SHQIPËRIA E SHESHIT – OMONIA E VILI MINAROLLIT

Shkruan: Rexhep SHAHU

mbresa nga libri “Në kafenenë e Benit te sheshi Omonia”

Vesi dhe virtyti me rrënjë në Tiranë, çelin lule në sheshin Omonia të Athinës.
Shqipëria mbartet ngado shkon shqiptari, atë e marrin në shpinë shqiptarët, e marrin në sy, në zemër, në gjak. Ata që ikin të idhnuar me të, sërish nuk e vjellin dot, ata që ikin me lotë në sy, e vajtojnë Shqipërinë kudo ku janë.

Vili Minarolli, matematicien, diplomat dhe politikan profesionist, na e rrëfën Shqipërinë e mbartuar në sheshin Omonia të Athinës, Shqipërinë që shqiptarët e kanë marrë në shpinë dhe e kanë çue atje, e kanë marrë në sy si lot, e kanë marrë si trosha buke në xhepa, e kanë marrë si dhimbje që i kërrus dhe e kanë çue atje, e kanë marrë në çanta zyrtarësh, në çanta diplomatike dhe e kanë çue atje, Shqipërinë që politikanë të majtë shqiptarë e çojnë dhe e lënë peng në banka, në bordello, në buzuqe të Athinës, Shqipërinë që disa politikanë e liderë të majtë janë gati t’ua lënë fqinjëve grekë ta qeverisin në distancë, janë gati t’ua lënë ish sigurimsave të diktaturës, Shqipërinë që janë gati ta këmbejnë me pushtetin, me karriget e pushtetit.

Vili Minarolli nuk fshihet si struci, është shkrimtar që mban qendrimin e tij se atdheu i dhimbset i gjithi, edhe i të majtëve edhe i të djathtëve, atdheun e ka një, e ka dhimbje nga e cila nuk shpëton kurrë sa të jetë gjallë njeriu që ka atdhe, që ka flamur, që ka komb dhe nuk është internacionalist, i pafe e i pa atdhe.

Parakalojnë në Shqipërinë e Omonias të Minarollit patriotë e keshe patriotë, spiunë e bij spiunësh, bashkëpunëtorë sigurimi e punëtorë sigurimi, ata që shesin atdheun e ata qe nuk mundin kurrë ta shesin atë, ata që e ndërrojnë atdheun për evro e ata që nuk pranojnë ta ndërrojnë, parakalojnë e sfilojnë intelektualë të nderuar e të shëmtuar, kuadro të rënë nga fiku që vajtojnë motnë e shkuar dhe lypin Enver, që kryetarin e partisë e duan si Enveri se nuk pranojnë model tjetër, që duan të mashtrohen nga kryetari se nuk jetojnë dot pa u mashtruar dhe nuk pranojnë të mos e kenë kryetarin mashtrues që është vetë zot e vetë shkop dhe nuk përfill votën por kërkon dhe emëron çetën e tij, shtetin e tij, administratën e tij jashtë partisë ose me eksponentët më të zellshëm të diktaturës.

Parakalojnë gazetarë, shkrimtarë e poetë, ata që nuk jetojnë dot pa atdhe anipse janë në Athinë apo kudo qoftë nëpër botë, ata që atdheun e kanë ndërgjegje, ata të tjerët që atdheun e shpikin, ata që mashtrojnë dhe e pështyjnë atdheun, ata që atdheun e kanë shtëpi në Athinë apo në breg të detit në Athinë, ata që atdheun e kanë llogari bankare, e kanë euro në portofol, ata që e kanë dashuri, që e kanë djersë, përkushtim, mall largimi për shkak të rroposjes së Shqipërisë dhe kërkim buke, kërkim rroge minimale që atdheu nuk ta premton se atdheun e pushkatojnë bandat, mafiozët, e marrin peng langot, ish sigurimsat, spiunët, të liruarit nga burgjet greke, ngritësit e tre gishtave në sheshet e Shqipërisë dhe moskërkim llogarie kurrë nga askush për ngritjen e atyre tre gishtave nga burra që sot shesin moral, nder e patriotizëm dhe i japing mend dynjasë nëpër gazeta e studio televizionesh që kanë zot vetëm paranë dhe nuk njohin zot e moral tjetër.
Në kafenetë e sheshet e rrugicat e Shqipërisë së Omonias të Vili Minarollit Shqipëria është e kërrusur, e vuajtur. Shqiptari edhe në pastë evro në xhepa, s’ka atdhe se atdheu i tij nuk i shkul dot rrënjët e të mbillet në Athinë. Shqiptari edhe me evro plot endet ngado i mbështjellë në kostumin e frikës, i huaj në vend të huaj, i dyshuar gjithmonë, i vazhguar gjithmonë, i mashtruar përherë. Shqiptari e Shqipëria fatnjejtë është edhe këtu edhe atje as këtu as atje.

