You are currently viewing SHBA e shqetësuar nga mbajtja e pushtetit përmes rrjeteve klienteliste dhe të patronazhistëve

SHBA e shqetësuar nga mbajtja e pushtetit përmes rrjeteve klienteliste dhe të patronazhistëve

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve u cilësuan nga historianë prej të dy vendeve si jetike për pavarësinë, integritetin dhe demokracinë shqiptare.

Instituti i Historisë në Tiranë zhvilloi sot një konferencë shkencore ku u analizuan marrëdhëniet shqiptaro-amerikane gjatë një shekulli, qysh kur ato nisën më 1922 deri sot.

Studiuesit pohuan se SHBA nga viti 1919 gjatë Konferencës së Paqes dhe aktualisht kanë qenë gjithmonë mbështetëse të pavarësisë dhe integritetit territorial të Shqipërisë, një shtet i vogël me pavarësi dhe territor të pakonsoliduar.

Studiuesi i njohur, Janush Bugajski nga ‘Jamestown Foundation’, thotë se marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA gjatë dekadave të regjimit komunist ishin në ngrirje të thellë, derisa Shqipëria iu kthye institucioneve demokratike, pluralizmit politik, e mbështetur kryesisht nga SHBA, si dhe nga demokraci të tjera europiane.

Për Uashingtonin, sipas tij, ishin shqetësuese polarizimi partiak, që solli bojkotim kuvendesh dhe zgjedhjesh dhe akte dhune, të cilat frenuan përparimin e Shqipërisë drejt integrimeve euro-atlantike, sidomos drejt BE-së.

“Problemi i dytë më i rëndësishëm, lidhur ngushtë me polarizimin politik është përhapja e korrupsionit të zyrtarëve, si dhe mbajtja e pushtetit me zakonet e vendeve ish-komuniste përmes rrjeteve klienteliste dhe të patronazhistëve, që ndikojnë në zbehjen e transparencës dhe i hap rrugën biznesmenëve në politikë” – thotë zoti Bugajski.

Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane vlerësojnë si shumë të mira, dhe Shqipëria e ka shpallur SHBA si partner strategjik, tek i cili mbështetet për çdo reformë, projekt, apo investim që lidhen me forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik.

Lini një Përgjigje