SHQYPTARI I MADH

Shkruar nga P. Anton HARAPI O.F.M.

Vehtja e vepra e A. Gjergj Fishtës më kujton fjalën e nji Profesori austriak, i cilli, tue folë mbi aftësít e karakteristiken e shpirtit shqiptár, më thotë: Fuqija mendore e shqyptarit âsht virgjin e e palodhun. E, po të mbërrîjte shqyptari me pasë nji edukatë të plotë e nji trajtim të kryem, lehtësisht, se edhe prej prêhnit të Shqypnís, do të mund diishin zotsí mendore, të mjaftueshme jo vetem per rrethin e vogel shqyptár, por t’afta me hî edhe në rrethin botnuer, e me dhânë kontributin e vet nder lamije të hapta të mbarë jetës njerzore.

Nuk âsht mendimi i em, këtû t’u vê kandarin e t’i peshoj këto fjalë, në se e sá vertetohen n’A.Fishten; këta veç âsht e sigurtë, se per Shqypní e për shqyptár, ky kje nji nieri i jashtëzakonshem e mâ i madhi edukues i popullit qi na patem deri më sod. Koha e studimet, qi kanë për t’u bâ mbi idén e vepren e tij, kanë me ndritë e me caktue, në se e sá origjinaliteti i tij e kapercen rrethin shqyptar.

Njerzit e jashtëzakonshem shkojn nji jetë, të thuejsh, baras me njerzë tjerë, porse dallohen në këta, se shpirti i tyne, porsi në nji vegim, të kjartë e sheh idén, e lehtas i pershîn më nji syntezë mendimet, zakonet, vepren e jeten e shumicës; atë botë, ata, tue u naltue mbí njerzë tjerë të rrethit e të kohës, gjêjn e vendojn sŷnime të reja mâ të nalta e mâ fisnike, e me të gjitha fuqít e veta, vêhen t’i shprehin e t’i çojnë në vend, tue e mishnue kështû me to kohen e breznín. Edhe i’a dalin. Në këta mbahet fuqija mysterjoze e tyne, e cilla, per ta âsht nji gjâ fare e thjeshtë e e zakonshme, me sá, per tjerë âsht bindje e mrekullí. Sa herë, tue folë me A. Gjergjin, më thote: Quam parva scientia regitur mundus!

A. Gjergji âsht nji fatos. Ai ngrehë flamurin e gjuhës e të kombsís, jo nder kështjella as nder gerdhata, por në cepin e idevet e nder thellinat e ndiesivet; kushtrimin e tij e ndjeu intelektuali edhe analfabeti, nacjonalisti, si edhe ai i dekuni në shpírt per atdhé; ushtima e tij theu çë do rrymë të kundert e depertoi thellë, mje në palcin e shpirtit të shqyptarit, e atŷ, tue prekë mâ t’imtat pêjza të thalbit të jetës, trandi, zgjoi, rrëmbeu… Cofja mâ e lanun e apatiku mâ i shgrehun, ashtû edhe sheptiku mâ i lëshum zêmre, kjen prekë e naltue nder mâ t’amblat shpresë, se “Ka po Shqypní… e se, ”Per shqyptarë do të jetë Shqypnija”! — Kam ndollë vetë atŷ, kúr nji ditë, nji shqyptár këthefit të vjetër, tue ankue per do shperndorime të nierëzve të Shtetit me A.Gjergjin, dote disi me perfundue, se së ká Shqypní. Fishta don t’i a spjegojë punen, se nierzt e Shtetit nuk janë Shqypnija, edhe plaku, per me i diftue se kishte mbetë i bindun, i thotë: Po na së kemi dijtë, more zotní… veç prej jush e kemi xânë shka âsht Shqypnija!

Per me njoftë sá duhet randsín e fuqín e veprës së tij, negativisht do t’a kundrojmë nder rrethanat e vshtirsít e kohës, në të cillen ai e nisi misjonin e vet.

