Shkruan: Halil Matoshi
Turri për t’i duartrokitur Malit të Zi nga kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe shpura e tij është poshtërues dhe fyes për Kosovën e pavarur. Kush nuk beson le ta lexojë Fjalorin Enciklopedik të edituar së fundi nga Akademia Malazeze e Shkencave dhe e Arteve… Thaçi dhe kamarilla e tij në vend se t’i nisin notë proteste Malit të Zi i thurin ditirambe! Përderisa negociatat për demarkacionin e kufirit me këtë republikë kishin evoluuar në mënyrë misterioze, nga mospajtimet e thella në fillim – pikërisht për zonën e kontestueshme – kurse në fund të procesit ekipi i Murat Mehës bënte be e rrëfe se asnjë pëllëmbë tokë kosovare nuk ka mbetur matanë…
Mali i Zi për kapërcimin që e ka bërë me 2008, duke qenë i vetmi vend i “kampit armiqësor” që e njohu Republikën e Kosovës, pra si vend që respekton vlerat e përbashkëta perëndimore, është “shpërblyer” me pranim në NATO e më parë edhe me liberalizim vizash, por favorin e liberalizimit të vizave kjo republikë e mori pa iu kërkuar demarkacioni me Kosovën,ndërsa në anën tjetër – në mënyrë thjesht diskriminuese – Kosovës po i kërkohet ratifikimi i Marrëveshjes me Malin e Zi për demarkimin!?
Së këndejmi është e qëndrueshme ideja se përmbyllja e ngutshme e demarkacionit të kufirit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit ë Zi është i ndërlidhur me anëtarësimin e kësaj të dytës në NATO, sepse një vend anëtar i NATO-s nuk mund të ketë kufij të paqartë ose të kontestueshëm me fqinjët.
Mirëpo, ç‘u desh këtu gjithë ky misteriozitet e jotransparencë dhe përse Qeveria e Kosovës
nuk u ka dhënë kurrfarë raporti deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kurse Qeveria e Malit të Zi ua ka shpërndarë raportin intern të zgjedhurit të popullit malazias?
T’ua dish për nder malazezve për njohjen e shtetit nuk do të thotë as t’u falësh tokë as t’u thurësh oda e elozhe siç po bën shpura e Hashim Thaçit.
Thaçi dhe kamarilla e tij pos që po marrin dorë në Podgoricë dhe po thurin elozhe për Malin e Zi nuk po bëzajnë përballë skandalit me Fjalorin Enciklopedik të edituar nga Akademia Malazeze e Shkencave dhe e Arteve!
Në Fjalorin Enciklopedik të edituar nga Akademia e këtij shteti malësorët gegë (shqiptarët veriorë) pandehen sllavë të albanizuar, ngase, sipas disa malazezve neofashistë shqiptarët kanë shtrirë ekspansionin e tyre mbi sllavët!???
Ndonëse e kisha shkruar më 2008, e përsërita më 2016 mu në ditën e pavarësisë së dhjetë të shtetit të ripërtërirë malazias – dhe në festën zyrtare të Ambasadës së Malit ët Zi në Prishtinë duke folur për poezinë brilante të poetit malazias Mladen Lompar përkthyer shqip, “Mallkimi i balsamosur” – se Milo Gjukanoviqi me njohjen e shtetit kosovar e ka shpaguar gjakun e Isë Boletinit, të vrarë nga xhandarët malazezë te Ura e Ribnicës më 1924 në Podgoricë!
Mirëpo, pa zarar që po themi se jemi barabar dhe tani kur kishim një kontest rreth demarkacionit të kufirit, në Podgoricë doli Fjalori Enciklopedik i Malit të Zi, që me shpjegime kinse akademike sërish ua kafshon shpirtrat fqinjëve shqiptarë, në kohën kur Hashim Thaçi “i vë vulë” – edhe pse nuk është punë e tij- demarkacionit të kufirit me gjithë kontestimet e shumta të opozitës, qytetarëve pejanë, por edhe të disa ekspertëve!?
Ndërsa një këshilltar i tij, duke qenë mendjehumbur pas fanfareve të shpurës oborrtare, i thur bash tashti elozhe Malit të Zi duke ia kushtuar një ditiramb!
Përderisa të dyja palët ende thyejnë shtizat për vijën kufitare dhe kur dominon ideja që kufirin duhet vënë me arbitrazh ndërkombëtar, plasi edhe një sherr me Malin e Zi!!!
Porse as kryetari i Kosovës dhe as shpura e tij s’marrin vesh gjë nga këto punë serioze.
Në Fjalorin e ri Enciklopedik të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi, gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve si etni dhe e shqiptarësisë si përkatësi jo që i është kthyer të kaluarës së palavdishme kur Mali i Zi i ishte bërë levë fashizmit të Milosheviqit, por stërpikat e gjuhës së urrejtjes kanë prekur mu në zemër secilin shqiptar etnik, të arealit kulturor gegë!?
