SI E NJOHA XHAFER DEVËN E FAN NOLIN?

Shkruan: Bajram Mjeku

Një mbrëmje tetori të vitit 1947, babës tim Hamitit si asnjëherë më parë i ishte shprishur fytyra. I tha nanës që me shpejtësi të na vishte me rroba të trasha. Ishte shenjë se do marrim udhë të gjatë. Ku do të shkonim, nuk dinte askush përveç prindërve. Baba mbante vëllain e vogël në duar dhe me hapa të shpejtë çante terrin. Ne të tjerëve na tha ta ndiqnim këmba-këmbës. Gjithë natën ecëm nëpër bjeshkët e ashpra të Veriut me ndonjë pushim të shkurtër. Kur u ngjitëm në pikën më të lartë afër kufirit me Kosovën, baba u ndal për një çast dhe drejtoi sytë kah Shqipëria. Parandjeu se për të gjallë nuk do ta shihte më.

Sapo kaluam kufirin na arrestuan ushtarët jugosllavë. Babën e nanën i morën në pyetje disa orë. Më vonë na vendosën në një kamion ushtarak. Të dërrmuar nga lodhja dhe pehatjet e kamionit, nisëm të dremisnim. Mëngjesi na çeli në qytetin e Vushtrrisë. Më vonë baba kuptoi se regjimi jugosllav kishte ngritur dy kampe për emigrantët shqiptarë në Kosovë; njëri në qytetin e Vushtrrisë, tjetri në Viti të Anamoravës.
Në Vushtrri jetuam dy vjet. Baba shkonte rregullisht në xhaminë e qytetit. Sa ishim në Krumë ishte imam i xhamisë. Kosovarët nuk na thërrisnin në emra e mbiemra. Të gjithë e kishim një emër: Albanezi!

Baba e kishte me vete nagantin, të vetmin shenjë nga Shqipëria. Sa herë shtriheshim për të fjetur në kthinën ku flinim të gjithë, nagantin e fuste nën jastëk. Shërbimi i fshehtë jugosllav jo rrallë na provokonte duke na gjuajtur dritaret me gurë. Pas dy vjetësh inspektorët e Sigurimit serb, sërish na hipën në kamionë neve dhe disa familje të tjera. Udhëtuam disa orë dhe përfunduam në Sisevac të Serbisë. Aty jetuam dy vjet. Ndjeheshim dy herë të huaj. Vëllai i vogël ndjesë pastë, vdiq pak nga sëmundjet e më shumë nga uria.

Pas dy vjetësh baba na urdhëroi të visheshim sërish trashë si atë natë kur ikëm nga Shqipëria. Këtë herë as ecëm këmbë, as me kamion. Udhëtimin e bëmë me tren dhe përfunduam në Slloveni. Qëndruam pak ditë atje. Kur baba siguroi kufirin, ikëm në Itali. Jetuam deri në vitin 1956. Baba punonte ku mundej e sa mundej. Një mbrëmje, derisa krijova ndjesinë se në familjen tonë janë shterur edhe bisedat, baba tha: “Sot i kam pre biletat. Të hënën nisemi për Amerikë”.

Më 6 nëntor të vitit 1956 u gjendëm në Aeroportin e Romës. Përballë nesh u shfaq një burrë me trup mesatar, fytyrëzeshkët, i mërrolur e gjithë rrudha. Megjithëse 52 vjeç, dukej më i vjetër se gjashtëdhjetë vjeçar. Ishte Xhafer Deva, kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe ish-ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Mitrovica në Tiranë. Shoqërohej nga bashkëshortja e tij, gjermanja Oswalda Kaiser dhe dy fëmijët e saj. Me Xhafer Devën u njohëm përmes Said Kryeziut, pasi baba ishte anëtar i Rezistencës Antikomuniste në Shqipëri. Edhe Deva kishte vendosur të braktiste Italinë dhe ishte nisur të migronte në Amerikë.

Nga Aeroporti i Romës për në Amerikë udhëtonin edhe personalitete të njohura të Komitetit Kombëtar “Shqipnija e Lirë”. Ishin udhëheqësit e katër partive kryesore; Balli Kombëtar, Partia e Legalitetit, Partia Katundare dhe Blloku Independent. Tri të parat ishin anëtare të Komitetit “Shqipnija e Lirë”. Blloku Independent nuk bënte pjesë si parti. Vetëm udhëheqësit e tij, Ismail Vërlaci e Ndue Gjomarkaj u pranuan si anëtarë të Komitetit Kombëtar.

Familja jonë u vendos në Boston. Në këtë qytet u vendos edhe ministri Deva me familjen e tij. Për t’i ndihmuar babës, zura punë në hotel Statler, ndër më të njohurit në Boston. Në këtë hotel për të siguruar ekzistencën zuri punë edhe ministri Deva. Çdo fundjavë vizitonte familjen tonë. Sa herë i servirnim kafe, ministri Deva refuzonte të shërbehej i pari dhe i drejtohej nanës: “Jo zonjë. Nuk meritojmë të parët të shërbehemi me kafe, sepse humbëm luftën. Shërbeji të tjerët pastaj mua!”

