Shkruan, Prof. Dr. Ramiz Abdyli
Djathtizmi në Maqedoninë shqiptare të sotme si dhe në Luginën e Preshevës ishte një dhe i pandarë me djathtizmin në Kosovë e Shqipëri dhe në trojet tjera etnike shqiptare të mbetura padrejtësisht jashtë kufijve politik të shtetit shqiptar të pranuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Krahu i mirëfilltë i Lëvizjes Kombëtare shqiptare – djathtizmi i palëkundur njohu një shtrirje – një degëzim legal në zonat okupuese italiane dhe një reflektim ilegal në zonën pushtuese bullgare (prill 1941 – shtator 1944). Kjo lëvizje përbënte vazhdimësinë e lëvizjes Kombetare shqiptare edhe pas vitit 1912 për çlirim e bashkim kombëtarë mbi bazën e platformës programatike të Lidhjes shqiptare të Prizrenit – krijimin e Shqipërisë etnike. Për jetësimin e saj u angazhua në vijimsi një plejadë atdhetarësh të shquar të kombit pas pushtimit të tokave shqiptare nga serbo-malaziasët dhe grekët më 1912, e njohur si Lëvizja për çlirim dhe bashkim kombëtarë. Në viset e pushtuara nga serbomalazezët veprimtaria e saj që u shpreh përmes lëvizjes kaçake dhe drejtohej nga Komiteti i Kosovës me seli në Shkodër e jashtë atdheut kishte mbështetjen e fuqishme te organizata e xhemijetit me seli në Shkup, e cila ishte në bashkëveprim të ngushtë me këtë komitet, në krye me atdhetarin e njohur Ferat Dragën, sikundër më vonë përmes organizatës “Besa” në krye me Shaip Mustafë Preshevën, Shaip Kamber – Tetovën, etj. Po kështu kjo lëvizje u zhvillua edhe përmes shoqatës “‘Merhamet” me seli në Mitrovicë, në krye me Xhafer Devën.
Drejtuesit e Lëvizjes djathtiste në Maqedoni dhe në trojet tjera etnike shqiptare në rrethanat e Lufës së Dytë Botërore vazhduan veprimtarinë e tyre në përputhje me rrethanat e krijuara gjatë kësaj periudhe (Luftës së Dyte Botërore). Në zonat e pushtuara shqiptare nga italianët dhe bullgarët kjo lëvizje u zhvillua në rrethana specifike. Është me interes të vihet në dukje se djathtizmi në zonën pushuese bullgare, sikurse edhe në zoëen pushtuese italiane, pati në gjiun e saj edhe ndonjë komunist shqiptar me taban kombëtar, siç ishte Shaip Mustafë – Presheva. Ai dhe ndonjë komunist tjetër, në dallim nga komunistët tjerë shqiptarë, këmbnguli që në ditët e para të pushtimit fashist nxorri në plan të parë çështjen e bashkimit kombëtar si parakusht për bashkëpunim me komunistët jugosllavë. Këtë Shaipi e provoi edhe me organizimin e demostratës së njohur në prill të vitit 1941 bashkë me Jahja Osman – Kumanovën në Shkup, duke organizuar mbi 300 të rinjë të këtij qyteti me veshje kombëtare e flamuj kombëtar dhe duke demonstruar marshuan nga Qarshia e vjeter deri te Ura e Gurit, me kërkesën që Shkupi dhe trevat tjera shqiptare nën pushtimin bullgar t’i bashkoheshin zonës pushtuese italiane.
Burimet e proviniencës maqedone dhe bullgare provojnë se gjatë gjithë periudhës së Luftës së Dytë Botërore në viset etnike shqiptare të Maqedonisë grupimi atdhetar antikomunist, bashkërendonin veprimtarinë e tyre për krijimin e Shqipërisë etnike. Ky grupim fillimisht në zonën okupuese italiane u radhit përkrah organizatës “Besa”, përderisa atdhetarët në pjesën okupuese bullgare veprimtarinë e tyre rreth jetësimit të Shqipërisë etnike e zhvillonin në rrethana të ilegalietit të thellë, për shkake të masave represive fashiste bullgare. Në zonën pushtuese italiane, sikurse në Kosovë grupimi kombëtar organizoi njësitet vullnetare sipas shembullit të Lidhjes së Parë të Prizrenit në luftë kundër partizanëve jugosllavë e shqiptarë. Lufta kundër lëvizjes partizane-jugosllave e personifikuar edhe si lëvizje çetnike ishte e lidhur ngushtë me faktin se kjo ideologji vinte nga Rusia, e cila ishte forcë kryesore shtytëse për copëtimin e tokave shqiptare që nga Traktati i Shën Stefanit, dhe kundërshtare e përbetuar e Shqipërisë së Pavarur e me kufij të natyrshëm etnike. Kjo kishte të bëjë edhe me të kaluarën e hidhur gjatë pushtimit serbosllav të tokave shqiptare pas vitit 1912.
Nga organizatat politike-ushtarake që u formuan dhe vepruan në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, si Balli Kombëtar e Legaliteti, duket se nuk njohën ndonjë shtrirje të gjerë të rrjetit të tyrë organizativ. Përfaqësuesit e Ballit Kombëtar në zonën okupuese italiane ishin të paktë. Sa dihet nga burimet e besueshme në këtë pjesë nuk është verifikuar asnjë i kësaj organizate në atë zonë pushtuese. Ndërsa pohimet e historianëve maqedonas e jugosllavë për veprimtarinë e gjerë të kësaj organizate nuk kanë mbështetje argumentuese bindëse, sikundër edhe të ndonjë historiani shqiptarë që duke u mbështetur po në këto burime, (mbase me prapavi politike) këmbëngulin për veprimin e gjërë të kësaj organizate në Maqedoni.
