You are currently viewing SFONDI I DEPËRTIMIT TË SUKSESHËM TË BASHKIMIT SOVJETIK NË LINDJEN E MESME

SFONDI I DEPËRTIMIT TË SUKSESHËM TË BASHKIMIT SOVJETIK NË LINDJEN E MESME

Nji ligjëratë e mbajtun nga Xhafer Deva, i ftuem si ligjërues ne Akademinë Ushtarake ne West Point, NY, SHBA, viti 195

Nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë që forcat ushtarake detare të Shteteve të Bashkuara të vendosura në Mesdhe, të merrnin urdhra për të bërë demonstrim force dhe për të parandaluar çdo lloj agresioni në këtë rajon, me fjalë të tjera ky ishte një hap që shkonte përtej protestave të zakonshme me fjalë, sa herë që interesat e një Fuqie të Madhe në rajone të largëta viheshin në pikëpyetje. Qeveria sovjetike reagoi ndaj këtij hapi vendimtar duke vënë në lëvizje disa luftanije në drejtim të Mesdheut, me pretekstin se do të vizitonin aleatin e vetëm, të vogël të Rusisë në Adriatik, Shqipërinë, vendlindjen time.

Një hap i tillë meriton vëmendjen më të madhe, edhe për sa u përket pasojave të mundshme, dmth., Luftës së Tretë Botërore. Si Moska edhe Washingtoni janë të vetëdijshëm për sa i përket rëndësisë së Lindjes së Mesme në rast të një konflikti të armatosur aq të tmerrshëm midis Lindjes dhe Perëndimit. Por për shkak të puseve të naftës dhe të naftësjellësve që përshkojnë vende të ndryshme të Lindjes së Mesme dhe për shkak të një rrethimi të mundshëm të aleates së Shteteve të Bashkuara, Turqisë, një hap i tillë, sigurisht, nuk është thjesht një çështje prestigji dhe ndërlikimit në këtë rajon mund të bëhen me lehtësi shumë të rrezikshme.

Si u bë e mundur që sovjetikët të vendosën në Lindjen e Mesme?

Që nga koha e Pjetrit të Madh, Katerinës dhe Romanovëve, qëllimi i regjimeve perandorake ruse ka qenë të siguronin dalje në ujërat e ngrohta, si në Veri edhe në Jug, dmth., të bëheshin zotër të Atlantikut dhe të Mesdheut. Ata thuajse ia arritën objektivit të tyre jugor me 1877, kur kreu i Ushtrisë Perandorake Ruse, mbërriti në portat e Konstantinopolit (Stambollit të sotëm), ku u ndal nga manovrat diplomatike të fuqive të mëdha të kohës. Rusia e dobësuar nuk mund të ndërmerrte një konflikt të armatosur me fuqitë e Mëdha të Evropës, që ishin të interesuara për ngushticat që mbaheshin nga otomanët e pafuqishëm, në mënyrë të veçantë Britania e Madhe. Rrjedhimisht Rusia u detyrua të pranojë vendimet e Fuqive të Mëdha të mbledhura në Konferencën e Berlinit me 1878. Rusisë iu desh të kënaqet me disa lëshime tokësore në juglindje të Rusisë, ndërsa rumunëve, bullgarëve, serbëve dhe grekëve, për mbrojtjen e të cilave Rusia gjoja i kishte shpallur luftë perandorisë Otomane, iu dha pavarësi e plotë. Rusia fitoi të drejtën e kalimit nëpërmjet ujërave nën sovranitetin e Perandorisë Otomane (Dardanelet), në bazë të Konventes së ratifikuar nga të gjitha fuqitë e interesuara për këto ujëra. Megjithate plani rus për t’u bërë zot i ngushticave përfundoi me dështim të plotë.

Asgjë nuk ka ndryshuar nga synimet politike të Rusisë që nga ajo kohë. Por pasi pat siguruar një dalje në Oqeanin Atlantik, duke vënë nën kontroll shtetet Baltike, Bashkimi Sovjetik, si vend fitues i Luftës së Dytë Botërore, nuk u kënaq me këtë fitore të madhe. Tani ky vend aspironte të mbizotëronte Mesdheun. Dhe për t’ia arritë kësaj, do të gjendej fare pranë objektivit të tij kryesor, Revolucionit Botëror.

