Shoku Tito

Shkruan: Lis Bukuroca

Me katër maj të vitit 1980 vdiq shoku Tito. Po e quaj me përkëdhelje shoku Tito sepse Rexhep Qosja e konsideroi si njeri të mirë për shqiptarët. Tito qe përpjekur të jetë pikë së pari i dashur për serbet dhe tok me Rakoviqin, nga viti 1953 iu rikthyen programit të Çubrilloviçit mbi “Dëbimin e Shqiptarëve” dhe deri në vitin 1966, dëbuan së bashku në Turqi 452.371 shqiptarë. Për ta përforcuar pozitën e tij, u bë edhe dhëndërr i Serbisë.

Në vitin 80 patën qarë shumë shqiptarë për të. Televizionet dhe radiot përsërisnin vargjet:” Shoku Tito ne të betohemi, se nga rruga jote kurrë nuk do të largohemi…” Në vitin 81 stafeta e tij kremtohej në qendër të Prishtinës, ne tek mensa e studentëve protestonim kundër diskriminimit. Kur parakaluam pranë Institutit Albanologjik, pamë se Rexhep Qosja na vështronte nga ballkoni i Institutit. I patëm thënë njëri tjetrit se ndoshta po e frymëzonim për të shkruar një roman se nga çfarë sy vjen liria, e jo nga çfarë sy vjen vdekja…

Rexhep Qosja banonte jo larg Institutit Albanologjik, në Bregun e Diellit, posedonte një makinë golf, çfarë nuk kishte Ismail Kadare dhe shpesh e takoja duke shkuar në punë. Në kohën e shokut Tito, ai pat ndërtuar shtëpinë me mermerin e njëjtë ashtu siç qe ndërtuar “Grand Hoteli“ në Prishtinë. Sigurisht Ismail Kadare nuk kishte një shtëpi të tillë, edhe pse qindra mijëra libra të tij shiteshin në Perëndim. Pata shkuar edhe në ligjërata e tija, por në të folur, nuk kishte atë fuqi oratorike, imponuese, mobilizuese siç e njihnim nga librat dhe pata braktisur ligjërata pas pesë minutave. Motra e tij ishte bibliotekiste në katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Frënge, gati ngjitur me Institutin Albanalogjik, ku shpesh pinte kafe me bibliotekistet e katedrave tjera, për të cilën si student pata shkruar dhe lexuar në një “soirée dansante“ një poezi satirike, nga e cila disa vargje më kujtohen akoma:

Që këtej do heqim Molierin,
në vend të tij do vemë sheqerin
Të gjitha me një zë bënë ben
në vend t’ Balzakut do vemë kafen…

Për Titon patën qarë edhe maqedonas, që nuk kishin pasur një histori një identitet të definuar kombëtar, por elita e tyre quante veten bullgar, kurse ne në shkolla të Maqedonisë, i mësonim si maqedonas. Për historinë shqiptare nuk mësonim më shumë se tri orë në vit. Patën qarë edhe shumë boshnjak, që Tito u pat krijuar kombin mysliman, edhe pse ata as nuk ishin krijues të islamit, edhe pse askund në botë nuk kishte komb krishter. Ashtu si në çdo vend komunist, udhëheqësit e paarsimuar komunist, po bënin eksperimete me popujt. Ashtu si edhe Che Guevara në Bolivi, edhe këta përpiqeshin t’ ia mësonin klasës bujqësore dhe punëtore filozofinë marksiste, që as vet nuk e kishin kuptuar si duhet dhe sa duhet.

Tito ishte farkëtar, Nicolae Ceausescu këpucëtar. Honeckeri i RDGJ specialist për ndërtimin e kulmeve të shtëpive. Enver Hoxha në krahasim me ta, mund të konsiderohej intelektual sepse kishte mbaruar shkollën e mesme dhe ishte madje edhe mësues. Për komunistët analfabet të Jugosllavisë apo të atyre me katër vite shkollë, qenë themeluar shkolla të natës, ku analfabetët dhe gjysmanalfabetët, fitonin tituj, si në Kosovën e pasluftës.

