SHKRUAN: SEFEDIN KRASNIQI
Përshëndetje miku im i dashur Ismail Ismaili,
Të njoh, sepse kemi hëngër bashkë bukë e lëng me speca të Prapashticës, por edhe mish të terur, kur axha Zeqir (babai yt) na binte në Prishtinë, pothuajse çdo të marte. Të kujtohet ajo shtëpia te Hani Dilit, ku banonim? Ajo me mure të çarë, që në çdo qoshe të saj, kur e futnim dorën na dilte përjashta. Të njoh nga ditët e para të studimeve në fakultet dhe më kujtohet banka ku uleshim bashkë. Të njoh sepse e kemi nda edhe krevatin e gjumit, sikur vëllezër të mirë.
Pse, po i them këto gjëra?
Jo për të çliruar ty për ndonjë faj, sepse faj s’ke, por për t’iu treguar të gjithë atyre që kanë shumë faje, që nga dita e burgosjes se Astrit Deharit e deri te momenti që është përcjellë në varr. Po të shkruaj për të siguruar se ata që u munduan të gjuajnë aq shumë gurë e dru mbi ty, sa të bënë me lot, që edhe mua më preken shumë, nuk të afrohen ty as te zogu i këmbës as për përkthim, as për dinjitet. I njoh unë, nëse ti s’i njeh , sepse sikur të kishin qenë aq të zotët nuk do t’i kishin sjellë dokumentet e tyre për t’ua përkthyer unë. Po të shkruaj për të treguar, se ata s’e kanë mbaruar kurrë fakultetin, sikur ti, madje kanë kërkuar edhe t’iu falen nota. Po të shkruaj se të tillët nuk guxojnë t’i tregojnë kurrë diplomat e tyre publikisht, sepse i kanë të rrejshme!
S’kam mundur ta përcjellë gjithë raportin, lidhur me (vetë)vrasjen e Astrit DEHARIT, por për aq sa kam mundur ta lexoj në shtypin e ditës, sidomos konkluzionet, askund nuk thuhet decidivisht se Astriti ka bërë vetëvrasje, por as nuk thuhet që është vrarë nga një person i tretë. Megjithatë, prania e personit të tretë është e mundur, për shkak të ADN-së që është gjetur në rrypin e orës, dhe në raport thuhet, “nuk dihet kur ka mbetur aty ajo mostër, para rastit, gjatë mbrojtjes së Astritit duke rezistuar apo pas rastit”.
Në baze të dy trajnimeve (formation continue) që i kam bërë në Zvicër për përkthime, për raste të këtilla, nëse Prokurorisë apo familjes i është ngutur, këshillohet të përkthehen vetëm konkluzionet, pastaj ngadalë, pjesa tjetër.
Por, ti e ke bërë një gabim dhe uroj që kurrë më mos ta përsëritësh. Gabimi yt është se je munduar të bësh mirë. Duke qenë i pushtuar nga emocionet, i ke vënë veti detyrë dhe siklet t’i përkthesh 60 faqe për katër ditë, kështu i ke bërë veti keq, sepse e ke vënë në sprovë reputacionin tënd.
Po të shkruaj kështu, në cilësinë e anëtarit të Shoqatës së Përkthyesëve Profesionist me seli në Bernë. Asnjë përkthyes, s’do të pranonte kurrë që për katër ditë t’i përkthej 60 faqe tekst, aq më tepër me përmbajtje senzitive.
Për ata që s’e dinë, miku im, Ismaili, gjatë luftës iu ka përkthyer gazetarëve frankofonë për TV e gazeta të ndryshme. Ka përkthyer në UNMIK, në EULEX etj. Dhe, përkundër kësaj, del një njeri që foljen PARAITRE ( një folje që shpreh dyshim që nga mjekët është përdorur në të PAKRYEREN e Dëftores) në veten e tretë (il paraît) e përkthen me foljen ÊTRE – JAM, me të tashmen e Dëftores, në veten e tretë ËSHTË, që tregon një pohim, pa lënë asnjë dyshim!
Dhe nga ky gabim i pafalshëm i kujdestarëve dhe “rojeve të mjegullës” ty mundohen të bëjnë shoshë duke i vënë flakën barutit!
Ja ky është SKANDALI! Dhe, opinioni publik, këtë e besoi sepse dikur, ky njeri, paskësh qenë njëri nga zëdhënësit apo përfaqësuesit e UÇK-së ( dikund ne hënë)! A doni ta dini të vërteten?
Të gjithë kanë qenë MASHTRUES!