Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 28.02.2020 ka regjistruar proçedimin penal nr.82/2020 për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal. Hetimet në kuadër të këtij proçedimi janë kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Pas kryerjes së veprimeve hetimore gjithëpërfshirëse lidhur me këtë proçedim rezultoi se:
Në proçedurën e prokurimit “Proçedurë e hapur”, me objekt “Blerje pajisje për kanalin RTSH Agro”, me nr. REF-90011-10-16-2018, me fond limit 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh), zhvilluar në datën 09.11.2018 nga autoriteti kontraktor Radio Televizioni Shqiptar, janë konstatuar shkelje ligjore, të kryera nga ana e tre anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, konkretisht të hetuarve J.T., A.M. dhe E.M., shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) të Kodit Penal.
Po kështu nga hetimet ka rezultuar se edhe shtetasi TH.G., me detyrë ish-Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, ka kryer shkelje ligjore në këtë proçedurë prokurimi, shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashkuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për caktimin e masave të sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasve nën hetim J.T., A.M., E.M. dhe Th.G. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.79 datë 07.10.202, vendosi: “Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.
Vendosjen e masës të sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasit nën hetim Th.G., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimit i detyrës, parashkuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Vendosjen e masave të sigurimit sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasave nën hetim J.T., A.M. dhe E.M., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) dhe 25 të Kodit Penal.
Ky vendim është ekzektuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Gëllçi u largua nga detyra në maj 2021
Thoma Gëllçi u lirua nga detyra e drejtorit të RTSH në 20 maj 2021. Vendimi u mor nga Këshilli Drejtues i RTSH, me votimin pro të tetë anëtarëve.
Në vendim thuhet se duke qenë se mandati i Thoma Gëllçit kishte përfunduar që më 06.05.2021, Këshilli Drejtues i RTSH konstatoi se ‘do veprim i ndërmarrë nga drejtori i RTSH pas përfundimit të mandatit përben shkelje, pasi është në tejkalim të kompetencave të tij, për të cilin do të mbajë përgjegjësi ligjore’.
Drejtimi i RTSH i kaloi zv/drejtorit të Përgjithshëm, Martin Leka i cili vijon ta ushtrojë këtë funksion edhe aktualisht.