Shqipëria fiton miqësoren ndaj Uellsit në “Elbasan Arena”

FSHF – 20 nëntor 2018 – Kombëtarja shqiptare e futbollit ka fituar sonte në mbrëmje ndeshjen miqësore ndaj përfaqësueses së Uellsit me rezultatin 1-0, falë golit të shënuar me penallti nga Bekim Balaj në minutën e 58-të.

Shqipëria e drejtuar nga Christian Panucci ka zhvilluar një ndeshje të mirë dhe ka marrë me sukses një fitore të rëndësishme sonte në mbrëmje në stadiumin e Elbasanit, “Elbasan Arena”. Kuqezinjtë luajtën me këtë formacion:

Berisha, Hysaj, Ismajli, Mavraj, Veseli, Basha, Uzuni, Lila (’59 Memushaj), Xhaka, Grezda (’69 Lilaj), Balaj.

Shqipëria ia doli të bënte një reagim, pas asaj humbje turpëruese 0-4 ndaj Skocisë vetëm 3 ditë më parë. Në miqësoren ndaj Uellsit, kuqezinjtë fituan minimalisht 1-0, me gol të Balajt, të realizuar me penallti në minutën e 58-të.

Takimi ishte i qetë në pjesën e parë, me të dyja ekipet që kontrollonin më shumë topin. Në dy raste, ishte Berisha ai që shpëtoi rrjetën pa u prekur. Pjesa e dytë nisi sërish me një rast të Uellsit në sekondat e para, por Berisha neutralizoi sërish.

Ishte minuta e 58-të kur Xhaka fitoi një penallti, dhe më pas Balaj nuk gaboi. Deri në fund, uellsianët provuan të reagojnë, por pa gjetur rrugën e golit.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top