SHPRRALLISJA

SHKRUAN: LIRI LOSHI

Sikur këtyre komandantëve që tash po zihen mes vete për karrigë, t’u thosha gjatë luftës se këta një ditë do të merreshin me politikë, se do të bëheshin deputetë e kryetarë, besoni se do ta merrnin si një tallje timen të pakripë.Dhe vërtet, angazhimi i tyre në politikë nuk ka prodhuar gjë tjetër pos talljes me popullin, me shtetin dhe me njeriun e shkolluar dhe dinjitoz. Unë ju them që t’i ulin gjakrat mes vete, t’i thërrasin mendjes dhe të zotohen për të heçur dorë nga të gjitha postet në parti e pushtet. Të betohen se kurrë më nuk do të hyjnë në betejat ku në vend të pushkës kërkohet dija e shkolla. Të mos hyjnë aty ku kërkohet jo shkolla e grabitur pas lufte, siç e grabitën këta, por shkolla e vërtetë dhe e merituar, për të cilën njeriu i ndërshëm shpenzon paranë, kohën dhe mundin e vërtetë. Nuk ka detyrë më të lartë patriotike për këta njerëz sot sesa të largohen vetë nga politika dhe jeta publike. Në rast se nuk tërhiqen, nuk ka detyrë më të lartë patriotike për popullin e Drenicës, se sa me votën e vet t’u tregojë “venin” që e meritojnë.

Me sa po shihet nga zhurma që ata po e bëjnë këto ditë me njeri tjetrin, le që nuk do tërhiqen, por tash po mendojnë se ata zoti për pushtet i ka falë. Merreni me mend, zoti nuk la tjetër kënd të udhëheq me popull e shtet pos mediokër e analfabetë. Le ta dijnë se çdo hap që e bëjnë drejt zyrave publike, ku tashmë kanë dëshmuar se nuk ia kanë haberin punës me laps, do të jetë hap që nxit revoltë dhe urrejtje në popull që po vlon e po bëhet gati të shpërthejë. Nëse nuk kanë harruar se çfarë atmosfere e rëndë ishte para se të bënim luftën, atëherë po ju përkujtoj se atmosfera që ata kanë krijuar tani është po aq e rëndë dhe po aq e zymtë sa ishte atëherë. Dhe një atmosferë që këta vetë nuk e lejuan atëherë, do të dalin trima në popull që nuk do ta durojnë as tash, as kurrnjëherë. Unë po mendoj se nuk ka nevojë të derdhet gjaku përseri…

Ne luftuam të gjithë se bashku, me çka patëm e mundëm për ta mundur Serbinë. E mundem mē shumë me fuqinë e dijes, të propagandës së luftës së drejtë dhe të popullit viktimë e me miq të fortë se sa me ndonjë luftë për të qenë. Por, populli nga lufta doli i masakruar e i djegur, meqë as ju as unë dhe as shokët tjerë nuk patëm mundēsi për ta mbrojtur. Nuk patem jo mundësi, sepse më shumë se për çdo gjë tjetër, armët i përdorēm për ta mbrojtur veten tonë dhe jo popullatën civile edhe sikur ata të qenë fëmijët tanë. Populli e di mirë për secilin nga ne çfarë kemi bërë e ku kemi qenë. Populli e di cili ishte takati ynë dhe pamundësinë tonë për të bërë më shumë në përgjithësi na e ka falë. Por populli e di se bijtë më të mirë ishin ata që u flijuan në mbrojtje të tij, pra dëshmorët e lirisë dhe jo rrahaxhoksit dhe jo shkelësit e gjakut të lirisë. Posaçerisht, jo ju që harruat shokët e rënë dhe porositë e tyre; ju që latë anash luftëtarët e vërtetë, familjet e dëshmorëve dhe në vend se t’i ndihmonit fëmijët e tyre nëpër shkolla, vende pune, ju ngritet fëmijët dhe sojin e sorrollopin tuaj pa ndonjë kriter tjetër, pos kriterit të egos tuaj të madhe.

Tash që jemi të lirë unë dhe ju mund të themi çfarë të duam. Mund edhe të porosisim këngë e libra për trimëritë tona aq të pakta, por të fryera deri në qiell. Mirëpo, faktet janë krejt tjera dhe ato flasin më shumë për ikjet tona “taktike”, sesa për të ngulurit këmbë! A u ndalem ne ndonjëherë qoftë në luftë, qoftë në paqe për t’i numëruar gabimet tona, apo u mjaftuam me lavdin e rreme edhe atëherë kur armiku hynte në një anë e dilte në anën tjetër pa i thënë kush dreq me gojë!