Nëse termi “albanizim” po e zëmë se është shpjeguar në mënyrë korrekte (edhe pse albanizimi i ndonjë etnie është fare i panjohur, e sidomos jo albanizmi i sllavëve ortodoksë) dhe natyrisht se mund të ketë individë të albanizuar dhe anasjelltas.
Kurse idiotësia malazeze nxjerr krye tek nocioni – sipas tyre – “Malisori”, që folkan tjetër gjuhë nga standardi i shqipes (është fjala për arbnit gegë) e që pandehen të jenë sllavë ortodoks të albanizuar, ja kjo që nuk është thjesht marrëzi, por shigjetë e helmatisur që ngjall neveri!
Dhe sherr të madh!
Për çfarë albanizimi të ortodoksëve sllavë flitet kur ndër arbnit ka edhe ortodoksë!?
Dihet se historianë me renome (edhe joshqiptarë) e mbrojnë tezën se arbnit në Maqedoni dhe në Kosovë kanë qenë kryesisht të krishterë të ritit ortodoks dhe vazhdojnë me qenë – ndonëse të rralluar – ortodoksë – ndërsa “ekspertët” malazez i paskëshin dhënë shkencës botërore sihariqin se malësorët gegë na qenkan sllavë të albanizuar!?
Ja çfarë marrëzish shkruajnë malazeztë, të cilët me të drejtë mendojmë t’i bëjmë miq!???
1. ALBANIZACIJA- (për albanizimin) thuhet:- Imponim i gjuhës, kulturës dhe zakoneve shqiptare-, duke pyetur ka dhënë disa përgjigje – në bazë të përvojës refugjatët ortodoksë sllavë nga territoret e Shqipërisë, të cilët kanë qenë para presionit sistematik të albanizimit, sidomos në periudhën pas Luftës II Botërore.
3. Albanizirati – do të thotë, se edhe pse malësorët (malisori) janë albanizuar, e folura e tyre dallohet shumë nga standardi i gjuhës shqipe.
Akademia e lodhtë e Arteve dhe e Shkencave e Kosovës nuk di dhe s’ka as zë, as nuk ka kurrfarë ndikimi – sepse ndikimin e vet në shoqëri e ka luajtur bixhoz – porse Qeveria e Republikës së Kosovës që sot – dhe besoj – edhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë, duhet t’i nisin notë proteste Qeverisë së Malit të Zi, e cila, nëse zotohet për marrëdhënie të mira fqinjësore duhet të urdhërojë urgjentisht tërheqjen e kësaj enciklopedie nga qarkullimi publik dhe t’u kërkojë të falur fqinjëve shqiptarë!
Qeverisë së Malit të Zi nuk i sugjerohet që të cenojë lirinë akademike, porse Fjalori në fjalë mund të pezullohet nga Prokuroria e shtetit për mbjellje të urrejtjes mes kombesh dhe cenim të dinjitetit të një kombi fqinj.
Madje këtë hap duhet ta bëjë me urgjencë.
Milo Gjukanoviq, që është një politikan i korruptuar dhe model për kryetarin e Kosovës – kjo dihet botërisht – porse të drejtën e gjykimit për këtë e kanë në dorë ekskluzivisht qytetarët e Malit të Zi,
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE-në, si marrëveshja e parë ndërkombëtare e Republikës së Kosovës dhe marrëveshja e parë kontraktuale e saj me Bashkimin Evropian, pati përpjekje të dështuara nga opozita që të paraqitej si e ndryshme nga MSA-të që BE-ja i ka nënshkruar me shtetet e pavarura, e rrjedhimisht si e pavlerë!?
MSA-ja njëherësh pozitën e Kosovës në negociatat me Serbinë e avancon në “palë”, duke e tejkaluar tashmë referencën “bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit” dhe duke folur për bisedime mes Kosovës dhe Serbisë.
Me MSA-në Kosova arrin njëherësh tri efekte drejt afirmimit të shtetësisë së saj në marrëdhëniet ndërkombëtare, si entitet i pavarur, sipas ligjit ndërkombëtar.
E para, MSA-ja është marrëveshje ndërkombëtare që nënshkruhet me shtete (e theksuam më parë se një të tillë nuk e ka Republika Sërpska), pra kjo është marrëveshje kontraktuale BE- Kosovë dhe i obligon shtetet që t’i thonë ‘PO’ liberalizimit të vizave për Kosovën, sepse MSA-ja nuk ka kurrfarë kuptimi pa lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, pra MSA-ja e përmban brenda thelbit të vet Schengenin.
Së dyti, me MSA-në për Kosovën janë pajtuar të gjitha shtetet anëtare të BE-së, përfshirë pesë shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Edhe pse me fusnotë (denominim – referimin e mosparagjykimit të statusit politik) ajo e trajton Kosovën si subjekt që ka atributin shtetëror, që të marrë dhe të japë të drejta dhe obligime në rrafshin ndërkombëtar.