Xhafer Devën pata rast ta njihja edhe më mirë kur ai banonte në apartamentin e Destan Berishës nga Bilusha e Prizrenit në 156 Allen Street, New York. Berisha ishte një burrë me dinjitet. Bashkë me kolonel Muharrem Bajraktarin kaluan në Greqi. Xhafer Deva shpesh përgatiste drekën, pasi gatimin e kishte pasion. Asnjëherë nuk morëm vesh në këtë kohë ku e kishte familjen. Bashkëshortja Oswalda dhe fëmijët nuk ishin me të. As e kam pyetur, as më ka tregua kurrë.

Me Saidin, vëllain e Gani Bej Kryeziut, ishin kundërshtarë politikë. Një ditë bënë marrëveshje, pasi u themelua Komiteti “Shqipnija e Lirë”, në gusht të vitit 1949. Kryetar i Komitetit u zgjodh dijetari Mithat Frashëri. Marrëveshjen midis tij dhe Saidit, Deva e shpjegonte në shtëpinë tonë në Boston. “Pas themelimit të Komitetit ‘Shqipnija e Lirë’, shkova te Said Kryeziu dhe i thashë që aleatët e mi e kishin humbur luftën dhe aleatët e tij e kishin fituar. Nga dita e sotme, unë dhe ata që vijnë pas meje jemi ushtarët tuaj!”. Said Kryeziu, student i Sorbonës dhe diplomati që mbeti nën hijen e kohës, iu përgjigj: “Derisa jemi në mërgim jemi vëllezër. Këtu as kemi ushtarë as gjeneralë.
Kur të kthehemi në Atdhe, do veprojmë secili sipas pikëpamjeve tona”:

Ministri Deva nuk ishte mendjemadh. Ishte i durueshëm gjatë bisedave. Kishte qejf të tregonte për shumë ngjarje kur drejtonte Xhandarmërinë shqiptare gjatë kohës kur ishte ministër i Brendshëm. Fliste me orë të tëra për ngjarje në Llap, Drenicë, Shalë të Bajgorës… Asnjëherë nuk e kam dëgjuar duke folur për aktivitete të ndjeshme si ministër i Brendshëm në Tiranë. Ishte i dëshpëruar me Shqipërinë. Jo rrallë e fshikullonte dhe mallkonte. Me profesion ishte inxhinier. Më shumë se intelektual, në personalitetin e tij kam parë një administrator praktik. Deva gjatë gjithë jetës së tij në mërgim, bashkëpunonte me disa agjenci zbulimi të shteteve perëndimore. Letërkëmbimi i tij dëshmonte këtë. As ishte idealist, as pengohej nga ndonjë filozofi e caktuar politike.

Kur e themeloi Lidhjen e Prizrenit në New York, më shumë e konsideronte klub social se organizatë politike. Personalitetet e njohura hezitonin të bashkëpunonin me të. Ishin tabu organizatat politike, të cilat drejtoheshin nga njerëz që kishin bashkëpunuar me nazifashistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këta njerëz nuk kishin përkrahje nga aleatët angloamerikanë. Kjo qe arsyeja pse Blloku Indipendent asnjëherë nuk u pranua si parti në Komitetin “Shqipnija e Lirë”.
Pak vjet më vonë, ministri Deva u vendos në Kaliforni ku edhe u shua në maj të vitit 1978. Shumë personalitete konsiderojnë se e kanë njohur Xhafer Devën. Në fakt e kanë njohur pak. Me Devën u njohëm pse kishim fate të njëjta. Fati e deshi të jetonim bashkë për disa vjet në Boston.

Në Boston u njohëm edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Fan Noli. Kur kishe fatin edhe të bisedoje me të, ishte pasuria më e madhe në botë. Megjithëse baba kishte qenë imam xhamie në Krumë, çdo të diel vishej bukur dhe më thoshte:

– Çohu djali im. Sot do të shkojmë në meshën e kryeministrit Noli!
Baba gjithmonë më shtrëngonte dorën kur niseshim në meshë. Krijoja ndjesinë sikur kishte parandenjë se më humbiste në turmën e njerëzve në qytetin përtej oqeanit, ku shpresat për t’u kthyer në atdhe vyshkeshin çdo ditë.

Kur hynim në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, peshkop Nolit i qeshte fytyra. Ishte i dashur, erudit i madh, diplomat, shkrimtar, përkthyes brilant… Thjeshtë ishte personalitet i shquar. Ai ishte gjithçka, veç kryeministër i Shqipërisë s’do të duhej të ishte kurrë. Për habinë time, një ditë nisi të flas për Karl Marksin. E vështrova babën. Në heshtjen që po mbretëronte në kishën e Shën Gjergjit në Boston, baba nuk foli, veçse buza i shkoi në gaz. Për Marksin peshkop Noli foli edhe në disa mesha të tjera. Një ditë më humbi durimi. Sapo dolëm nga kisha, iu drejtova babës:

