SPASTRIMI ETNIK NË KOHËN E LUFTËS SË PARË BALLKANIKE

Shkruar nga Leon Trocki – botuar në “Kievskaja Mysl”, 23 dhjetor 1912

“Mbas perdes, krimet e shovinizmit”, simbas fjalëve të diktuara nga një mik serb që përshkruan tmerret e ushtarëve serbë në Shkup: “Me të kaluar kufirin e vjetër serb, u përfshimë nga tmerri. Ishte ora pesë mbasdite kur po afroheshim në Kumanovë; dielli ishte në të perënduar dhe kishte filluar të errësohej. Por, sa më shumë nxinte qielli, aq më i dukshëm bëhej shkëlqimi i zjarreve. Përrreth nesh gjithçka flakëronte. Fshatra të tërë shqiptarë ishin kthyer në grumbuj rrënojash të ndezura flakë – pranë dhe larg, deri dhe pranë binarëve të hekurudhës. Banesa, prona të vëna nga baballarë, gjyshër e stërgjyshër po ktheheshin në hi. Kjo skenë, me këtë flakërim monoton, na shoqëroi gjatë gjithë udhëtimit deri në Shkup.

Mbërritëm në orën 10 të mbrëmjes. Kur zbrita nga vagoni i kafshëve, në të cilin kisha udhëtuar, në qytet mbretëronte qetësia, rrugëve nuk shihej gjë e gjallë. Vetëm përpara stacionit ndodhej një grup ushtarësh nga ku dëgjohej zëri therës i një të dehuri. Ndërsa pasagjerët e tjerë zbritën dhe shkuan në rrugën e tyre, unë ndërkohë mbeta mbrapa i vetëm në stacion. Iu afrova grupit. Katër ushtarë me bajoneta mbërthyer kishin rrethuar dy shqiptarë me qeleshe të bardha në kokë. Një nënoficer i dehur, çetnik, shtrëngonte në njërën dorë një kamë dhe në tjetrën një shishe me konjak. Nënoficeri i trembi: “Uluni!”. Shqiptarët, gjysmë të vdekur nga frika, ranë në gjunjë. “Çohuni!” dhe ata u çuan. Kjo skenë u përsërit shumë herë. Më pas nënoficeri, mes kërcënimesh dhe sharjesh, u drejtoi shpatën një herë në fyt e më pas në gjoksin e viktimave. Kështu i detyroi të pinin konjak dhe… i puthi. I dehur me pushtet, konjak dhe gjak nënoficeri zbavitej duke dëfryher me poshtërsi siç loz macja me miun. Kishte të njëjtat teka, të njëjtën psikologji. Tre ushtarët e tjerë, që s’kishin pirë, qëndronin pa lëvizur duke ruajtur dy shqiptaret të mos ia mbathnin a të orvateshin të bënin rezistencë. Nënoficerit i pëlqente ky dëfrim . “Janë arnautë”, më tha i qetë një ushtar. “Tani ai do t’i shqyejë”.

I pushtuar nga tmerri iu largova grupit. Ishte e kotë të kërkoje t’i mbroje shqiptarët. Vetëm një forcë e armatosur do të kishte mundur t’i shpëtonte ata nga kthetrat e ushtarëve dhe të nënoficerit. Dhe e gjitha kjo ndodhte përpara stacionit të hekurudhës, fill pas mbërritjes së një treni. U largova i llahtarisur për të mos i dëgjuar britmat e dhimbshme ose thirrjet për ndihmë.

Nëpër rrugë gjithçka ishte e qetë. Të krijohej përshtypja se ndodheshe në një qytet të braktisur. Në orën gjashtë të mbrëmjes porta dhe dyer ishin të mbyllura. Me rënien e errësirës banditët  nuk përmbaheshin duke thyer shtëpi turqish ose shqiptarësh dhe të gjitha këto ndiqeshin nga i njëjti ritual zhvatjesh dhe vrasjesh. Shkupi ishte një qytet me 60.000 banorë, gjysma ishin shqiptarë dhe turq. Një pjesë e tyre ishin larguar, por pjesa më e madhe kishte mbetur  aty dhe për çdo natë qyteti lahej në gjak.