Provat edhe më të pakta janë për jehonën e organizatës së Legalitetit në këto treva. Ndërsa është e sigurt se dy organizata tjera politike – ushtarake njohën një shtirje të gjërë: Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe LNDSH. Në Lidhjen e Dytë të Prizrenit bënin pjesë figura të shquara të Lëvizjes Kombëtare të tokave shqiptare në Maqedoni, që nga Struga e Ohri deri në Kumanovë, përfshirë edhe Luginën e Preshevës, si Murat Labenishti, Mefail Shehu, Xhemë Simnica – Gostivari, Aqif Reçani, Sylë Hoxha, Ibrahim Kelmendi, etj. Këto figura të shquara ishin në kontakt e bashkërendim të veprimeve me drejtuesit e kësaj organizate politike- ushtarake me seli në Prizren. Si duket njëri nga përcaktuesit kryesor të orientimit të atdhetarëve të viseve etnike shqiptare të Maqedonisë për Lidhjen e Dytë të Prizrenit ishte dështimi i marrëveshjes së Mukës, kujtesa e freskët e veprimtarisë së Epokës së Lidhjes së parë të Prizrenit në këto vise, si dhe rishfaqja e rrezikut të ripërsëritur nga copëtimi i mëtejshëm të tokave entike nga sllavo-ortodoksët dhe komunistët. Burimet maqedonase provojnë se drejtuesit e kësaj organizate në Maqedoni, sikurse ata në Kosovë, krahas mbështetjes në forcat gjermane, kishin si opcion rezervë mbështetjen në forcat aleate, në radhë të parë në Angli, si njëra nga Fuqitë e Mëdha me ndikim që nga vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit.
Pas kapitulimit të Bullgarisë (8 shtator 1944) Lidhja e Dytë e Prizrenit shtriu autoritetin e saj në trojet etnike shqiptare të zonës okupuese bullgare, përfshirë edhe pjesën veriore të qytetit të Shkupit, me prefekt Esat Berishën. Për rrjedhojë në periudhën shtator-nëntor 1944 u zhvilluan luftime të ashpra midis forcave vullnetare shqiptare dhe forcave partizane që nga Struga deri në Bujanoc, në perëndim të linjës hekurudhore Shkup-Beograd. Mbeti i pushtuar vetëm qyteti i Kumanovës. Nga sulmi për çlirimin e këtij qyteti u hoq dorë me ndërmjetësimin e Shaban Efendisë dhe Abdullah Krashnicës, duke patur parasysh pasojat e sulmit në Ferizaj dhe Gjilan. Forcat partizane jugosllave nuk do të kishin mundur të zbrapsnin lehtë forcat vullnetare shqiptare nga pikat e përqëndrimit të tyre po të mos u bashkoheshin atyre brigadat shqiptare nga Shqiperia. Pas ripushtimit të trojeve shqiptare etnike të Maqedonisë nga forcat partizane, pasoi preiudha e terrorit e të gjenocidit të ushtrisë jugosllave mbi masat shqiptare të kësaj zone nën akuzen e të qenit bashkëpunëtorë të okupatorit kundërrevoluciollarë, etj, u dogjën e u rrafshuan për dhé një varg fshatrash dhe u pushkatuan pa gjyq mijëra shqiptarë, përfshirë edhe gra, pleq e fëmijë. Në shpëtimin nga pushkatimi dhe kampet e përqëndrimit u shqua Abdullah Presheva në gjithë zonën e Karadakut, për çka e pagoi me jetë nga bashkëluftëtarët e tij të ndërgjegjshëm serbosllave.
Në periudhën e pas rivënies së pushtetit jugosllav në trojet etnike shqiptare të Maqedonisë, sikurse në Kosovë vazhdoi qëndresa e armatosur e çetave atdhetare. Në periudhën 1945-1948 sikurse në Kosovë, edhe në këtë zonë doli zëshëm në skenën politike Lëvizja Nacionaldemokratike shqiptare e cila vazhdoi veprimtarinë e ngjeshur politiko-ushtarake për krijimin e Shqipërisë Etnike. Kjo organizate krijoi rrjetin e komiteteve të saj në të gjitha viset etnike shqiptare të Maqedonisë, në krye me Komitetin Qëndror në Shkup. Ndërsa organizatorët e shquar të kësaj organizate ishin Qemal Skënderi, Azem Morana, etj. Megjithë veprimtarinë përkushtuese të kësaj organizate për të krijuar pushtet paralel, organizimin e shpërthimit të kryengritjes së përgjithshme dhe intervenimin e forcave angleze dhe aleatëve të tjera perëndimore, fushëveprimi i saj më 1948 shuhet përfundimisht. Ndërkaq, Lëvizja djathtiste për çlirim dhe bashkim kombëtar në Maqedoni, sikurse në Kosovë do të vazhdojë në mënyrë ilegale përmes emigracionit politik që vepronte në shtetet e Evropës perëndimore në Turqi dhe Amerikë. Ndikimi i kësaj lëvijze shkon gjithnjë në rritje përballë epërsisë që ka kundrejt përvojës tejet të hidhur të regjimit gjysmëshekullorë sllavokomunist dhe terrotit të ushtruar në mënyrë sistematlke mbi popullin shqiptar të këtyre trojeve, që rezultoi me shpërthimin e luftës së armatosur nga ushtria Kombëtare shqiptare më 2001.