj., por që Ajeti tek studimet e tyre heton disa konstatime të paqëndrueshme. Kështu, bie fjala, derisa Mikloshiqi mendon se në të folmen e arbëneshëve të Zarës kishte dy tipa të tingullit ć (q) e č (ç), si te shembujt: faće por edhe flčinet, mustač etj., po dhe (ģ = gj dhe đ = xh), prof. Ajeti, ashtu si dhe Berçiqi, Erberi, Vajgandi e Taljavini, nuk shohin kurrfarë dallimesh ndërmjet konsonanteve “të buta” dhe “të forta” në të folmen e këtij krahu. Ndërkaq pohimin e Taljavinit se në të folmen e arbëneshëve tingulli s kishte kaluar në š, të cilin problem nuk e kishte vërejtur as Vajgandi, profesor Ajeti e sheh të paqëndrueshëm.

Edhe diftongun uo, derisa disa studiues e shohin si përdorim të vetëm në të folmen e arbëneshëve të Zarës (Mikloshiç, Erber e ndonjë tjetër), profesor Ajeti, duke i shkuar problemit deri në fillin e tij, konstaton me të drejtë se disa familje – individë arbëneshë “e shqiptojnë me trajtën e tij arkaike uo, ndërkaq disa të tjerë, shumica e tyre, e shqiptojnë ua: me škuo, me punuo, gruo, por dhe: me škua, me punua, grua”, duke arsyetuar këtë me të dhënën shumë të vlefshme se diftongu uo u soll bashkë me kolonistët nga Shestani, Pinçiqi, Muriqi, ndërsa diftongu ua sillet nga Brisku, Larja, Dobreci[11].

Më fort sesa me disa çështje të tjera, akademik Ajeti merret edhe me një problem, sa të rëndësishëm, po aq edhe kompleks, me atë të djepit të formimit të shqipes e të shqiptarëve antikë. Ai mban parasysh mendimet e shkencëtarëve të njohur (Thunman, G. Han, G. Vajgand, N. Jokël, A. Selishçev, K. Jireçek, G. Shtatmyler, P. Skok, H. Bariç, I. Popoviç, E. Çabej etj.), por me arsye të plotë anon nga ata që mendonin se “toponimet antike brenda territoreve ku jetonin ilirët e lashtë, përkatësisht forma e tyre që nga antikiteti e deri sot, është e shpjegueshme vetem përmes ligjeve fonetike të historisë së gjuhës shqipe”[12], si te Scupi – Shkupi; Naissus – Nish; Scardus – Sharr; Astibos – Shtip; Drinus – Dri-Drin; Mathis – Mat etj. Nuk pajtohet me 12 pikat e Veigandit, sidomos me atë pikë ku ai prek autoktoninë e popullit shqiptar, duke mohuar atë në truallin ku ai sot gjëllin, të cilën rrugë e ndjekin edhe linguistët P. Skok, I. Popoviç, Seishçev etj., të cilët “shprehin mendimin se ata emra të vendeve janë zhvilluar jo pas ligjesh fonetike të shqipes, por përherë nëpërmjet të sllavishtes”[13]. Akadeimik Ajeti qëndrim të njëjtë mban edhe përkitazi me etimogjinë e qytetit bregdetar Vlonë – Vlorë, që sipas tij, është një formë toponimike që ka rrjedhur pas ligjeve fonetike të shqipes e jo sipas një trajte sllave (Aulon), siç e mendojnë Veigandi, I. Popoviqi a ndonjë studiues tjetër. Praninë e shqiptarëve në viset e tyre të banimit, gjithnjë sipas profesor Idrizit, e dëshmojnë edhe emërtimet: Shkumbin, Qafa e Prushit (nga Pirustae, Peru­stae); emri i qytetit të Ulqinit (nga një emër i lashtë Oulkinion)[14] etj. Dijetari ynë nuk mbështet as tezën tjetër të G. Vajgandit dhe të bashkë­mendimtarëve të tij, sipas të cilës shqipja është formuar diku në brendi të Ballkanit, me pretekstin e mungesës (dikur) të terminologjisë detare a të ndonjë “argumenti” tjetër të sjellë atëherë.

Akademik Ajeti në fjalën e tij “Për frymën shkencore objektive”, të mbajtur në Konferencën e vitit 1997, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij dhe të dekorimit me Urdhrin e Artë “Naim Frashëri”, ndër të tjera ka thënë se studiuesi i ri shqiptar “duhet të ecë në mënyrë të paanshme, duke u shquar për frymën shkencore objektive”, edhe pse ndryshe kishte vepruar e vepronte atëbotë Akademia Serbe e Shkencave, që kishte ngritur një Këshill ndërakademik të përhershëm për studime të Kosovës, i cili Këshill i kishte vënë vetes për detyrë të hidhte poshtë me çdo kusht etnogjenezën ilire të shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Autorëve të librit “Iliri i Albanci” (“Ilirët dhe Shqiptarët”), të botuar nga ajo Akademi më 1988, I. Ajeti u thoshte hapur se “u ka munguar fryma objektive shkencore” saqë një autor serb i pranishëm në atë botim arrinte të pohonte madje se shqiptarët dhe gjuha e tyre dalkan si “pjellë kompromisesh të filologëve shqiptarë që kishin marrë dorë të mirë ndër shkolla gjermane”(!), për të cillin qëndrim I. Ajeti do të shprehej: “Njeriu mbetet pa mend para urrejtjes që ndryn në vetvete një shkencëtar ndaj trashëgimisë së kulturës dhe gjuhës, do të thoshim edhe ndaj qenies së popullit tjetër, popullit shqiptar.”[15]