Depërtimi rus në Lindjen e Mesme është vetëm një hallkë në zinxhirin e sundimit botëror, që është doktrina komuniste e predikuar nga Lenini, Stalini e të tjerë. Sado fantastike që mund të na duket një ambicje e tillë, lë të mos mohojmë, siç bëjmë shpesh, ato që kanë ndodhur. Mund të sjellim shumë prova që tregojnë se ne shpeshherë i nënvlerësojmë sukseset ruse. Sa herë ndodhemi përballë proceseve të spastrimit në Rusinë Sovjetike, ne jemi të prirur të mendojmë se regjimi komunist do të shembet, ose të paktën që paknaqësia e brendshme do ta detyrojë politikën ruse të hyjë në rrugën e bashkëekzistencës paqësore me të ashtuquajturën botën tonë kapitaliste. Dhe çdo herë ngjarjet që kanë pasuar kanë treguar që ne ishim gabuar në optimizmin tonë plot shpresa, nga mirëbesimi ynë dhe dëshira për të jetuar në paqe.

Ne duhet të mos harrojmë që duke qenë thjesht antikomunistë, ne nuk përbëjmë ndonjë pengesë të fuqishme që mund t’i presë rrugën depërtimit të rrezikshëm të Rusisë. Nuk është e mjaftueshme të jemi të vetëdijshëm për ndikimin shkatrrimtar të komunizmit mbi shoqërinë, kulturën, fenë, qytetërimin, që arrin kulmin me asgjësimin e plotë të lirisë individuale dhe të çdo gjëje që është thelbësore për ne. Ne duhet të jemi gjithashtu të vetëdijshëm për të gjitha mjetet dhe taktikat që ia bëjnë të mundur depërtimin armikut tonë. Ne duhet ta kemi të qartë se është e pakuptimët të biem në grackën e provokimeve, në kohën, vendin dhe mënyrën që rusët duan të na shtyjnë për të ndërmarrë veprime policore. Ndryshe ne vet do të rrihnim ujë në havan.

Mjeshtrit moskovitë dinë fare mirë si të shfrytëzojnë rastin dhe të zgjedhin kohën e vendin për të filluar veprimet e tyre shkatërrimtare. Terreni më i përshtatshëm për ta janë vendet me nivelin më të ultë të jetesës, në të cilat mbretëron mjerimi. Atje ata mund të veprojnë me lehtësi dhe pa i penguar njeri, për shkak të hendekut që ndan klasën sunduese nga masat e popullit. Ata shfrytëzojnë urinë. Ata kanë agjentë të stërvitur shumë mirë të rekrutuar nga radhët e intelektualëve gjysmakë por idealistë, që urrejnë klasat sunduese dhe që janë komplotistë nga natyra. Këta agjentë udhëzohen të krijojnë celula ndërmjet të rinjve dhe ta kufizojnë propagandën e tyre në përpjekjet për ta zmadhuar mjerimin ekzistues. Agjitacioni përqendrohet në jetën luksoze që bëjnë klasat sunduese dhe në faktin që mjerimi i popullit shkaktohet nga shpërdorimet e klasës sunduese. Materiali propagandistik, që është përgatitur në Moskë nga ekspertë të posaçëm për vendet përkatëse dhe në gjuhët përkatëse, përpunohet me kujdes dhe shoqërohet me ilustrime nga jeta në Rusi, ku klasat reaksionare janë zhdukur tërësisht. Vemendje e posaçme u kushtohet shkollave fillore, ku komunistët kanë si mësues agjentët e tyre të përgatitur. Këta mësues zgjedhin ndërmjet nxënësve të tyre ata elemente që mund t’u shërbejnë komunistëve. Ata ndërtojnë celula që veprojnë në qetësi. Në fazën e parë, feja nuk sulmohet drejtëpërdrejtë, por flitet shumë për dashurinë e lirë dhe për pengesat që ngre feja lidhur me martesën, etj. Meqenëse në vendet e nxehta zakonisht djemt e arrijnë pjekurinë seksuale nga mosha 10 deri në 12 vjeç, kurse vajzat nga 8 deri në 10 vjeç, tema e dashurisë së lirë është nga më tërheqëset dhe një fillim drejtë ateizmit. Mungesa e një kulture familjare në Lindje, në kuptimin amerikan dhe evropian të kësaj fjale, i le të gjitha dyert të hapura për depërtimin e një propagande të tillë shkatrrimtare drejtpërdrejtë në jetën e djemve dhe vajzave. Pasi bëhet anëtar i një celule, vajza apo djali fillon te gëzojë jetën dhe përpiqet të provojë ose vërë në jetë gjëra që feja e tij ose e saj i ndalon. Këtu ata bien ndesh me fenë dhe fillojnë ta urrejnë atë. Udhëheqsit e celulave kujdesen për edukimin e tyre të mëtejshëm në kuptimin e mirëfilltë komunist të fjalës dhe në mënyrë të ndërgjegjshme ose jo, ata të gjithë bëhen vegla të verbëta të kësaj ideologjie. Udhëheqësit e celulave atëherë fillojnë ta angazhojnë secilin anëtar të celulës në një mision individual. Mësimet e para i kushtohen përgjimit në shkollë, në shtëpi e gjetkë. Pasi janë kthyer në spiunë të shokëve të shkollës, prindërve dhe miqëve të tyre, ata janë komprometuar aq shumë, sa që nuk kanë si të dalin nga celula. Kjo shtytje sistematike drejtë kriminalitetit është një nga mjetet me të efektshme që përdorin komunistët për t’i kthyer në pasues të verbër disa nga njerëzit më të mirë e më të ndershëm. Pastaj ata i kanë të rinjët e të rejat plotësisht në duart e tyre.

