SI NGJANTE TI REKRUTONTE TË BURGOSURIT POLITIK SIGURIMI I SHTETIT

Shkruan: Sinan Kastrati

Sadik Blakaj ishte i burgosuri më i “autoritetshëm” në dhomën e burgut në burgun e Ferizajit. Në krahasim me të burgosurit e tjerë ai ishte pak më i vjetër se të tjerët, rreth 32 vjeçar. Të tjerët ishin më të të rinjë dhe të dënuar për vepra të tjera, kundërvajtëse, si vjedhje, rrahje.

Po vjetërsia nuk ishte ajo që e dallonte Sadik Blakajn nga të burgosurit e tjerë. “Hallet” për Kombin Shqiptarë dhe Kosovën Republikë ishin arsyet qe ai ishte në ”burg”. Për këtë, Sadiku kishte shumë respekt nga të burgosurit (dhe disa gardianë shqiptarë).

Atë e nderonin të gjithë të burgosurit sepse, thoshin ata: është qe 5 vite në burg. Sadiku ishte i vetmi që kishte libra, laps e fletore e ndonjë gjësend që ne të tjerët nuk e kishim. Të burgosurit e tjerë, nuk iu interesonte politika e as nuk dinin kush është kryetar i komunës, por nuk kishin libra e as laps e fletore.

Unë u gëzova shumë që e “gjeta” një të “burgosur politik”, si Sadik Blakajn sepse pas gjithë atyre vuajtjeve, edhe pse jo kohë të gjatë, mu duk sikur të kisha shkua në shtëpi. Pastaj, me gjithë respektin që kisha për të burgosurit e tjerë si, Rexhep Dabërdolin e Tahirin dhe një të riut që erdhi në burgun e Prishtinës, sa isha unë atje, bisedat ishin më “të sinqerta” e më “serioze” dhe më me kuptim me Sadikun. Pra të burgosurit që unë kisha qenë me ta ishin për vepra të tjera dhe nuk na shkonin llafet, përveç mahive dhe lojës së shahut, në kohën “e lirë”.

Sadiku mu afrua mua posa shkova në dhomën e burgut në Ferizaj. Nuk e di pse. Ndoshta pse isha më i ri apo pse punoja edhe unë në arsim, sikurse ai që kishte “punuar” Sadiku. Ai më afroi afër vetes dhe mua mu duk sikur ndjeva një lehtësi, një siguri më të madhe e mbrojtje më të sigurtë me të. U ndjeva i privilegjuar që Sadik Blakaj, i burgosur politik shumëvjeçar më “pranonte” mua të flas e të shoqnohem me te. Sadiku u “interesua” me dijt çka ka ndodhur “jashtë” burgut gjatë kohës sa ai ishte brenda. Unë i tregova shkurt, në formë të një kronike të thatë, sikur në lajmet e RTK-së, për atë që kishte ndodhur në Prishtinë. Edhe ai më tregoi si ishte burgos në Pejë.

Punoja si profesor i gjuhës shqipe në gjimnazin e Pejës dhe para nxënësve në orën e mësimit thash se veprat e Sinan Hasanit nuk vlejnë asgjë, janë rrena, filloj rrëfimin e tij Sadiku. Ai mu “hap” por edhe unë përveç që u gëzova, fillova me i tregua çka kishte ndodh më 11 e 26 mars të vitit 1981, gjerësisht. Kishim kohë të mjaftueshme prandaj fillova me ia tregua Sadik Blakajt “historinë” time, që nga koha kur isha nxënës i gjimnazit … kur isha burgos, si nxënës, maturant për herë të parë, më 1974 … pse isha përjashtuar nga shkolla, kur isha në Shqipëri, për herë të dytë, më 1979, ngjarje e ndodhi që mua më kishin ndodhur e që mendoja se Sadik Blakajt do ti pëlqejnë e ai do të më besoj më shumë. Demonstratat ia përshkruajta si është më së miri, krejt ngjarjen që e kisha parë dhe ia tregova emrat e të gjithë shokëve, studentëve, njerëzve që i kisha njohur dhe takuar më 11 dhe 26 Mars dhe më herët. Nuk e besoja që ai ishte punëtor i sigurimit shtetëror.

Kam bindjen që edhe sot po të kisha qenë me të në burg, prapë do t’i tregoja ato që i pata thënë atëherë. Nga natyra Sadiku ishte shumë i qetë, dhe nuk tregonte shenja të një njeriut të pabesë, që s`e mban fjalën, të keq, spiun, kriminel e sadist, siç në të vërtetë kishte qenë ai. Nga veshja ishte i thjeshtë, modest e elegant që lente përshtypjen e një intelektuali të madh, punëtori të zellshëm arsimor e patriotit të devotshëm. Pamja e tij, djalë i hijshëm, “për syret” siç thuhet në popull “syni i keq mas e paftë”!. Sjelljet i kishte shumë të matura me të burgosur ndërsa fjalët i kishte me “karar”. Edhe kur “qortonte”, na bindte se ka shumë të drejtë. Përuleshim para tij, e ia “hiqnim kapelën” për nder e respekt! Nga “goja i qitke mjaltë”.