Kur ndodhi masakra në Izbicë ku ishim ne? Ne nuk ishim larg, ishim aty afër, veçse përseri tepër larg për ta mbrojtur një njeri të vetëm nga njëqind të vrarë. Ishim aty afër, edhe në Klladernicë kur u vranë mbi 20 burra. Ishim aty afër edhe në Burojë kur serbi ngriti punkte në shtëpi shqiptarësh dhe në gojë të ujkut mbetën familjet tona, motrat e vajzat tona peng e çetnikëve serbë. Ishim aty afër edhe në Obri, kur njërës nga gratë tona iu pre gjiri dhe ai gji u fut në gojën e foshnjës së vet. Ishim aty afër edhe në Qirez kur serbet mblodhën burrat, disa i pushkatuan e disa i futën nëpër kamionë, pastaj dhunuan e çnjerëzuan gratë e tyre njesoj sikur do të mund t’i dhunonin edhe grate tona pa asnjë therrë në këmbë. Ne ishim aty afër edhe në Padalishtë, kur fëmijët e Bekē Imerajt, gjashtë fëmijë bashkë me babanë e tyre u ekzekutuam mizorisht në oborrin e tij sikur të mos qe as zoti asajde e lere më frymë njeriu shqiptar. O zot, edhe pas dhjetë ditēsh që lufta kish përfunduar ato kufoma po rrinin mbi dhe, të dekompozuara e të ngrëna krimbash nën rrobat që shpuar ishin plumbash e bajonetash. Por, ata fëmijë mund të prisnin, sepse shpirti i tyre nuk i gjente dot komandantët. Ata ishin të zënë me do shokë të tyre duke bërë plane të mëdha! Njëri nga këto plane duhet të ketë qenë të bërit bashkë Llap e Gollak, Shalë e Bajgorë, Drenicë e Rrafsh Kosovë, Pashtrik e Dukagjin për t’ia mësyer Urës së Ibrit e të kalonin si shigjeta andej ku serbi po vriste civië të pafajshëm shqiptarë, të tjerët po i nxirrte nga shtëpia dhe po e ndante qytetin në dysh. Të kalonin andej dhe t’i thoshin ndal krimit, gjenocidit dhe ndal ndarjes së vendit tonë. Në fakt jo, komandantët kishin vendosur diçka krejt tjetër?! Diçka që ju sjell para e ua bën jetën parajsë atyre, familjeve të tyre, miqve e farefisit pa çarë kokën për të tjerë. Diçka që për ushtarin e lirisē ishte e ndaluar, e ulët dhe e turpshme. Diçka që ju duhej ta ruanit, ju e plaçkitet vetë, pra pronën tonë të përbashkët, mbi të cilën do ta ndërtonim shtetin dhe pa fije turpi i vutë emrin tuaj. O ju emër kurrë nuk patet, por edhe atë e krijuat me namin e rremë. Jo vetëm që e plaçkitet vendin tuaj vetë, por ju plaçkitet me shumë kriminelë tjerë ordinerë, të cilët pos punëve të liga nuk kishin bërë gjë tjetër nē jetën e tyre. Harruat edhe ushtarët tuaj të vërtetë dhe u bëtë shokë me dreqin e të birin në betejat tuaja kurrë të përrfunduara për para e pushtet.

Mendoni ju se është lehtë për mua t’i them këto fjalë, ta shprralis veten dhe juve para publikut? Jo. Janë këto momente nga më të rëndat, por janë gjera që të gjithë i dimë, ju, unë, populli. I dimë por nuk i themi njeri tjetrit duke shpresuar se po shpëtojmë një qik fytyrë, aq sa ndryrja e fjalës mund të shpëtojë. Janë gjera që dalin nga goja e shpirti, kur dikush ta pëlcet filmin, ta pëlcet dellin e ballit. Ju atë dell ia keni pëlcitur popullit moti dhe ai më nuk do të ju durojë.

Askush nuk iu ndal që ta shkatërroni njëri tjetrin, por ju duhet të ndaleni të mos e shkatërroni shtetin e të mos e shkatërroni as partinë. Nuk keni të drejtë ta shkatërroni një gjë që nuk ju takon më juve, sepse ajo i takon popullit, i takon rinisē, i takon lirisë.

Ju rrini larg popullit dhe dëgjoni këngët që ua këndon rapsodi pa vrarë mendjen se ato trimëri ndodhur kurrë nuk kanë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top