Shkruar nga: Fatjona MEJDINI
Një studim mbi perceptimet dhe kuptimin e shqiptarëve mbi periudhën komuniste kryer nga një organizatë e pavarur për zyrën e OSBE në Tiranë ka zemëruar përfaqësuesit e viktimave të regjimit të vjetër dhe ka nxitur thirrje që shteti të bëjë më shumë për të dënuar krimet e të shkuarës komuniste.
Sondazhi, i kryer nga qendra IDRA dhe i prezantuar nga ambasadori i OSBE Bernd Borchardt, zbuloi çuditërisht se 42 për qind e shqiptarëve besojnë se diktatori stalinist Enver Hoxha pati një ndikim pozitiv në histori – ndërsa 45 për qind të tjerë e shohin ndikimin e tij si negativ. Rreth 35 për qind e atyre që u përgjigjën në sondazhin e kryer mbi 995 persona thanë se e shkuara komuniste nuk ishte problem për ta, ndërsa 62 për qind e shihnin atë të paktën si disi problematike.
Çelo Hoxha, historian dhe zv.drejtor i Institutit për Studime të Krimeve të Komunizmit, i tha BIRN se sondazhi nënvijëzonte problemet që një shoqëri mund të shfaqë kur e shkuara nuk dënohet dhe trashëgimia komuniste ende lavdërohet. Ai gjithashtu beson se krizat morale dhe politike të periudhës moderne post-komuniste mund të kenë bërë shumë njerëz ta shohin të shkuarën me romantizëm.
“Fakti që krimet e komunizmit ende nuk janë dënuar prodhon këtë rezultat,” tha ai për sondazhin.
Luljeta Progni një gazetare ish e persekutuar nga regjimi komunist, tha se ajo nuk çuditej që shumë njerëz në Shqipëri ende e shohin komunizmin me sy nostalgjik.
“Arsyeja kryesore për këtë është sepse në 26 vitet e fundit nuk ka pasur një proces de-komunizmi. Të rinjtë në shkolla nuk marrin mjaftueshëm informacion për krimet e regjimit komunist. Nga ana tjetër, partitë e krahut të djathtë gjithashtu kanë abuzuar me retorikën anti-komuniste,” tha ajo.
Hoxha dhe Progni thanë se ata kundërshtonin metodologjinë e përdorur në studim dhe njerëzit e përzgjedhur për t’iu përgjigjur pyetësorit.
“Njerëz të painformuar janë pyetur dhe pyetjet janë vënë në një mënyrë të tillë që çojnë në këtë lloj përgjigjeje. Nuk e di nëse ata do të kishin të njëjtin perceptim për komunizmin nëse dikush do t’i pyeste për pronat e përvetësuara,” pyeti Çelo Hoxha.
Duke iu përgjigjur pyetjeve për sondazhin e prezantuar të mërkurën, Ambasadori i OSBE tha për televizionin Ora News se rezultatet e studimit ishin të ngjashme me ato në ish-Gjermaninë Lindore kur vjen puna për perceptimet e të shkuarës komuniste.
“Ka njerëz që kanë krijuar një ndjesi të asaj që çoi në termin ‘Ostalgji” – që është kombinim i fjalës Osten (Lindje) dhe nostalgjinë. Kjo ndodh kur gjërat nuk janë stabilizuar plotësisht. Njerëzit krijojnë këtë lloj nostalgjie, megjithëse kjo nuk është ajo që ata duan,” tha ai.
Borchardt theksoi se një dialog i hapur dhe i sinqertë në vend mbi këtë çështje ishte i rëndësishëm, gjë që OSBE është zotuar ta ndërmjetësojë. Një nga iniciativat më të rëndësishme anti-komuniste që Shqipëria po përgatitet të marrë është hapja e dosjeve të ish-policisë sekrete. Komisioni që do të drejtojë këtë proces të rëndësishëm është formuar tashmë dhe thotë se është gati të fillojë punën.