SPORTI POPULLOR I PEHLIVANËVE, TRADITË QINDRAVJEÇARE SHQIPTARE!

SHKRUAN: PROFESOR VEBI BEHXHETI

Dje, me datë 13. 05. 2018, në Studeniçan, në këtë fshat të njohur për sportin popullor të pehlivanëve, u mbajt manifestimi sportiv, tani më i afirmuar për vlerat etnokulturore, TRADITA VAZHDON, organizuar nga Shoqata qytetare për arsim kulturë e sport ( AKS ) Ky sport tradicional i shqiptarëve me një histori të lashtë që ka, përveç vlerave sportive dhe karakterit garues, është i pasur edhe me vlera etnokulturore që lidhen me traditën sportive dhe popullore njëkohësisht. Te shumë popuj tjerë ballkanas, ky sport me kohë e kishte humbur karakterin etnokulturor, duke u shndërruar ekskluzivisht në mundje moderne. Edhe në mesin e shqiptarëve mundja moderne arriti në majat e sukseseve të përmasave botërore. Medalja e artë e Lojnave Olimpike, e fituar nga legjenda e këtij versioni të mundjes, Shaban Tërstena, e nderoi kombin shqiptar dhe shtetin në të cilin jetonte. Shumë sportist të mundjes, siç është edhe Shaban Tërstena, Shaban Sejdiu, dhe të tjerë, nuk iu ndan as sportit tradicional të pehlivanllëkukut, ku në shumë takime i kënaqnin shikuesit me shkathtësinë e tyre impozante.

Po t’i kthehemi historisë së pehlivanllëkut ndër vite e shekuj, do mësojmë se ky sport vjen që nga lashtësia, e me gjenezë nga qytetërimet e lindjes, që në mënyrë institucionale më tepër u kultivua, u përhap dhe u zyrtarizua në Perandorinë Osmane, duke vazhduar edhe në shtetin e sotëm turk. Ky sport fisnik dhe shumë i vlerësuar, me kohë ishte bërë edhe pjesë e etnokulturës shqiptare. Pehlivanllëku te populli ynë me kohë i kishte fituar veçoritë karakteristike autoktone, duke u dallua nga ai i turqëve. Këto veçori dalluese vërehen në formën e ,,Kismeteve” dhe mënyrë e ,,perdes”. Pehlivanët dhe sporti i tyre dikur ishin pjesë e gëzimit familjar. Këto gara (seri) ishin të njohura ne Fushën e Pollogut, në Malësinë e Sharrit, në rajonin e Kërçovës, në rajonin e Shkupit , Velesit, Prilepit. Këto manifestime me aq vlera etnokulturore për shqiptarët, në sistemin komunist as që përmendeshin, e lëre më të ndihmoheshin financiarisht.

Me themelimin e Sh. AKSI, të udhëhequr nga etnologu Afet Jashari, kjo traditë etnokulturore e sportive, pas disa vitesh ndërprerjeje, e rifilloi këtë aktivitet kulturor e sportiv, duke ia kthyer krenarinë rajonit të Karshijakës me qendër Studeniçanin, djepin e këtij sporti, sa fisnik aq edhe kombëtar. Falë interesimit të këtij etnologu, të lindur dhe të rritur në këto anë i cili me kohë e kishte kuptuar se ky sport popullor është njëherit edhe vlerë etnokulturore, për të tetën herë me radhë, në Studeniçan, në vendlindjen e legjendave që me kohë u bënë pjesë e historisë, në mënyrë shumë të organizuar, dashamirëve të pehlivanave u mundësia të kalojnë momente emocionale duke komentuar secili sipas përjetimeve të veta.

Studeniçani, tani më qendër komunale e Karshijakës, me kohë u bë i njohur në botën shqiptare për emrat e mëdhenj që i dha këtij sporti aq të dashur. Në kujtesën e dashamirëve të pelivanllëkut, nuk do shlyhen kurrë emrat si : Tefiku, Ramadani, Nevzati, Ibrahimi, Xhela, Ekremi, Bedriu, Arifi, Xheza, ,,bashi” aktual-Muhameti dhe shumë e shumë të tjerë. ,,Perdja” e tyre dyshe dhe teke, tipike shqiptare me ,,kismetet” e modelit autokton të anëve tona, ishin dhe mbeten vlera të papersëritshme etnokulturore. Ahmeti i Moranës ishte gjithashtu një ,, bash” që bëri emër emër në këtë sport. Desova e Prilepit do mbahet mend për pehlivanin Ramadan Desova, ndërsa nga Buzullakova shkëlqeu Seferi , vëllezërit Bakiu dhe shumë të tjerë. Rajoni i Tetovës, që për fat të keq, sot e ka harruar tërësisht këtë sport aq të popullarizuar, dikur mburrej me emrin e ,,bashit”Ramadan Veshallës, vëllait të tij, Idrizit, dhe Armijahit, siç mburrej më herët edhe me emrin e Tahir pehlivanit. Nga katundi Xhermë, nuk do harrohet emri i Asllan pehlivanit, i Nebiut dhe i Alimanit, ndërsa për Zherovjanin do mbahet mend emri i Latif pehlivanit. Idrizi i Reçicës gjithashtu do mbetet emër shumë i madh i këtij sporti.

Në përmbyllje të këtij shkrimi, e falënderoj edhe njëherë mikun tim, Afet Jasharin, për aktivitetin dhe organizimin e mrekullueshëm të këtij takimi sportiv, me karakter gjithkombëtar dhe ndërkombëtarë, të emërtuar ,,Tradita vazhdon.”

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top