S’mund të shpjegohen ndryshe as edhe qën­drimet e A. M. Selishçevit në veprën “Slovenskoe naseljenie v Albanii”, që, ndonëse pa shkelur Shqipërinë, duke gjykuar vetëm nga të dhënat e disa hartave, thotë që shumica e emrave në Shqipëri janë me etimologji sllave, edhe pse të tilla dalin nja 1000, e dihet se vetëm fshatra në këtë vend ka rreth 3000[16]. Ose, ç’vërtetësi kanë pohimet e Urosheviqit në veprat: “Novobrdska Kriva Reka 32” dhe “Toponimi Kosova”, ku gati të gjitha vendbanimet e Rrafshit të Ko­sovës, Llapit, Gallapit, Siriniqit dhe të Moravës së Posht­me i paraqet të gurrës sllave e shqiptarët ardhës në këto troje. A nuk nënkupton kjo qëllimin e realizimit të dety­rave që kanë pasur shkencëtarët propagandistë serbë: të urdhëruar nga institucionet shtetërore, të organizuar nga ato shkencore e të këshilluar nga institucionet religji­oze, për të paraqitur një gjeografi emërvendesh krejt tjetër e me këtë edhe mohimin e prejardhjes së gjuhës shqipe e të autoktonisë së shqiptarëve në këto tërthore, të cilat qën­drime, më se një herë i paraqitën, përveçse në veprat dhe në tubimet e tyre shkencore, edhe në organet më të larta partiake e shtetërore, siç ishte edhe rasti në Kongresin IX të LK-së të Serbisë, të mbajtur më 1982, në të cilin ko­ngres, po në mes të Beogradit, profesor Idrizi me reagi­min e tij idinjitoz, të guximshëm dhe të ve­ndosur – siç thotë akademik Rexhep Ismajli, u dha përgji­gjen që edhe e kërkonin të gjithë atyre të cilët çështjen shqiptare më me qejf e shtrembërojnë sesa ta paraqesin çfarë ka qenë ose çfarë është në të vërtetë.

Të vërtetës shqiptare, edhe si çdo herë tjetër kur e kërkonte nevoja, profesor Ajeti i doli zot edhe në polemikat e zhvilluara me Petar Zhivadinoviqin, dr. Jovan Deretiqin, akademik Sima Qir­koviqin (me të cilët nuk ishin pajtuar edhe as prof. dr. Radoslav Katiçiqi e ilirologu i njohur dr. Aleksandër Stipçeviqi) në mbledhjen e 46 të Redaksisë Qendrore të Enciklopedisë së Jugosllavisë (1982).

I prirë kurdoherë nga e vërteta shkencore, profesor Idriz Ajeti nuk bën përpjekje që çdo emërtim me çdo kusht ta paraqesë me etimologji të shqipes. Le të përmendim sa për ilustrim vetëm disa emra “relativisht të rinj – nga periudha e mesjetës të cilët profesori i sheh të etimonit kryesisht sllav, si: Prizreni, Prishtina, Peć – Pejë”; sish me prejardhje latine: Zhur – Zhuroviq (1367) në Mal të Zi ose katundi Shur, Zhur, një fshat te Prizreni, i cili duhet të lidhet me këtë të parin; Bjeshkët e Nemuna (oronim me dy emra: një shqip, tjetrin serbisht – Pro­kletije); pastaj toponimi Bajgorë – i formuar nga dy emra gjuhësh të ndryshme me të njëjtin kuptim: turq. bair dhe serb gora”[17] etj., të cilat toponime besojmë se janë si rezultat i një jete në kontakte shekullore me popujt e ndryshëm të Gadishullit Ballkanik e që kjo fqinjësi ka krijuar bashkëpërkime, përngjasime, barazime dhe zhvi­llime paralele edhe në onomastikë.
Nuk janë të rralla rastet kur akademik I. Ajeti, në traj­timin e çështjeve nga fusha e onomastikës, del edhe jashtë orbitës mbarëshqiptare, duke shprehur kozmopoli­tizmin e tij në hetimin, shpjegimin ose edhe në mbështe­tjen e disa mendimeve të drejta, pavarësisht përkatësinë e studiuesit, siç është rasti kur përkrah mendimin e Pavle Iviqit për shtrirjen e elementit etnik sllav edhe jashtë Ballkanit: të një Bistrice, të një Rudniku; të një Lipovice edhe në Gjermani; duke e lidhur emrin e qytetit Graz të Austrisë me një Gradac (sllav); ashtu si i ka parë Iviqi edhe disa toponime të Rumanisë me etimologji sllave, si: Bistrica, Crasna, Lipova; toponimet sllave në Hungari: Budin e Peshta, Peçuj, Velika Kanizha, Estergon, Dom­bovar, Solnik, Vesprem, Çongrad etj.[18] etj. Këtu dhe del sheshit madhështia e dijetarit dhe e shkencëtarit të vërtetë.

