SHKRUAR NGA ASTRIT LULUSHI
Pluhuri shpesh shoqërohet me harresën, por vetëm kur çështja mendohet thellë, del se është pluhuri në sipërfaqe që zbulon të padukshmen. Heminguei përdori një parim të ngjashëm, ashtu si Kadareja gërvishtte pluhurin e diktaturës për ta zbuluar atë. Eshtë i njëjti parim që u përvetësua nga arti fotografik, ku trupi lakuriq mbulohej me nje tyl të hollë për ta bërë më joshës a për të shmangur censurën ndaj pronografisë. Kjo të shtyn të mendosh se shprehja pluhuri i harresës apo i mbulesës krijohet nga ata që e dinë që në një periudhe të caktuar të së kaluarës, diçka e keqe e turpshme ka ndodhur, ose nuk ka ndodhur asgjë për tu regjistruar, dhe përpiqen që mbi harresën të krijojnë një histori të rremë a të shtrembëruar.
Kur njeriu largohet, pas mbeten gjurmët e tij, të cilat si shenjat e gishtrinjëve, sa më të padukshme në kohën e prekjes aq më të theksuara bëhen kur mbi to hidhet pluhur apo ndricohen nga një dritë e re. Shpesh nevojitet vetëm një vështrim i tillë për të kuptuar se njeriu duhet vlerësuar jo më shumë për rezultatin sesa për punën e mundin drejt këtij rezultati. Kur Da Vinçin e përgëzonin për pikturën Mona Lisa, ata nuk e dinin se për këtë vepër artisti kishte punuar 4 vjet. Falë Zotit, që nuk e dijnë këtë thoshte da Vinçi me vete nga frika se mos të tjerët talleshin. Po ashtu kritikët qeshnin me skulptorin Auguste Rodin kur ky u thoshte se kishte punuar 7 vjet për statujën e Balzakut dhe ende nuk e quante të përfunduar. Në historinë e artit, Rodin sot renditet si skulptori më i madh që nga koha e Mikelanxhelos. Historianët thonë se Enriko Karuzo, një nga tenorët më të mëdhenj që ka njohur bota, kur dilte në skenë admirohej nga të gjithë, por kush e shikonte pas shfaqjes, në mbrapaskenë, të rraskapitur në kulm, të djersitur e mezi mbushej me frymë, mendonte ndryshe. Adhurimi ndaj një personi është deri-diku dëshira për tu bërë njësoj si ai, por pa u lodhur. Kjo është edhe arsyeja që shumë njerëz ëndërrojnë të bëhen të pasur por pak janë të tillë.
Shumë e dëshirojnë suksesin, por jo të gjithë e duan lodhjen, megjithatë prapë nuk heqin dorë e përpiqen të gjejnë rrugë tjera, më të shkurtrën e mundur. Por kjo vijë midis njeriut dhe qëllimit, si ajo midis dy pikave, është e drejtë vetëm në gjeometri, pasi në jetë është e gjatë e me shumë kthesa, ngritje, rënie e ndalesa të shkaktuara nga mundimi e lodhja. Kam njohur shumë njerëz të mëdhenj, por të rrallë janë ata që mund të krahasohen me plakun e urtë shqiptar, Ismail bej Qemalin, shkruante gazetari britanik Somerville Story në vitet 1920. Dhe ai përmend mjaft emra që sot janë harruar, flet kalimthi mbi figura bashkëkohore si Puçini e Karuzo që i kishte njohur personalisht, por përshkruan si një figurë nga më tërheqëset, Ismail Qemalin, mbi shpatullat e të cilit rëndonin shpifjet e kundërshtarëve vendas a të huaj, vitet e jetës, dhe halle të gjithfarëshme, kombëtare e vetiake, që nga ato për sigurimin e jetesës. Këto përbënin atë pluhurin që zbulonte vlera të cilat u vunë re nga shkrimtari britanik Sommerville Story. Në vitin 1927, Sommerville Story, botoi librin ”20 year in Paris with a pen”, ku flet rreth pervojës se tij si gazetar. Në kapitullin ”A few famous people”, Story thotë se nuk mund ta linte pa pëfshirë në këtë libër Ismail Qemalin, jo vetëm sepse ai ishte një nga figurat më interesante që kishte njohur personalisht, por edhe sepse bashkëpunoi me të për 16 muaj për hartimin e librit ”The Memoirs of Ismail Kemal bey”. Në vitin 1916, gazetari amerikan William Morton Fullerton në atë kohë korrespondent i gazetës London Times në Paris, hyri