SI VDIQ DJE SKENDERBEU

SHKRUAN: AG APOLLONI

Që në fillim duhet pranuar që Edi Rama është politikan me një retorikë të shkëlqyeshme. Edhe kur i mungojnë argumentet, ai me gjetje stilistike i mund kundërshtarët dhe i manipulon qytetarët. E kemi parë disa herë në debate televizive me intelektualë, profesorë, studiues dhe analistë, se si tallet me ta, se si i shtrin përdhe, se si i shkel pa mëshirë. Kjo ndodh për shkak se ai nuk është thjesht politikan rasti e çasti, por paraprakisht ka pasë një formim kulturor e intelektual, ka qenë pjesë e grupeve që kanë diskutuar ndryshimet artistike dhe politike të tranzicionit, ka publikuar shkrime të cilat i ka bërë vetë e nuk ia ka bërë ndonjë Demkë, që e kanë pothuajse të gjithë politikanët shqiptarë. Pra, e mira e tij është se edhe kur gabon, gabon vetë. Dhe, deklarata e fundit e tij, “çfarë lidhje ka me rrethimet e Krujës dhe me qëndresën e Gjergj Kastriotit, Republika e Turqisë”, mund të interpretohet si nevojë për manipulim të qytetarëve reagues, që nuk janë domosdoshmërisht kundërshtarë të tij, por janë kundërshtues të këtij takimi në një datë historike, çfarë ishte kjo e 17 janarit.

Edi Rama na e sheqeros ardhjen e presidentin turk, duke na thënë se ne kemi një marrëveshje të miqësisë së përjetshme me Turqinë, me këtë anëtare të NATO-s që na ka sjellë vaksina dhe na e ka ndërtuar një mahallë n’Laç. Nuk po i kontestoj këto fakte, veç po i plotësoj: Më 1923, në kohën e Ahmet Zogut, një marrëveshje e atillë nuk ishte budallallëku i vetëm i tij; Turqia është anëtare e NATO-s, por Rexhep bej është “very problematic guy” dhe ky status i Turqisë me të në krye nuk duket i përjetshëm si marrëzia jonë, pardon, marrëveshja jonë; gjylpanat (vaksinat) dhe tullat (ndërtimet) s’do të duhej as të përmendeshin, se janë autogol. Unë besoj që Erdoğan-i është i gatshëm ta japë jetën për Shqipërinë, sepse e konsideron pjesë të “perandorisë” së tij të humbur e të ëndërruar, për shtrirjen e së cilës ka vite që janë duke shkruar mediat e huaja dhe janë shqetësuar shumë shtete, jo vetëm evropiane.

Prandaj, pyetjes së Edi Ramës duhet t’i përgjigjemi me pyetje: përderisa Erdoğan-i synon shtrirjen dhe kontrollin në shtetet që i kishte dikur nën kontroll Perandoria Osmane, kundër së cilës luftoi Gjergj Kastrioti, pse u dashka ta ulim kokën e të mos ia kujtojmë që 17 janari është dita e Kastriotit, jo e Erdoğan-it?

Nëse Edi Rama do ta lexonte artikullin “Why Recep Tayyip Erdogan’s Love Affair with the Ottoman Empire Should Worry The World”, do ta kuptonte se është miku i tij ai që po e kthen kohën mbrapa (te Selimi I), jo shqiptarët, të cilët reaguan vetëm për ta mbrojtur datën e tyre të shenjtë. Është nipi i Selimit ai që i provokoi nipat e Skenderbeut, jo e kundërta.

Datat historike kanë domethënie simbolike. Edi Rama tha se ata që reaguan dje, po dje e mësuan se ishte edhe dita e vdekjes se Skenderbeut. Po, fatkeqësisht, dje, me 17 janar, e kuptuam që Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, paska vdekur vërtet, përderisa nuk paska lënë mbrapa një kryeministër që ta kujtojë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top