“Familja asht nji të mbledhun gjymtyrësh, të cilët gjallisin nen nji kulum, qëllimi i të cillvet asht të shtuemt e gjindes n’per mjet të martesës, të mkambunet e tyne kah zhdrivillimi i shtatit e kah zhvillimi i mendes e i shises. Familjen e perbajn gjindja e shpis; si të shtohen këta, dahen në vllazni, vllaznija në gjini, gjinija në fise, fiset në flamur e të gjith zbashku permblidhen në nji Familje ma të hapët, e cila quhet Komb, e kan nji atme, nji gjak, nji gjuhë, e doke.” – kështu e sanksionon familjen Kanuni i Lek Dukagjinit. Ky përcaktim zakonor dhe kanunor, ky kodifikim i të drejtës së ligjësisë sociale ka bashkudhëtuar në kohë të ndryshme dhe në vështirësi të shumta duke mbetur i paprekur, i pacenuar deri kur të tjera ligjësi, të tjera detyrime, të tjera bidate sillte koha dhe zhvillimet ekonomike dhe politike.
Familja ka një emër, por që ka shumë kuptime. Ajo mbart dhe përçon themelin e ardhmërisë së shoqërisë dhe kombit. Si e tillë, familja është e lidhur pazgjidhshmërisht si organizëm, si mekanizëm, funksionaliteti i së cilës është gjithëpërfshirës në rrafshin ekonomik, kultural dhe social.
Me modernitetin kanë ardhur edhe prurje, por edhe ndryshime, gjithsesi pa detyrimin ta tjetërsojnë thelbin, por me sakrificën dhe çmimin e vetmohimit ta mbajnë atë të shëndetshme dhe premtuese për të sotmen dhe të ardhmen.
Me familje nënkuptojmë që çdo pjesëtar është i rëndësishëm për tjetrin dhe i domosdoshëm, në të mira dhe në raste fatkeqësish. Familje do të thotë që burri dhe gruaja të bashkohen për të ndërtuar një jetë të lumtur, si për vete ashtu dhe për fëmijët e tyre.
Familje përbehet nga prindërit dhe fëmijët. Por sot shohim fëmijë që janë rritur me një prind nga gjyshërit. Disa familje nga që nuk kanë fëmijë janë të detyruar të adaptojnë një të tillë. Po kështu ka raste që një grup shokësh konsiderohen të jenë familje.
Fjala familje është një fjalë e fuqishme, do të thotë se ke dikë që respekton si dhe është i predispozuar të bëjë të pamundurën për ju. Është familja ajo e cila ekziston dhe funksionon si një organizëm që e njeh dhe e pranon gjithësinë e elementeve jetik dhe social, si bashkëveprim dhe shtytje që vjen nga marrëdhënia e harmonishme dhe përfitimi i përbashkët.
Bashkëshorti është gjithmonë me ju dhe ju keni nevojë gjithnjë për të, ashtu siç ai ka gjithnjë nevojë për ju. Në familje, askush nuk është i tepërt, të gjithë janë të barabartë. Bashkëshortët kanë shumë nevojë për mendimin e njeri-tjetrit dhe gjithçka në jetën e tyre kalon përmes diskutimeve dhe dakordësisë ndërmjet tyre. Të dy janë përgjegjës, të dy gëzojnë meritat e sfidave familjare, që në kuptimin klasik janë rritja dhe zhvillimi, garancia dhe ardhmëria, mbi tabanin e të cilit rritet dhe shumohet familja.
Familja ka kuptim më shumë se lidhjet e gjakut apo martesa. Familja të do ashtu siç je edhe kur sëmuresh apo pëson disfata, ajo nuk të braktis. Dashuria për familjen nuk ka kritere dhe kondita, secili në familje punon për të arritur më të mirën nga ana emocionale dhe ekonomike.
Familje është kur secili ndihet i sigurt dhe njëkohësisht ndihet mirë dhe gjen mbështetje të pakursyera edhe kur mungon fati dhe diçka në jetë nuk shkon siç ti dëshiron. Familja është vendi ku edukohen brezat, ku ka rrënjët e ardhmja, ku kalitet përmendorja e kombit.
Psikologjia dhe socialogjia kanë vërtetuar shkencërisht se kur tolerohet apo stimulohet e keqja, kur neglizhohet apo zhvlerësohet edukimi, shkollimi dhe disiplina familjare, premisat e të sotmes dhe të ardhmes së këtij grupi social janë të kërcënuara seriozisht.
