Përgatiti Veli HAKLAJ – 2014
Ka disa muaj që opinioni publik shqiptar është i njohur me përpjekjet që po bëhen nga klasa politike-ekzekutive për reformën territoriale në Shqipëri. Deri më sot nuk kemi një kompromis të të dy krahëve të politikës shqiptare për t’u përfshirë në diskutimin dhe hartimin e një projekti të përbashkët për këtë qëllim.
Në këtë publikim, nuk kemi për qëllim që të analizojmë argumentat dhe kundërargumentat që paraqesin thuajse përditë përfaqësuesit e pozitës dhe opozitës për këtë problem, por dëshirojmë të theksojmë se çështje të tilla fondamentale për shtetin dhe shoqërinë shqiptare kurrsesi nuk duhet të mendohet se mund të kalojnë me forcën e kartonit, aq më shumë kur një pjesë e konsiderueshme e tyre janë fituar me megamashtrime elektorale dhe me korrupsion të mirëfilltë politik (blerje votash).
Meqënëse, deri tani, kemi përcjellë vetëm debatet politike, por akoma nuk është bërë transparencë për arsyet themelore të ndërmarrjes së kësaj reforme territoriale si dhe për projektet mbi të cilat po punohet, e vlerësuam të nevojshme të sjellim për publikun, por jo vetëm, një studim brilant “Mbi organizimin e amdinistratës dhe përdorimin e huas”, të intelektualit dhe politikanit Mehdi Frashëri, botuar në periudhën korrik 1931 – janar 1932, në Tiranë, në gazetën “Vullneti i popullit”, me pronar dhe drejtor Harilla Bakalli.
Sipas “Vullneti i popullit” penda e hollë dhe e njohur e Mehdi Frashërit plot talent dhe plot kulturë ka nxjerrë një vepër të thellë mbi nevojat e çdo prefekture dhe, mund të themi, të çdo katundi të Shqipërisë që medoemos duhet të këndohet prej çdo shqiptari që dëshiron të njohë vendin e tij pëllëmbë me pëllëmbë.
Pasi përshkruan nevojat e domosdoshme të çdo krahine, Mehdi Frashëri hidhet pastaj në përdorimin e huasë, duke dhënë kështu një program sintetik t’atij që do të jetë buxheti i jashtëzakonshëm i Shtetit. Interesant e bëjnë këtë studim njoftimet historike, letrare, folklorike dhe reformat origjinale që shkrimtari i vyer sjell në rrafshin e administratës shtetërore.
Reforma që propozon në studimin e tij z. Mehdi Frashëri është tërësore dhe përfshin çështjet administrative, gjyqësore, financiare, të sigurisë publike etj. Fryma dhe metodologjia e këtij studimi (sepse disa prej aspekteve teknike sigurisht që konsiderohen të tejkaluara dhe jashtë realitetit të sotëm) mund të shërbejnë si model për gjetjen e urave të bashkëpunimit ndërmjet faktorëve politike aktual në vendin tonë, për të çbllokuar ngërçin e tanishëm për reformën territoriale.
Profil biografik i Mehdi FRASHËRIT
Mehdi Frashëri (1874-1963), lindi në Frashër të Dangëllisë (Përmet). Shkollën e mesme e kreu në Manastir, studioi në fakultetin e Shkencave Politike dhe Ekonomike në Stamboll (1894-1898). Pati detyra të rëndësishme në Perandorinë Osmane, ndër to edhe guvernator i Jerusalemit. Pas krijimit të shtetit shqiptar u kthye në atdhe. Qe ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e Durrësit (1918), deputet në parlamentin e parë (1921-1923), ministër i Punëve Botore (1921), Kryetar i Këshillit të Shtetit (1929), ministër i Bujqësisë (1930), Kryeministër i Shqipërisë në vitet 1935-1936, përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (1934, 1937) anëtar në komisione ndërkombëtare për caktimin e kufijve të Shqipërisë dhe për shqyrtimin e pretendimeve të Greqisë lidhur me shkollat për pakicat greke, dënoi botërisht pushtimin italian të 7 prillit 1939 me një fjalim të mbajtur në Radio Tirana. Fashistët italianë e internuan në Romë. Pas kapitullimit të Italisë, gjermanët e kthyen në Shqipëri dhe në tetor 1943 e caktuan në krye të Regjencës, detyrë që e ushtroi deri në fund të luftës, kur u largua nga Shqipëria. Vdiq në Romë.
