Shkruan: Xhensila Demollaj
Rrëfimi i Mire Sagajevës për punën e rëndë në bujqësi gjatë sistemit komunist. Si e detyronin të hapte kanalet me lopatë duke patur fëmijën në bark si edhe rrëfimi i bashkëshortit, Nezir Sagajeva për burgimin politik dhe vdekjet në Spaç
Janë orët e para të paradites, dhe Gradishti, dikur një fshat i zhurmshëm dhe i mbipopulluar, është krejt i heshtur. Vetëm në lulishtet në qendër të tij, pleqtë kanë përfituar nga “armëpushimi” i shkurtër i vapës, pas drekës, për të kryer ritualin e përhershëm e të ngadaltë të ecejakeve. Sipas të gjitha gjasave duhet të kishim hyrë tashmë në “gjysmën” e madhe të myzeqesë, në Lushnjë. Ka nisur të freskojë ca, por kënga e gjinkallave ende dëgjohet në të dyja anët e tij. Pak kalimtarë kalojnë në këtë kohë. Njerëzit e zonës tregojnë se për historinë e dhimbshme të një gruaje, e cila ka mbajtur mbi supe gjithë peshën familjare.
Sapo pyesim diku në fshat për mbiemrin Sagajeva të gjithë drejtojnë duart nga shtëpia në fund të lagjes, ku edhe jeton familja. Në bahçen plot me lule dhe agrume, në hyrje na pret zonja e shtëpisë, Mire Sagajeva. Ajo qëndron e buzëqeshur duke uruar mirëseardhjen, ndërsa sytë përreth të shohin lulet shumëngjyrëshe për të cilat duket se Mire është kujdesur shumë. “Ndihem më e rinuar tek kujdesem për lulet. Po, ja sikur largoj pak mendjen. Shtëpia është e vetmuar. Nuk kam zhurma nipërish dhe mbesash që të vijnë përqark, se ata do të ma mbushnin shpirtin dhe shtëpinë”, thotë Mire, teksa përshëndet edhe gratë që po pastronin fasulet e vjela këtë vit në oborrin shtëpisë së saj. “I kam punësuar këto gra të mira që të më ndihmojnë.
Toka këtë vit ka dhënë goxha prodhim, por unë nuk kam më fuqi të punoj në të. Po i afrohem të tetëdhjetave. Po më lë dhe fryma. Vetëm mundohem t’i jap forcë vetes, si për vete dhe për tim shoq”. Për Miren, gruan e hekurt siç e njeh fshati, zërat e shumtë të fshatit thonë se është shembull. E ardhur nga Kosova, por me origjinë nga Bosnja, ajo zhvendoset bashkë me familjen në Gradisht të Lushnjës, në moshën 6 vjeçare. “Jam boshnjake me origjinë. Kam ardhur në këtë fshat në vitin 1948. Ishte koha kur në Kosovë kishte trazira të mëdha për shkak të luftës. Dhe po atëherë më vranë edhe babanë. Më pas, këtu na solli nëna dhe që prej atij viti dhe deri më sot, jemi bërë pak lushnjarë”, thotë me shaka Mire Sagajeva. Mirëpo, për Miren problematikat më të mëdha do të fillonin rreth 25 vite më pas, në kohën kur ajo pas martesës dhe jetës së lumtur me bashkëshortin përballet me ndodhinë më të keqe të jetës së saj.
“Më burgosën tim shoq. Pa asnjë arsye e morën dhe e internuan në burgun e Spaçit. Mbeta e vetme përballë një familje që kërkonte prezencën e të dy prindërve. Pas burgosjes së bashkëshortit, Nezirit, më detyruan të bëja punët më të rënda në kooperativë. Më urdhëronin të punoja në një vend me burrat. Unë isha pesë muajshe shtatzënë. Kisha fëmijën në bark dhe detyrohesha të punoja si kafshë. Duhet të hapja kanalet me lopatë. Të ngrija ngarkesat e rënda të ushqimeve blegtorale. Më rrisnin orët e punës më tepër. Vetëm sepse isha gruaja e një të burgosuri”, tregon me lot në sy Mire Sagajeva.
