SHKRUAN: ARTUR ROSHI, KRYETAR I BALLIT KOMBËTAR DEMOKRAT
Politika shqiptare sot kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se kërkon anëtarë të komisioneve zonale për zhvillimin e zgjedhjeve jashtë opozitës tregon se zyrtarisht vendi ka hyrë në një krizë të plotë dhe të thellë politike.
Sistemi zgjedhor shqiptar formalisht është ngritur mbi ekuilibrin e dy blloqeve politike Pozitë-Opozitë dhe si i tillë pa njërën palë kthehemi nga kemi ardhur në një sistem diktatorial të mirëfilltë institucional. Shkarkimi i ministrave të qeverisë për shkak të presionit pozitiv të lëvizjes demokratike opozitare në trajtën e një proteste nuk e zgjidh krizën politike.
Kjo lëvizje e kryeministrit është metafizike materialiste që nuk hyn tek mekanizmat e zgjidhjes politike sepse është njëlloj sikur të ndërrosh mobilimin e zyrës dhe të thuash që ndërrova shefin e zyrës.
Qeveria është një etnitet politik që funksionon bazuar mbi një program politik, ngritur mbi ide dhe filozofi politike. Kur qeveria humbet besimin e Opozitës se nuk zbaton rregullat e garës për zgjedhje të lira, zgjidhja e vetme në këtë rast është largimi i kryeministrit si njeriu që mban në këmbë këtë etnitet politik pra, qeverinë. Kryeministri kthehet në një mjet politik që lëviz nëpërmjet aktit politik të dorëheqjes.
Çdo ditë që kalon forcon bindjen se dorëheqja është e pashmangshme. Kam përshtypjen se z.Rama e kupton mirë situatën, por me zhvendosje ministrash, kordinatorësh brënda partisë, emrash për deputetë , e të tjera si këto, që nuk kanë lidhje me ngërçin politik mundohet të mbajë kuota fasadë të superioritetit paraelektoral me shpresën e vetme se mund të rrëmbejë besimin qytetar për tu rikthyer si kryeministër mbas zgjedhjeve që do të realizojë qeveria teknike me mandat të kufizuar.
Përfundimisht në thelb kemi lëvizje të dëshpëruara të kryeministrit mbështetur në një sfond psikologjik të shpresës për të rikrijuar fuqinë e humbur. Këto manovra janë vetizoluese të cilat do e çojnë kryeministrin në një lodhje psiqike ku vetja do i duket i pafuqishëm edhe për të soditur lëvizjen e inercisë së makinës elektorale të partisë socialiste ne këto zgjedhje.