Statutet e Shkodrës, t’jetumit sipas atributeve të së drejtës. Çfarë përmban kjo ligjësi e vitit 1346?!

SHKRUAR NGA ALBERT VATAJ

Të gjetura në origjinal pas 7 shekujsh, “Statutet e Shkodrës” erdhën së fundmi në dritë nga një botim i kujdesshëm kritik, i mundësuar nga një seri studimesh, që nxjerrin në pah karakterin thelbësor dhe pozicionin e rëndësishëm të ngjarjeve shqiptare dhe adriatike të shek.XIV-XV”. Me këtë paragraf nis një ndër botimet më të rëndësishme të kohëve të fundit “Statutet e Shkodrës”, të zbuluara në Bibliotekën e Muzeut Correr, në Venecia. Për të shpjeguar rëndësinë, kohën, gjuhën, përmbajtjen dhe çdo gjë të mundshme lidhur me këto statute, libri në fjalë, krahas këtyre statuteve, në gjuhën italiane dhe atë shqipe, shoqërohet dhe me disa studime. Këto studime janë bërë nga katër profesorë italianë: Lucia Nadin, Oliver Jens Schmitt, Giovan Battista Pellegrini e Gherardo Ortalli. Sipas këtyre studiesve, të hartuara e të zbatuara që para ardhacakve sllav n’Shkodër; vitit 1346, kur Shkodra ishte nën regjimin e Stefan Dushanit, këto statute u mbajtën në fuqi edhe pasi qyteti kaloi në kontrollin e Venecias, në vitin 1396. Të kohës veneciane janë adaptimet e mëvonshme, që vijojnë deri në 1469, në prag të pushtimit turk, në vitin 1479. Sipas Jirecek-ut, të mbështetur tani vonë edhe nga O.J. Schmitt, arbërit dhe sllavët e rrethinave filluan t’i qaseshin Shkodrës në masë pas murtajës së madhe të vitit 1348, e cila bëri kërdinë në popullsinë qytetare dalmate në Shkodër dhe gjetiu. Kështu u bartën në Shkodër edhe fisnikë arbër të provincës, si Jonimat, Spanët dhe Dukagjinët ; por edhe shumë të tjerë, duke ia ndërruar përbërjen etnike qytetit deri në atë shkallë sa, në fillim të shekullit 15, siç njofton Schmitt-i, funksionarët venedikë në Shkodër të kishin nevojë për përkthyes. Ekzistojnë dokumente të kohës, me emra qytetarësh jo vetëm të Shkodrës por edhe të qyteteve të tjera satelite, të cilët emra janë analizuar prej filologëve. Edhe pse trajtat e emrave gjithnjë të bëjnë të mendosh për popullsi romane, studiuesit kanë vërejtur se shumë herë dokumente të tilla janë hartuar prej noterësh italianë, të cilët i kanë latinizuar (ose përkthyer) emrat – duke kaluar lirshëm, bie fjala, nga Gjon në Giovanni, ose nga Zef në Giuseppe.

“Statutet”, monument i mesjetës shqiptare

“Duhet të them se pasi studiova me kujdes dhe pasi e pashë nga çdo këndvështrim, më doli një libër me vlera shumë më të mëdha se ç’e kisha menduar. Eshtë vërtetë ‘Një monument i vërtetë i Shqipërisë Mesjetare'”, shprehet studiuesi, Oliver Jens Schmitt, madje studiuesi tjetër Gherardo Ortalli mendon se është diçka më shumë, pasi ka rëndësi të madhe historike për pjesën lindore të Adriatikut dhe raportet e saj më Venecian, që me potencën e saj të madhe arriti të ruante ekuilibrat ndërkombëtarë. Sipas Oliver Jens Schmitt, deri më sot ekzistenca e statuteve shqiptare është vërtetuar vetëm në mënyrë të tërthortë. Kështu dihet që Antivari më 1369, Dulcigno në 1379, Durazzo më 1392 e deri tek Drivasto në 1397 posedonin tekste juridike të shkruar në këtë mënyrë. Por të gjithë këto statute nuk janë konservuar (ruajtur). Janë bërë përpjekje për identifikimin e tyre, por kjo ka qenë e vështirë, dhe për herë të parë zbulohen Statutet origjinale të Shkodrës. “Statutet e Shkodrës”, në redaktimin aktual ekzistojnë 278 kapituj. Janë të ndarë sipas blloqeve tematikë. Schmitt i klasifikon ata duhe nisur me kapitujt e parë nga 1-7, ku jepen marrëdhëniet mes individëve dhe mbretit serb, kapitujt nga 8-50 flasin për marrëdhëniet mes fqinjëve, ndarjen e tokës, etj. Kapitujt vijues flasin për kriteret e vërteta të qytetarisë me dispozita relative të asamblesë popullore, në këshill, në gjykata, në impenjime të ndryshme, shërbimin e detyruar ushtarak, për detyrimet mbi pronën, ndërshkimet pas një fyerjeje, grideje, krimi, etj.