Ndarja administrative e Shqipërisë në vitet ’30 të shekullit të kaluar
Në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar, Shqipëria ishte e ndarë administrativisht në dhjetë prefektura: Prefektura e Shkodrës, me qendër në Shkodër, me 5 nënprefektura, 38 komuna, 345 katunde, me 132 336 banorë; Prefektura e Kosovës, me qendër në Kukës, me 2 nënprefektura, 10 komuna, 107 katunde, me 49 081 banorë; Prefektura e Dibrës, me qendër në Peshkopi, me 3 nënprefektura, 20 komuna, 203 katunde, me 86 992 banorë; Prefektura e Durrësit, me qendër në Durrës, me 3 nënprefektura, 13 komuna, 182 katunde, me 77 890 banorë; Prefektura e Tiranës, me qendër në Tiranë, s’kishte nënprefektura, me 7 komuna, 110 katunde, me 57 808 banorë; Prefektura e Elbasanit, me qendër në Elbasan, me 2 nënprefektura, 18 komuna, 310 katunde, me 114 422 banorë; Prefektura e Beratit, me qendër në Berat, me 4 nënprefektura, 25 komuna, 524 katunde, me 142 616 banorë; Prefektura e Vlorës, me qendër në Vlorë, me 1 nënprefekturë, 9 komuna, 88 katunde, me 53 461 banorë; Prefektura e Gjirokastrës, me qendër në Gjirokastër, me 6 nënprefektura, 25 komuna, 34 katunde, me 143 926 banorë; Prefektura e Korçës, me qendër në Korçë, me 4 nënprefektura, 26 komuna, 350 katunde, me 147 536 banorë.
Studimi i Mehdi Frashërit për Organizimin e Administratës
Aspekti historik
Çështja shqiptare ka kaluar në dy faza:
a) Krijimi i Shqipërisë si një shtet indipendent;
b) Stabilizimi i regjimit shtetnor.
Që nga viti 1912 populli shqiptar nga pikëpamja e formimit dhe e stabilizimit të regjimit, ka kaluar shumë peripecira të rrezikshme. Po, më në fund, me vullnetin dhe me energjinë e tij, pas shumë vuajtjesh, arriti të fitojë indipendencën e plotë, të caktojë kufijtë, të marrë pjesë në Lidhjen e Kombeve si një shtet indipendent, të ketë marrëdhënje diplomatike dhe konsullore, duke marrë pjesë në konferencat dhe në kongreset ndërkombëtare më të mëdha; me të drejtë njësie, duke akredituar ministra fuqiplotë të shteteve me rëndësi, duke lidhur traktate diplomatike dhe tregtare dhe, më në fund, këtë sukses e kurorëzoi me një traktat aleance.
Nga pikëpamja e konstituimit të brendshëm, duke kaluar nëpër faza kryengritjesh, arriti që të sigurojë një Mbretëri konstitucionale me një qetësi të plotë.
Pas këtyre veprimeve dhe sukseseve, çështja shqiptare sot për sot është një çështje ekonomike. Si njeriu ashtu edhe Shteti, pasi siguron ekzistencën e tij, fillon të ecë në periudhën e zhvillimit të të gjitha degëve të aktivitetit njerëzor.
