SHQIP KUVENDOJMË, APO ÇORBË TRAZOJMË?

Shkruar nga Mit’hat Frashëri

Një ditë në Stamboll isha me një shok. Si ecëm mjaft kohë në baltët të rrugëvet, si u lothmë duke kërcyerë gur mi gur nga frik’ e baltës dh’ e qepëvet që ment e shtypin njerinë, hymë më një kafene të çlodhemi pakë.

Kafeneja ish gjysmë plot. Cilido kish zënë vënt: kush këndonte një gazetë, kush kuvendonte me shoknë. kush merrej me të zbrazurë në gojë qelqetë me birë. Këtu-këtje, dukeshin dy a tre faqezinj, pun’ e të cilëve është të hapin veshëtë, të rrëmbejnë ndonjë fjalë e ta thonë këtë te qeverija…

Unë me shoknë tim, ndenjëm më një çip ku ishinë dhe dy miq shqipëtarë.

Harrova t’ju them që shoku im ish tyrk, po një tyrk i perëndisë, i nderçim dhe i mirë: ka tekdo njerës të mirë. Të dy miqtë shqipëtarë ishinë të rinj, të mveshurë bukurë, me kollaro një pëllëmbë të lartë dhe me nga një shkop me kokë t’ergjenttë; kishinë mësuarë në Stamboll.

Njeri i thosh tjatrit:

– Efendëm, bendenezi të ta bëj arz., madeja është kështu: nga sebepi q’u-bë katl…

Shoku im m’ u-qas në vesh dhe më tha:

– Këta zotërinj kuvendojnë një tyrqishte të ndryshme!

– Flasin shqip, i thashë unë.

Miku im thosh të drejtënë; të dy djaloshët s’kuvendonin shqip; po as tyrqisht. I thashë njerit:

– Or, i uruarë, pse s’kuvendoni shqip, po trazoni një çorbë të fëlliqurë? Ç’janë këto fjalë të huaja që përzjeni në gjuhët tuaj? S’kini turp të turpërohi?

Edhe m’u – kujtua që janë mjaft shqipëtarë që e kanë për mburrje të përzjejnë një shumicë fjalësh të huaja kur kuvendojnë shqip. Myslimanëtë që kanë nxënë tyrqisht, trazojnë fjalë nga kjo gjuhë; të krishterëtë që kanë mësuarë greqisht, trazojnë gjuhën’ e tyre me fjalë të mara nga gjuh’ e Athinësë, edhe thonë: malista, parakallo, kalimera, matotheo, efharisto etj. (Këto fjalë shqip përkthehenë: si urdhëron, të lutem, mirëdita, për Perëndinë, tyngjatjeta, etj.)

Do me tyrqisht qoftë, do me greqisht qoftë, ata që trazojnë gjuhën shqip me fjalë të huaja bëjnë një faj të math. Bëjnë faj se është një gjë fort e shëmtuarë të verë njeriu fjalë të huaja më një gjuhë. Kur e flet vetë njeriu s’i ve re; po kur dëgjon një tjatrë që kuvendon një gjuhë të përzjerë me fjalë të huaja, ahere e kupëton se sa shëmtim ka.

Bëjnë faj duke përdorurë fjalë të huaja, harojmë fjalëtë shqip, dhe prishim gjuhënë tonë. Pastaj fjalëtë që përdorim të mara nga turqishtja a nga greqishtja, i marrirn pa ndonjë nevojë, veç ca të paka si çorbë, hesap, akoma etj. Në vent që të themi efendëm – të themi zot, zotëni; në vent inade- të themi punë: në vent sebep – të themi shkak, ngaje;në vent katl të themi vrasje: në vent mahqum të themi u dëmtua. Sa për fjalën bendeneu, këtë fjalë të ndyrë, as duhet ta përdorim fare.

Bendenezi do të thotë robi juaj dhe përdoretë për të vogëlsuarë vethenë dhe për të rriturë tjatrin; gjuha shqip s’ka nevojë për këtë fjalë dhe as me ndonjë gjuhë s’thotë njeriu për vethen’ e tij robijuaj: në shqip themi: unë, dhe atij q’i flasim i themi: zotëri, zotërote, po kurrë bendeneti.

Duke mejtuarë që çdo shqipëtar ka detyrë të përpiqet të flasë dhe të shkruajë drejt dhe pastrë gjuhën e tij.

Kuxova të dërgoj këto radhë te “Kalendari”, që të nxënë mënt ata që thonë efharisto.

Botuar te “Kalendari Kombiar” viti 1905

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top