SHKRUAN: INDRIT VOKSHI
Më pati “akuzuar” një mik me shpoti duke më thënë: “Se ke problem ti qeverisjen Kurti-Vjosa..”. Kjo sepse unë po argumentoja ato ditë se duhet të formohet një qeveri LDK-VV, për rregull politik, pasi kanë qenë në opozitë bashkë dhe duhet të shkojnë në pushtet bashkë. Nuk mundet PDK-ja të bëhet parti-shtet, parti e cila rri gjithmonë në shtet dhe vetëm pret mysafirët, herë LDK-në, herë AAK-në, herë Nisman e me rradhë. Pra PDK shteti, gjithmonë aty, ndërsa partitë e tjera mysafirë të përkohëshëm.
Kadri Veseli doli dhe deklaroi jam në opozitë, nuk shkoj në shtet. Sepse Kadria nuk është hajvan. Nuk është i trashë nga mendja. Nuk ka si deklaron dua të shkoj në shtet. Qe, tashti, sot, del Thaçi dhe kërkon qeveri gjithëpërfshirëse, ska nevojë ta kërkojë Kadria.
Mirëpo çfarë ndodhi?! Nisa duke shprehur mendime gjatë kohës, se si nuk po vepron mirë Albin Kurti gjatë negociatave. Isha mbështetës i qeverisë LDK-VV. Ata më të cilët kam biseduar në kafe, mund ta dëshmojnë. Por kam më shumë dëshirë të kritikoj sesa të lavdëroj.
Nisa duke nënvizuar se kur fiton, smund të jesh më revolucionar por shtetar. Ndaj presidenti kushdoqoftë duhet trajtuar si president. Lërja atij të gabojë. Argumentova se nuk mund të tentosh ta fyesh partnerin politik dhe ta poshtërosh, siç po tentonte ai me LDK ende pa u nënshkruar marrëveshja. Përkundrazi, partneri duhet komplimentuar – militantëve të tij u duhet përcjellë mesazhi se ky politikan kundërshtar po na respekton. Jo nxit njerëzit të komplimentojnë vetëm Vjosën me qëllim për të shkaktuar rrëmujë tek partneri. Ky mu duk kalamanllik. Shkruajta artikull ku argumentoja se Kurti duhet ta heqë taksën dhe të mos gjykohet për ketë, pasi kjo nuk është punë dëshirash.
Çfarë pasoi? Dhjetra militantë të Vetëvendosjes duke sharë, fyer, duke tentuar të poshtërojnë çdo mendim kundër, çdo akuzë.. Jo mua por të tjerët më së shumti. Kur je në politikë, duhen pranuar akuzat dhe dyshimet ndaj teje. Shanin, organizonin sulme për të intimiduar të tjerët, për t’i nënshtruar psikologjikisht që njerëzit të kishin frikë të shkruanin mendimin e tyre.. frikën e përballjes me këta.
Në ketë pikë, mendova se ky, Albin Kurti, është idiot, ska për tu rritur kurrë, do të mbetet fëmijë dinak me sedër rë sëmurë. Do të mbetet një motor ligësie e skuthlliku i cili vë në lëvizje mekanizmat e sharjes dhe linçimit. Kaq. Nuk di çfarë strategjie është kjo. Njeriu duhet me qenë i pjekur. I matur, jo aventurier, jo eksperimentues. Thjesht ky nuk e meriton me qenë në qeverisje. Pavarësisht stilit, pavarësisht modës, retorikës, fjalive dhe poezive..! Dihet që do përballej me ketë konjukturë ndërkombëtare, po pse i fut njerëzit me sha e me fy?
Tashmë qeveria ka ra. Sot Hashim Thaçi ka kërkuar qeveri me bazë të gjerë. Asnjë e mirë nuk do t’i vinte Kosovës nga një qeveri e tillë në vetvete. Një qeveri e tillë thjesht shërben për ta bërë më legjitime një marrëveshje. Por cilësia e marrëveshjes, pozitiviteti i saj, nuk varet nga numri i gjerë i deputetëve por nga nenet e saj. Çfarë përmban ajo!
Sot LDK e ka në dorë. Ose do shkrihet si parti ose do fuqizohet së tepërmi. Kjo varet nga qëndrimi mbi marrëveshjen e pritshme. LDK duhet ta faktojë përpara shqiptarëve se nuk pranon aventura e as lëshime joparimore. LDK duhet të bëhet garante e një marrëveshje të mirë. Përndryshe, le të shohim zvogëlimin e saj.