Diplomati e ka ndihmuar autorin ta shohë shqiptarin e shfrormësuar, ta shohë se si atdhetari i djeshëm shqiptar, që betohej e stërbetohej për Shqipërinë, heq apo zhvesh ngadalë shpirtin shqiptar e vesh shpirtin grek, thotë jam minoritar, jam vorioepirot për evro, për siguri, dhe kjo epidemi përhapet fort edhe tek ata që nuk kanë lidhje me minoritetin real e nuk u thotë asgjë Vorio Epiri veçse ia kanë dëgjuar emrin.

Politikani e ndihmon autorin ta shohë se si ngjizet e majta shqiptare dhe politikat e saj në Athinë, si e ku gatuhet kulaçi politik i së majtës dhe Vili Minarolli nuk e ndalon dyshuesin të dyshojë se sa i thellë është ndikimi grek tek e majta shqiptare, por as nuk e frymëzon dyshimin e askujt, ai këtu është matematicien, diplomat e politikan i ftohtë.

Në Shqipërinë e Omonias, në klubet, sheshet e udhët e saj si në Shqipërinë e Tiranës enden gazetarë, shkrimtarë poetë, botues dhe këto janë njerëz me ndikim, këto shfaqin urrejtjen e tyre, luftrat e tyre, kundërshtitë e tyre, mospajtimet e pajtimet e tyre. Këtë botë e ka dhënë pikturë të gjallë e në levizje të pamndalshme autori Minarolli.

Realiteti i fiksuar nga historia e mediat e këtyre mbi dy dekadave, na i sjellin gjithë intrigat e dukshme, kurthet, urrejtjet, dashuritë pazaret, blerjet, shitjet, tradhëtitë. Autori i jep këto pamje plot finesë, me gjuhë të rezervuar, na lejon t’i shohim vetë pa i komentuar ai si autor.

Vili Minarolli e përshkruan me dramaticitet të nxehtë rjepjen e shqiptarëve nga sekserët shqiptarë e jo shqiptarë dhe kjo rjepje shqiptarësh është një biznes i madh, shumë i madh politik i socialistëve e komunistëve shqiptarë që nuk fshihet dot edhe të duam ne, edhe të dojë autori i librit edhe të duan gjithë shqiptarët e ndershëm, pasi ky biznes është si fabrikë, si uzinë kriminale që merret me dokumentat e emigrantëve, biznes kriminal i përsosur nga Tirana në Athinë, nga zyrat e Partisë Socialiste dhe partive tjera, nëpër ambasada e konsullata.
Arti i mashtrimit e rjepjes së emigrantëve që e ka dhënë autori është mbase një nga vlerat më të rëndësishme të këtij libri dhe dëshmi e rëndë, turpi i të ardhmes tonë.

Unë i përkas grupit të atyre që thonë e besojnë se historinë e shkruan letërsia. Vili Minarolli ka shkruar historinë tonë të turpshme, aspak krenare, por e keqja asnjëherë nuk ka mundur të varroset. Nderi, dinjiteti i mjaft njerzve është vlerë që gjithmonë na bën të dinjitetshëm e krenarë që të mos jetojmë me turp e kokëulur në vendin fqinj, por të jetojmë krenarë. Sepse emigranti shqiptar siç del nga libri i Minarollit është i nderuar e i respektuar, është kontributor i madh dhe i konsiderueshëm në vendin fqinj.

Biznesi i mashtrimit, biznesi i rjepjes së emigrantëve nxjerr në pah figura, portrete e karaktere të shumta, të çuditshme, të ndërtuara pa shtirje nga autroi i cili duket se nuk ka patur qëllim më vete ndërtimin e krijimin e karaktereve. As kur përshkruan thjeshtë e në mënyrë njerzorë dramat e dhimbjet. As kur na rrëfen si padashje se si halli bën që emigranti të marrë çantën e ishburrit të gruas dhe ish gruan e burrit të huaj e të veshë kostumin e zyrtarit që provon dhimbje, zhgënjime, tronditje dhe I kërkohet të poaguajë nderin që iu bë duke ia dhënë gruan për orgji nderbërësit të ndyrë.

Ka një metritë të veçantë Vili Minarolli në përshkrimin e portreteve të maskarejve, i ka treguar me shumë mjeshtri, në veprim, pa na thënë shihni maskarejtë. Edhe në Shqipërinë e Omonias të përjashtojnë nga partia po shkove të pish kafe te kafja e partisë kundërshtare apo aty ku s’do partia tënde.

Teksa lexoja këtë libër dhe shihja kërcënimet se të përjashtojnë nga Partia po shkove të pish kafe te kafja e kundërtshtareve politikë, mu kujtuan disa raste në Ministrinë e Bujqësisë në Tiranë. Disa zyrtarë në Ministri kërcënonin e trembnin punonjësit e ministrisë pse pinin kafe në klubin e partisë socialiste. Kjo u bë bezdisëse. I tregova ministrit për këto kërcënime që lëshonin ca vartës që ishin pa pushtet dhe e kërkonin në këtë mënyrë pushtetin tek punonjësit në ministri. Ministri Jemin Gjana një ditë të bukur në pikun e frekuentimit të kafenesë, më thotë të shkojmë në kafen e partisë socialiste. Shkuam dhe u ulëm në kolltukun ku ulej zakonisht kryetari i partisë Edi Rama. U bë përshtjellim, huti, pastaj ç’tendosje, qeshje, batuta. Ra kërcënimi i ministrorëve të cilët i kishte marrë dhe emëruar në punë ministri por që dërgonin sms kundër ministrit dhe bëhëshin më katolikë se Papa. Mediat e dhanë lajm këtë kafe të ministrit Gjana në kolltukun e kryetarit Rama.

