Abas ERMENJI
Shqipëri, Gusht 1944
Vjen një zë nga Labëria,
Psherëtin gjith Shqipëria:
Thonë u-hap një tjetër varr!
Thonë vendi mbet i shkretë,
Thonë u-vra Skëndua me fletë,
Perëndoj si yll me zjarr.
U-err shpres’ e djalërisë,
Ra mburojë e vegjëlisë,
Zë-trumbete e kushtrimtar.
Thonë u-nda prej nesh Skënderi,
Thonë u-mbyll n’at fushë nderi,
Syri i tij shkrepëtimtar.
Mbushni këngën me të qarë,
Ju me guna, bruce e larë,
Se s’ju vjen më shoku i tij:
Si Latinit si Gjermanit,
Si katilit si tiranit,
Kordhë e mprehtë i ndenj’ karshi.
Qajeni me ligjërime,
Trim’n e math të Vlorës trime,
Që s’ia mpiu nxitim’n aspak
Ndjekje e luftë e përsëritur :
Jetë-shkurtër, vdekje-ndritur,
Fat-tragjik, emër-bajrak.
Qajeni sipas zakonit,
Kët vëlla që do t’këndonit.
Në triumf e në lavdi:
Kur, pas t’lumurës Fitore,
Rrotull Shqipes madhështore,
Ngrihen kupat me dolli.
Qajeni me këngë labe,
Kët pëllumb me krahë shkabe,
Buzë-qeshur, zemër-luan,
Që përmes kësaj rrëmuje,
Ballin lart si gur statuje,
Shqipërisë i mbet nishan.