Aleanca e Mbretërisë shqiptare me Mbretërinë e madhe italiane, me kondita njësie, siguroi qetësin e jashtme, që është një konditë sine qua non për të filluar në zhvillimin ekonomik, financiar, kulturor dhe artistik. Si konsekuencë e kësaj aleance, vinte vetvetiu se populli shqiptar, për të zhvilluar burimet ekonomike, që flenë në natyrën e tokës, kishte nevojë për kapital dhe për teknikë të huaj.
Nevoja e jetesës së popullit dhe qeverisë shqiptare i urdhëronte në mënyrë taksative që t’i prokuronte këto dy mjete. Për këtë gjë ndodheshin dy rrugë të hapura: e para, t’i drejtohej Lidhjes së Kombeve ose shteteve kapitaliste, që nuk kishin interesa direkte në Shqipëri dhe, e dyta, t’i drejtohej aleatës së saj (Italisë-V.H).
Studimi mbi mënyrën e përdorjes së huasë
Meqënëse shteti shqiptar kishte marrë një hua nga Italia në vlerën 50 000 000 fr. ari, por huaja konvencionale arrinte në 70 500 000 fr.ari., në studimin e tij z. Mehdi Frashëri parshtron pikëpamjet e tij dhe mbi mënyrën e përdorjes së huasë, ku thekson:
”Organizma e një shteti, në shumë pikëpamje, i përngjan organizmit të trupit të njeriut. Një trup, për të funksionuar normalisht, duhet që të gjithë organet e tij t’i ketë ose t’i vërë në gjendje normale”.
Në vijim, po japim për lexuesin e “Standard” pjesë të këtij studimi të ndarë në dy kaptina: organizimi i thjeshtë i trupit shtetëror dhe qeveritar, reformimi i sistemit financiar, nevojat e vendit sipas zonave të ndryshme dhe përdorimi i huasë në mënyrë efikase dhe më ekonomike për t’u bërë ballë nevojave”, ku kemi ruajtur dhe gjuhën e përdorur nga autori në publikimin e vitit 1931:
Kaptina e I
Organizimi i thjeshtë i trupit shtetëror
Historia përgjithësisht, sidomos ajo e së Drejtës Kushtetore, na provon kategorikisht se forma shtetnore, me konditë që të jetë kushtetore, nuk loz ndonjë rol të madh në veprimet dhe shfaqjet qeveritare të një populli. Baza shpëtimtare është lartësija e karakterit të popullit, sidomos midis këtij brumi, karakteri i drejtuesve.
Britanija e Madhe dhe Shtetet Skandinave si formë shtetnore kanë Monarkinë kushtetore, Franca dhe shumë shtete të tjerë, të transformuara ose të krijuara pas luftës, megjithëse kanë formën republikane, nuk mund të arrijnë në stabilitetin e qeverisë dhe në perfeksionimin e sistemit parlamentar.
Si Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe ato të Jugës, pothuajse kanë një sistem republikan, po nga ndryshimi i karakterit Amerika e Veriut ndodhet në kulmin e madhështisë dhe të fuqisë, kurse shtetet republikane të Jugës, herë pas here, në periudha kryengritëse dhe prandaj në gjendje dobësie. Shkaku i këtij ndryshimi rrjedh nga ndryshimi i karakterit të të dy popujve në fjalë. Megjithëkëtë, organizimi i thjeshtë lot një rol.
Fuqia legjislative
Fuqitë shtetërore në monarkinë shqiptare janë Parlamenti, Këshilli Ministror, Këshilli i Shtetit dhe Këshilli Kontrollues.
Ligji i zgjedhjeve të Parlamentit, si bazë për një deputet përmban 15 000 frymë. Në konformitet me regjistrimin që u bë më 1923, duke qenë shuma e popullsisë 857 000, parlamenti shqiptar përmban 58 deputetë. Në regjistrimin e vitit 1930, popullsia shqiptare rezultoi në shifrën 1 003 000 frymë. Po të adoptohet për bazë për një deputet 25 000 frymë, numri i deputetëve do të arrijë në 40, numër që me arsye konsiderohet i mjaftueshëm. Duke marrë parasysh alokasionet dhe shpenzimet e udhëtimit të çdo deputeti, një deputet i kushton Shtetit afro 10 000 fr.ari në vit. Duke adoptuar reformën e re, nga alokasionet e Parlamentit do të kemi ekonominë prej 180 000 fr. ari në vit.