Po e përmbyllim këtë vështrim më bindjen se dijetari ynë i nderuar, akademik Idriz Ajeti, si Nestor i gjuhësisë shqiptare në Kosovë dhe më gjerë, siç shprehet profesori Emil Lafe, me gjithë peshën e vjetëve të jetës që ka mbi shpinë, do të jetë ende në krye të disa punëve ku përvoja dhe pesha e fjalës së tij janë të pazëvendësueshme.

* Duhet përmendur në fillim studimet dialektologjike të Norbert Joklit, Stduime mbi të folmen e Rapçishtit të Pollogut, botuar te Anzeiger i Akademisë së Vjenës, 1915; Vuks albanesische Liedersammlung, kushtuar veprimtarisë shkencore të linguistit Aleksandar Beliç më 1921; S. Mladenovi, Bemerkungen über die Albaner und das albanesische in Nordmakedonien und Altserbien, Balkan-Archiv, Leipzig, 1925; P. Skok, Lingvistička proučavanja neslovenskog stanovništva Skopske kotline, Godišnjak Muzeja Južne Srbije, 1941; Tljavini, La parlate albanese di tipo ghego orientale – Dardanie e Makedonia Nordoccidentale, Roma, 1942; Lamberci, Bericht über meine linguistischen Studien in Albanien an Mitte Mai bis Ende August 1916, te Anzeiger, Vienna, 1916 etj.

[1] Shih: Mr. Murat Blaku,Veprimtaria shkencore e akademik Idriz Ajetit, botur te Studime gjuhësore në fushë të shqipes të Dr. Idriz Ajetit, Prishtinë, 1982, faqe 11.
[2] Dr. Idriz Ajeti, Zhvillimi historik i së folmes gege të arbëreshëve të Zarës, Instituti Ballkanologjik i Shkencave të Bosnje-Hercegovinës, Sarajevë, 1961. * Stjepan Buzoliq, Zadarski Arbanasi i Prabiskup Zmajević, Narodni koledar, 1868; Franc Mikloshiç, Albanische Forschungen, 1870-1871; Tulio Erber, La colonia abanese di Borgo Erizzo presso Zara, Dubrovnik, 1881, Gustav Vajgand, Der gegische Dialekt von Borgo Erizzo bei Zara in Dalmatien, Lajpcig, 1911; Čurković, Povjest Arbanasa kod Zadra, Šibenik, 1922; Karlo Taljavini, L’Albanese di Dalmazia, irenca, 1937; Kruno Krstić, Zadarski Arbanasi, Glas Zadra, 1951.
[3] Idriz Ajeti, Vepra 1, AShAK, Prishtinë, faqe 21.
[4] I. Ajeti, Vepra e cituar, faqe 25.
[5] J. U. Jarnik, Prispevky ku Poznani Nareči Albanskych, Prag, 1896.
[6] I. Ajeti, Vepra e cituar, faqe 27.* Studimi mban titullin: Lingvistička proučovanjaneslovenskog stanovništva Skopse kotline.
[7] I. Ajeti, Vepra e cituar, faqe 46. *Istorijski razvitak gegijskog govora arbanasa kod Zadra ((Zhvillimi historik i së folmes gege të arbëresheve të Zarës).
[8] Tulio Erber, La Colonia allbanese di Borgo Erizzo presso Zara, Dubrovnik, 1883, faqe 72-73.
[9] Weigand, Der gegische Dialekt von Borgo Erizzo bei Zara in Dalmatien, Jahresbericht des Instituts für Leipzig, 1911.
[10] Čurković, Povijest Arbanasa kod Zadra, Šibenik, 1922.
[11] I. Ajeti, Vepra e cituar, faqe 55.
[12] I. Ajeti, Vepra e cituar, faqe 24-25.
[13] Idriz Ajeti, Vepra 5, AShAK, Prishtinë, 2002, faqe 41.
[14] Idriz Ajeti, Vepra 5, AShAK, Prishtinë, 2002, faqe 42-43.
[15] Emil Lafe, Vepra madhështore e Idriz Ajetit (me rastin e 90-vjetorit të lindjes se I. Ajetit), Gjuha shqipe, nr. 2, IAP, Prishtinë, 2007, faqe 11.
[16] Çlirim Bidollari, Trajtimi i derisotëm i lëndës toponimike dhe këndvështrime të tjera, “Studime filologjike”, nr. 1-4, Tiranë, 1995, faqe 12.
[17] Akademik Idriz Ajeti, Njësia brenda ndryshimeve ka vlerë abso­lute, “Gjuha shqipe”, nr.1, Prishtinë,1987, faqe 5-6.
[18] Akademik Idriz Ajeti, Po aty, faqe 7-8.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top