Por, Sadiku nuk kishte qenë ai që unë e kam mendua dhe i kam besua. Ai kishte qenë punëtor i msheft i SHSSH të Jugosllavisë për Kosovë i cili mua më ka sjellur shumë probleme, që edhe ashtu nuk i kisha të pakta.

Pas këtij rasti, kur Sadiku e kishte dorëzuar letrën time SHSSH, mua më thirrnin më shpesh në zyrat e SPB-së në Ferizaj inspektorët e sigurimit që vinin nga Prishtina dhe më pyesnin mua por kurrë nuk më shkonte mendja se Sadik Blakaj e kishte dorëzuar letrën time në SHSSH, në SPB-në. Unë dyshoja mos janë burgos Xhevat Durmishi, Skënder Gashi, Izedin Krasniqi, Haki Berisha, Nuhi Syla, Behxhet Krasniqi … dhe Milazim Krasniqi, tash profesor universiteti, Nexha, e fejuara ime etj. sepse për këta më pyesnin më shpesh inspektorët, emra që i kisha përmend në letrën time… Më pyesnin edhe për Jusuf Gërvallën, aktivitetin e tij e revistat ilegale që dilnin jashtë e ne i shpërndanim në Kosovë.

Frigohesha se mos Izedini ka pranuar që unë ia kam dhënë revistat ilegale për Milazim Krasniqin me i lexua, të cilit ia kisha premtuar. Frigën e kisha mos po gjinden ato revista ilegale e edhe Milazimi po burgoset. Pasojat dihen.

Kjo letër më vonë më ka nxjerr shumë telashe, probleme e dyshime edhe tek të afërmit, miqt e mi… dhe shkaku i saj është izolua (e burgos) Xhevat Durmishi, si ushtar në Bihaq të Bosnjës e Skënder Gashi, mjekë, ish shokë të studimeve që kishim shkua ushtarë të njëjtën ditë. Ata, sa më kujtohet, i kishin prua në Tuzëll, në izolim. Por unë nuk e dija se edhe ata i kam pas shumë afër, me “banesë”, një muri në mes na ndante.

Haki Berisha nga Komarani ishte burgos dhe gjatë kontrollimit të shtëpisë iu kishin gjetë edhe disa libra që unë ia kisha dhënë për me e përgatit provimin e Letërsisë së Sotme, Peezi dhe prozë të Agim Vinca e Isak Shema (Historinë e Letërsisë Shqipe- Realizmin Socialisht, me autor K. Bihikun, poemën “Nënë Shqipëri të Dritëro Agollit, Dimri i vetmisë së madhe “ të Kadaresë etj. dhe disa fotografi, si studentë).
Mua me “liruan” nga burgu i Ferizajit, me 26 Maj 1981…

Xhevat Durmishi e Skënder Gashi

Me Xhevat Durmishin e Skënder Gashi njiheshim … Të dytë studionin mjekësinë e përgjithshme në fakultetin e mjekësisë në Prishtinë dhe banonin bashkë me një dhomë dy krevetëshe, në konviktin nr.3. Për konviktin nr. 3 kam shumë mbresa e më lidhin gjithashtu shumë e kujtime të paharrueshme për ngjarjet e personalitetet e kohës, si studentë banues.

Xhevati e Skënder Gashin, banonin në dhomën nr. 307, ndërsa unë me Ali Lajqin, në dhomën nr. 206, një kat më poshtë, si studentë të letërsisë.

Skender Gashin e njihja më herët, qysh si gjimnazist, kur ai ishte aktivist në kryesinë e rinisë së gjimnazit “Ramiz Sadiku” në Rahovec. Skënderi ishte nga Drenofci i Zatriqit, fshat afro 8 km në veri-perëndim të Rahovecit, fshat i njohur për rrush, pjeshka, pemë e perime. Ishte nip i Selman Zatriqit, i shpërngulur në Damanek, afër Turjakës. Selmani ishte kushëri i pleqve tanë nga Zatriqi, me fis Kastrat. Skënderin, mund të them se e kisha edhe si nip.

1 thought on “SI NGJANTE TI REKRUTONTE TË BURGOSURIT POLITIK SIGURIMI I SHTETIT”

  1. Sadik Blakaj, I paska sherbyer Derzhaves dhe SUP-it, tamam si Adem Demaci, qe ne dhomen e Burgut, kishte Biblioteke dhe Televizor, si Tito ne Brioni.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top