“Nderim te varri i komandantit Shaban Polluzha, sot, në ditën e 71 vjetorit të rënies së tij.
Shaban Polluzha me bashkëluftëtarët e tij u ngrit kundër qëndrimeve të regjimit komunist jugosllav, që shkeli premtimet dhe të drejtat e popullit shqiptar të Kosovës duke vënë në zbatim administrimin ushtarak, përmes të cilit synohej shkatërrimi dhe likuidimi i forcave patriotike të Kosovës. Kryengritja e Shaban Polluzhës është kundërvënia parë e armatosur ndaj diktaturës komuniste. HTH” (ky ishte mesazhi i Hashim Thaçit në rrjetin social facebook)
Postimi i sotëm i zv.Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi në rrjetin social facebook, hedhë dritë mbi njohuritë tejet të mangëta mbi historinë e popullit shqiptar! Në pak rreshta, Hashim Thaçi e varrosë për së gjalli tërë luftën institucionale të kombit shqiptar kundër gjenocidit dhe pushtuesit komunist. Për të sqaruar pohimin tonë, mjafton t’i hedhim një sy kronologjisë së ngjarjeve të asaj kohe dhe shpresojmë që, Hashim Thaçi dhe bashkmendimtarët e tij, në të ardhmen do të lexojnë pak më shumë dhe t’a meritojnë së paku një notë kaluese në lëndën e historisë, sepse të pretendosh Presidencën e Republikës së Kosovës dhe karrigen e deputetit në njërën anë, e në anën tjetër të mos e njohësh në detale historinë e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore, kjo është skandaloze dhe e pafalshme. Opinioni shqiptar në Kosovë dhe Shqipëri, tashmë është i mirëinformuar për luftën e forcave të bashkuara komuniste, serbe e shqiptare, kundër institucioneve të shtetit, kundër Shqipërisë etnike të asaj kohe.
Dokumentet historike nxjerrin në pah të dhënat e organizimit politik e ushtarak dhe funkcionimin e shtetit të bashkuar shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte funkcionimi i këtij bashkimi politik, territorial e ushtarak ajo që i tmerroi komunistët serb e shqiptar. Nuk lanë gurë pa rrokullisur, nuk lanë shqiptar të gjallë pa e dhunuar, nuk lanë metodë pa përdorur me synim të realizojnë interesat për pushtetmarrje dhe pushtetmbajtje me çdo kusht. Prandaj, duhet t’a themi ashtu si është, se “nderimi” i sotëm i Hashim Thaçit për komandantin Shaban Polluzha është një veprim në funksion të interesave për kapjen e postit të Presidentit të Republikës së Kosovës.
Hashim Thaçi dhe partia e tij nuk janë pasues të luftës institucionale të Shqipërisë etnike kundër komunizmit dhe ripushtimit sllav. Përkushtimin e tij, Hashim Thaçi e ka dëshmuar edhe gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, periudhë kur vet Hashimi me shokë e kanë bërë puçin ushtarak, sikurse e bëri dikur Fadil Hoxha në Kosovë, i cili me ndihmën e serbëve i shkatërroi të gjitha institucionet e shtetit shqiptar në territorin e Kosovës. Njësoj sikurse veprën e Hashim Thaçit gjatë viteve 1998 – 1999, edhe Fadil Hoxhën dikur e kanë mbështetur komunistët nga Shqipëria. Rezultati i të dyja përpjekjeve është mohimi i të drejtës së kombit shqiptar për të jetuar në një shtet të bashkuar kombëtar. Prandaj, meqenëse Drenicës dhe Kosovës së sotme i mungon Mehmet Gradica, te varri i Shaban Polluzhës mund të bëjë “nderime” kushdo. Por, të gënjesh për interesa personale politike se lufta e Shabanit ishte kryengritja e parë antikomuniste në Kosovë, kjo nuk mund të quhet ndryshe, përpos skandal dhe turp i madh kombëtar.