SHKRUAR NGA GEORGE FRED WILLIAMS
Po të kthehemi në parahistori, para se rapsodët homerikë t’u këndonin hyjnive dhe heronjve mitologjikë, para se të shkruhej gjuha greke, jetonte një popull i njohur me emrin Pellazgë. Herodoti u mveshi atyre historinë e cila parapriu qytetërimin grek, ndërtimet me gurë të pagdhendur, përballë Pantenonit në Akropolin e Athinës, të cilat edhe sot e kësaj dite mbahen për pellazgjike. Këta banorë i ndërtuan muret e mëdhenj primitivë të qytetëruar ciklopikë të cilët, siç ka thënë edhe profesor Pakoki, janë ngritur në ato kohë kur grekët e Homerit ende nuk kishin ardhur në këtë jetë.
Shqiptarët janë të vetmit që kanë ardhur deri më sot nga kjo racë e fuqishme parahistorike. Vetëm vitet e fundit është përcaktuar se pellazgët kanë qenë ilirët e lashtë, dega e parë e kolonëve indo-evropianë, perandoria e të cilëve fillonte në Azinë e Vogël dhe mbaronte në Adriatik e në veri të Danubit. Kjo prejardhje doli nga studimet e dijetarëve të sotëm për gjuhën shqipe, si Maks Myleri dhe prof. Pott. Këta ilirë kaluan edhe në Itali me emrin toskë; ata quhen ende në Shqipëri, ndërsa në Itali kanë mbetur toskë; toskanë, etruskë. Është e kotë të kërkosh etimologjinë e hyjnive të Greqisë në atë gjuhë, kurse kuptimi i tyre del qartë në shqip. Kaos, p.sh., do të thotë hapësirë- zbrazëti; Erebus (bir i Kaosit) errësohet; Uranos i-vran-os, vendi ireve; Zeus, Zaa, Zee, Zoot-zë, gjëmim; Athina, Ethëna; Nemesis Në-mes (meprapashtesë greke), nëm; Muse, Mosois, Mësues; Aphrodite, Afërditës. Kur bota diturore të ketë mësuar shqip dhe të ketë nxjerrë nga toka reliket e saj, atëherë do të rishikohen njohuritë homerike. Herodoti nuk e dinte se emrat e heronjve të Homerit dilnin të qarta në pellazgjishten,ashtu si edhe studiuesit tanë ende nuk janë të ndërgjegjshëm se ata ruhen në shqipen e sotme. Madje, emri Homer mund të kërkohet dhe gjendet në gjuhën shqipe: i mir, që në formën greke i mir-os do të thotë “vjershë e bukur“.
Në shqip gjejmë: Agamemnon në kuptimin Ai që mendon; Ajakssi I-gjaks, gjakderdhës; Hektor si Heq dorë, ai që qëllon me dorë; Priamos si Bir i amës, Bir i Tokës; Akhilleu si I-qiellit, qiellas, qiellor, i dalë nga qielli; Odiseun, i-udhës (eus, parashtesë greke), Udhëtar; Ithaka, i-thak, i thyer (terreni); Troilos, Droili(os) frikacak. Kësaj liste me vlerë mund t’i shtonim edhe të tjera, prandaj nuk është për t’u habitur se pse ata që kanë mësuar shqip ngulin këmbë se shqipja ka qenë gjuha e vërtetë e Homerit, se grekët e kanë huazuar nga rapsodët pellazgë eposin e tyre të shquar. Ç’pasuri madhështore dijesh e pret arkeologun kur toka shqiptare të hapë thesaret e historisë së pellazgëve! Këto dhe shumë prejardhje të tjera të qarta provojnë se shqiptarët gjenden sot në tokën e lashtë dhe flasin gjuhën e paraardhësve të tyre. Madje, para se fisi i helenëve të njihej në malet e Tesalisë, Shkodra, qyteti kryesor i Shqipërisë, ishte, pa dyshim, kryeqytet i mbretërisë legjendare të Ilirisë.
