SHQIPËRIA ETNIKE NUK ËSHTË SHQIPËRI E MADHE

SHKRUAR NGA ESAT STABILECI 2002

Ruajta e tërësisë së çështjes shqiptare, me gjithë përcaktimet e tashme të pjesshme të saj, paraqet detyrë mbi detyrat tona kombëtare. Prandaj, vendosjen e çështjes shqiptare mbi një tryezë e konsiderojmë si një veprim të parë të rëndësishëm të mbrojtjes së tërësisë së saj, në kohën kur nga njëra anë, po rritemi si popull dhe, nga ana tjetër, po rrudhemi si komb, në kohën kur ende po sugjerohen zgjidhje të pjesshme të çështjes sonë që edhe më shumë mund ta cungojnë tërësinë e saj. E konsiderojmë si një obligim kombëtar ngritjen e plotë, të pandashme, pra të pashkoqur të çështjes shqiptare dhe ç’është e vërteta, me ndodhitë e fundit në hapësirat shqiptare sikur tërësia e çështjes sonë po paraqitet në sipërfaqe me shumë mundësi të arsyetimit të saj si një dhe e bashkuar dhe atë, qoftë nga pikëpamja politike, qoftë nga pikëpamja konsitucionale-juridike. Siç është e njohur, në Ballkan ende nuk është rrumbullakësuar  procesi i krijimit të shteteve kombëtare. Pikërisht shqiptarët paraqesin shembullin më tipik për këtë.

Komponentë tjetër nisëse e shqyrtimeve tona sot dhe këtu është fakti se çështja shqiptare nuk po shtrohet prej sot. Ajo, në të vërtetë, është shtruar prej se ekziston lëvizja kombëtare, pra me Rilindjen Kombëtare Shqiptare, me dallimin që atëherë, çështja shqiptare shtrohej me qëllimin themelor që të krijohej shteti i pavarur shqiptar në trojet etnike shqiptare, kurse sot çështja shqiptare do të duhej të shtrohej me qëllimin  themelor  që të bashkohet kombi i ndarë shqiptar.

Për shqiptarët nuk ka asnjë fije dyshimi se zgjidhja e vetme e drejtë dhe e plotë e çështjes së tyre është bashkimi kombëtar. Mirëpo, koncepti i bashkimit të trojeve etnike shqiptare, u spekulua dhe vazhdon të spekulohet edhe sot e kësaj dite me konceptin e së ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”.

Organizatorit të këtij tubimi i pata sugjeruar këtë titull:”Bashkimi kombëtar-fiksion apo realitet”. Njëherë ishte pëlqyer,por më vonë dominoi pikëpamja se tryeza duhet të emërtohet, ashtu siç është emërtuar. Sugjerimi im kishte për porosi pikërisht përkushtimin për bashkimin kombëtar si realitet, sepse ky koncept nuk paraqet “fiksion me prejardhje politike”, por një realitet pozitiv shqiptar, për faktin se koncepti i bashkimit kombëtar ose i quajtur ndryshe i “Shqipërisë Etnike”është,së pari, kundër fragmentarizimit të çështjes shqiptare dhe, së dyti, kundër zgjidhjeve të shkëputura për secilin përbërës të çështjes shqiptare.

Kishte dhe një arsye tjetër që kisha  sugjeruar atë titull për këtë tryezë: edhe autorë shqiptarë, ndonjëherë janë shprehur skeptikë ose pesimistë, disa edhe kundër idesë së bashkimit kombëtar, duke “argumentuar”se shteti unik i shqiptarëve as nuk ka ekzistuar në të kaluarën dhe “nuk do të ekzistojë edhe në të ardhmën”. Sipas tyre,”sot ka mbaruar plotëfuqishmëria e shtetit komb”dhe se “është kaluar tek koncepti i një shteti federalist”, si p.sh.,”Evropa e Bashkuar”, ku “kufijtë e vjetër politikë dhe shtetërorë të kombeve hapen përfundimisht” etj.

Kisha sugjeruar këtë titull për të përfituar rast që një dore shqiptarësh, politikanë a “ekspertë”, t’u kundërvëhesha se përpara se bashkimi kombëtar i shqiptarëve të jetë një iluzion, ”Federata Evropiane” është, në të vërtetë, një fantazi dhe për të theksuar shembullin e afro dyzet shteteve të reja kombëtare që janë krijuar në Evropë, pas shpërbërjës së tri federatave, të gjitha sllave: ish- Bashkimi Sovjetik; ish-Jugosllavia dhe ish-Çekosllovakia, sikur edhe për të përkujtuar se edhe vetë evroperëndimorët flasin për “Evropë të Kombeve”para se të flasin për “Evropë të Shteteve”.