në zyrën e Storyt i shoqëruar nga një burrë i rreth të 70-ve; Ismail bej Qemalin, ish diplomat i perandorisë osmane, guvernator i Rumelisë, nxitësi i lëvizjes xhonturke, njeriu që bëri Shqipërinë, dy herë president i saj dhe tani thuajse i dëbuar jetonte në mërgim. Për këta dy gazetarë të huaj, historia e tij i ngjante asaj të një profeti të mohuar në vendin e tij. Atë ditë ata u takuan, biseduan gjatë dhe përshtypjet e para duket se ishin të mira, pasi shënuan fillimin e një bashkëpunimi të suksesshëm, megjithëse të vështirë, tregon Sommerville Story në librin; ”20 vjet në Paris me penë”. Më poshtë vijon tregimi i Storyt, shkëputur nga kapitulli ”A few famous men”.
Bisedat me Qemal beun ishin leksione, pasi ky plak i urtë që kishte qenë për 50 vjet guvernator i përgjithshëm në disa provinca të perandorisë osmane, dinte thuajse gjithçka që njeriu ia vlente të dinte rreth politikave, sjelljeve dhe mendësive në Lindjen e Afërme. Ishte interesante dhe stimuluese të dëgjoje diskutimet mbi politikat lindore e evropiane nga një njeri që kishte biseduar me sulltanin Abdyl Hamidin po aq familjarisht sa edhe me mua, që kishte njohur nga afër gjeneralin Charls Gordon i njohur si Gordoni i Khartumit dhe nderonte kujtimin e tij, kishte qenë mik me kryeministra e kishte biseduar me monark evropian e burra shteti gjatë jetës së tij të gjate politike
. Në bisedë të lirë Ismail Qemali ishte i këndshëm e plot humor, ndërsa kur fillonim punën për të regjistruar kujtimet ai bëhej tepër serioz. Megjithë përvojën dhe intelektin e tij, ai tregonte kujdesin e një diplomati. Ismail Qemali nuk mbante me vete asnjë shënim a dokument dhe shpesh shprehte keqardhje që të gjitha letrat e tij i kishte lënë në Stamboll. Kur ndonjëherë donte ti referohej një dokumenti diplomatik, ose të gjente datën e saktë të një ngjarjeje qe ai kishte përjetuar, ne na duhej të shkonim në librarinë “Quai d’Orsay” ose në “Bibliotheque Nationale”.
Për të punuar, përdornim një tryezë të madhe. Une ulesha në karrige në njërin skaj e Ismail Qemali në skajin tjetër të tryezës dhe ai fillonte të tregonte incidente e ngjarje të ndryshme nga jeta e tij. Por atij nuk i pëlqente që unë të mbaja shënime edhe as nuk donte që ai të diktonte e unë të shkruaja. Kjo ma bënte punën shumë të vështrirë. Ndonjëherë ai fliste për një orë a më shumë, dhe nëse më shikonte që mbaja shënime, nevrikosej, e ndërpriste tregimin dhe ma hiqte letrën nga dora. Ismail Qemali ishte shumë i përpiktë për ato që donte të përfshiheshin në librin e kujtimeve dhe për ato që duheshin lënë jashtë. Këto të fundit, zakonisht ishin pjesët më interesante dhe përbënin një burim të jashtëzakosnshëm për një shkrimtar. Po kujdesi i tij që ato të mos përfshiheshin në libër, ishte edhe më i jashtëzakonshëm. Ismail Qemali ishte i mendimit se në kujtimet politike duhet të përfshihen vetëm ngjarje serioze. Kur mbaronim bisedën dhe Qemal beu ikte, unë ulesha e shkruaja ato që mbaja mend dhe kur vinte heren tjetër ia lexoja çfarë kisha shkruar. Pasi i miratonte, unë i shtypja me makinë shkrimi dhe ai më kërkonte tia lexoja përsëri. Në disa raste më duhej të bëja edhe ndryshime, sepse Ismail Qemali shpesh ndryshonte mendje e donte që ndonjë pjesë të tregohej ndryshe ose të mos tregohej fare. Bisedat i zhvillonim në frëngjisht, por unë shënimet i mbaja në anglisht dhe pastaj ia lexoja të përkthyera në frëngjisht, sepse nuk e kuptonte mirë anglishten. Ismail Qemali ishte shumë i kujdeshëm për ato që tregonte dhe një herë me të qeshur thashë, Ju keni ardhur tek një gazetar e shkrimtar i cili pak-a-shume i njeh shijet e publikut.
