Shkruan: Rexhep Shahu
Para 17 viteve, ne kete periudhe, ne kete fillim muaji dhuna serbe debonte me fshese te hekurt shume shqiptare. Ne kujtim te atij debimi dhe per t’u binde sejcili se ai debim si shume te tjere nuk ka qene rastesi por shkence e mirefillte akademike, platforme shkencore akademike serbe, kemi botuar dekalogun e shpernguljes, librin qe i ka mesuar serbet se si shfarosen e shperngulen shqiptaret prej trojeve te tyre etnike.
U botua libri i Vaso Çubrilloviqit “Shpërngulja e shqiptarëve”
(Botohet për herë të parë si libër më vete, në shqip, nga Klubi i Poezise, Tiranë, mars, 2015, Botues : Rexhep Shahu, Përgatiti për botim : Izet Duraku, Recenzent : Prof. Nezir Bata, Financues : Flamur Lutfi Hoxha, Referati i parë : shqipëruesi i panjohur, Referati i dytë : shqipëroi – Hakif Bajrami, Punoi ballinën : Artstudio • Valdrin • Kukes • Albania – Xhevahir Kolgjini, Arti grafik : BoV Desing – Blendi, gjendet ne librarine te dera e Bibliotekes Kombetare, Tirane)
Emrin e akademikut serb Vaso Çubrilloviq shumëkush mund ta ketë dëgjuar ndonjëherë në jetë. Shummëkush e ka lakuar këtë emër herë për t’u shfaqë i dijshëm, patriot, trim me fletë a nacionalist. Shumëkush ka gënjyer e mashtruar se e din çfarë ka shkruar ky akademik serb, i çmuar si kryearkitekt i shfarosjes së shqiptarëve.
Por në masën më të madhe të gjithë janë gënjyer e kanë gënjyer veten e të tjerët. Vaso apo Vasa Çubrilloviqin nuk e kanë njohur shqiptarët, nuk e kanë ditë se çfarë ka shkruar ai kundër shqiptarëve, nuk e dinë se ai ka hartuar dy traktate sekrete, platforma apo referate, quaji si të duash, kundër shqiptarëve, për shpërnguljen, shfarosjen e zhbërjen e shqiptarëve. Sa herë ikin, dëbohën, shpërngulen apo përzihen shqiptarë prej atdheut të tyre, të duket se si për inerci zbatohen në një mënyrë apo tjetër platformat e Vaso Çubrilloviqit.
Në mars 2015, Klubi i Poezisë, Tiranë që i ka kapërcyer me kohë dilemat, duhet apo s’duhet, bën apo s’bën, i botoi si libër më vete për herë të parë të dy platformat sekrete të Vaso Çubrilloviqit, në libër me 120 faqe, me autor Vaso Çubrilloviq, të pa fshehura, të pa strukura apo maskuara nën kopertina e ballina mashtruese, siç edhe ka ndodhë, të përcjella me një parathënie serioze prej poetit e shkrimtarit Izet Duraku.
Teksa lexon dy platformat shkencore të akademikut, politikanit e shtetarit të lartë serb, Vaso Çubrilloviq, i cili ka qenë anëtar i Akademisë serbe të shkencave dhe anëtar i Akademisë ruse të shkencave, i cili ka qenë dy herë ministër në Jugosllavi, (njërën platformë ia drejtoi mbretit serb me 7 mars 1937 dhe tjetrën mareshallit Tito me 3 nëntor 1944), ndjen se të drithëron e rrënqeth gjakftohtësia, akullsia, saktësia, qartësia e pëfeksioni në hartimin e porositjen e krimit akademik shtetëror serb kundër shqiptarëve, kundër racës shqiptare.
Shqiptarët, nga i vogli te i madhi, për gjatë pothuaj një shekulli, i kanë ra më së shumti çiftelisë dhe nuk kanë ditë çfarë është shkruar e thënë për ta nga fqinjët tanë, nga akademikët e shtetarët fqinj, që kanë menduar dhe vepruar sa kanë mundë të shfarosin e zhbëjnë shqiptarët. Shqiptarët vetëm janë mahnitë sa të saktë dhe ngulmues kanë qenë serbët në shpënguljen, shfarosjen e zhbërjën e tyre dhe e kanë zmadhuar e përcjellë ndër breza frikën prej serbëve dhe urrejtjen ndaj tyre.