Rëndësinë e një parlamenti nuk e formon numri por cilësia e misave të tij.
Këshilli ministror
Të bën përshtypje numri i vogël i ministrave që propozon Mehdi Frashëri për qeverisjen e vendit. Sipas mendimit të tij, “një Shtet i vogël si Shqipëria nuk ka nevojë për shtatë ose tetë ministra. Me një trup ministror prej katër vetash puna mund të rrjedhë më mirë”. Në studim theksohet se ministritë kanë nevojë për programe të vazhdueshme dhe për mosndryshim të shpeshtë të titullarëve me argumentin: “Në popuj në të cilët rrafshi kulturor nuk ndodhet në një shkallë të dëshirueshme, ku ambicjet janë të mprehta, ku eksperienca tradicionale mungon, mosndryshimi i shpeshtë i titullarëve të tyre është një konditë sine qua non për mirëvajtjen e zhvillimit ekonomik”.
Për Këshillin e Shtetit dhe Këshillin Kontrollues, meqënëse kanë anëtarë të pakët, sipas rëndësisë së punës, Mehdi Frashëri nuk propozon që të kenë ndonjë modifikim në organizimin e tyre.
Semplifikimi i administratave të ndryshme
Fuqitë shtetërore që përmendem më sipër kanë për organe ekzekutive degët e ndryshme të administratës publike. Prandaj e shohim të nevojshme t’u hedhim një sy sinoptik edhe këtyre.
Sipas ligjeve në veprim, shkallët e administratës civile janë tri:
a) komunat dhe bashkitë;
b) nënprefekturat;
c) prefekturat.
Në një shtet të vogël si Shqipëria, me një milion frymë, nuk e shohim të arsyeshme të ketë tri shkallë në administratën civile. Jemi të mendimit se me një organizim të mirë të Komunave, të cilat formojnë bazën e administratës, mund të suprimohen nënprefekturat, me dobi të madhe dhe me ekonomi të Arkës. Në këtë mënyrë suprimohen pothuajse 40 nënprefektura.
Në Greqi dhe në Bullgari, megjithëse kanë gjashtë-shtatë fish më tepër popullsi dhe gjerësi tokash, nënprefekturat nuk ekzistojnë. Për mirëvajtjen e administratës civile, na duket e dobishme, dhe mbase e domosdoshme një modifikim i natyrtë i qarqeve prefekturale, pse ndarja e sotme e prefekturave, më tepër se konditave topografike, administrative dhe ekonomike të vendit, qëndrojnë në bazën e trashëgimit të administratës turke.
Po të vëmë re kartën gjeografike të Shqipërisë, qarqet administrative të modifikohen si vijojnë:
a) Prefektura e Drinopojës (Dropullit), e cila duhet të përfshijë qarqet e nënprefekturave të tanishme të Sarandës, të Delvinës, të Konispolit, të Libohovës, të Himarës dhe të Kurveleshit, duke patur për qendër prefekturale Gjirokastrën.
b) Prefektura e Vjosës, e cila do të përfshijë gjithë pellgun e Vjosës, domethënë Vlorën, Tepelenën, Përmetin dhe një pjesë të Leskovikut.
c) Prefektura e Apsit (emri shqip i lumit Osum), e cila duhet të përfshijë Kolonjën, Dangëllinë, një pjesë të Leskovikut, krahinën e Vakëfeve, Skraparin dhe gjithë malësinat e Beratit gjer në Dobrenj, me qendër prefekturale Frashërin.