Përse nuk më lejoni ta shkruaj librin ashtu siç di vetë? Ndoshta do te dilte më interesant? Sigurisht përgjigja e tij ishte si gjithmonë e njëjtë: Nuk dua të dëgjoj gjëra të tilla. Ismail Qemali ishte shumë i thjeshtë dhe gjithmonë ndjehej ngushtë kur e lëvdonin. Ndonjëherë mendoja se historia mund të kishte qënë ndryshe, nëse ky njeri do të kishte marrë vendime të prera e të rëndësishme në momentin e duhur dhe në se do të ishte treguar më shumë ambicioz. Një herë një revistë e njohur franceze i kërkoi Ismail Qemalit të shkruante diçka të lehtë rreth përvojës të tij. Në këtë rast ai u shpreh lirshëm, duke e mbushur shkrimin me episode plot humor, pasi e dinte se publikut francez i pëlqenin gjëra të tilla. Por ai nuk pranoi që ky shkrim të përfshihej në Kujtimet në anglisht, duke thënë, si gjithmonë, se ato nuk ishin mjaft dinjitoze për të zenë vend në librin e një diplomati. Nisur nga përvoja, Ismail Qemali parashikoi shumë zhvillime që më pas edhe ndodhën. Por vetëm për një prej zhvillimeve më të rëndësishme parashikimi i tij doli i gabuar. Ismail Qemali besonte se Lufta e parë Botërore do të përfundonte me fitoren e Gjermanisë. Kjo jo sepse Gjermania ishte ndër fuqitë më të mëdha ushtarake të kohës, por sepse Britania e Franca do të mundeshin. Ai bënte krahasim me të kaluarën kur politikat britanike e franceze ndaj Lindjes shumë herë kishin qënë të gabuara. Ismail Qemali thoshte se Gjermania e Austro-Hungaria kishin hyrë aq thellë në Ballkan vetëm falë pakujdesisë dhe indiferentizmit të Britanisë dhe se kishte qenë frika ndaj Gjermanisë që prej periudhës së Bismarkut, që ndikoi në krijimin e aleancës franko – ruse dhe po ashtu frika ndaj Gjermanisë që i shtyu sllavët e jugut të bashkoheshin në një federatë, duke menduar se vetëm kështu mund ti bënin ballë kërcënimit gjerman e austro-hungarez.