Përpara mbërritjes sime në Shkup, çdo mëngjes dhe për dy ditë në vazhdim, qytetarët kanë gjetur nën urën kryesore mbi Vardar, pra në qendër të qytetit, grumbuj kufomash. Ishin të gjithë shqiptarë me koka të prera. Disa thoshin se ishin shqiptarë të Shkupit të vrarë nga çetnikët, ndërsa një palë ngulnin këmbë se ishin kufoma që rryma e ujit i kishte sjellë poshtë urës. Por një gjë ishte e qartë: që këta njerëz me koka të prera nuk ishin vrarë në luftim.

Shkupi është kthyer tashmë në një vendfushim ushtarak. Banorët, myslimanët sidomos, fshihen dhe nëpër rrugë ndeshen vetëm ushtarakë. Midis turmës së ushtarëve shihen dhe fshatarë serbë me origjinë nga  çdo anë e Serbisë. Me shkasin se shkojnë për të kërkuar fëmijë e vëllezër, përshkonin fushëkosovën për të plaçkitur. Bisedova me tre prej këtyre çakenjve. Kishin ardhur nga Shumadija, qendra e Serbisë, edhe ata kishin ardhur nëpërmjet Fushë-Kosovës. Më i riu syresh, shtatshkurtër dhe me pamje mendjemadhi, mburrej se kishte vrarë me pushkë në Kosovë dy arnautë. “Ishin katër, por dy prej tyre ja mbathën”. Shokët e tij të udhëtimit, disa të moshuar hijerëndë, pohuan rrëfimin. “Mëkat, – u ankuan, – se s’kishin shumë para me vete. Këtu ka buaj dhe kuaj me shumicë dhe ushtari që merr një pagë dy dinarësh të shkon në fshatin më të afërt shqiptar dhe të sjell një goxha kalë. Te ushtarët mund të gjesh një çift buajsh nga ata të mirët edhe për 20 dinarë”. Nga zona e Vranjës një masë e madhe e popullsisë kishte zbritur në fshatrat shqiptarë duke vënë dorë në çdo gjë që i dilte përpara. Gratë fshatare ngarkonin mbi kurriz deri dhe porta e dritare nga shtëpitë e shqiptarëve.

Dy ushtarë, që i përkisnin një njësie të caktuar për çarmatimin e shqiptarëve nëpër fshatra, më erdhën pranë. Njëri prej tyre më pyeti se ku mund ta shkëmbente një lirë flori. I kërkova të ma tregonte, meqenëse nuk më kishte ndodhur kurrë ta shihja këtë monedhë turke. Ushtari hodhi një sy përreth me kujdes dhe më pas nxori  monedhën nga kuleta. Me një gjest mjaft shprehës më la të kuptoja se kishte dhe të tjera, por që nuk donte të merrej vesh. Është lirë turke dhe dihet se vlen 23 franga.

Tre ushtarë të tjerë më kaluan pranë dhe më ndodhi të dëgjoja bisedën e tyre. “As vetë nuk e di sa shqiptarë kam hequr qafe sot, – fliste njëri, – por nuk kishin asgjë që t’ia vlente. Pastaj njërës i gjeta në trup 10 lira flori si e hoqa qafe”. Dhe bisedonin haptazi, me një mospërfillje si të flisnin për diçka normale. Njerëzit nuk i vënë re menjëherë ndryshimet e brendshme që shkaktohen nga lufta. Ja pra si ndryshon njeriu në kushte të caktuara. Në kontekstin e brutalitetit të organizuar të luftës njerëzit shëmtohen pa e vënë re.

Një repart ushtarësh po marshon përgjatë rrugës kryesore të Shkupit. Një turk i dehur dhe, me shumë gjasa, gjysmë i çmendur, mallkonte në drejtim të ushtarëve. Këta të fundit e arrestuan dhe e shtynë drejt murit të një shtëpie aty pranë duke e lënë të vdekur në vend. Plotoni vazhdoi rrugën i ndjekur nga kalimtarët. Incident i mbyllur.