Bashkimin kombëtar të shqiptarëve e konsiderojmë si një të drejtë natyrore të tij, prandaj edhe kërkesën për bashkimin kombëtar e gjykojmë si një kërkesë të natyrshme dhe aspiratë njerëzore, veçanërisht pas shumë ndryshimeve në hartat gjeografike dhe politike që kanë ndodhur në Ballkan, në Evropë dhe në Botë, gjatë dhjetëvjetshit  të fundit. Prandaj janë të paqëndrueshme sulmet  për një kohë të gjatë dhe nga shumë drejtime në aspiratat dhe të drejtën e shqiptarëve për bashkimin kombëtar. Në vend të këtyre aspiratave shqiptarëve u janë sugjeruar koncepte që bien ndesh me aspiratat e tyre, janë nxjerrë dhe rinxjerrë, të thuash, projekte që rekomandojnë lloj-lloj “federatash të reja ballkanike”. Qëllimi themelor i këtyre projekteve ishte dhe është luftimi i idesë së bashkimit kombëtar të shqiptarëve dhe i Shqipërisë Etnike.

Shqipëria Etnike nuk është “Shqipëri e Madhe”. Prandaj, nuk qëndrojnë angazhimet për zhdukjen e kufijve të “Shqipërisë Etnike”, veçanërisht jo duke sajuar kufij ndarës shtetërorë midis pjesëve të kombit shqiptar,  ndërkohë që,për shembull, sllavomaqedonasit angazhohen për “shtetin kombëtar’ pa qenë komb, dhe shih absurdin tjetër, përpiqen që këtë ta realizojnë “në kurriz të shqiptarëve”. Prandaj, një pyetje pret përgjigjen: pse shqiptarëve që janë komb, t’u mohohet kjo e drejtë?

Për ta konkretizuar diskutimin rreth këtij problemi, Abdi Baleta, shpeshherë në shkrimet e veta, ka shtruar  me vend pyetjen se a duhet përdorur termat “Gjermani e Madhe” pas bashkimit të dy shteteve gjermane; ”Kina e Madhe” pas bashkimit të Hong Kongut me Republikën Popullore të Kinës; ”Vietnami i Madh”; Jemeni i Madh” etj.., për të konstatuar, gjithashtu me të drejtë, se “nuk ekziston ndonjë doktrinë” e “Shqipërisë së Madhe”, siç janë, për shembull, “Naçertania” e serbëve ose “Megalideja” e grekëve që “paraqesin doktrina tipike” të “Sërbisë së Madhe” dhe të “Greqisë së Madhe”, ndërkohë që “programet politike të shqiptarëve për bashkimin kombëtar nuk kanë asgjë të ngjashme me to”. Kështu arrijmë tek dy përfundime të qëndrueshme.

E para, se koncepti i “shtetit të madh” shtrembërohet dhe keqpërdoret atëherë kur është fjala për programin politik të shqiptarëve për bashkimin e trojeve të tyre etnike.

E dyta, se politika e bashkimit kombëtar për asnjë komb nuk është quajtur dhe nuk quhet “shtetomadhe”, përveç se për shqiptarët. Ndryshe, si mund të arsyetohet krijimi i dyzet shteteve të reja kombëtare në Evropë, pas shpërbërjës së ish-Bashkikimit Sovjetik; ish-Jugosllavisë dhe ish-Çekosllovakisë. Bashkimin kombëtar të shqiptarëve e konsiderojmë si një të drejtë natyrore të tyre, prandaj edhe kërkesën për bashkimin kombëtar e gjykojmë si një kërkesë të natyrshme dhe aspiratë njerëzore, veçanërisht pas shumë ndryshimeve në hartat gjeografike dhe politike që kanë ndodhur në Ballkan, në Evropë dhe në botë në  dhjetëvjetshin  e fundit. Prandaj, janë të paqëndrueshme sulmet për një kohë të gjatë dhe nga shumë drejtime në aspiratat dhe të drejtën e shqiptarëve për bashkimin e kombëtar. Në vend të këtyre aspiratave,shqiptarëve u janë sugjeruar koncepte që bien ndesh me aspiratat e tyre, janë nxjerrë dhe rinxjerrë, të thuash, projektet që rekomandonin lloj-lloj “federatash të reja ballkanike”. Qëllimi themelor i këtyre projekteve ishte dhe është luftimi i idesë së bashkimit kombëtar të shqiptarëve dhe i Shqipërisë Etnike.

Nga më shumë argumente që favorizojnë bashkimin kombëtar të shqiptarëve theksojmë,në vend të parë, atë se shqiptarët jetojnë në një rryp të pandërprerë tokësor dhe kudo që janë sot të vendosur, jashtë  kufijve administrativë të shtetit shqiptar, në mënyrë të natyrshme, përbëjnë elementet e popullit, d.m.th.,të kombit dhe se, mbi këtë bazë, paraqesin “përmbajtjen kolektive unike historikisht të vendosur dhe të formësuar”.

