SHQIPËTARËT DO T’HUMBASIN, SE JEMI NJË KOMB I FTOHTË KU SICILIDO MENTON PËR VETEN E TIJA

Shqipëria edhe turbullimet e Ballkanit

Nga Faik Konica

Botuar më 1903

Turbullimet ditë për ditë më të dëndura në Ballkan na shtrëngojnë t’a lëmë për më pastaj kryeartikullin që kishim nër mënt të shkruajmë përmi Papën e math qi vdiq, e të flasim për punët më të tanishme e më të ziarta të vëndit t’onë.

Lufta në mes të Turqisë e të Bullgarisë duket se do të kërcasë, e, kur të bierë ky numër i “Albaniës” nënë syt’ e këndonjëtorëve, munt të ketë krisur. Po munt edhe t’a ndalojnë fuqit’ e mbëdha. Në e ndalofshin, punët po thua do të mbeten si janë, veç që do të ketë ca Bullgarë më pakë, lirië më tepër për Bullgarët e mbetur e robërië e shtrëngim më të fortë për Shqipëtarët të cilëve, ç’do që në ngjaftë në Turqië, u ngarkohet kurdoherë faji. Po, si ka më tepër të ngjarë, lufta do të kërcasë, e ahere ç’do t’humbasë, ç’do t’fitojë Shqipëria? Këtë duam të rëfejmë këtu në pakë fjalë.

Tri punë munt të ngjasin në u-bëftë kio luftë. E para është që Turqia, e ndodhur balla-ballës me Bullgarinë vetëm, do t’a muntjë në tri a katër javë. Shqipëtarët, n’atë të ngjarë, do të vriten disa mijëra; tepërimet (fr. les excès) e ushtërisë së tërë, do t’u ngarkohen atyreve vetëm, si kurdoherë; edhe fuqit’ e mbëdha do t’i thonë Turqisë: “Tani që e munde Bullgarinë edhe q’u-hoq reziku i kryeqities, mëso mënt edhe ji e drejtë.

Drejtësia është t’u lësh Bullgarëve lirië të hapin disa shkolla të tiera, nga ana e Elbasanit dhe e Tetovës (që t’i qasen, sa më tepër, detit), edhe t’u marsh Shqipëtarëve gjer më të vogëlën thikë (ç’do Shqipëtar e di se pse)”.

E dyta e ngjarë është që, për ndihmë të Bullgarisë, munt t’i shfaqin luftë Turqisë edhe Serbia me Malin-e-Zi. Se kush i di udhët e errëta, lidhiet e mpshehta të Pansllavismit? Punë në të cilat s’i vete as mëndia njeriut, munt të dalin sheshit nesër. Turqia, me ushtëtarët e saj të pa-kënaqur nga uria, me zbrazien e thesarit, e më tepër me tradhësin’ e qevertarëve e të kryeushtëtarëve të Turqisë të cilët, nëndë për dhietë, janë shërbëtorët e Pansllavismit (si e thotë me arësye atdhetari Naço), ka të ngjarë të mundet për gjysmë, – sa do që Bullgarët e Principatit janë të pakë, shumë më të pakë Malëzestë, Sërbët ngordhanikë më të zotërit për të vrarë gra pa armë se për të dalë në fushë, e sa do që kryeqitësit s’kanë miaft armë e përmbushie (fr. munitions). Edreneja e dhënë Bullgarisë s’na prish aqë punë: po Bullgaria në Monastir, Sërbia në Prizren, Mali i Zi në Shkodrë, Greqia e ardhur e e mbetur në Janinë për ndihmë të Turqisë, – ç’i mbeti Shqipërisë? Një pun’ aq’ e rëndë me të vështirë munt të ngjasë, vërtet; Turqia rëfeu në luftë të fundit me Rusinë se ka edhe forcë, e më në funt ka edhe disa fuqië të mbëdha qi munt të mos e lënë aqë leht të vënët e këmbës sllave afër anëve t’Adriatikut. Po Historia është plot me të ngjara të pa-pritura; sa punë duken të çuditëshme e të rënda më parë se të mbarohen, e, kur u-mbaruan, i duron sicilido duke thënë “u-bë tani, le t’a durojmë” – “s’incliner devant le fait accompli” thotë Frëngu.

Përandaj, si do që në qoftë, prapë Shqipëtarët do t’humbasin, se jemi një komb i ftohtë ku sicilido menton për veten e tija, e në një të tillë komb s’munt të lidhet ay bashkim e ajo e marë-vesh ku sicilido punon për të mirën e të gjithëve e të gjithë punojnë për të mirën e sicilido e janë gati për t’i bërë ballë me udhë (me methudhë do me thënë) rezikut.

Ata Shqipëtarë për të cilët bota thotë se janë t’egër, Shqipëtarët e maleve e të pyjve, ata s’janë të ftohtë, për kundrë janë Shqipëtarë të mirë e do t’ishin atdhetarë sikur të kish njerës t’u jipjin të kuptojin. Po të tillë njerës janë të pakë e të shtrënguar, pa bërë dot gjë, të shikojnë me zëmrë të shtrydhur se si humbet një komb.

Është një e tretë e ngjarë qi munt të pritet. Turqia, e zonjë e Bullgarisë e gati t’u shtierë prush në shalë “Maqedhonasve” qi janë shkakëtorët e gjithë turbullimeve, munt t’i forcojë fuqit’ e mbëdha të hedhin disa mijëra ushtëtarë në Turqië t’Europës. Kio ushtërië e huaj, si të lidhë në hekura gjithë qenat e tërbuar, do të përpiqet të ngrehë një shtetësië të vërtetë t’atyreve vëndeve.

Ahere, ndofta, do t’na jipen edhe neve aqë (nukë duam më tepër) të drejta sa edhe kombeve të tierë të Turqisë. E ja se pse kio e ngjara e tretë është më e mira për ne.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top