Po atë mbrëmje takova një tetar që e njihja. Reparti i tij ishte i vendosur në Ferizaj, një qendër shqiptare e Serbisë së Vjetër. Tetari ishte ngarkuar të tërhiqte një top të rëndë përmes qafës të Kaçanikut deri në Shkup dhe nga këtu topi do të transportohej deri ku ishte e vendosur armata përballë Adianopolit.

– Ç’bën këtu mes shqiptarësh në Ferizaj? – e pyeta.

– Pjek pula dhe vras arnautë. Por ndihem i lodhur, – shtoi duke iu hapur goja. Ushtaraku fliste me gjestet e njeriut të lodhur dhe indiferent. – Midis tyre ka edhe shumë të pasur. Afër Ferizajt hymë në një fshat të pasur me shtëpi që ngjanin si kulla. U futëm në oborrin e njërës prej këtyre shtëpive. Pronari, një burrë plak shumë i pasur, kishte tre fëmijë. Ndonëse ishin katër burra, kishin shumë gra. I nxorrëm jasht shtëpisë të gjithë, i rreshtuam pas murit dhe i kositëm burrat nën sytë e tyre. Gratë nuk nxorrën asnjë psherëtimë, si të mos kishte asnjë rëndësi për to. Na kërkuan vetëm në mund të hynin në shtëpi për të marrë disa gjëra që u duhen grave. I lamë të futeshin. Na bënë nga një dhuratë të çmueshme për secilin nga ne.

– Por përse keni ushtruar kaq shumë dhunë? – e pyeta, i skandalizuar nga rrëfimi i tij.

– Nuk bëhet dot pa dhuna, pastaj edhe mësohesh. Dua të them se në kohë të tjera nuk do të kisha qenë në gjendje të vrisja një plak a një fëmijë të pafajshëm. Kur je në luftë, dihet, komandanti të jep urdhra dhe urdhrat duhen zbatuar. Dhe, në të vërtetë, si kjo që të tregova kanë ndodhur shumë edhe tani kohëve të fundit. Ndërsa po tërhiqnim drejt Shkupit topin në fjalë, u ndeshëm me një karrocë në të cilën ndodheshin të shtrirë katër fshatarë të mbuluar deri në brez. Ndjeva menjëherë erë jodjo . Diçka nuk shkon, mendova . Urrdhërova të ndalin karrocën dhe i kërkova se cilët ishin dhe ku shkonin. U hoqën sikur nuk kuptonin serbisht dhe nuk u përgjigjën. Yzegjitë i kishte një cigan. Na shpiegoi se ishin katër shqiptarë që ktheheshin nga luftimet në Medar. Kishin mbetur të plagosur në këmbë dhe po ktheheshin në shtëpi. E pra ishte e qartë.

– Zbrisni, – u thashë. E kishin kuptuar, por nuk donin të zbrisnin nga karroca. Çfarë të bëja? Hapa bajonetën dhe i hoqa qafe që të katër, aty ku ishin, në karrocë.

E njihja këtë njeri . Kishte punuar si kamarier në Kragujevac. Ishte një djalosh pa cilësi të veçanta, me një natyrë aspak luftarake, një kamarier si gjithë të tjerët. Në atë kohë ishte bërë pjesë dhe e sindikatave të kamarierëve, për më shumë më ngjante se asokohe për një periudhë kishte qenë dhe sekretari i tyre dhe më pas ishte larguar… kurse tani, pas gati tre javësh luftë, ja çfarë ishte bërë.

– Por po silleni si banditë. Vrisni dhe vidhni pa dallim! – thirra duke u larguar nga ky njeri, për të cilin ndieja një neveri fizike.