Tradita jonë në drejtim të familjes është më vlera të mëdha, burri dhe gruaja kujdesen për njeri-tjetrin, e dashurojnë njeri-tjetrin dhe mbrojnë njeri-tjetrin. Disa familje janë më shumë konservative, kujdesen me shume për njeri-tjetrin dhe kjo është vlerë. Shumica e njerëzve, e kanë ëndërr familjen, sepse jeta s’ka kuptim pa familje, sepse ekzistenca zëfill, zhvillohet, rritet dhe trashëgohet nga familja. Dashuria, respekti dhe morali fillon në familje dhe përfaqëson të sotmen dhe të ardhmen e grupit, komunitetit, kombit vetë.
Çdo familje trashëgon traditën që ka pasur brez pas brezi, gjeneratë pas gjenerate dhe duhet ta konsiderojë si obligim detyrues që ta çojë më tej, duke e mbajtur thelbësisht të pacënueshme në të gjithë elementet e saj përbërës, në atë sublimen dhe ceremonialen e kremteve dhe festimeve, e cila shprehet me grumbullimet, vajtje-ardhjet tek njëri-tjetri, shkëmbimit të dhuratave dhe të urimeve.
Ata me traditë të shëndoshë familjare, kanë kushtuar dhe i kushtojnë një kujdes të vaçantë përjetimit dhe përcjelljes emocionale në ditë festash, Krishtlindjet, Viti i Ri dhe shumë e shumë ditë të tjera festive ku të gjithë mblidhen, të gjithë gëzojnë jetën dhe festën, ashtu të bashkuar si një trup i vetëm, si një zemër e madhe që ushqen me energji dhe me vitalitet këtë trup të pandashëm që quhet familje.
Por jo gjithnjë dhe jo kudo, familja, ky bekim i dashurisë dhe shpërblim i Zotit, trajtohet ashtu siç e meriton ajo.
Ndryshimet politike të vitit 1990 u shoqëruan me ndryshime rrënjësore të gjithë strukturës sociale, ekonomike dhe psikologjike të shtetit, të shoqërisë, për rrjedhojë të familjes. Familja u desh e para të përballët me këtë stuhi ndryshimesh dhe transformimesh, diku-diku edhe tjetërsimesh.
Si rezultat i ndrydhjes gjatë periudhës komuniste dhe ndryshimeve që pësoi vendi në vitet e para të demokracisë, familja duket se ka filluar të humb deri edhe kuptimin e saj esencial. Plagën më të rëndë u desh ta përballë shtati i drobitur nga diktatura më e egër komuniste në vendet e ish-bllokut të Lindjes, familja shqiptare. Një familje patriarkale, konservatore nuk do ta kishte aspak të lehtë ti bënte ballë nevojës për hapje, për modernitet, për çlirim, për përqafim të ideve dhe modaliteteve të koherendjes. U gjenden krejt papritur në një vështirësi serioze komunikimi ndërmjet bashkëshortëve, i cili nën trysninë dhe indikacionet e jashtme gjithnjë e kishte të pamundur të gjente balancën e humbur, të rikthente normalitetin e funksionimit, si hallka mbështetëse të njëra-tjetrës. Burri dhe gruaja shohin tek njëri-tjetri më shumë nevojën e paravësisë si individë se sa domosdoshmërinë e bashkëveprimit në funksion të normalitetit familjar. Kjo është pika e thyerjes së familjes, rreziku që kërcënon themelin e shoqërisë.
Pas mosmarrëveshjeve ndërmjet bashkëshortëve, shfaqen elementë problemor tek nivelet e tjera të familjes, fëmijët, të cilët gjithnjë ankohen se nuk kuptohen nga të rriturit dhe gjithnjë kanë të drejtë të tolerohen për prapësitë dhe gabimet e tyre, edhe pse ata asnjëherë nuk gjejnë shkas të binden, të pendohen dhe për rrjedhojë të ndryshojnë me kahje pozitivizmi.
Asgjë e mirë nuk vjen nga mosbashkëpunimi. Gjithnjë do të jenë pa zgjidhje problemet familjare, nëse nuk ka një komunikim të sinqertë, nëse nuk trajtohen çështjet rast pas rasti me përkushtimin dhe seriozitetin e duhur.
Duke i bërë bisht përgjegjësisë, gabimet sa vijnë dhe behën më të rrezikshme dhe mundësia për t’iu shmangur kërcënimeve që vijnë sa vijnë dhe bëhen më ndëshkuese. Nuk është vetëm aspekti ekonomik ai prej të cilit kërcënohet familja shqiptare, është mungesa e komunikimit të hapur, i marrëdhënies reciproke, detyrave dhe përgjegjësive.
Një familje e shëndetshme garanton një komb të fortë.