Akademiku jonë ka respekt për Titon dhe respekt të veçantë për Adem Demaçin, që herë hynte, herë dilte nga burgu titist, duke kundërshtuar politikën e Titos. Për akademikun edhe Tito, edhe Demaçi janë të mirë, por nëse të tjerët kanë qenë titistë, ai i shpall të pavlefshëm si njerëz dhe të padenjë si shqiptarë. Ne si student ishim të mrekulluar nga guximi tij dhe nuk dinim se ai po shkruante duke pasur patron mbrojtës Fadil Hoxhën, gjersa studentët burgoseshin për togfjalëshin “Kosova Republikë.”

Tito ishte më largpamës se diktatorët tjerë komunist dhe ishte larguar më herët nga stalinizmi dhe me Kardelin e Sllovenisë, prodhuan vetëqeverisjen dhe patën nisur edhe gatimin e kombit jugosllav, që e pranuan të parët komunistët e asaj kohe dhe deri në vitet e 80, diku më shumë se një milion deklaroheshin si të tillë, madje edhe shqiptarë.

Shkrova këtë artikull shpejt e shpejt, sepse gazetat kosovare nuk e përkujtuan shokun Tito, por në tv publike gjermane ARD, shkruan sot në video tekst se Tito kishte lindur më 07.05.1892, se kishte formuar shtetin socialist jugosllav dhe se kishte mbajtur distancë nga dy blloqet dhe qe angazhuar në bllokun e të pa-inkuadruarve.

Ky shkrim i shkurtër nuk mund të asgjësoj kontributin e madh të Rexhep Qosjes, as nuk është qëllimi tij, por shkurt e shqip të tregojë se Rexhep Qosja nuk ishte njeri i sakrificave, çfarë kërkonte nga Rugova dhe Kadare. Ai nuk u sakrifikua për të vërtetën si Giodano Bruno, nuk ishte emancipues si Voltaire edhe pse në fillim dukej i tillë, e as nuk rrezikoi si Emil Zola. Në ato rrethana, u soll siç sillen shumica e njerëzve, që e duan më shumë jetën se sa të vërtetën. Pak “për”, pak “kundër” dhe me mendimin e tij publikuar pas vdekjes në gazetën “Rilindja”, po thërrasim në kujtesë sot shokun Tito:

““Tito e ka udhëhequr dhe e ka sjellë në triumf përfundimtar luftën nacionalçlirimtare të popujve të Jugosllavisë – ja një meritë e mjaftë për historinë. Tito i ka thënë JO” Stalinit, në një kohë kur forca e Stalinit sikur nuk njihte kufij – ja një meritë e mjaftë historike për historinë. Tito na ka udhëhequr shtigjeve të vetëqeverisjes socialiste, të barazisë, vëllazërimit e bashkimit, bashkëjetesës së kombeve e kombësive – ja një meritë tjetër e jashtëzakonshme historike. Tito i ka prirë idesë së madhe që u reziston fuqive të mëdha – ja një meritë tjetër, aq e madhe, aq vendimtare në historinë e përbotshme”.”

https://youtu.be/Co1KZJXYOiw

1 thought on “Shoku Tito”

  1. Dardan R. Gashi

    Lis, antishqiptari Tito, nuk filloi me 1953 antishqiptarizmin, por menjehere pasi qe AMERIKA NGADHNJEU NDJA GJERMANISE, pra pas LDB , TITO ekzekutoi 55-60 mije shqiptar apo 18% te popullates shqiptare ne ish RSFJ. Po te perkujtoj se Millosheviqi vrau 14 mije Shqiptar apo 1.6% te popullates Shqiptare ne Serbi.
    Tito ka qene nje antishqiptar maksimal. Ai qe e respekton titon nuk ka njohuri as nuk din se qka ka ndodhe ne ish rsfj. Perioda relaksuese e vitieve 1974-1980 ishte periode kur shqipatert uk vriteshin por prap ishin te diskriminuar….mosvrasja ne kete periode nuk eshte lulzim siq e quajne disa por eshte mosvrasje qe ndodhi qdo dite prej vitit 1944 deri ne vitin 1974.

    Kjo eshte e verteta…e kam pa me sy dhe kam degjuar prej memte vjeterve.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top