Koha dhe gjuha e “Statuteve”

Gjurmët në masë të madhe për kohësinë e mbledhjes së këtyre normave juridike na i ofron analiza e Oliver Schmitt. Mbledhja e neneve në formën e tanishme nis në fillimet e shek. XIV. Diskutohet për një periudhë me rëndësi të veçantë, kur Stefan Dushani, mbret i Rashës, kishte marrë nën kontroll gjithë Arbërin, edhe pse qëndronte jashtë këtij kontrolli e në duart e anzhuve Durrësi. Lind në një kontekst të tillë, por para se Stefan Dushani të merrte titullin perandorak, carin, me kurorzimin solemn ditën e Pashkëve me 1346, duke lënë titullin e mbretit që në fakt në tekstet shkodrane duket akoma. Jemi pra të sigurtë që datojnë para 1346 (dhe normalisht edhe para 1349 ku Dushani në Shkup miratonte Zakonik-un, sepse në Statutet ndodhen kode ligjore që po të ishte Zakoniku në fuqì nuk do ishte e nevojshme të ishin ndër Statutet; ). Pavarësia e tekstit shkodranë nga legjislatura e përgjithshme e Stefan Dushanit s’do të thotë se nuk kishte lidhje me eksperienca tjera kodesh ligjore ku më me rëndësi duket lidhja me Statutet e Budvës të 1349-1351, ku paraqesin kapituj të tërë pak a shumë të njëjtë apo të së njëjtës trajtë. Është e mundshme të ketë një derivim direkt, do me thënë që komuna e Budvës pau eksperiencës e qytetit fqinj në përcaktimin dhe mbledhjen e jus proprium (ligjit të vet’), duke anashkaluar Zakonikun dhe duke përshtatur sipas nevojës. Eksperienca normative shkodrane paraqet me influencën tek Zakoniku si një mbështetje tek një kulturë tjetër ligjore në krahinë, ku lidhja më e fortë gjindet me Kotorrin që ka shumë kapituj të ngjashëm me ato të Shkodrës , pjesërisht më të hershme (1301, 1312, 1315, 1316, 1320). Qasja Kotorr-Shkodër është e ndryshme nga ajo Shkodër-Budva, sepse tek e dyta kontakti është direkt kurse tek Statutet e Kotorrit gjejmë një çrregullim dhe mangësi rendit në procesin normative, kurse në të Shkodrës gjejmë hartimin e tyre më të organizuar[2]. “Statutet e Shkodrës” kanë mbijetuar deri më 1479, pra, deri në pushtimin otoman. Ato kanë ekzistuar vetëm në formë dorëshkrimi. “Statutet e Shkodrës” u zbatuan nga para 1346 deri më 1479 në një gjuhë latine të zonës; që ishte e zakontë për bregdetin e Adriatikut. Është për t’u çuditur, thotë Schmitt, sepse në tituj është përdorur gjuha veneciane-venete, brenda në tekst dialekti dalmat i atij regjoni që i përket gjuhës dalmate jugore (labeate[3]). Në asnjë tekst tjetër të asaj kohe nuk jepet kaq qartë karakteri roman i botës qytetare (bregdetarja) të Shqipërisë veriore dhe jetës dalmate në gjysmën e parë të shek.XIV. Ndërsa studiuesi Giovan Battista Pellegrini në pjesën e tij të studimit ka marrë përsipër të analizojë dhe të japë të dhëna shkencore mbi gjuhën e përdorur gjatë hartimit të “Statuteve të Shkodrës”. Sipas tij gjuha e përdorur është ajo labeate. Për të sqaruar gjuhën e dorëshkrimit të “Statuteve të Shkodrës” ai ka marrë me rradhë të analizojë fonetikën, morfologjinë dhe leksikun e tij. Dhe për të vërtetuar pohimet e veta Pellegrini flet me shembuj konkretë.