Rritë e mësue kŷ nder rethet e paqta të Kuvendit rregulltár, mrû e njeshë mirë me frymzimet e shpirtit të kështenë, shterngue mandej, me idealet e nalta e me detyrët e randa të nji meshtari katolik, paisë edhe me cillsi të rralla mendje e ndisísh, si pat krye këndimet, porsi zogu prej gervojet, del prej pasivitetit, e hîn me veprue në nji jetë, e cilla, kombtarisht ishte deksí, kulturisht ishte rregres, shoqnisht ishte apatí. Kush e din, se shka kje Shqypnija e si kje jeta në Shqypní kohen e Osmanllivet, mund e mârrë me mend gjêjen, në të cillen, A. Gjergji nisi me shvillue idén e aktivitetin e vet. Ndër ato gjire të njajë jete publike, refratare per kulturë e kombsí, ai e poq palcin e rinís së vet. Ky edhe kje i pari hap qi bâni per edukaten e popullit, kurse jo vetem nuk la vetin t’a merrte rrjedha e kohës, e t’u bâte si tjerët, por, mentalitetit të rrethit i ndej persypri, e me kamxhikun e fjalës e të shkrimit e vû para; kŷ kje nji nder mâ të parët e mâ të zotët, qi me mish e me shpirtë, u vû t’a qortojë mentalitetin e vjetër, e të krijojë e t’imponojë pikpamje e rrymë të reja kulture, kombsije e jete shoqnore nder shqyptarë.

Ene si xhakue bubrron vjerrsha shqype, disá nder të cillat dorshkrime të rinís së tij, të ruejtuna edhe tash, tregojnë turrin e fuqín e nji shpirti, qi veç pret me shperthye. Mâ vonë mandej, porsi meshtár, si kúr kje strukun nder muret e Kuvendit, si kúr kje i hjedhun nder kaperthimet e njajë famullije, vêhet në perpjekje t’aferme e të padame me nierz, të cillët nuk mendojshin si tjerët, sikúr kjenë Emzot Doçi, P. Leonard de Martino, D. Ndré Mjedja, A. Zanoni etj.

Hî nder gjire të kohës e të punës, jo vetem flet e perpiqet, por edhe shkruen; e shkruen e njet. Botimi i parë i Lahutës, me Marash Ucin e me Oso Kuken, bân nji shndrim të pa-pritun e të këthellët nder lexuesa e nder ndigjuesa; Lahuta, porsá ndora, perhapet, gjithkund tue pelqye, per herë e mâ tepër tue u a mbushë menden shqyptarvet, se kemi pse me kênë e kemi pse të mbahemi shqyptarë; kemi nierz per të cillët të lavdohemi, kemi gjûhë, shpìrt e zakone mos me i’a pasë lakmí kúj..

Nderkaq, visaret t’ona kombtare nisin m’u çmue e me marrë randsí edhe nder ata, per të cillët, gjûhë shqype e punë shqyptare u mbajshin porsi gjâ kecanash, të dobta e të pavjeftje.

Mirë, po as kaq nuk mjâftote. Nji dallndyshë, — si i thonë nji fjalës — nuk bân prendverë, e Lahuta, âshtu vetem, do t’jitte si nji gjâ vetem ideale e teorike, e cilla, aso kohe, mbërrijtte vetem dér atŷ, me pelqim të vetin, m’e bâ lexuesin me thanë: Allahu e marroftë, se bukur i’a ká thanë… bukur e ká shkrue! Nuk vonoj, e Fishta i u kujtue, se me folë me arsyetime, me shkrue me trajta të hijshme e terhjekse, per mentalitete t’atëhershme, ishte si me rrahë ujë në havan. Atëherë lshoi “Anzat”; e me to, nuk la kand shpirti shqyptár pa prekë e therë; e jo therë e gjâ, por i madh e i vogël pat keq e turp, e me shpírt gjimoj per atë jetë qi shkohej, jo ndryshe, veç si hije deke, per mendime-shtupë, qi zotnojshin e per sá zakone të mârra e  antishoqnore qi u mbajshin aso kohe.

Edhe këtû i a duel. Ai ngadhnjej: Satyrat e tija rrmbejnë, nuk lânë kurrkund me xânë vend. Kjo dán si t’ishte lama e tij; këtû shkruen si t’ishte fuqiplotë, i pakalueshem. Me të vojtë mendja mos m’e zânë besë, se si ky shkrini gjith at njomsi gjûhe shqype nder sá botime tjera, si b.f. “Mbretnesha e luleve”, “Shqyptarja e qytetnueme”, “Tringa”, “Shqyptari i qytetnuem”, etj.