Gradualisht nga shkollat fillore veprimtaria e tyre kalon në shkollat e mesme dhe në universitete dhe ç’është më e keqja në akademitë ushtarake. Spiunët e rinj të dalë nga shkollat fillore tani kanë marrë rrugën për t’i dhënë formë jetës shoqërore në vendin e tyre. Celulat në institucionet më të larta janë krejt ndryshe nga ato të fillimit. Spiunët fëmijë tani janë bërë intelektual që njohin gjuhën dhe teorinë e marksizmit. Për më tepër, përderisa të gjithë studentëve u duhet të mendojnë për të ardhmen e tyre dhe fillimi më i mirë do të ishte një punë qeverie, udhëheqësit e celulave i shfrytëzojnë së tepërmi lidhjet që kanë me zyrtarë të lart të qeverisë, për t’u gjetur atyre punë me të ardhura të larta dhe një karrierë premtuese. Çmimi që ata duhet të paguajnë për një karrierë të tillë është gjithmonë po ai: të mbeten një vegël e mirë dhe e besueshme e kryemjeshtrave në Moskë. Në ndonjë rast gjuha që ata tani dëgjojnë nga krerët e celulave është krejt e ndryshme. Dhe cilido që lëkundet do të dëgjojë një notë tmerri.

Meqë po flasim për metodat e tmerrit që përdorin krerët e celulave ndaj anëtarëve të lëkundshëm, do të ishte me mjaft interes të përmendim këtu praktikën e një terrori të tillë në vende që nuk janë nën sundimin komunist. Të gjithë anëtarët e celulave e dinë fare mirë se ata i përgjojnë dhe se nuk ka asgjë që udhëheqësi i celulës të mos dijë rreth tyre, bile edhe për sa iu përket ndjenjave të tyre më intime. Prandaj është detyrë e çdo anëtari t’i raportojë udhëheqësit të celulës dhe t’i rrëfehet lidhur me dyshimet që mund të ketë pasur në ndonjë rast, etj. Në gjuhën komuniste një rrëfim i tillë quhet autokritikë. Udhëheqësi i celulës atëherë bënë një mbledhje me të gjithë anëtarët e celulës, ku personi i lëkundët përsërit rrëfimin e tij. Zakonisht udhëheqësi i celulës përmend shembuj të ngjashëm nga letërsia sekrete komuniste për t’i dhënë zemër anëtarit të shkurajuar. Këta shembuj përpunohen nga ekspertë komunistë të rangjeve të larta, zakonisht në vende nën regjimin komunist, por shembujt i përkasin periudhës kur komunizmi në këto vende ishte ilegal. Pastaj fillojnë diskutimet dhe çdo anëtar shpreh mendimin e tij. Ndonjëherë diskutime të tilla marrin forma shumë të vrazhda dhe të gjitha të palarat e anëtarit të lëkundur dalin në shesh. Duke e vënë veten në rolin e arbitrit, udhëheqësi i celulës i jep pastaj një rast tjetër anëtarit të akuzuar të celulës, për shkak të autokritikës së tij, duke vënë në pah karakterin e tij të shkëlqyer dhe detyrat që ka kryer në të kaluarën. Ai i premton pastaj që nuk do ti vihet ndonjë shënim në biografi për sjelljen e tij, e kështu me radhë. Pastaj vazhdon diskutimi.

Diskutimi bëhet për të përcaktuar besueshmërinë e anëtarit. Megjithë deklaratat e tij për besnikëri dhe se është qind për qind një komunist i bindur, i takon udhëheqësit të celulës të japë gjykimin përfundimtar lidhur me besnikërinë e tij. Për të konfirmuar këtë besnikëri, udhëheqësi i celulës mund të kërkojë nga anëtari kryerjen e misioneve të jashtëzakonshme. Këto misione mund të shkojnë deri në vrasjen e një armiku të komunizmit, ose në kryerjen e një akti sabotazhi. Rehabilitimi përfundimtar vjen pas kryerjes me sukses të misionit. Kjo është procedura që ndiqet me komunistët e lëkundshëm.