Mbi gratë e përdala

Nëse një grua provohet se është e përdalë nga dëshmia e dy ose tre burrave, të mos lejohet të mbajë kapele në kokë, siç është zakoni ynë, as të shoqërohet me këdo. Nuk i lejohet të rrijë ose të banojë pranë zonjave fisnike. Nëse vepron në kundërshtim me këto urdhëra, do të dënohet me tetë hyperperë, që pjesëtohen midis Kontit dhe paditësit. Nëse provohet se një grua e përdalë bën punë të liga ose kërkon të prishë të tjerët, ajo duhet të lerë qytetin tonë brenda tre ditësh dhe nëse e kapërcen këtë afat, të ndërshkohet me tetë hyperperë gjobë, të sillet rrugëve të qytetit duke u rrahur me shkop dhe në fund të syrgjynoset dhe kurrë më të mos kthehet në tokën tonë.

Mbi përdhunimin e grave

Nëse një burrë përdhunon me zor një grua të ndershme të pamartuar dhe nëse burri është i pamartuar, ai detyrohet të bashkohet me të në martesë të ligjshme. Por, nëse gruaja është e martuar dhe gjithashtu burri që e përdhunon është i martuar, atëherë ai detyrohet të paguajë një gjobë prej 50 hyperperësh që ndahen përgjysmë midis Kontit dhe gruas. Por për këtë gruaja duhet të japë prova bindëse.

Mbi martesën e fëmijëve

Prindërit që kanë djem e vajza për të martuar duhet të kenë parasysh se të parët martohen vajzat e pastaj djemtë. Nëse një djalë dëshiron të martohet përpara se motrat të kenë dalë nga shtëpia, pa miratimin e prindërve, atëherë babai dhe nëna kanë të drejtë ta dëbojnë atë nga shtëpia.

Mbi ndërtimet në shesh

Për çdo ndërtim të ri me dritare ose hajat në sheshin ose në rrugët qendrore të qytetit, banorët duhet të bëjnë kërkesë dhe përmbahen me ndershmëri ligjeve tona.

Mbi mjekun

Urdhërojmë që çdo mjek që pranon të kurojë një të sëmurë, të mos ta braktisë atë përpara se ta ketë shëruar.

Mbi pabesinë

Nëse vëretohet se dikush nuk i ka qëndruar besnik qytetit tonë, gjithë pasuria e tij bëhet pronë publike, kurse tradhtarit i pritet koka dhe nëse arrin të arratiset të shpallet i dëbuar për jetë të jetëve nga qyteti ynë.

Mbi plagosjen me shpatë, shigjetë ose hekur

Nëse ndokush ka plagosur një person me shpatë, shigjetë ose me hekur, duke shkaktuar gjak dhe kur gjykatësi dhe mjeku e gjykojnë plagosje me rrezik për jetën, të dënohet me 50 hyperperë, që i shkojnë mjekut, si dhe me pagimin e kohës së humbur nga i plagosuri. Nëse një gjë e tillë nuk mund të provohet, i akuzuari bashkë me 6 burra të tjerë duhet të bëjnë betimin. Nëse i provohet krimi, të shtrëngohet të paguajë gjysmë urazbë, gjysmën Kontit dhe Komunës dhe gjysmën të plagosurit.

Falsifikimi i shenjës së Komunës

Nëse provohet se dikush ka falsifikuar vulën e Komunës, masën, formën dhe ngjyrën e saj për ndonjë qëllim të mbrapshtë, të dënohet me 100 hyperperë, gjysma e të cilëve i shkon hjykatës dhe Komunës, dhe gjysma tjetër denoncuesit. Falsifikuesi dhe tradhtari nuk duhet të ketë të bëjë më me Komunën.

