Shkruan: Edison Ypi
Në vitin 1921 Kryqi i Kuq i të Rinjve Amerikane themeloi, sipas dëshirës dhe nevojave të vetë shqiptarëve atë që njihet si Shkolla Teknike e Tiranës.
Kryqi i Kuq i të Rinjve Amerikanë ndërtoi një program model për asistencën teknike, duke synuar ngritjen edhe në Shqipëri të një instituti si “Robert College”.
“Për suksesin e qëllimit të shkollës do të vë në dispozicion gjithçka të vlefshme që kam” u shpreh në atë kohë me pasionin e tij të veçantë Xhon Krol, një nga ideatorët e krijimit të shkollës.
Që Shkolla Teknike e Tiranës të bëhej një institut i klasit të parë, drejtimin e saj e mori përsipër një person me përvojë, një njeri entuziast, me gjykim të shëndoshë, me personalitet dhe iniciator, Harry Trevlin Fultz. Asokohe 34 vjeç, Fultz ishte profesor i Arteve Mekanike në Universitetin e Çikagos, profesor i mësimeve pasuniversitare në Kolegjin e Arsimit, si dhe i diplomuar nga instituti i teknologjisë “Armour”.
Harry Fultz erdhi në Tiranënë tetor 1922. Shkollën Teknike e drejtoi deri në vitin 1933. Talenti si pedagog dhe administrator, optimizmi i pashtershëm ishin vendimtare për ekzistencën, gjallërimin dhe rritjen e shkollës. Fultz-i së bashku me Çarls A. Hollingshed, një ndër anëtarët e parë të personelit mësimor dhe pedagogë e instruktorë të tjerë amerikanë e shqiptarë, ju përkushtuan nxënësve dhe çështjes së arsimit në Shqipëri me një zell dhe vetdijë të jashtzakonëshme.
Shkolla Teknike u jepte nxënësve njohuri teorike dhe praktike për një numur programesh profesionale. Shkolla kishte një central elektrik që i jepte dritë qytetit, shtypshkronjen e vetë, ndërmerte projekte ndërtimi, zhvillonte veprimtari të shumta sportive e kulturore dhe publikonte gazetën e njohur “Laboremus”. Cilësia e programeve ishte e tillë që të diplomuarit e shkollës pranoheshin në universitetet më të njohura të SHBA-së dhe Europës.
Në vitin 1921 u regjistruan 32 nxënës.
Në vitet 1932-1933 u regjistruan 500 nxënës; u diplomuan 150 maturantë, shumica të punësuar në organet shtetërore apo sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit.
Shkolla Teknike e Tiranës luajti një rol të rëndësishëm për edukimin e të rinjve me ndjenjën e patriotizmit, të disiplinës, me dashurinë dhe respektin për punën. “Perpiqu ta bësh Shqipërinë vend për të cilin vlen të jetosh” thoshte Harry Fultz.
Shkolla u shtetëzua ne vitin 1933.
Në vitin 1947 shkolla mori emrin “Politeknikumi 7 Nëntori”. E ruajti profilin teknik. Vazhdoi të përgatisë teknikë në fusha të ndryshme.
Edhepse në rrethana dramatikisht të ndryshme, falë imazhit pozitiv të Shkollës Teknike Amerikane në Tiranë të ngulitur thellë në mëndjet e shqiptarëve përpjekjet për ta diskretituar apo minimizuar rëndësinë e saj, nuk patën asnjë sukses.
Në vitin 1992 u themelua në SHBA Fondacioni Shqiptaro-Amerikan “Harry Fultz” me kryetare zonjën Johan Fultz Khontos. Qëllimi i këtij fondacioni ishte mbështetja e shkollës për të ecur në traditat e Shkollës Teknike në Tiranë, në të njëjtën rrugë që ndoqi Harry Fultz; formimi i plotë i të rinjve për të dhënë kontributin e tyre në zhvillimin Shqipërisë moderne.