Vepra e A. Gjergjit nuk kje vetem negative; ai, edhe ndertoj e trajtoj; jo vetem kallzoj si së duhet mendue, jo vetem foli e shkroi, por edhe me punë e me shembull tregoi idén, kallzoi rrugen e mënyren, prîni, terhoq e bâni per veti, perherë tue ngadhnjye në shpirtin shqyptár.

Mos do të tham tepër, po e thirra e e pershëndeta Fishten krijues? Tue u a lânë kompetentave e kritikës së paânshme t’a gjykojë e t’a vendojë originalitetin e mendimit të tij, trí punë të vertetueme në tê, janë trí arsye, per të cillat më mbushet mendja, se ásht per ket titull të shkelqyeshem: 1. A.Gjergji krijoi nji atmosferë shqyptare; 2. Krijoi nji styl, a se mâ mirë me thânë nji shkollë të veten; 3. Në gjûhen t’anë të palavrueme krijoi vepra klasike.

Per dér kû i pershîni rrethi, jo vetem edukoi shqyptarët t’a ndijshin e t’a shijojshin shpirtin e vet, por edukoi edhe të huejtë per Shqypní, d.m.th. bâni, qi edhe të huejtë të kishin nderim e interesë per gjûhë, per zakone e per gjithshka i perket çashtjes shqyptare.

Kurr nuk i mungoi fjala, as fuqija, as guzimi per me i naltue e me i vendue idealet shqyptare në krye të vendit në mjes ambjentave refratarë per ndiesí kombtare. Çë do shqyptár, sado i pazêmer a i pashpnesë per çashtjen shqyptare, para Fishtës do t’ulte fjalët, do t’i vite punës, do t’a lête n’e tij per shka i perkitte Shqypnís.

E kështû, jo vetem me shqyptarë, por edhe me të huejt. Sado antishqyptár të jetë kênë kush i hueji, në perpjekje me Fishten, kishte per t’i hî në qefë Shqyptari e Shqypnija. Kishte pasë ardhë te ai, nji ditë, nji shkrimtare françeze per nji intervistë. Si shtruen kuvend, nisi ajo me folë per çka i interesote asajë, sidomos permbi perpilimin e njajë libri qi ajo dote me botue. Edhe kŷ besa, per pa i rá kund n’esh, por të hîni e t’endi e t’a suell, njikaq bukur e fuqishem per rreth natyrës së gjûhës e per rreth çashtjes shqyptare, sa ajo mbet shtang; qiti e e la interesimin e vet edhe e ndoq A. Gjergjin dér në fund. E per ashtû kŷ, sidomos kúr i këcete delli e i u prekte shpirti ishte pernjimend klasik e i pamêshem. Fundi i punës, intervista mbaroi kështû: Kúr bâni m’u çue e me dalë, shkrimtarja i a shtrengon doren, tue thanë: Kam ardhë me gjetë letrarin shqyptár, e pergëzohem, se gjeta edhe oratorin, filozofin e pedagogun!

Gjithkund, kû ndodhi, nder Dergata, Komitete, Perfaqsime, Komisjone a perpjekje, si me shqyptár, si me të huej, me fjalen e rrjellshme, e me ato mënyrë terhjekse, a drejtë per së drejti a nemose lakueshem, zotnote ambientin e bisedimin, e bâtë, qi Shqypnija e shqyptari t’ishin landë e parë  bisedimi e interesimi. E mandej, gjithkund kû shkoi e u gjet, e paraqiti vetin e shqyptarin në nji mënyrë krejtë të naltë e fare të dêjë.

Fishta, per shka i perket stylit e mënyrës së shkrimit, krijoi nji shkollë, të veten. Si ai, nuk shkroi kush shqyp dér më sod. Kush provoi me shkrue si ai deshtoi. Kush e vû me zânë prej si, u bâ i zoti i mendimit e i shkrimit. Fishta shkroi fortë, e shkroi ambel; shkroi per popull e shkroi per inteligenta, por si në stylin e naltë, si në stylin e ultë, ai âsht gjithmonë ai vetë; shpirti e penda e tij njifen nder njimi; karakteristika, në tê âsht e pandrrueshme. Admiratorët e ndjeksat e vet, ai nuk i percuell vetem, por si mâ i miri pedagog, u prîni me shembullin e shpirt të nji hartit të veçuem.