Natyrisht që derisa ndodhte në Shqipërinë e Tiranës do të ndodhte patjetër edhe në Shqipërinë e Omonias së Athinës ku dhe atje përjashtoheshe nga partia, gjykoheshe më egër e më komunistçe, dhe ku edhe atje mallkoheshin malokët nga ata që merrnin nëntëdhjetëpërqindëshin për shërbimin që të bënin dhe sekserit të rëndomtë i jepnin dhjetëpërqindëshin. Ndërkohë në Tiranë përqindja shkonte nga sekserët deri në tridhjetë-dyzet përqind por atje jepej përqindja për shokët e partisë, të udhëheqjes të cilët nuk e lënë të ngrihet e të drejtohet Shqipërina e Omonias, Shqipëria e zyrtarit mafioz Fazlli, Shqipëria e spiunëve të sigurimit që ka intenerar zyrat e dikurshme të diktaturës, pastaj direkt në Omonia sekser zyrtar, trafikant funksionar partiak në emigracion, pastaj me fitimin e pushtetit, direkt zyrtar në zyrat e shtetit në Tiranë…

Lufta për një copë zyrë, një rryshfet, një copë atdhe, një rrogë justifikuese për vjedhjet, kjo është lufta e trafikantëve politikë të Shqipërisë së Omonias.

Në Shqipërinë e Omonias dëgjohet kuja e vaji për moslejimin e përçarjes së të majtës dhe thërrasin gjithë trishtim “ç’po ndodh me ne, tani që e qëruam edhe malokun”. Urrejtja shtegton si këngët folklorike se shtegtojnë mbartësit e saj.
Si në Shqipërinë e Tiranës edhe në atë të Omonias lufta për tituj grada, dekorata, ndere tituj në arte e letërsi është e ashpër.
Për jetën në Shqipërinë e Omonias, për dramat e tragjedite që luhen aty, për kurthet e intrigat, nuk kam pyetje pa përgjigje nga autori Vili Minarolli.

Ndërsa urrejtja greke që thërriste në verbëri se do të bënte rrypa me lëkurë shqiptarësh, emigranti shqiptar i pa mbrojtur dhe i përcarë nga partia e tij reagon sertë “pse çfarë jemi ne, robotë të ca burokratëve të Tiranës” dhe emigranti shqiptar në fund kupton se atdheu është mbi partinë e jo nën partinë siç duan zyrtrët e partisë.

Ne dhe Ata, ne të socialistës dhe ata të demokratikes, kopjimi edhe i grevës së tejngopjes me mish e raki dhe tendenca për ta zhvendosë nga Tirana në Athinë edhe atë greve shëmtie, në Shqipërinë e Omonias të Vili Minarollit është ndoshta therja më e thellë dhe më e padurueshmë e dhimbjes që jep thika e përçarjes së shqiptarëve dhe ky mallkim do ta ndjekë të majtën shqiptare gjatë.

Edhe pankartat e protestave të Tiranës silleshin në Omonia edhe parullat të gjithë, gjithçka dhe sikur donin ta vilnin dosmosdo përshtypjen se Partia Socialite e Shqipërisë qeveriset nga Athina dhe i ka zyrat në seline e të majtës greke.

Në fund do t’i jap lexuesit një fragment nga libri:

“E di kush jam unë apo jo?”, iu drejtua Idajeti që donte të emëronte mësues e të fitonte evro, analfabet i gjithpushtetshëm, zyrtarit të pafajshëm të ardhur nga Tirana për shkollimin shqip. “E pra, unë jam ai që e solla në pushtet këtë qeveri, ku ha bukë ti dhe shokët e tu, more vesh? Mos harro kur flet me ne emigrantët se kemi bërë sakrificë të madhe që kemi ardhur këtu. Jemi te njerka ne. Po të mos e bënim ne këtë sakrificë, si do të na ushqente qeveria të gjithëve. Ikëm ne dhe janë rregulluar njëfarësoj të tjerët. Po edhe ata ne i mbajmë me evrot tona”.

Nga ky libër njihesh më galeri të madhe përsonazhesh, njeh Shqipërinë e Omonias dhe reflekrtimet e saj, sheh se si me lekë gjaku të emigrantëve shqiptrarë dikush ngre shkallë lavdie, shkallë pushteti dhe pështyn mbi ata që i ndërtojnë ato shkallë.

Tiranë 25 qershor 2016

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top