Mbi 90 përqind e zyrtarëve shqiptarë në hapsirën e tyre jetike, për gjatë gati një shekulli, zyrtarë të ultë, të mesëm, të lartë e shumë të lartë, ku janë e ku s’janë, nuk kanë ditë pothuaj asgjë për platformat shfarosëse të Vaso Çubrilloviqit, jo më t’i kenë lexuar, studiuar, apo reaguar, përjashto ndonjë thashethem të dëgjuar si fall maxhypesh.
Mbi 90 përqind e studentëve shqiptarë, as ata të historisë e shkencave shoqërore, të pothuaj një shekulli, ku janë e ku s’janë, nuk dinë pothuaj asgjë për platformat shkencore akademike të Vaso Çubrilloviqit për shpërnguljen e shfarosjen e shqiptarëve. Nuk dinë studentët se nuk kanë ditë e nuk dinë pedagogët e profesorët e tyre.
Ndërsa për nxënësit a gjimnazistët shqiptarë nuk bëhet fjalë të dinë ndonjë gjë për këtë akademik serb, nuk mund t’ia dinë as emrin, ose më e shumta, mund ta marrin për sportit, futbollist, trajner apo këngëtar serb.
Mosnjohja në Shqipëri e Vaso Çubrilloviqit dhe platformave të tij antishqiptare mbase shpjegohet me mendimin, “ç’na duhet ne Çubrilloviqi, ç’na ka bërë ne…”. Sepse, jo nga populli, por nga kuzhinierët e çorbës tonë të ftohtë e të prishur ka ekzistuar e dominuar mendimi dhe veprimi se në NE nuk hyn Kosova. Thuhej ligësisht se Kosova e problemet e saj përjetohen në Veri, sikur çeshtja e Çamërisë u përjetoka vetëm në Jug. Thuhej pa zë se Kosova është diçka jashtë nesh, përtej nesh, Kosova është Jugosllavi, është Serbi dhe pse duhet të hyjmë në konflikte me Jugosllavinë, e cila pati sjellë ustallarët e saj si MiladinPopoviqin, Dushan Mugoshën, etj, për hedhjen e themeleve dhe ngritjen e Partisë Komuniste Shqiptare, si bijë besnike e Partisë Komuniste Jugosllave.
Ndërsa pse nuk njihet e nuk studiohet Çubrilloviqi në Kosovë e në trojet e tjera shqiptare, këtë nuk e di, nuk gjej ndonjë arsye tjetër veç frikës se po cënojmë e po prishim bashkim-vëllazërimin dhe frikës prej pushtetit të injorancës me të cilin janë të dënuar kudo shqiptarët nga vetja e tyre.
Gazeta Koha Ditore në Kosovë, pas luftës për Kosovën, e ka botuar në faqet e saj “Shpërngulja e shqiptarëve” ndërsa platformën e dytë të Çubrilloviqit e ka botuar në një libër të tij me titull Shpërngulja e shqiptarëve, autor R. Qosja, por dy platformat e akademikut serb botohen për herë të parë si libër më vete në gjuhën shqipe nga Klubi i Poezisë, Tiranë.
Po nuk njohëm fqinjët, ne nuk njohim veten. Nuk kemi ku e shohim pasqyrimin e vetes tonë më shumë e më qartë se sa te fqinjët. Nëse do të njihemi, do të duhemi se në fund të fundit, jemi të dënuar të duhemi, të bashkëjetojmë e bashkëpunojmë ose të vritemi e shuhemi.
Të mos lajthisim më tej duke u bërë popull e komb i mashtruar i mediave internacionaliste, por sa të mundim të bëhemi popull e komb i librit.
Duke lexuar Çubrilloviqin çdo shqiptar ka me fillue me e dashtë më shumë veten e tij, atdheun e tij, ka me fillue me u ndje më shumë shqiptar dhe më krenar që është shqiptar.