ç) Prefektura e Gjenisit, duke patur për qendër Korçën, duhet të përfshijë gjithë pellgun e fushës së Korçës, qarkun e Bilishtit, Voskopojën, Oparin, Gorën e Pogradecin gjer te Qafa e Plloçës, Verricën e Tomoricën.
d) Prefektura e Semanit, duke patur për qendër Beratin dhe duke përfshirë Mallakastrën, Fierin, Lushnjën, Sulovën e Gramshit dhe qarkun fushor të Beratit me gjithë pjesën e lartme deri në Dobrenj.
dh) Prefektura e Shkumbinit, duke patur për qendër Elbasanin, duhet të përfshijë Pogradecin, Librazhdin, Çermenikën, Zaranikën, Shpatin, Dumbrenë, Krabën, Darsinë, Malësin’ e Peqinit dhe Rogozhinën, Kavajën dhe Durrësin.
Sa për Pogradecin, deri ku ndahen ujërat e liqenit me atë të Shkumbinit mund t’i lihen Korçës.
c) Prefektura e Erzenit, duke patur për qendër Tiranën, do t’përfshijnë qarkun e Tiranës, Krujën dhe Shijakun.
e) Prefektura e Matit, duke patur për qendër Burrelin, duhet të përfshijë katundet që ndodhen në grykat që ndajnë versanin e Drinit me versanin e Matit, gjithë qarkun e tanishëm të Matit, Kthellën e Epërme dhe të Poshtme, gjithë Mirditën dhe pjesën e Kurbinit, ujërat e të cilit rjedhin në Mat.
f) Prefektura e Drinit, me fjalën shqip Prefektura e Burimit, duke patur për qendër Anasin ose Homeshin, duhet të përfshijë Kolbardhin (Golloberda), Grykën e Madhe dhe Grykën e Vogël, Bulqizën, Peshkopinë, Lumën dhe Hasin e Gjakovës.
g) Prefektura e Bujanës, duke patur për qendër Shkodrën, duhet të përfshijë Malësinë e Gjakovës, gjithë Malësinë e Shkodrës, Lezhën dhe pjesën fushore deri te Liqeni i Hotit, ku është kufiri.
Secila prej prefekturave të ndara sipas rrjedhës së ujërave dhe situatës orografike të vendit, përfshin një popullsi prej 100 000 frymë. Diferenca nga shifra mesatare 100 000 më tepër ose më pak, nuk mund të jetë më shumë se 20 000. Secila prej këtyre prefekturave, me një udhë gjatë luginave që i karakterizojnë, formojnë unitete homogjene si nga dialekti, si nga nevojat ekonomike, ashtu edhe nga pikëpamja e fesë dhe e zakoneve.
Një ndarje e tillë administrative i përgjigjet edhe ndarjes ushtarake të fuqive të mobilizueme dhe çdo luginë ose çdo prefekturë do të jetë edhe qendra e një divizioni të fuqisë së plotë të rezervave. Divizionet në fjalë do të kenë emrat e lumenjëve që përshkruam më sipër.
Ky organizim racional lyp organizimin e mirë të komunave për të suprimuar nënprefekturat.
Ekonomia që do të bëhet nga suprimimi i nënprefekturave do të mjaftojë për mirëorganizimin dhe ndihmën e komunave.
Një organizim i tillë semplifikon dhe përdorimin e fuqisë së xhandarmërisë. Për çdo qark mund të destinohet një kompani xhandarmërie prej 150 pushkësh aktive dhe 50 për shërbimet ordinare. Në këtë mënyrë, fuqia e xhandarmërisë nuk kalon më tepër se 2 000 vetë, kurse tani arrin afro 3 000 frymë.
Kurse qendrat e nënprefekturave me qarkun e tyre të vogël do të administrohen me kryetarët e bashkive dhe me një aspirant ose toger apo nëntoger të xhandarmërisë.
Meqënëse me këtë sistem suprimohen nënprefekturat është e nevojshme që të kemi dhe përmirësimin e komunave.
