KONFERENCA E III-TË E LIDHJES SË SHKRIMTARËVE TË SHQIPËRISË

SI U VENDOS VIJA NDARËSE NË LETËRSI

Shkruan: Xhafer Sadiku

Me fitoren e pushtetit nga komunistët, në nëntor 1944, u përcaktuan vija politike që do të ndiqej në hartimin e historisë së popullit shqiptar dhe historinë e letërsisë shqipe. E para ishte më e thjeshtë, ndërsa e dyta kërkoi kohë dhe pati kontradita. Kjo u percaktua në konferencën e tretë të Lidhjes së shkrimtarëve, që u mbajt nga 9-12 tetor 1949, në Tiranë.

Vija zyrtare

Në mbledhje morën pjesë 50 antarë të lidhjes. Referatin kryesor të vijës zyrtare e mbajti Shevqet Musaraj. Vija politike e regjimit ndante shkrimtarët sipas orgjinës klasore dhe qëndrimeve ideologjike. Referati zyrtar e vuri Migjenin në krye të lëvizjes së letrarëve të rinj në kohën e Zogut, për shkak të frymës së luftës së klasave që përshkuhej në krijimtarinë e tij. Orientimi i shkrimtarëve shqiptarë duhej të ishte nga letërsia sovjetike dhe vija ideologjike duhej të ishte stalinizmi me parrulën se “shkrimtarët janë inxhinierë të shpirtërave njërezorë”.
Referati zyrtar e kritikoi Malëshovën se sa kohë ishte në krye të Lidhjes, letërsia jonë e re “nuk u orjentua në mënyrë të vendosur, konkrete dhe të plotë nga letërsija e Bashkimit Sovjetik”. Shikoni të tetë numrat e revistës “Bota e re” që duallën gjatë qëndrimit të Sejfullait si udhëheqës i kulturës dhe i letërsisë: nuk do të gjeni asnjë gjë që ta orientojë letërsinë tonë nga Bashkimi Sovjetik”.

Mbështetësit e regjimit kritikuan Malëshovën se kishte sjellë në udhëheqjen e Lidhjes së Shkrimtarëve At Vicenc Prenushin, Mitrush Kutelin dhe në redaksinë e organit të Lidhjes ing. Andrea Xegën. Sipas tyre, këta njerëz do të punonin si shkrimtarë, si “ingjinierë të shpirtit”, se këta njerëz “ po i vinte në pozita që të diktonin udhën e Partisë e të popullit, në pozita udhëheqëse”. Malëshova, sipas tyre, na i nxori Fishtën flori të kulluar. Ata theksuan se “ai mbron tezën e tij kur shtroi me autoritet kur ishte ministër i Kultorës në konferencën me temë “Roli i kulturës në Shqipërinë e sotme”. Ç’thoshte atëherë Malëshova? –theksonin ata. “Faik Konica, Fan Noli dhe Fishta janë figurat më të mëdha të Shqipërisë në fushën e kulturës”. Dhe në një plan me Fishtën e “Lahutës së Malësisë” vinte Naimin e “Historisë së Skënderbeut”. E kush mund ta mbronte tezën e Sejfullait, Prenushi, Kuteli etj.

Kundërshtimi i Sejfulla Malëshovës

Në fjalën e tij, Sejfulla Malëshova e quajti referatin kryesor të mbajtur nga Shevqet Musaraj si “skematik dhe artificial” dhe theksoi se nuk ishte dakord me vijën e demarkacionit që ngrihej nga linja zyrtare midis shkrimtarëve. Ai kundërshtoi që Fishta e Mjeda të vendoseshin në dy kampe të kundërta, që Faik Konica e Fan Noli të mos ishin në të njëjtën rrugë. Ai theksonte se duhej të perdorej një standart dhe nëse do të përdornin kritere klasore për të goditur Fishtën dhe mbrojtur Mjedën, kjo duhej bërë edhe për të tjerët. Ideja e Sejfulla Malëshovës në fushën e letërsisë dhe kulturës ishte: “Detyra e tyre (intelektualëve) është të vendosen lidhje të ngushta kulturale me Bashkimin Sovjetik, me Anglinë dhe me Amerikën”. Por ky nuk ishte orientimi i udhëheqjes komuniste, e cila përjashtonte lidhjet kulturale me Anglinë e Amerikën.
Nga 18 diskutantë, vetëm 3 kundërshtuan vijën zyrtare: Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica dhe Skënder Luarasi.

Kritikat e kolegëve ndaj Malëshovës

Në diskutimin e tij, M.N. theksoi: “është punë reaksionare pra të pranosh Fishtën si përparimtar”. Ai vuri në dukje se: “… përgjigjen Fishtës ia ka dhënë Mjeda, në letërsi; Mjeda prift katolik si Fishta, i edukuar si ay në seminare me teologji, po që nuk ka shkruar kundër shkjaut. E pra këtu në Shqipëri jetuan e shkruan që të dy. Mjeda s’ka shkruar as për pashallarët, as për agallarët e as për bajraktarët. Mjeda qe artist popullor dhe jo këngëtar bejlerësh dhe agallarësh, poet i veglave dhe agjentëve të huaj si Fishta”. Gjithashtu të ngatërrosh Konicën me Nolin nuk është e drejtë. Diskutanti kritikonte Malëshovën duke vënë vijën e demarkacionit midis Nolit dhe Konicës. Ai sillte si shëmbull përkthimet, ku ndërsa Noli përkthente Shekspirin, Konica “Nën hijen e hurmave”. Po kështu edhe në fushën e krijimit: Noli kishte shkruar vjersha për Bajram Currin e Luigj Gurakuqi, ndërsa Konica nuk e kishte bërë një gjë të tillë.

Dhimitër Shuteriqi, që derisa Malëshova ishte ministër kishte qënë servil i tij, me të rënë ky i fundit nga pushteti, e denigroi: “Jam i mendjes se Sejfulla Malëshova nuk njeh as Konicën as Fishtën, dhe ca më pak Mjedën…”
Shuteriqi e thelloi vijën ndarëse të hapur midis Nolit dhe Konicës dhe Mjedës e Fishtës nga referati kryesor e diskutantët e tjerë. Pas mendjes time, -theksoi Shuteriqi, -Sejfullai pret që ne të bëjmë sërish poet kombëtar Fishtën, dhe Konicën korife të gjuhës shqipe.

Shuteriqi shfrytëzoi rastin dhe goditi edhe Skënder Luarasin, që bashkë me Ymer Dishnicën ishte i vetmi që mbështeti Sejfulla Malëshovën. Katër vjet më parë, Luarasi kishte kritikuar Malëshovën që mbështeste Shuteriqin, tani Shuteriqi i goditi të dy.

Në përfundim të konferencës përshëndeti sekretari i KQPPSH, Bedri Spahiu, i cili kritikoi ashpër oportunizmin e Malëshovës edhe në fushën e letërsisë. Konferenca zyrtarizoi vijën e ndarjes midis shkrimtarëve revolucionarë, besnikë të Partisë dhe oportunistëve që këmbëngulnin se kriteret e vlerësimit duhej të ishin vlerat artistike dhe jo kriteret ideologjike dhe politike.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top