Shqipja ka qenë gjuha amtare e Aleksandrit të pushtimeve të mëdha dhe e Pirros së Epirit, një prej gjeneralëve më të mëdhenj të historisë, i cili qëlloi të ishte sfida e fundit e legjioneve të Romës gjithpushtuese. Trimëria e shqiptarëve nuk njeh kufi. Ata e përballojnë vdekjen dhe torturën pa asnjë hezitim. Fjala e tyre një herë e dhënë është më e shenjtë se betimi i dhënë te popujt e qytetëruar. Mikpritja e tyre s’ka të krahasuar. Ajo nuk pushon deri sa të mos ngelë gjë për të ndarë e për të dhënë. Shqiptarët trashëgojnë pamundësinë për t’i fyer në nder. Kjo është një praktikë e përjashtuar, sepse po i fyeve do të përballosh në mënyrë të detyruar larjen e hesapeve me gjak. Bajroni i ka bërë homazhe kësaj race shqiptare pse e njohu personalisht dhe jetoi midis këtij populli. Respekti për moshën është një nga karakteristikat e shqiptarëve. Ata janë korrektë, të dashur kundrejt tjetrit dhe reciprokisht të sjellshëm. Në momentet më të rënda ata janë plot respekt për superiorët e tyre. Ata zbatojnë urdhrin e tyre me saktësinë më të madhe. Fjalët e tyre dhe sjellja e tyre shoqërohen nga dinjiteti. Siç kemi thënë më përpara, një fyerje ndaj tyre riparohet në mënyrë shumë të tmerrshme. Nuk lejojnë servilizmin, lajkatarinë ose mosobligimin në një punë që jepet fjala. Mikpritja gjen shprehjen më kuptimplotë në Shqipëri. Një fyerje që i bëhet një mysafiri kap jo vetëm të zotin e shtëpisë, por gjithë fisin. Ai që vret mysafirin dënohet nga fisi dhe vdekja e tij është e paevitueshme. Shqiptarët janë të fuqishëm. Gegët e Veriut janë më të lartë në trup se sa toskët e Jugut. Ata janë gjithashtu më të rëndë, më kokëfortë dhe më këmbëngulës. Një shkrimtar kur flet për malësorët shqiptarë i krahason ata me drerët e malit që hipin në shkëmbinjtë më të thepisur dhe ecin nëpër ta, pa pasur frikën e rënies nëpër humnerat më të llahtarshme dhe asnjë i gjallë s’mund të futet atje pa ekspozuar humbjen e jetës. Besa ose fjala e nderit për shqiptarin është institucion i shenjtë. Një fjalë e dhënë, pa e detyruar tjetrin, e shoqëruar me besë, duhet të respektohet me çdo kusht dhe s’merret parasysh asnjë rrethanë. Një udhëtar i pajisur me besë gëzon mbrojtjen e të gjithëve, ai është i shenjtëruar.
***
Virtytet e femrës shqiptare janë unikale në botë. Kurvëria dhe tradhtia bashkëshortore ndëshkohen me vdekje. Në asnjë vend të botës një femër nuk gjendet në një siguri e mbrojtje më të madhe se sa në Shqipëri. Ai që vret një grua dënohet me dënimin kapital. Femra në Shqipëri punon në shtëpi, por ajo është trajtuar me respekt dhe zë në shoqëri një vend më të nderuar se në vendet e Lindjes. Një shqiptare mund të udhëtojë nga një vend në tjetrin, në një siguri të plotë.… Nënësia është shumë e nderuar dhe kurorëzon fisnikërisht jetën e femrës. Dashuria dhe bukuria luajnë një rol të vogël. Konsiderata për një femër rritet në përjetim me numrin e fëmijëve që ka.