– Pse vijmë në kishë? Fundja ti je hoxhë, Noli është prift. Ti je antikomunist, ai adhurues i kësaj ideologjie. A nuk e braktisëm Shqipërinë për shkak të ideologjisë marksist-leniniste?!
Baba më vështroi gjatë. E pashë që iu tha goja. Për disa çaste vështroi qiellin, pastaj u drejtua kah unë e tha:

– E kemi patur gjashtë muaj Kryeministër, prandaj e respektoj.
Kur e vizitonim në banesën e tij të vogël në Boston, Noli fliste me pasion për kulturën shqiptare, muzikën klasike, letërsinë e përbotshme… Në veçanti fliste me pasion për Shekspirin e Betovenin. Në ndeja të ngushta, asnjëherë nuk fliste për kundërshtarët e tij politik. Përkundrazi i çmonte jashtëzakonisht Faik Konicën dhe të tjerët.

Noli ishte mik i ngushtë me Qerim Panaritin. Ky i fundit kujdesej për gjithçka që ai kishte nevojë. Fan Noli çdo vit i kalonte pushimet dimërore në Floridë. Ditën e 20 dhjetorit të vitit 1964, bashkë me të ishte edhe Qerim Panariti. Kjo ditë ishte e pazakontë. Noli e Panariti kishin caktuar takim në stacionin e trenit në Pensilvania me Behar Shtyllën, ministër i Jashtëm i Shqipërisë komuniste. Shtylla kryesonte delegacionin shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York. Pas përshëndetjeve, hynë në një restorant në stacionin e trenit.

Tre personazhet zhvilluan këtë bisedë:

FAN NOLI: Shkëlqesi si janë punët?

BEHAR SHTYLLA: Shumë mirë Hirësi!

FAN NOLI: Si e kemi Komandarin?! (është fjala për Enver Hoxhën).

BEHAR SHTYLLA: Mirë është Hirësi dhe ju bën të fala!

FAN NOLI: Faleminderit! A mund t’ua bëj një kërkesë?

BEHAR SHTYLLA: Fjalë janë këto Hirësi, urdhëroni?

FAN NOLI: Është fjala për Faik Konicën. E ka lënë amanet që eshtrat e tij të rivarrosen në Shqipëri. E pranon Guverna (Qeveria) juaj këtë gjë?

BEHAR SHTYLLA: Hirësi, eshtrat e tij mund të kthehen në Shqipëri, por Konica së pari duhet të gjykohet. Sipas Kushtetutës së Republikës Popullore të Shqipërisë, eshtrat e Konicës duhet të rivarrosen në varrezat e të dënuarve për aq kohë sa e dënon gjyqi. Pas gjyqit, në rast se Konica shpallet i pafajshëm, eshtrat e tij mund të rivarrosen në varrezat e zakonshme!

FAN NOLI: Pse të shkoj në gjyq Faik Konica? (pyeti Noli i shqetësuar dhe nisi t’i shpjegojë ministrit Shtylla meritat e Konicës. I foli për zbulimin e Flamurit Kombëtar në Muzeun e Londrës, për rolin e tij të madh si ambasador fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për gjithë kontributin madhor të Konicës për të mirën e Shqipërisë).

BEHAR SHTYLLA: Më vjen keq Hirësi, por ai duhet të dal në gjyqin e popullit. Gjithçka varet nga vendimi i gjyqit.
Noli gjatë bisedës me Shtyllën, Konicën e quante “Ustai”.
Fan Noli u habit nga përgjigja e Behar Shtyllës rreth rivarrimit të eshtrave të Konicës. Ishte hera e parë që Noli nisi të dyshonte në Qeverinë komuniste të Tiranës. Iu deshën plot njëzet vjet që të kuptonte të vërtetën e regjimit komunist në Shqipëri. Që nga dita kur u takua me Shtyllën, asnjëherë nuk e zuri në gojë as Shqipërinë komuniste, as “Komandarin” e saj.

* Artikulli publikohet sipas shënimeve të mikut tim Gani Perolli, i cili që nga viti 1956 jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

1 thought on “SI E NJOHA XHAFER DEVËN E FAN NOLIN?”

  1. ILMI FEHIM PRODANI

    ESHTE FAT KEQSI PER KOMBIN SHQIPTAR QE ATA KRIMINELE PATEN SUKSES QE TA ZAPTONIN ATE KOMB ME SHQIPTAR TE VERETETE, PATRIJOT LUFTETAR BESIM TAR VETEM PER TE MIREN E KOMBIT, ARSYEJA QE PARTIT E VENDIT JUMBEN ISHTE VETEM NGA FUKARALLEKU DHE NGA FATKEQSIJA KOMBETARE, NJE POPULL FUKARA SHE MJAFT TE PA EDUKUAR, MUNT TE THEM SE PER BI 80 PERQINT ISHIN ANALLFABETE, QE KOMUNIZMI GJEN FOLEN DUKE BERE AXHITACJONE , SIC E DIME, KURSE NGA ANA TJETER ME SA DI UNE FAJIN E KAN ANGLO AMERIKANET QE I FORNIZUAN PER CDO NEVOJE QE KISHIN,, GABIME POLITIKE.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top