Mbi Pabesinë-tradhtinë

“Nëse provohet se dikush nuk i ka qëndruar besnik qytetit tonë, gjithë pasuria e tij bëhet pronë publike, kurse tradhtarit i pritet koka dhe nëse arrin të arratiset të shpallet i dëbuar përjetë nga qyteti ynë.”

Gjykojmë që kjo dispozitë, që i takon të drejtës penale, nuk ka nevojë për komente të mëtejme. Ndëshkimi dhe hakmarrja ndaj atij njeriu që nuk do t‘i qëndronte besnik vendlindjes përpara interesave të të huajve ishte e pafalshme. Dënimi për të është kapital dhe brenda Statutit nuk gjendet sanksion alternativ. Jo vetëm kaq, por sanksioni i kësaj dispozite parashikon pasoja të dyfishta jetësore dhe pasurore njëkohësisht. Mund të themi se radikalizmi i saj është unik dhe nuk gjendet në asnjë figurë krimi tjetër që parashikon ky “Statut”. [1]

Nadin: “Statutet” jo pjesë e “Kanunit”

Ndërsa studiuesja Lucia Nadin, në kapitullin e saj, fillimisht bën një parantezë. “Përballë një realiteti të ndërtur dhe të bazuar mbi një kanun, thotë ajo, bëhet fjalë për Shqipërinë veriore, ishte e vështirë të kërkojë një kuadër tjetër të ndryshëm me të, veçanërisht për të gjetur qytetërim”. Informacione fragmentare të qytetarisë në dy principata të asaj kohe, në Durrës dhe Shkodër, rivinin pikërisht nga struktura organizative të qeverisjes që nuk kishin të bënin me “Kanunin” e Lekë Dukagjinit, fakt që është përmendur dhe në komentin e Gjergj Fishtës në kodin e Lekë Dukagjinit. Sipas studiueses Nadin, dorëshkrimi “Statuteve të Shkodrës” nuk datohet, por sipas llojit të shkrimit (grafikës) duket se i përket shek.XIV, një epoke pak para rënies së Shkodrës në duart e turqve. Më pas studiuesja Lucia Nadin i konsideron këto statute një dëshmi, një dokument që vërtetojnë edhe një herë ekzistencën e qyteteve shqiptare në kompleksin mesdhetar mes viteve 1300 dhe 1400, të botës qytetare të zonës ballkanike. Madje, sipas Lucia Nadin, gjetja e “Statuteve të Shkodrës” rihap një faqe shumë të rëndësishme, të harruar, të historisë së këtij vendi, i njohur vetëm si “vendi i shqiponjave”. Kjo e bën atë të qëndrojë më së miri në krah të çdo vendi tjetër të zonës së Adriatikut.

“Rregulla praktikë për t’u zbatuar”

Serioziteti i këtyre statuteve duket që në fjalitë e para të tij ku thuhet se “Asnjë njeri, qoftë qytetar i Shkodrës, apo i huaj, nuk është i justifikuar nëse injoron “Urdhërat e Statutit”. Po ta shohësh me vëmendje Libri i Statuteve duket se është i përbërë nga rregulla praktikë për t’u zbatuar. Ato tregojnë qartë se nga kush dhe për ç’qëllim zbatohen. Kapituj të tërë tregojnë për jetën civile në Shkodër. Normat relative të ndarjes dhe ndërtimit të shtëpive, pastrimit të rrugëve, kapituj të tërë flasin qartë për agrikulturën dhe olivikulturë. Shumë interesantë janë kapitujt që tregojnë zyrat e Komunës. Strukturën administrative dhe juridike të asaj kohe, duke filluar që nga ambasadorët, noterët, avokatëve etj. Pjesa e fundit e statutit i është rezervuar të drejtës penale. Të gjitha këto tregojnë për një funksionim strikt dhe mbi ligje të “shtetit”, në mund të quhet kështu, të asaj kohe.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top