SHKRUAN: BRIKENA BOGDO
“L’Etait c’est moi”, që do të thotë “Shteti jam unë”, është një shprehje shumë e famshme e Luigjit të XIV, të Francës, në mesin e shekullit të XVII. Luigji i konsideruar “Diell”, besonte se, mbretërit lindin për të zotëruar gjithçka dhe për të komanduar gjithkënd. Ai i përmbahej idesë se, e drejta për të sunduar vjen nga zoti dhe askush nuk mund ta verë në diskutim. Kjo teori njihet si “e drejta e prejardhjes hyjnore të pushtetit”. Në këtë rrugëtim 500 vjeçar, sa ka ndryshur ky koncept pushteti dhe statizmi. Prej 100 vitesh shqiptarët nuk po i shkëputen konceptit “shtet i personalizuar”, i cili fillon dhe mbaron me pushtetin absolut të një individi. Aktualisht, kemi një kryeministër, që është shteti dhe ligji.
Diskutimi i nxehtë i këtyre ditëve është reformimi i sistemit të drejtësisë. Por me paligjshmëri absolute, kryeministri Rama, prek pikërisht ligjet dhe harton vendime të Këshillit të Ministrave. Në shkelje të të drejtave themelore të njeriut, sanksionuar në Kushtetutë, kryeministri Rama, merr një vendim dhe ndryshon rregullat e lojës për kompensimin e ish-pronarëve. Në datën 20 dhjetor të 2017-ës, nxjerr një VKM, duke prekur thellësisht të gjithë pronarët, që presin kompensimin financiar. Gjatë të gjithë vitit të fundit, para elektoral, kryeministri Rama, bëri një show të bujshëm mediatik, për të gjithë pronarët që do të përfitonin, kompensimin financiar, duke i mashtruar që do t’i merrnin këto kompensime me sekonda. Në fakt që nga muaji maj i vitit 2017, është ndërprerë kompensimi i financiar i ish-pronarëve. Me fitoren e mandatit të dytë Rama, tashmë i sigurt në pushtetin e tij, e tregon qartazi skemën mashruese të kompensimit të pronarëve. Me VKM, në fund të 2017-ës, ndryshon arbitrarisht krejt skemën e kompensimit financiar. Sipas kësaj VKM-je, të gjithë ish-pronarët, duke u përfshirë edhe ata për të cilët, ishte marrë një vendim përfundimtar, për kompensim të gjithë vleftës në para, do të kompensohet vetëm 20% e vleftës financiare dhe pjesa tjetër do të kthehet tokë.
Ky vendim antiligjor dhe antikushtetues, është marrë prej tre javësh dhe askush nuk e diskuton. E gjithë strategjia shumë vjeçare e politikës shqiptare është: “lejo që të vidhet prona e pronarëve dhe më pas t’u thuhet që është e zaptuar, dhe do t’ju kompensojmë financiarisht”. Përcaktohen shifrat e kompensimit financiar, dhe “miratohet fondi i kompensimit”. Shpërndahen kompensime financiare, për disa në mënyrë selektive, por vetëm duke dhënë rryshfet ndën dorë 15 %-20%, të vleftës financiare. Ka patur raste që kanë paguar rryshfete deri në 50% të vleftës financiare, të miratuar. Ndërsa tani legjitimohet, ilegjitimiteti. Shfaqet e plotë skema mashtruese për kompensimin financiar, pikërisht me një vëndim të miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 dhjetor 2017. Tashmë e dimë të gjithë që, me mashtrime dhe e lejuar nga politika, është zaptuar e gjithë toka e pronarëve dhe më gjerë. A ka mbetur tokë vallë për pronrët, kur u lejua haptazi dhe në shkelje flagrante nga politika, që t’u vidhej toka që u takonte legjitimisht?
Makina mediatike paraqiste emrat e pronarëve që do të kompensoheshin, fondet që përcaktoheshin për këto kompensime, por juridikisht ecej në një drejtim krejt tjetër dhe krejt në disfavor të pronarëve. Vazhdimisht, me ardhjen e tij në pushtet, kryeministri Rama, ka miratuar ligje dhe VKM, në dëm të interesave të pronareve. Koha ndryshon dhe sigurisht kjo do pasqyrohet në ndryshimin e ligjit. Por, jurisprudenca njeh një ligj themelor. Ligji i ri, nëse është në disfavor të individëve, që preken nga ai ligj, nuk ka efekte prapavepruese. Kjo me fjalë të thejshta do të thotë që, individët për të cilët është marrë një vendim përfundimtar me ligjin e vjetër, nuk preken nga ligji i ri, që është në disfavor të tyre. Kryeministri “Diell”, nuk mund ta ndryshosh me ligj, aq më tepër me VKM, atë çfarë i takon pronarëve legjitim, por vetëm me konceptin “shteti jam unë”, “ligji jam unë”. Pronari ilegjitim i shtetit vs. pronarëve legjitimë. Që ky vendim i qeverisë është në disfavor të pronarëve, është lehtësisht i kuptueshëm, përsa kohë, tashmë, me këtë vendim ata do të marrin deri në 10 milion lekë të reja dhe pjesa tjetër tokëm nga fondi i shtetit, kur të gjithë e dimë se, nuk ka mbetur cep i lirë toke, në Shqipëri, ose aq pak saqë është e pamundur t’u jepet të gjithëve tokë.
Ky vendim i fundit do të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese dhe sigurisht deri në Strasburg. Shtetit shqiptar do t’i vijë sërish fatura tepër e lartë, ashtu siç erdhi fatura e lartë prej 18 milion dollarësh, në rastin e hedhjes në erë të pallatit të Vlorës, veprimi i parë që realizoi Rama si kryeministër. Problemi është se, përsëri këto pagesa milions dollarëshe të shtetit shqiptarm të shkaktuara nga paligjshmëria dhe hajdutëria e vetë pushtetarëve, iu faturohen shqiptarëve. Qeveria shqiptare këto shifra do t’i paguajë, nga fondi i shtetit i vjelur nga taksapaguesit shqiptarë, që do të thotë boshatisje e arkës. Çdo boshatisje e arkës së shtetit, do të thotë rritje taksash. Çdo rritje taksash, do të thotë varfërim, çdo varfërimm do të thotë pakënaqësi. Të gjitha pakqënaqësitë popullore, shkaktuar nga taksat e larta dhe varfëria ekstreme, kanë sjelle historikisht revolucionet . Kryeministri shkel përsëri Ligjin Themeltar, Kushtetutën, ku përcaktohet barazi përpara ligjit. Ligji i barabartë për të gjithë dhe të gjithë të barabartë përpara ligjit. Një pjesë e pronarëve janë kompensuar për tokën e tyre, me vleftë financiare, dhe asgjë dhe askush nuk mundet ta ndryshojë këtë, përgjatë rrugës. Përsa kohë ligji është i barabartë për të gjithë, nuk mundet që të kompensosh pronarët, me një vleftë të ndryshme monetare dhe me përqindje të ndryshme.