Shqetësim ndërkombëtar për rritjen e antisemitizmit në botën shqiptare

Qendra “Simon Wiesenthal” e luftës kundër antisemitizmit, me seli në Paris, i ka dërguar letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të shqetësuar për shtrirjen e antisemitizmit në Kosovë përmes librave të botuara në Egjipt nga “Vëllazëria Myslimane”. Vëzhguesit thonë se këto libra qarkullojnë pa kufizime në gjithë hapësirën shqiptare, edhe në Shqipëri e Maqedoni.

Qendra “Simon Wiesenthal” e luftës kundër antisemitizmit, me seli në Paris, i ka dërguar letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të shqetësuar për shtrirjen e antisemitizmit në Kosovë përmes librave të botuara në Egjipt nga “Vëllazëria Myslimane”. Sipas tyre, Kosova nuk mund të pretendojë se po e lufton radikalizmin islamik duke ekspozuar urrejtje xhihadiste me materiale. Kjo Qendër ia bën me dije presidentit Thaçi se këtë ankesë ia kanë dërguar edhe ministrit të Punëve të Brendshme Skender Hysenit, i cili nuk i është përgjigjur letrës. “Kosova nuk mund të pretendojë për ta luftuar radikalizmin islamik duke ekspozuar veten në urrejtje xhihadiste”, shkruan në këtë letër, përcjell “Zeri.info”. Më 15 nëntor kjo letër i është drejtuar presidentit të Kosovës nga Dr. Shimon Samuels, i cili protestoi për “shitjen e literaturës së urrejtjes antisemite, vetëm njëqind metra larg nga Pallati Presidencial, gjatë Konferencës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE) mbi “Luftimin e terrorizmit dhe radikalizmit”. Samuels vuri në dukje “shumë versione të librit të Hitlerit ‘Mien Kampf’ dhe të tjerat në të cilat përfshihen teoritë e konspiracionit të tilla si: ‘Sinagoga e Satanit’ nga Andrew Hitchcock, e mbushur me shpifje kundër hebrenjve. ‘Luani nuk fle më’ nga David Icke, e cila portretizon hebrenjtë si një racë zvarranik-hardhucash nga hapësira e jashtme”.

Letra shton se “këto libra janë përkthyer në gjuhën shqipe, gjuhën amtare të Kosovës dhe disa janë botuar në Egjipt nga ‘Vëllazëria Myslimane’”. Samuels kujton se “dy vjet më parë ai kishte nderin e përurimit të ekspozitës ‘White Hat’s Exhibition’ në Prishtinë, dedikuar për kujtimin e atyre kosovarëve, të cilët kontrabanduan të arratisurit hebrenj nga nazistët në Shqipëri, ku shumica e tyre mbijetuan Holokaustin”. Letra thekson se “Kosova nuk mund që nga njëra anë të kërkojë për ta luftuar radikalizmin islamik dhe në të njëjtën kohë të ekspozojë veten me një shembull shumë të qartë të depërtimit xhihadist në një vend të moderuar mysliman deri më tani”. Qendra kërkon nga presidenti “për t’i hetuar, dënuar dhe ndëshkuar importuesit dhe shpërndarësit e kësaj literature të urrejtjes”, duke shtuar se “një ankesë është bërë në Ministrinë tuaj të Brendshme më shumë se një javë më parë. Nuk ka pasur asnjë përgjigje. Ne po e ndajmë këtë letër me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zanier, dhe presin përgjigjen tuaj për këtë çështje urgjente”, përfundoi Samuels. Vëzhgues të çështjeve të tilla thonë se këto libra qarkullojnë pa kufizime në gjithë hapësirën shqiptare, edhe në Shqipëri e Maqedoni, prandaj edhe letra drejtuar presidentit Thaçi duhet marrë me të njëjtin shqetësim edhe nga autoritetet në Tiranë, Shkup e Tetovë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top