Udhëheqësit e celulave qëndrojnë në prapaskenë dhe nuk ekspozohen kurrë. Në këtë mënyrë ata mund të kontrollojnë më mirë veprimtarinë e anëtarëve. Pasi zënë një punë në qeveri apo diku gjetkë, një anëtar i celulës bëhet një anëtar i rregullt i Partisë ilegale të qarkut të tij dhe kjo do të thotë se ai është ngritur një gradë më lartë, gjë që është nderi dhe shërbimi më i lartë që i bëhet një personi që i ka shërbyer me besnikëri kauzës së partisë. Si anëtar të partisë ata fillojnë të njihen me shokë të tjerë në qarkun e tyre. Ata marrin pjesë në mbledhjet e rregullta ku u jepet rasti të mësojnë më shumë rreth vetë partisë. Këtu ata marrin udhëzimet dhe janë në mënyrë të përherëshme në misione në sferën e punës së tyre. Ata vazhdojnë të transmetojnë informacion, nga vlerësimi i të cilit përcaktohet shkalla e inteligjencës së tyre. Është një nga parimet e sistemit komunist t’i mbajë njerëzit e vet të angazhuar në misione.

Tani që kemi arritur në këtë pikë nuk duhet të habitemi kur dëgjojmë për revolucione të papritura, përmbysje regjimesh brenda disa orësh nga disa oficerë në vende të tilla të Lindjes së Mesme, si Egjipti e pastaj Siria, e për të përfunduar kushedi se ku dhe kur. Rusët punuan në këto vende për disa dhjetëvjeçarë, siç bënë edhe në vendet e Evropës lindore dhe juglindore. Lufta e Dytë Botërore vuri në duart e tyre Vendet Baltike, Poloninë, Çekosllovakinë, Hungarinë, Bullgarinë, Jugosllavinë, Shqipërinë, etj. Në këto vende para luftës mbretëronte uria dhe mjerimi. Në mjaft nga këto vende Partia Komuniste ishte themeluar që në vitin 1920, por pa mundur t’i përmbysë regjimet ekzistuese dhe t’i zëvendësojë brenda natës me regjime komuniste. Kjo nuk i shkurajonte rusët dhe ata vazhdonin punën e tyre njëlloj jo vetëm në këto vende, por edhe në të gjithë botën. Ata janë të vetëdijshëm se një luftë e tretë do të thotë të njëjtën gjë për të gjithë: shkatërrimin total. Prandaj ata vazhdojnë veprën e tyre shkatërrimtare në emër të paqes dhe arrijnë rezultate kudo ku munden. Gjatë pushtimit të Egjiptit nga britanikët dhe të disa vendeve të Lindjes së Mesme nga francezët, rusët kishin punuar në këto vende në mënyrën e përshkruar më sipër. Të ashtuquajturit zotërit e Egjiptit të sotëm, që në të vërtetë u shërbejnë interesave të Moskës atje, Naserët, Tawfikët, Salahët, etj. janë produkt i kësaj veprimtarie këmbëngulëse të rusëve atje.