Organizata gjyqësore
Në fillim të indipendencës shqiptare, Ministria e Drejtësisë, duke u shpirtëzuar nga organizimi gjyqësor i ish-Perandorisë Osmane si dhe nga ato që janë në veprim në shtetet e mëdha, deshën të aplikojnë sistemin gjyqësor me gjykata të shkallës së Parë, t’Apelit dhe të Diktimit. Kjo tentativë u bë më 1914 nga Ministri i Drejtësisë i asaj kohe Myfid bej Libohova. Kjo dëshirë u përsërit edhe më 1920 nga ana e zotit Hoxha Kadri, kur ishte Ministër i Drejtësisë. Por në kabinetin e kryesuar nga z. Iljaz Vrioni, ku autori i këtij studimi (Mehdi Frashëri) kishte marrë pjesë si ministër i Punëve të Brendshme dhe më pastaj si ministër i Punëve Botore, ministri i Drejtësisë z. Xhafer Ypi, i përkrahur nga shokët, adoptoi sistemin gjyqësor me gjykata të Paqës, Fillore dhe të Diktimit. Sipas këtij sistemi, Apeli suprimohet. Ky sistem më të vërtetë i përshtatet gjendjes së një shteti të vogël si Shqipëria. Shumëzimi i shkallëve gjyqësore, meqënëse shkakton vonesa në dhënien e drejtësisë, edhe ndër shtetet e mëdha pati shkaktuar kritika të forta.
Ligji i organizimit të Drejtësisë i vitit 1929 nuk bëri gjë tjetër veçse plotësoi këtë sistem të thjeshtë, duke i ndarë gjykatat e shkallës së parë në fillore me një gjyqtar të vetëm dhe në gjykata kolegjiale, të përbëra prej kryetarit dhe dy anëtarëve.
Sipas organizatës administrative që përshkruam më sipër, në qendrat e dhjetë prefekturave do të ketë gjykata të shkallës së parë, me fillore dhe me kolegjiale, si dhe gjykata të paqës.
Ne këtij sistemi dëshirojmë t’i sjellim një modifikim të vogël.
Statistikat na tregtojnë se në disa qarqe juridiksionale ka punë shumë dhe në disa të tjera dispropocionalisht punë të pakta. Prandaj jemi të mendjes që qendrat e gjykatës të paqës të mos vendosen deomos në qendrat e nënprefekturave aktuale të cilat suprimohen sipas sistemit tonë. Po baza e vendosjes së gjykatave të paqës dhe caktimi i qarkut juridiksional të tyre duhet të jenë statistikat e çështjeve që u paraqiten.
Përveç kësaj duam të këshillojmë edhe një ndryshim tjetër që nuk lëndon organizatën e ngrehur, po përkundrazi edhe e lehtëson.
Qëndrimi i gjykatave dhe përgjithësisht i drejtësisë nuk është shtimi i çështjeve ose i padinave që paraqiten përpara gjyqit; përkundrazi çështjet e paraqitura, sa të jenë më të pakta aq më mirë kthjellohen dhe zgjidhen. Popullli shqiptar, në jetën kombëtare dhe tradicionale, si mjet gjyqesh ka patur pleqëritë, sistem që ka dhënë pemë të bukura në Helveti dhe në Angli. Për të kënaqur këtë nevojë tradicionale dhe kombëtare dhe për të pakësuar çështjet jemi të mendjes të krijohen disa institucione, të cilat Arkës së Shtetit nuk i kushtojnë asnjë dhjetësh. Duhet të shënojmë se me krijimin e komunave Këshillës gjykuese komunale i janë dhënë disa kompetenca për me gjykue disa konflikte civile deri më 50 fr.ari. Institutet që dëshirojmë të krijohen janë Këshillat pleqsore nër katunde dhe të Prud’ homme.