Mendimet e tija janë të plleshme; ato nuk shtrrasin kurr; veprat e tija janë tanë palc e permbajtje; sikurse nder forma âsht i pamujshem t’i pergjajë kush, âshtû nder shprehje, ka fatin e bardhë me i rá më tê formës, fuqís, e shijes; nder to vendon parime të kjarta per kuptim e të pershtatshme per aplikim: mënyrët e të shprehunit janë verte klasike, e shum herë thonë ndoshta edhe mâ teper se desht me thanë ai vetë. Nder vepra të Fishtës gjejmë orjentim e parime, qi pershijnë tanë natyrën, tanë jetën njerzore, të gjitha kohët e ç’farëdo rrethanash.

Fishta, me vepra qi la mbas vetit, mujtë me thanë, njata shka Kepleri la të shkrueme në parathanjen e librit “Weltharmonik”: Po vêhem e po shkruej nji liber, të cillin, si t’a lezojë breznija e sodshme, si breznít e ardhshme, ai, me mija vjetësh, ka per të kênë i lypun e kerkuem Veprat e A.Gjergjit janë nji krijesë klasike. Cilli kje sekreti, prej kahë mori shkas e fuqí, gjet pelqim e dha harmoni penda e tij? Porsi natyralist i vertetë, qi i falet natyrës, hînë e rrnon n’at botë, merr e ep dér me kafshët e pajetë, flet e prigjion gurët e bimët, vetít e format e tyne nder lidhní e proporcionet ma të mëshehtat, të cillat i hikin synit të nji profani, ashtû Poeti i ynë hini e rrnoi në shpirtin e popullit, mishnoi gjûhen, frazet prrallat, anekdotat, e mënyrët e tfaqjes të shpirtit shqyptár. E mandej, me nji prizem të bindshem mendje e me nji fuqí shijuese të veçântë, i muer e i bâni të vetat.

Kûr i bite me ndie nji fjalë me vend, nji shprehje të bukur, nji anekdot tanë veshtrim, ase nji prallë shqyptare tanë jetë, shpirti estet i tij, n’at shfaqe të ré, n prekte sa këthellë aq pelqyeshem; kënaqej me gjith zêmer, e më zi çë pritte m’e persritë nder bisedime, per herë tue i dhânë trajtë e fuqí të ré, dér t’i vite rasa m’e qitë e m’e perdorue në shkrim e atëherë, e bâte të veten.

Ai mori prej popullit gjithshka gjet të hijshem, të madhnueshem e të fuqishem, e porsi nji piktor i zoti, e shndrroj në shpirtin e vet, tue e riprodukue në mënyrë, e cilla âsht vetem e tija, prandej, origjinale.

Edhe nder bisedime mâ të zakonshme, ja kishte per të thanë dishka më të ré, ja se, ata shka ishte e dijtun, kishte per t’a prû në formë perherë të ré, perherë të pelqyeshme. Nuk dijë shka kumboi mâ hijshem në te, a fjala, a gjûha, a  forma, a por mendimi! Rritmi i shpirtit të tij kje i njajtë gjithmonë, si në vjerrshë, si në korrespondencë, ashtû nder bisedime të zakonshme. Këta e difton skrupoloziteti i tij per estetiken e gjûhës. Kúr ndiete a lezote shka vritte nder veshë ase nder ndiesítë e shpirtit të tij, kishte keq, turfullote, e kúr, per nji arsye a per nji tjetër, nuk muejte me shfrye, veç por lshote nji gjame të lehtë, si nji qi ka keq, e rrite si në mendim e i pezulluem.

Vjerrshat, qi i dilshin per qefi, më zi çë pritte rasen, me i a lezue ndo’ i mikút a bashkpuntorit. Sá herë tue ndejë me tê, në gjysë të bisedës shtrite doren mbí dorshkrime të veta, e më thote: Tash, per me ndrue bisedë, due me të këndue nji vjershë. E ashtû, me dorshkrim në dorë, vijote në llafe: Gjâ mâ e merzitshme nuk âsht, se me ndêjë me ndigjue shka i ka pjellë mendja nji tjetrit, por mâ… zêne se së po merzite… E niste me lezue, por mâ fort vetit se mue. Kû ndeshte, a se nuk i pelqete, disi mrrullei, bâte si m’u kullë; kapte lapcen, shenjote, e me knaqe pritte si vrejtjen si pelqimin. Mandej prap hîte në bisedë.