Së treti, MSA-ja përfundimisht dialogun Prishtinë-Beograd e shndërron në dialog Kosovë-Serbi. Pra, një dialog mes palësh të barabarta.
Sepse po të lexoheshin dhe interpretoheshin drejt këto vendime e marrëveshje ndërkombëtare, atëherë manipulimi me masat popullore do të ishte i vështirë ose i pamundshëm.
Ndonëse liberalizimi i vizave për Malin e Zi (por edhe për Serbinë) u bë pa ua kërkuar këtyre shteteve demarkacionin e kufirit me Kosovën, është i habitshëm fakti përse Kosovës i kërkohet demarkacioni si kriter për liberalizim vizash!?
Në Prishtinë këtë askush nuk e di, ose edhe nëse e di nuk e thotë, përderisa Raporti i negociatave mes të dyja qeverive, asaj të Podgoricës dhe të Prishtinës për demarkacionin e kufirit, nuk është bërë publik në Kosovë (mbetet si dokument intern.)
Po të lexohet me kujdes Raporti i Qeverisë së Malit të Zi për negociatat me palën kosovare rreth demarkacionit të kufirit, shihet ashiqare se ato që komisioni shtetëror kosovar në fillim i cilësonte konteste të mëdha – gjatë negociatave shumë misterioze – ato u minimizuan dhe në fund ekipi i Murat Mehës doli në publik triumfalisht: “Asnjë metër tokë nuk i është dhënë Malit të Zi”!???
Pra, nga raporti mund të shihet se pala kosovare nuk ishte pajtuar fillimisht që zona e Haxhajve t’i përkiste Malit të Zi, por çfarë ka ndodhur gjatë procesit që edhe kosovarët janë pajtuar me këtë demarkim, është e zorshme të dihet!?
Këtë duhet t’ia thonë publikut kosovar Komisioni i Murat Mehes, përkatësisht Qeveria e Kosovës!?
Në anën tjetër është fakt se disa prona me titullarë kosovarë (sipas raportit të Qeverisë së Malit të Zi janë 34 shtetas të Republikës së Kosovës që kanë prona në këtë republikë) janë të evidencuara në Malin e Zi, mirëpo që të gjitha janë parcela me numra kadastralë të regjistruara në komunat e Malit të Zi (Rozhajë, Plavë) kështu që opozita dëshpërueshëm po i fryn idesë që të pengohet edhe liberalizimi i vizave për Kosovën, porse marrëveshja e demarkimit të mos ratifikohet në Kuvend, pa pasur asnjë copë letre si dëshmi se këto toka kanë qenë pjesë e Kosovës, pra opozita nuk ka dëshmuar asnjë “tapi” të vetme për dëshmi se i qenkësh falur tokë Malit të Zi.
E, kriteri dominues për demarkimin e vijës kufitare me këtë republikë është konsideruar pikërisht kadastra!
Pra, mbështetur në raportin e Komisionit të Banditerit, të gjitha demarkimet mes republikave ish-jugosllave janë bërë në bazë të këtij kriteri.
Ndërsa opozita dhe ekspertët kosovarë po insistojnë që të aplikohen edhe kritere të tjera të njohura në të drejtën ndërkombëtare, si e drejta historike, e drejta “uti poseditis’ (kush e ka zotëruar (punuar) tokën etj.)
Së këndejmi, liberalizimi i vizave erdhi si derivat i MSA-së e jo për meritat e ndërrimeve në Qeveri, qysh po mësyhet të shitet në publik.
Mirëpo, ashiqare Gjukanoviqit dhe atyre malazezve mburravecë e fyes duhet t’u thuhet hapur që të heqin dorë nga marrëzia e pretendimeve të tyre se malësorët gegë shqiptarë na qenkan sllavë të albanizuar (‘malisori’), sepse me këtë qasje ata po i prijnë ringjalljes së lugetërve të epokës së Milosheviqit në zemër të Malit të Zi!?
Është dekada e dytë e shekullit 21 dhe fqinjët nuk po mund të kënetën as me tokat e shqiptarëve dhe as me fyerjet që ua bëjnë atyre, madje edhe në emër të lirisë akademike!?
Malazeztë do të duhej t’i mbanin fqinjët shqiptarë si kryqe para duarsh për t’i trembur ata demonë fashistë serbomëdhenj që i kanë poshtëruar, eksploatuar e rrjepur që nga rënia e shtetit Duklean e deri para dhjetë vjetësh!
Marrëdhëniet e mira fqinjësore nuk ndërtohen mbi poshtërimin, akuzat dhe shikimet e gemta, por duke respektuar njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha duke i mbështetur vlerat e përbashkëta evropiane…