Vetëm 5 vjet më parë ne ishim dëshmitarë të një revolucioni pa gjakderdhje në Egjipt, i cili përfundoi me ekstradimin e mbretit Faruk dhe me vendosjen e republikës popullore në këtë vend. Ky revolucion drejtohej nga një grup oficerësh të rinj, të cilët kishin marrë udhëzime nga padronët e tyre rusë që të përmbysnin regjiniin ekzistues, nën udhëheqjen e një gjenerali të quajtur Mohamed Naguid, një personalitet me të vërtetë i nderuar i Egjiptit. Naguid e donte me të vërtetë vendin e tij dhe gëzonte popullaritet të madh ndërmjet egjiptianëve. Ata mundën ta tërheqin atë në planet e tyre për shkak të patriotizmit të tij dhe për shkak të sjelljes së padurueshme të mbretit Faruk. Ai bashkëpunoi me mirëbesim me klikën e atyre oficerëve të rinj për të mirën e vendit dhe të popullit të tij, por i pavetëdijshëm që ishte bërë një vegël në duart e Moskës, që ishte duke bashkëpunuar me spiunët e Moskës. Pa kaluar shumë kohë dhe vetëm tre vjet pas ardhjes në pushtet, klika e oficerëve të rinj mori urdhëra për ta burgosur Naguibin që i kishte ndihmuar të vinin në pushtet. Ai u hoq nga pushteti dhe u burgos. Pa kaluar shumë kohë pas kësaj ngjarjeje, Naseri, me cilësinë e presidentit të Egjiptit, shpalli shtetëzimin e Kanalit të Suezit. Moska kishte kapur momentin dhe rrethanat e përshtatshme politike në Mesdhe dhe Afrikën e Veriut, Marok e Algjeri. Tamam kohën kur britanikët po merreshin me problemet e Qipros dhe francezët me Algjerinë. Ndërhyrja e britanikëve dhe e francezëve nxori në dritë që nuk ishin Naseri dhe klika e tij që kishin shpallur shtetizmin e Kanalit. Ndërhyrja e armatosur britanike dhe franceze në Kanal, u prit me një deklaratë nga ana e Moskës e cila thoshte se do të vinte në veprim raketat e saj kudo që të ishte e nevojshme, në rast se britanikët dhe francezët nuk tërhiqeshin menjëherë nga ajo zonë. E vetmja e mirë që pati bota perëndimore nga kjo ishte se zbuloi se kush i drejtonte të gjitha këto. Shtetizimi i Kanalit u bë kështu një fakt i kryer. Bota kuptoi se në Egjipt nuk ishte Naseri, por Shepilovi, Hrushovi, Zhukovi e të tjerë, që flisnin në emër të të shtypurëve egjiptianë. Menjëherë pas së ashtuquajturës krizë e Kanalit, erdhi kriza e Sirisë, ku pushteti kaloi në duarët e një klike ushtarakësh. Ashtu sikurse në Egjipt, edhe në këtë vend të vogël, me 4 milionë banorë, ka një president të quajtur Shukri Couvetly, një njeri i pasur dhe rrjedhimisht antikomunist. Edhe ky njeri, si Naguibi, i siguron të gjithë se Siria nuk është satelite e Rusisë dhe se Naseri është patriot, megjithëse e di fare mirë fatin dhe arsyet e burgosjes së Naguibit. Edhe pse antikomunist, ky njeri flet në emër të një klike oficerësh të ushtrisë, që kanë kaluar nëpër të njëjtat shkolla, si Naseri me shokë. Heret a vonë fati i këtij njeriu do të jetë të paktën i ngjashëm me atë të Naguibit.

Unë mendoj se Egjipti është bazë e Rusisë, Siria do të bëhet një bazë e tillë dhe se na takon neve te gjykojmë se sa kohë do të duhet që vendet e e tjera të Lindjes së Mesme të bien në duarët e Moskës. Siç thamë, të gjitha këto ngjarje, ndodhin në suazën e përpjekjeve për zotërimin e Mesdheut, rrjedhimisht ato janë një hap drejtë mbizotërimit në Evropë.

Xhafer DEVA

* * *

– Këtë analizë politike Xhafer Deva e lexoi në Akademinë Ushtarake Amerikane në West Point. Ligjërata e tij botohet këtu për herë të parë në përkthim të lirë nga anglishtja.

(Përktheu Idriz Lamaj – Marrë nga libri i “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës” me autor gazetarin veteran te “Zani i Amerikës Idriz LAMAJ.)

This Post Has One Comment

  1. Skender Zogaj

    Një dokument shumë i vlershëm që pasqyron nivelin e lartë prej politikani, diplomati, njohesi të gjeostrategjisë botërore dhe sidomis asaj në të Lindjes përfaqësusr nga Rusia, që Xhafer Deva si stateg i fortë ushtarak e zbërthem me analizë të thellë të pasqyrimit të gjendjes me të dhëna konkrete deri në detaje, që koha i ka dëshmuar plotēsisht, me pasoja të jashtëzakonshme që i vuajnë të gjitha vendet ish komuniste, ndër të cilat Shqipëria është dëshmia më e dhimbshme, sepse, është krijuar “njeriu i ri” i dresuar komunist, njëkafshues i tmerrshëm i popullit të vet dhe shkatërrues i vendit të vet!
    Ky fjalim- ligjëratë e Xhafer Devës duhet
    gjetur formën dhe mënyrën që të përhapet dhe lexohet sa më shumë, sidomos ndër studentët e fakulteteve, të gjitha fakulteteve, të cilëve ligjërata t’u serviret si ligjëratë plorësuese.
    E falenderoj përkthyesin dhe publikusin e kësaj ligjërate të atdhetarit brilant Xhafer Deva.

Lini një Përgjigje