Edhe pse nuk shkroi Psykologì, ai kje nji psikolog i madh, jo vetem pse dijti m’u ardhë e m’u rà më tê punvet e nierzvet sado të ndryshëshem, por si nji pedagog, i mirë, dijti me njohtë vehtjet, cillsìt, temperamentat e karakteret, shka âsht pikë e parë per nji prîs idealogjie në popull. Sa herë, tue shetitë me tê ndeshëshim nder gjitfarë nierzish, ai, kû me nji kujtim rase, kû me nji pershkrim të vogel, më kallzote se kush âsht njani e tjetri, as nuk i a bâte fort larg së vertetës.

A. Gjergji jo vetëm shkroi, por edhe punoi per edukaten kombtare. Mâ e madhja veper e tija në kët pikpamje âsht, kur në vj.1902 shtje gjuhen shqype gjuhë mësimi nder shkollat e jona në Shkoder. Do dijtë, se ky hap n’atë kohë faqe Qeverís ishte nji guzim, faqe zotnive shkodranë ishte nji utopí, per mos me thanë tjeter, e faqe rretheve tjera mâ të nalta e mâ t’ulta, shikjohei jo vetëm me nji farë skepticimi e me sŷ të shtrêmtë, por gadi e pá gadi, si i rrezikshem.

Me ketë hap, bashkë me A.Gjeçovin, krijon nji organ publik gjûhe e kombsije; në këtë mënyrë, e vendon njatë idé, të cilen, dalë kadalë mâ vonë e imponon e e zhvillon me botime, e me shfaqje teatrore, me përpjekje e me mësime. Aty, me dy mësuesa shqyptár, prej Borgoerico, qi mësojnë shqyp, e me atë taktikë terhjekse qi kishte, qandron mâ vonë rreth vetit e rreth shkolle mësuesat mâ në shêj si per aftësí si edhe per ndisí kombtare, si kjenë Logoreci, Paluca, Kodheli etj.

Arsimi kombtár pat prej Fishtës mâ të madhin kontribut. Shkrimet e tija porsi teksa shkollorë, janë faktorë të fuqishem per trajtimin e ndergjegjes kombtare në breznín e ré, janë normë e pakontestim për të shijue madhnín e fuqín e gjûhës, janë edhe trashigim i çmue­shem, prej kahë mârrin shkas e kû mirojn rropamet e nji shpirti vertè shqyptár.

Kúr vjetin 1933, dy muej para se t’u mbyllshin shko- llat t’ona prej anës së Qeverís, Ministrija e Arsimit per me perligjë hapin e shemtueshem qi do të bâte, dergoi dy Inspektora, qi, në shkollë t’onë, të gjêjshin kû m’u  pshtetë, a se mâ mirë me thânë, të gjejshin halen në perpeq; n’atë rasë, A.Gjergji qi ishte titullari i shkollës nuk ndollte aty. Por si Zavendës Drejtori, un i prita e i percolla. Inspektorat, tue mos gjetë Drejtorin në listen e mësuesvet per kurrnji orë mësimi, theksojnë vrejtjen, se Drejtori i mungon nji detyrës së vet kryesore, tue mos bâ mësim. — Po Zotní, u tham, Drejtori i ynë bân shkollë — Po si âsht puna pra, se këtû nuk figuron kurrkund, në kurrnji landë as në kurrnji orë? — Po, Zotní, u pergjegjem, A.Gjergji bân ma të naltin mësim, ai i shkruen tekstat e na i mësoimë e i zhvillojmë në shkollë!

Si erdh mandej urdhni për mbylljen e shkollës, tue e pá veprën e vet të plandosun per tokë, me pikllim të zêmrës, ai vetë i percuell nxânsat te shpija me këto fjalë; Shkoni prá, mbasi Shqypnija nuk po e don mâ vepren as bashkpunimin t’onë…! Por anì, rrnoftë Shqypnija edhe pá né!

1 thought on “SHQYPTARI I MADH”

  1. Njac Shtjefni

    Asht knaqsi e madhe per mue me kndue kte shkrim origjinal per At Gjergj Fishten ,te harruem osé ma mire me thane i braktisun qellimshem prej akademikve te kuq .sa m”erdhi dyshire .e shkrue n”djalekt fishtjan.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top