Këshillat pleqsore do të përbëhen prej 12 vetësh të zgjedhun midis pleqve me kuptim të kthjellët, praktik dhe me moral të mirë.
Këta të 12 vetë do të zgjidhen për një periudhë katërvjetore dhe do të regjistrohen në një listë të Komunës. Çdo grindje që të ndodhë midis katundeve prej çdo natyre dhe prej çdo shkalle, para se t’i paraqitet gjyqit kompetent, të jetë e detyruar t’i parashtrohen pleqësisë. Për çdo çështje midis 12 pleqve do t’hiqet short për tre vetë, të cilët, sipas zakonit, sipas situatës së konfliktit dhe sipas drejtësisë natyrale, do të japin një vendim paqësor. Në qoftë se nërgjyqësit këtë vendim e pranojnë me hirin e tyre, ky merr formën ligjore dhe të preme dhe homologohet në gjykatën e paqës. Në rast se vendimi pranohet prej nërgjyqësve, të tre pleqve që kanë pleqësuar n’atë çështje do t’u jepet një shpërblim i vogël sipas sendit të gjykuar, po kurdoherë ky shpërblim nuk do të kalojë të 30 fr.ari.
Nër qytete këshillin e pleqësisë do ta zëvendësojnë Prud’ homme-t. Po këtu Këshilli pleqësorë, në vend që të jenë 12 do të jenë 36 vetë: 12 tregtarë, 12 zejtarë dhe 12 prej profesioneve të tjera. Konflikti që ngjan, në qoftë midis tregtarëve, për atë çështje me short zgjidhen tre tregtarë; në qoftë midis zejtarëve, tre zejtarë, dhe, në qoftë midis profesionistëve të tjerë, tre prej tyre. Kur çështja është e përzier midis këtyre tri klasave, pleqsia do të përbëhet nga 6 veta prej klasave përkatëse të zgjedhur me short për atë çështje. Lista e të 36 vetëve do t’jetë katëvjetore si dhe të parat, dhe ruhet në Odën e Ekonomisë ose në Bashki.
Jam i bindur se ky sistem, po të vihet në zbatim me qëllim të mirë dhe me ndërgjegje të pastër, të paktën dy të tretat e çështjeve do t’ikin nga gjykatoret.
Për çështje të pleksura, Prud’ homme-ve t’u jepet e drejta për të konsultuar një jurist, me qëllim që të ndriçojnë vetëm ndërgjegjen e tyre.
Në rast që pranohet vendimi gjyqësor me hirin e të dy palëve, shpërblimi për çdo plak, sipas rëndësisë së çështjes, do të jetë nga 10 deri në 30 fr. ari.
Kaptina II
Sistemi financiar
Në kaptinën e dytë të studimit, z. Mehdi Frashëri analizon dhe propozon përmirësimet e duhura të sistemit financiar në Shqipëri. Një ndër propozimet kryesore të këtij studimi është që “Qeveria për një periudhë të gjatë kohe duhet të adoptojë parimin që të mos vërë taksa të reja dhe të mos i shtojë këto që janë. Përkundrazi, kur e lyp nevoja, t’i suprimojë”.
“Siç u pa më sipër, prefekturat me sistemin e këshilluar do të jenë të përmbledhura prej luginës së një lumi me bashkërrjedhësit e tij. Prandaj ky semplifikim administrativ pjell dhe një semplifikim financiar, domethënë qendrat financiare të jashtme, në vend që të jenë 40 e ca, siç janë sot, do të zbriten në dhjetë qendra prefekturash. Distribuimi i kontributeve direkte do të bëhet prej qendrës financiare të prefekturës para vitit financiar të ushtrimit dhe listat përkatëse do t’u dërgohen komunave për nxjerrjen e tyre. Në këtë mënyrë vjen vetvetiu se në qendrat e komunave, në vend që të ketë dy ose tre tagrambledhës siç ka sot, do të krijohet një arkëtar me një agjent ekzekutues për nxjerrjen e kontributeve direkte. Prandaj të gjitha zyrat financiare të nënprefekturave suprimohen me një ekonomi të madhe, prej të cilës pjesë do të shpenzohet për plotësimin e personelit të Qendrës së Prefekturës në mënyrë që distribuimi i kontributeve të veprojë si një maqinë para se të hyjë viti financiar ushtrues. Po të përdorim terminologjinë e Financës, vërtetimi i kontributeve direkte do të bëhet që nga fillimi i janarit gjer në mbarim të marsit dhe kështu me nisjen e prillit të fillojë ushtrimi i nxjerrjeve dhe i prishjeve.