Tetari dukej i tronditur. Diçka do t’i ishte kujtuar dhe që tani e rëndonte përbrenda. Kështu që u shfajësua me një ton solemn e i bindur me një fjali që do të hidhte dritë edhe më keq mbi sa kisha parë e dëgjuar prej tij:

– Jo, nuk është e vërtetë. Ne të ushtrisë së rregullt u përmbahemi rregullave dhe nuk vrasim kurrë njerëz nën moshën 12 vjeç. Nuk mund ta garantoj këtë për çetnikët, ata janë krejt gjë tjetër, por mund ta garantoj për ushtrinë.

Tetari nuk ishte i gatshëm të garantonte për çetnikët. Dhe ata realisht nuk njihnin kufi. Pjesa më e madhe e tyre ishin rekrutuar midis fundërrinave, rrugaçëve, plehurinave dhe jashtëqitjes së shoqërisë. E kanë bërë vrasjen, vjedhjen dhe dhunën një sport qejfi. Veprimet e tyre flasin vetë, deri dhe autoritetet ushtarake janë zënë ngushtë nga shthurja e përgjakshme në të cilën kishte degjeneruar lufta ëetnike dhe disa herë kishin marrë masa drastike. Nuk u prit as përfundimi i luftës për ti çarmatosur dhe dërguar në shtëpi.

Ajri i Shkupit nuk thithej, nuk mund ta duroja dot më. Interesi politik dhe kërshëria intelektuale që t’i shikoja gjërat me sytë e mi më kishte humbur, më ishte zhdukur. Dëshiroja të largohesha sa më parë të ishte e mundur. U gjenda përsëri në vagonin e kafshëve dhe shihja përsëri fushën e Shkupit: Ç’hapësira, ç’bukuri! Në një vend si ky njerëzit do të kishin pasur mundësi të rronin mirë, ndërsa… Por nuk është ky rasti për të folur për këto gjëra edhe ti je në një mendje me mua. Një çerek ore më vonë treni doli nga stacioni. Vështroja jashtë. Dyqind metra larg binarëve munda të shoh një kufomë dhe përbri një fez. Ishte përmbys dhe me krahët e hapur. Pak më tutje dy ushtarë serbë të njësive që bënin rojë te binarët, bënin llogje dhe shaka të gëzuara. Njëri prej tyre tregonte me gisht kufomën. Me shumë gjasë kishte qenë vepër e tyre .

Larg, larg, largomëni nga ky vend.

Jo shumë larg Kumanovës, në një fushë të mbjellë me foragjere pranë hekurudhës, disa ushtarë po hapnin gropa të mëdha. Pyeta për arsyen. Më shpjeguan se do të groposnin sasi të mëdha mishi të kalbur. Kishte pesëmbëdhjetë, njëzet vagonë të ndalur në binarë pa lëvizur. Me sa duket ushtarët i refuzonin racionet e mishit. Sepse për atë që kishin nevojë dhe për gjëra të tjera i merrnin drejt e nga shtëpitë e shqiptarëve. Qumësht, djathë, mjaltë. “Kam ngrënë më shumë mjaltë në këtë periudhë, në kurriz të shqiptarëve, se sa kam ngrënë gjithë jetës sime”, – më tha një ushtar që e njihja. Ushtarët therin çdo ditë buaj, dele, derrra, pula, i hanë dhe ç’mbetet e hedhin. “Mish kemi sa të duash”, – më tha një oficer përgjegjës për furnizimet. “Ajo që na mungon është buka. I kemi shkruar qindra herë Beogradit për t’i paralajmëruar të mos na sjellin mish, por vazhdojnë ta sjellin në bazë  të procedurave.

Desha të shoh gjithshka nga afër dhe kjo është ajo që kam parë. Mishi qelbet njësoj, si i lopës ashtu edhe ai i njeriut. Fshatrat janë grumbuj rrënojash të kallura flakë. Ushtarët vrasin persona jo më të vegjël se dymbëdhjetë vjeç. Po të qendrosh këtu bëhesh barbar dhe të humbasin vlerat njerëzore. Mjafton t’ia ngresh pak cepin perdes së hedhur mbi këto sipërmarrje të guximshme ushtarake dhe lufta të shfaqet, mbi të gjitha, me formën e saj të neveritshme.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top