Një tjetër argument të rëndësishëm paraqet e drejta për vetëvendosje e popullit shqiptar, e cila i takon dyfish. E para, si e drejtë e vetëvendosjes kombëtare. E dyta, si e drejtë e vetëvendosjes së popullatës në territor të individualizuar.

Shqiptarët këtë të drejtë të vetën e mbështesin edhe në bazën shoqërore-ekonomike dhe politike, sikurse edhe në “principialitetin dhe drejtësinë shoqrëore-politike”. Prandaj, nuk qëndrojnë angazhimet për zhdukjen e “kufijve të Shqipërisë Etnike”, veçanërisht jo duke sajuar kufij ndarës shtetërorë midis pjesëve të kombit shqiptar, ndërkohë që, për shembull, sllavomaqedonasit angazhohen për “shtetin kombëtar”, pa qenë komb dhe, shih absurdin tjetër, përpiqen që këtë ta realizojnë “në kurriz të shqiptarëve”. Prandaj, një pyetje pret përgjigjen: pse shqiptarëve që janë komb, t’u mohohet kjo e drejtë?

Edhe me këtë rast shprehim bindjen se Ballkani nuk mund të qetësohet për derisa nuk do të zgjidhet drejtë e përfundimisht çështja kombëtare shqiptare. Kriza politike në Ballkan do të mund të evitohej vetëm atëherë, siç e kemi thënë në moton e librit shqip dhe anglisht “Çështja shqiptare në udhëkryqin e zgjidhjeve paqësore”, Shoqata e Pavarur e Juristëve e Kosovës, Prishtinë,1995, kur secili komb, pra edhe kombi shqiptar, do të merrë hisen e vet.

Akademik Gazmend Zajmi (Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës,Vepra I),shkruante me plotë të drejtë “se nëse do të hartohej ndonjë projekt i madh mbi stabilitetin afatgjatë në Ballkan, është e sigurt se problemi i zgjidhjes parimore të çështjes shqiptare me kritere objekive etnike dhe demografike, do të zinte një vend qëndror në të” (2 dhjetor 2002).

 

1 thought on “SHQIPËRIA ETNIKE NUK ËSHTË SHQIPËRI E MADHE”

  1. Kam shkruar disa herë për këtë temë, me shembuj konkret nga historia shtetërore dhe politike se cilat shtete – ngëthejnë në vete atributin e MADHËSISË shtetërore territoriale. Asnjë gazetë nuk e pati parë të udhës të botonte eseun, ose sprovën. Cështje e mungesës së kulturës kombëtare dhe e sensit politik. Sic thekson edhe intelektuali i nderuar E. Stavileci – është një problem TEJET SERIOZ.
    Gazetarë, publicistë, anashlistë, autorë tekstesh kice patriotike dhe, hic më pak, politikanë surroshqiptarë, shembull më i freskët Rama – e kanë gojën plot me Shqipëri ” të MADHE”
    Me, ose pa dashje, me të përdorur këtë nocion atributiv “e MADHE” konsumatorët shqiptarë të këtij termi bëhen pjesë e ingranazhit antishqiptar.
    Sa kam pasur mundësi, deri më sot vetëm dy persona publikë serbë e kanë përdorur nocionin atributiv “Shqipëri e Madhe”, njeri me një ton shpërfillës dhe tjetri, sekretari i Titos /nuk e di nëse është ndër ne – qoftë i nderuar/ e shpjegonte me arsye logjike dhe realiste kuptimin IMANENT të këtij nocioni ashtu sic buron nga platforma politike e DEKALOGUT SHQIPTAR – Shqipëri, me integritet territorial dhe kombëtar, në suaza të kufijve ku elementi etnik shqipar është shumicë absolute.
    Shtet i madh ose të mëdha janë ato shtete të cilat ushtrojnë sovranitet edhe mbi një tërësi shumice etnike, brenda një territori tërësor, “të rrumbullakësuar”. Shembujtë janë ja të paktë, por të theksojmë Rusinë TRANSMADHORE, si shembull ekstrem dhe “Maqedoninë e Veriut” si shembull tipik, ku pakica amalgame sllave, ka sovranitet mbi popullin shqiptarë shumicë, me status minoritar.
    Shruajta sa për të reflektuar ca mbi sensualitetin dhe dëmin që pësojmë nga të projektuarit e këtij nocioni fiktiv ndaj nesh, shqiptarëve me sens të dobët politik e kulturë kombëtare të gjymtuar. ILIRINË tonë, pa na detyruar kush, e quajmë Ballkan, ndërsa DARDANINË e përpijmë si edhe KOSOVO zyrtarisht me jashtë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top