***
Që të kemi një paqe komplete duhet të formohet një Shqipëri Autonome që të zotërojë lirinë në mënyrë më të plotë. Shqipëria nuk mund të ndahet midis fqinjëve, ashtu siç nuk mund të ndahet çdo vend i Europës. Europa tashmë e ka krijuar Shqipërinë e pavarur dhe s’duhet të hedhë poshtë pemët e saja, prandaj ajo duhet ta mbështetë atë. Një Shqipëri e formuar mbi një plan federativ mund të jetë një kërcënim për planin e Ballkanit. Ajo s’mund të ketë marinë që të alarmojë Italinë ose Austrinë në Adriatik. Ndërtimi i rrugëve të hekurta dhe përmirësimi i porteve të Shqipërisë do t’i japin Serbisë një dalje në det, në Mesdhe. Ky rezultat mund të arrihet më me lehtësi në marrëveshje tregtare, miqësore edhe paqësore se sa me tentativë pushtimi. Një Shqipëri e pavarur do të inaugurojë një erë të re, duke zhvilluar normalisht dhe duke fituar prosperitetin për të cilin ajo ka të drejtë. Shqipëria do të zëvendësojë me rrugë të përshtatshme ato rrugë të këqija që ka sot. Ajo do të kthejë fshatrat në qytete dhe këto qytete do t’i kthejë në qytete të lulëzuara. Shqiptarët nuk kanë vetëm të drejtë t’i kërkojnë Europës drejtësi, por t’i kërkojnë asaj edhe dëmshpërblim. Europa e krishterë është e përgjegjshme për robërinë dhe varfërinë e popullit shqiptar. Unë mund të dëshmoj që me gjithë protestat e mija, Europa e krishterë është shkaku i eksodit të dhimbshëm të 100.000 fshatarëve që duhet t’i linin vatrat dhe pasurinë e tyre dhe të vinin si refugjatë në Vlorë ku ata do të vdisnin nga uria dhe sëmundjet, pa numëruar ata që janë pa ndihmë dhe mbështetje.
***
Të krishterët europianë duhet të punojnë për të lehtësuar mizerjen nga skllavëria e pamerituar e shqiptarëve. Shtetet e Bashkuara që kanë fatin të kenë një qeveri që qeveris një shtet të lirë, i dalë nga vullneti i popullit sovran, qeveri që përpiqet nga dita në ditë që të sigurojë përparimin, lulëzimin dhe që ka dhënë mbi të gjitha dashurinë për të ardhmen, Shteteve të Bashkuara i bije për detyrë t’i rrethojë shqiptarët me këtë vëllazërim, me këtë dashuri njerëzore që s’e kanë njohur deri tani. Kundër gjithë gënjeshtrave dhe akuzave se shqiptarët janë egërsira unë citoj fjalët e Eriksonit, këshilltar amerikan, që ata e kanë dashur dhe e duan, pse ai ka punuar e jetuar midis tyre. “Nuk ka popull më të dëshirueshëm dhe më të dashur në gjithë Europën se Shqiptarët. Ata kanë në të njëjtën kohë elementët e forcës, burrërinë, kurajon, të lidhura me devotshmërinë më të butë dhe më të ligjshme!”. Njerëzit e Shqipërisë shohin te Krishti dhe Muhamedi dy profetë që i nderojnë si të tillë.
Ç’fatkeqësi! Ata i thërrasin më kot! Si njeri e si tjetri të ndihmojnë vendin e tyre. O Krisht! O Muhamed! Kujt t’i drejtohen që të drejtat e tyre tashmë të njihen? Jam i bindur se popujt që po luftojnë (në Luftën e Parë Botërore) me aq ashpërsi, një ditë do ta përfundojnë atë, dua të them që këtij konflikti mizor do t’i vijë fundi. Ata duhet të dëgjojnë Zotin dhe duhet t’i sigurojnë Shqipërisë lirinë. Shpresat dhe sytë e së gjithë botës janë drejtuar drejt paqes, në bazë të së cilës duhet të krijohet një vëllazërim dhe kooperim intim i frymëzuar nga ndjenjat njerëzore e jo të forcës. Kjo paqe do t’i njohë çdo race edhe çdo kombi të drejtën e ekzistencës. Në këtë mënyrë, nuk do të jenë më të penguar, nga barrikadat artificiale, të ngritura me vështirësi të pakapërcyeshme për mbrojtje dhe që për to popujt duhet të sakrifikojnë kohën e tyre më të mirë, paratë dhe shpirtin e tyre.