SHKRUAN: GANI MEHMETAJ
Në Shkodër, po edhe në tërë Shqipërinë komunistët duhet të ndiqen e të ndalohen mu si nazistët në Gjermani.
Festa e flamurit vitin e kaluar në Shkodër i ngjante ditëve të zakonshme të vjeshtës së vonë. Nuk me ranë në sy flamuj, nuk pashë ndonjë organizim feste, nuk dukej festa më e madhe e kombit dhe e shtetit në 550 vjetet e fundit. Kishte a s’kishte festë flamuri në Shqipëri? Me habiti ky fakt, nuk isha vetëm unë që u skandalizova: shqiptarët e Dardanisë që i takova atë pasdite nuk u besonin syve. Prisnim zbukurime, banda muzikore, koncerte, prisnin që dikush të dilte në ndonjë skenë të improvizuar, prisnim atmosferë festive, çfarë e kishim në Prishtinë qe nga viti 1999 kur na çliroi NATO. Prisnin por kot prisnin. Në Dardani me dhjetëra vjet e kishim organizuar 28 Nëntorin me flamuj e koncerte, madje diskotekat e Prishtinës organizonin party të veçanta deri në mëngjes me muzikë “të çmendur”.
Ndërkaq ne kishim ardhur në Shkodër për të festuar ditën më të madhe të shqiptarëve me një grup prishtinasish. Në restorantin dhe hotelin “Tradita”, dikur shtëpi e Filip Shirokës na pritën mirë. Në qytet e në hotel takuam ferizajas, pejanë, gjakovarë, shkupjanë, kërçovarë, madje edhe korçarë. Në mungesë të festës në qytet ne ia bëmë fora sikurse do të thoshin toskët: e nisëm nga himni i Gjergj Fishtes, e kujtuam më këngë tërë historinë kombëtare e perlat e muzikës shqiptare. I rikujtuam me mall këngët shkodrane. Mëngjesi na zuri duke festuar. Nuk mu kujtua të pyes, po shkodranët tjerë festuan?
Të nesërmen me 29 nëntor, dolëm nëpër qytet, të shihnim e të gjezdisnim. Pashë Kishën e Madhe, kalova nga Kafja e Madhe, që të pikëllonte e braktisur dhe e rrënuar. Fusha e Rrmajit ishte e trisht, por rrezatonte traditë qytetërimi. Ajo që më bëri përshtypje afër një xhamie të rinovuar nga turku, ishte një bandë muzikore ushtarake që ishte mbledhur brenda rrethojës së varrezave. Një herë mendova se po e promovonin ndonjë xhami me muzikë e çallgia, pastaj e sqarova se u bënin homazhe ca partizanëve. Jashtë rrethojës, disa kureshtarë talleshin me bandën muzikore të ushtrisë shqiptare, disa të tjerë i shanin ushtarakët, të tjerët shihnin me habi, ndërsa pjesa dërmuese e shkodranëve kalonin indiferentë.
Me erdhi të qaja me këto homazhe partizanësh, sepse pati burra të mëdhenj Shkodra, që ranë për pavarësinë e Shqipërisë, apo u shkrinë për kombin, kurse shteti shqiptar i kapur nga bandat komuniste vajtonte disa partizanë koti, kauza e të cilëve ishte kriminale. Partizanët shqiptarë bënë masakër në Shkodër, vranë kreun intelektualë e elitën e priftërinjve që ishin pishtarë të kombit. Si kanë guxim të provokojnë ushtarakët shqiptarë me pafytyrësi familjet e të vrarëve, pa u kërkuara as falje.Në Shkodër, po edhe në tërë Shqipërinë komunistët duhet të ndiqen e të ndalohen mu si nazistët në Gjermani.
Mu kujtua libri i At Zef Pllumit “Rrno për me tregu” ku e kujtonte se si u futën partizanët malazezë në Shkodër me t’u larguar gjermanët. E hoqën flamurin shqiptar dhe e vunë flamurin jugosllavë, e kurdisën edhe një çerdhe mitralozi me grykën nga qyteti. Dhe shtetarët shqiptar festojnë ditën kur u futën partizanët malazezë në qytet?
Gjatë fëmijërisë e rinisë na kanë thënë se 29 nëntori është dita e çlirimit të Jugosllavisë dhe dita kur në Jajce (Bosnjë-Hercegovinë) u shpall nga KAÇKJ-së Jugosllavia e re. E festonim 17 nëntorin ditën e “çlirimit” të Pejës, 19 nëntori ditën e “çlirimit” të Prishtinës etj. Çdo qytet në ish- Jugosllavi e kishte një ditë nëntori, për të kulmuar me 29 kur ishte çlirimi i Jugosllavisë, pra ajo ishte kryedita. Më vonë e mora vesh se edhe në Shqipëri, qytetet shqiptare i kishin të njëjtët ditë “çlirimi” me Jugosllavinë, madje edhe kryeditën. Mbeta pa mend, nuk dija si t’ua sqaroja as atyre që më kërkonin sqarim në rrugicat e Shkodrës.
Ndërkaq, për shqiptarët e Dardanisë Shkodra ishte kryeqyteti shpirtëror e kulturor, qendra e botës, ëndrra e madhe.
“29 Nëntori, është dita e çlirimit të Serbisë dhe Jugosllavisë, e vëllezërve të tyre terrorristo-bolshevik “shqiptarë”, kurse datë zie për ne shqiptarët !” , me shkruan Xhafer Thaqi, që 29 nëntorin e quan ditë të mallkuar. S’kisha se si të mos pajtohesha me te.
Shqipëria ka mbet bastioni i fundit i festës jugosllave 29 nëntorit. Asnjë shtet sllavë nuk e feston më. I shpallën festa shtetërore e kombëtare edhe festat turke. Prandaj na ndjek mallkimi, sepse sillemi e mendojmë skllavërisht ndaj ish-pushtuesit.