Dhjetë persona në familje, morëm vetëm tre dynym tokë
Burgosja e Nezir Sagajevës ndikoi në shumë aspekte të jetës së familjes. Një ndër to ishte edhe hapësira e vogël territoriale që ata përfituan pas prishjes së sistemit komunist. “U desh shumë kohë që drejtësia të vihej në vend. Edhe pse kooperativat u mbyllën dhe filloi të bëhej shpërndarja e tokave bujqësore për frymë, ne përfituam shumë pak nga kjo gjë. Ishim 10 persona në familje dhe morëm vetëm tre dynymë tokë gjithsej, ndërkohë që si rregull, tre dynymë i takonin vetëm një pjesëtari. Sot, e kam këtë tokë dhe e punojmë me aq sa mundemi, mirëpo ka qenë dhe mbetet shumë pak nga ajo çfarë duhet të merrnin”, përfundon Mire Sagajeva.
Nezir Sagajeva: Si u vranë shokët në burg për një pjatë me pilaf dhe gjysmë pule
Nezirin e takojmë brenda shtëpisë. Ai rrinte ulur në një qoshe të divanit duke numëruar tespihet e tij. Në krahun e djathtë kishte patericat, të cilat i përdorte për të ecur, që prej aksidentit të ndodhur në burgun e Spaçit. “Rri ulur gjithë ditën këtu ku më shikoni. Rrallë lëviz. Ndonjëherë kur dua përdor patericat. Nëse mi merr dikush eci këmba dorës si fëmijë”, thotë Neziri, teksa vijon të na tregojë për historinë e tij të burgimit. “ Isha duke punuar prodhimet e mbjella në toka me traktorin që kisha në administrim. Në atë kohë puna ishte e organizuar dhe çdokush kishte pjesën e tij. Ka qenë kohë dreke, kur dëgjoj dy burra tek thërrisnin emrin tim. Pa më dhënë asnjë arsye më morën, dhe më vunë prangat. Njëri prej tyre më ruante me armë. Isha i paqartë.
Nuk dija as se çfarë po ndodhte dhe as çfarë do të bëhej me mua. Në familje nuk kishim qenë ndonjëherë me problematika, mirëpo siç funksiononte në atë kohë, një fjalë e vetme kundër sistemit të thuhej do e merte vesh gjithë mëhalla. Mirëpo, ky nuk ishte problemi ynë, problemi ishin pasojat, të cilat unë i vuajta shumë rëndë. Kam shenja të pashërueshme dhe të pakthyeshme ende sot”, tregon Nezir Sagajeva, teksa hedh sytë me keqardhje tek njëra këmbë që i mungon. “Jam invalid. Dhe kjo gjë prej burgut. Menjeherë pas arrestimit më kanë internuar në burgun e Spaçit në Mirditë. Aty detyroheshim të bënim punët më të rënda. Duhet të ngrinim gurë dhe ti transportonim nga njëra anë e malit në tjetrën. Por, ndejta pak në burg , rreth tre vite e gjysmë sepse u vrava gjatë punës.
Më mbuluan gurët. Nuk flisja fare. Të gjithë menduan se vdiqa. Por, Zoti më ka parë dhe më ka shpëtuar”, rrëfen Neziri i përlotur. Ndërkaq, ai na tregon ndër të tjera edhe vuajtjen dhe dhunimin e shokëve të tij, të cilët edhe pse punonin maleve, sërish keqtrajtoheshin pa kurrfarë arsye. “I mernin, i rrihnin dhe i zhduknin. Kjo është diktatura e proletariatit. Kishte një byro që ajo çfarë thuhej do të bëhej. Dy prej miqve të mi, të cilët ishin duke konsumuar vaktin e darkës, pas asnjë motiv i vranë në syrin tonë, me shkakun që kishin marë vaktin e përgjegjësit. Kaq ishte. Për një pjatë pilaf dhe gjysëm racion të mishit të pulës vranë dy njerëz. Dhe u vranë në syrin tonë, pa mëshirë dhe pa keqardhje”. /Shekulli