Si sot, para 331 vjetëve, ka vdekë patriarku Pjetër Bogdani

SHKRUAN: NDUE UKAJ

Si sot, para 331 vjetëve, ka vdekë patriarku Pjetër Bogdani, ipeshkv, strateg ushtarak e shkrimtar i madh, që luftoi me dije e pushkë  “që të mos lënë dijen dhe gjuhen e dheut të zhduket, por sikur lufton gjithë dheu e bota për vet, duke u lartësuar nga urtësia.”

Siç thotë Eqrem Çabej “poetit si një prijës shpirtëror i ka rënë këtu zakonisht dhe barra e apostullt nacional, atij këtu i është dashur shpeshherë të ndërrojë pendën me pushkën”.

Bogdani, siç ka shkruar Rugova “ka realizuar disa nga metaforat më të formësuara dhe më të bukura në poezinë shqip”, por në momente dramatike për kombin, e la pendën dhe lidhi aleanca me perëndimin për t’ i çliruar tokat e robëruara arbnore.

E të njëjtën rrugë, pas tre shekujsh e ndoqi edhe Rugova. Në të vërtetë, Bogdani u bë prijës shpirtëror i Ibrahim Rugovës, ndaj pa e njohur këtë lidhje kulturore, nuk mund ta njohim Rugovën, e as mendimin e tij politik dhe kulturor.

Bogdani jetoi dhe veproi në një periudhë dramatike për kombin shqiptar, por me guxim të pashoq u bë “ai qe nuk len këtë vend te bahet turk”- thoshin sundimtarët osmanë të kohës.

Bogdani vdiq i sëmurë nga murtaja, pas një përpjekje të jashtëzakonshme për t’ i çliruar tokat e Arbnit nga sundimi osman; sundim që, siç shkruante ai, dvarte dije e kulturë, e ku mbretëronte barbaria.

E pas vdekjes së tij, siç njoftoi nipi i tij, Gjergj Bogdani, turqit trupin e tij e nxorën nga varri dhe ua hedhën qeneve në mes të piacës së Prishtinës.

Ky fund kaq tragjik i jetës së tij është fundi tragjik edhe njërës prej përpjekjeve më sublime të shqiptarëve për t’i shkëputë prangat e robërisë dhe të prapambeturisë osmane.

Bogdani, duke jetuar në një kohë shumë të zymtë për popullin e tij, u mishërua dhe u njësua me fatin e  popullt të tij, dhe me forcën e dijes e të guximit, arriti të ndizte një dritë shprese për arbnit e plandosur në mjerim.

Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, te novela “Raporti i fshehtë” ka shkruar për fenomenin e mungesës së varrit të Gjergj Kastriotit dhe ka tërhequr një paralele shumë domethënëse, mes mungesës së varrit të heroit tonë kombëtar dhe mungesës së varrit të Jezu Krishtit. Dhe për të përforcuar idenë e novelës, ai shkruan: “Zbrazëtia e varrit dëshmon shenjtërinë.”

Në të vërtetë, një shenjtëri të tillë, në një variant tjetër, e dëshmon jeta dhe vepra madhore e Bogdanit, trupi i të cilit u shëmtua dhe iu hodh për ushqim qeneve, por u mishërua si frymë e ide në ndërgjegjen kulturore e kombëtare të pasardhësve të tij, që Çetën e tij, si libër e mision, e morën dhe e përcollën brez pas brezi, si një shandan drite e shprese.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top