Një herë e pyeta Ismal Qemalin se përse pranoi të largohej nga vendi dhe nuk e mbajti pushtetin me çdo kusht e me forcë, siç do të kishin bërë shumë të tjerë në pozitat e tij. Ai tundi kokën dhe me një zë të mendueshëm tha: Gjëra të tilla nuk mund ti bënte një njeri që kishte luftuar për Liberalizim në një vend të prapambetur. Ismail Qemalit nuk i pëlqente të fliste për veten pasi i dukej se mburrej, prandaj edhe puna për të shkruar kujtimet e tij zgjati më shumë sesa unë kisha parashikuar, pasi ndonjëherë më duhej tia nxirrja fjalët thuajse një nga një. Me ditë a javë të tëra ai zhdukej dhe kur kthehej i lodhur, më tregonte për takimet që kishte zhvilluar me ministra, diplomat, burra shteti e bashkatdhetarë për të ndihmuar çështjen shqiptare. Ndonjëherë prefereronte të ulej pranë zgjarrit e të bisedonte. Por libri i Kujtimeve kurrë nuk përfundoi si duhej; kapitulli rreth Shqipërisë, kurrë nuk u skicua as në vija të trasha. Më 1919, Ismaili Qemali u nis per në Spanjë, pasi duke qenë vend neutral, mendonte se ai mund të ishte më i pavarur në punën e tij për Shqipërinë. Disa ditë para se të nisej, më pyeti nëse do ta ndihmoja mbi një libër tjetër më të gjërë mbi gjeografinë, historinë dhe etnografinë e Shqipërisë. Unë i thashë, po, por më gjatë nuk e diskutuam. Shqetësimi im i vetëm ishte se nëse puna
do të kryhej me ritmin e shkrimit të Kujtimeve, që kishte ecur shumë ngadalë, për një libër të dytë do të na duheshin disa vite. Nga Spanja, miku im i vjetër, me ftesë të qeverisë italiane shkoi në Itali, dhe kur arriti atje, autoritetet e mbajtën nën mbikqyrje; dhe ashtu zemërthyer e afro 80 vjecar, Ismail Qemali vdiq në Peruxha. Gjithashtu për ata që besojnë në bestytni nuk mund të lë pa treguar një ngjarje që ndodhi në Paris. Miku im Reginald Darcy, pianist i njohur që jetonte në Algjer, kishte ardhur për vizitë në Paris. Një mbrëmje, ai, Ismail Qemali dhe një miku i tyre po hanin darkë dhe Qemal beu i pyeti nëse u besonin bestytnive. Ata u përgjigjën se jo, dhe pastaj u befasuan kur Ismail Qemali tha se dëshironte të dëgjontë Marshin Funeber të Shopenit. Darcy e luajti në piano, të gjithë pjesën deri në fund. Në më pak se një vit pas kësaj ngjarjeje, Ismail Qemali dhe Reginald Darcy vdiqën, ndërsa personi i tretë ndërroi jete disa muaj më vonë.
***
Libri Memoirs of Ismail Kemal bey u botua më 1920 në Londër e Nju Jork, me një pamje e përmbajtje me të vërtetë serioze, siç e kishte dashur Ismail Qemali kur ishte gjallë. Sot ky libër është një nga veprat më të cituara nga studiues e historianë mbi çështje të Lindjes së Afërme e të vendeve të ish perandorisë osmane. Libri përmban edhe një parathënie shkruar nga W.M.F, akronim i përdorur nga Willam Morton Fullerton,(1865-1952) mik i Sommerville Storyt dhe nxitësi kryesor që Ismail Qemali të hidhte në letër kujtimet e tij. Fullerton ka qenë një prej gazetarëve dhe analistëve të njohur të gjysmës së parë të shekullit të XX. Lindur në Boston e i diplomuar në Harvard, në vitet 1890, Fullerton u vendos në Paris, ku punoi si korrespondent për London Times. Ai është autor i disa librave si The Problems of Power edhe Patrioism and Science ku analizohen politikat e fuqive të mëdha në fillim të shekulli të kaluar. Shumë kritikë thonë se filmi i kohëve të fundit The Wings of Dove bazohet në jetën e Fullertonit, të paktën gjatë rinisë së tij. Ndërsa të dhënat biografike rreth Sommerville Storyt janë tepër të pakta. Mendohet se ai lindi në Britani aty nga mesi i viteve 1800, punoi si gazetar në disa kryeqytete të fuqive evropiane deri aty nga viti 1903, kur u vendos përfundimisht në Paris, ku edhe vdiq para fillimit të Luftës së dytë Botërore. Somerville Story la pas shumë shkrime, monografi e përshkrime, por më shpesh emri i tij përmendet për librin The Memoirs of Ismail Kemal bey.