Me këtë sistem semplifikimi imponohet dhe ndryshimi i nxjerrjes së kontributeve. Nga kontributet direkte, ato që janë të lidhura me kontratë të autentifikuar formojnë titull ekzekutiv dhe duhet të venë menjëherë në Zyrën e Përmbarimit.
Pagesa e kontributeve të tjera direkte duhet të jetë me këste, listat e të cilave, po t’u dorëzohen me kohë arkëtarëve të komunave dhe agjentëve ekzekutivë, në skadim të kësteve do të paguhen prej detyruesve. Në rast se i detyruari nuk përmbush këtë obligim pikërisht në afatin e caktuar, si gjobë duhet të paguajë një shtesë prej 20% më tepër të shumës së detyrueme. Po të vonojë dhe 15 ditë, gjoba bëhet 50%. Pas 15 ditëve agjenti fiskal ekzekutiv (që do të zërë vendin e tagrambledhësit) do të fillojë në ekzekutim me shitjen e pasurisë së luajtshme në ankand publik ose duke kërkuar me shkresë prej Prokurorit burgimin e atij që nuk paguan.
Ky sistem në kohën e okupatës franceze në Korçë (në Luftën e Parë Botërore-V.H.) u vu në zbatim dhe, me gjithë mjerimet e luftës, të prapambeturat ishin zero, kurse me sistemin e sotëm të prapambeturat e kontributeve direkte janë 35%.”
Nevojat e vendit
Në këtë pjesë të studimit (shumë interesante, por që do të jetë objekt i një shkrimi tjetër në të ardhmen-V.H.), z. Mehdi Frashëri bën një identifikim të hollësishëm të nevojave të vërteta të vendit, sipas zonave në të cilat ai propzon të ndahet administrativisht Shqipëria, duke marë në konsideratë sistemin orografik dhe hidrografik të Shqipërisë.
Kjo pjesë është e ndarë në dhjetë zona prefekturale ku autori pasi jep karakteristikat e popullsisë duke bërë një përshkrim në aspektin historik, etnografik, kulturor, fetar, gjuhësor (duke konsideruar dhe pakicat kombëtare), ndalon në një analizë të plotë dhe jep pikëpamjet e tij për faktorët ekonomike, si bujqësia, industria, mineralogjia, pyjet, burimet ujore, lundrimin dhe peshkimin, ndriçimin e bregut të detit, tregtinë tokësore dhe detare, fuqinë energjitike, sistemin rrugor, sistemin arsimor dhe shëndetësor, përmirësimin e postëtelegrafave etj.
Në përfundim të studimit jepen dhe propozimet për mënyrën e përdorjes së buxhetit dhe efekti tepër i madh në zhvillimin ekonomik, shërbimin administrativ, ushtarak dhe gjyqësor të Shqipërisë.
Burimet
Fjalori enciklopedik shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, “Kristalina – KH”, Tiranë, 2008.
Vasil Xhaçka, Kalendari enciklopedik 1936, “Kristo Luarasi”, Tiranë, 1936
“Vullneti i popullit”, 10 korrik 1931 – 31 janar 1932.
100 vjet pavarësi kombëtare, “Uegen”, Tiranë, 2012
Teki Selenica, Shqipria e ilustruar, “Tirana”, Tiranë, 1928 (Standard)