SALI ÇEKAJ : MIRENJOHE GJITHE SHQIPTAREVE

Shkruan: Rexhep SHAHU

Në vitin 2001, në një tubim madhështor që u organizua në Deçan për Sali Çekajn, pata rastin të marr pjesë.

Për të nderuar ato mijëra njerëz që ishin të pranishëm, me ndihmën e dy djemve që ishin bashkëluftëtarë të Sali Çekajt dhe që unë nuk i njoh, dhe kundër deshirës së do farë drejtuesve të ceremonisë, të do farë aktorëve a ku ta di se çfarë, që s’pranonin të delnin jashtë programit zyrtar, kam mundur ta lëshoj në foninë qëndrore kasetën ku kam të regjistruar këtë intervistë me Sali Çeken, dhjetë minuta para se të fillonte ceremonia zyrtare për të, ku të gjallët s’do t’i shmangeshin dot tundimit të mos flisnin për të gjallët, duke spërkatur me do fjalë edhe të rënët…

Mijëra njerëz u ngritën në këmbë. U bë heshtje. Në atë shesh kumbonte zëri i Sali Çekës. Por vetëm 4 minuta. Vetëm 4 minuta. Dikush nxitoi dhe e ndaloi. Renda me vrull dhe e mora kasetën time dhe ika larg, larg. Pati shumë interesim, shumë pështjellim. Mjaft gazetarë tentuan të regjistronin zërin e Sali Çekajt. Por s’patën kohë. Sepse Sali Çekaj që mund të fliste mbase më mirë, të paktën aq sa e kishim regjistruar ne, i lanë kohë vetëm 4 minuta.

Sepse të gjallët paskan zakonet e tyre dhe të vdekurit duhet të rrinë “urtë” në (punën) varrin e tyre dhe të dëgjojnë me vemendje të gjallët, kur rrëfejnë për bëmat heroike, trimëritë…

Askush, nuk e kërkoi zërin e Sali Çekajt përveç gazetës “Bota Sot”. Ajo ka botuar pjesën e parë të intervistës me të. Sot jam i lumtur që edhe “Pavarësia” interesohet për pjesën e dytë të intervistës me Sali Çeken.

***

Me 8 qershor 1998, përsëri e takova zotin Sali Çekaj duke u afruar tek hotel turizmi në Bajram Curr, rreth orës 6 të mëngjesit. Pasi u përshëndetëm, e pyeta se a kishte ndonjë të re gjatë natës ose gjatë dy ditëve që s’ishim parë. Ndonjë të re që të ma thoshte ai, pasi çdo çast kishte të reja në ato ditë kur eksodi vazhdonte, kur mikpritja e tropojanëve demonstrohej mrekullisht dhe të huajt në Tropojë habiteshin me atë që po ndodhte sepse kjo që po bënin shqiptarët për njëri-tjetrin ishte diçka e harruar dhe e pabesueshme në dhera të tjera.

Ka plot të reja, filloi të fliste ai. Më futi krahun dhe dolëm nga sipër godinës së hotelit ku kishte më pak njerëz dhe ishte më qetësi. Por unë kam një merak, vazhdoi Saliu. Po due me shpreh me gjithë fuqinë e shpirtit e të zemrës mirënjohjën për tropojanët dhe krejt shqiptarët për mikpritjen që po u bëjnë të dëbuarve që vijnë prej Kosove…
Ishte shumë i impresionuar.

Dhe keshtu dalëngadalë, si pa kuptuar, ne filluam t’ia plotesojmë nevojat njëri-tjetrit, unë ta intervistoja përsëri e ai të mund të shprehte mirënjohjen për tropojanët e gjithe shqiptaret. Dukej sikur ishim në vijim të intervistës së realizuar para dy ditësh bashkë me Izeti Durakun. Dhe lirshëm e krejt shpengueshëm, në atë mëngjez të 8 qershorit 1998 realizova bisedën e mëposhtme me Sali Çekajn:

***

Pyetje: – Megjithëse kemi folë para dy ditëve, unë do të doja të bënim edhe sot një bisedë me ju zoti Sali. Banorët e rajonit më të varfër të Shqipërisë që është Tropoja, po ndajnë kafshatën e gojës përgjysmë me vëllezërit e dëbuar që vijnë nga Kosova. Ju keni disa ditë këtu dhe po shihni vetë se ç’po ndodh…

Përgjigje: – Para së gjithash, në këto situata është e vështirë me gjetë fjalë të mençme e fjalë miradije, fjalë që kishin me shprehë gjithë atë që njeriu deshiron me shprehë. E them këtë sepse gjenerata jonë nuk është mësuar të ballafaqohet me situata të këtilla. Gjeneratat e mëparshme e kanë përjetue edhe këtë gjë, por ne jo. Prandaj për ne ka qenë më e vështirë ta përjetojmë një eksod, një tërheqje në masë të madhe të popullsisë shqiptare nga Kosova, nëpër një rrugë aq të vështirë për tu vendosë në Tropojë.

Mirëpo është kënaqësi e veçantë që të shohësh gadishmërinë e vëllezërve, motrave dhe gjithë bashkëkombasve tanë nga Tropoja e vise të tjera shqiptare. Një gadishmëri për ta ndarë bashkë edhe kafshatën e bukës, edhe pse të vetëdishëm se ndoshta pas tri ditëve nuk do të kenë çka të hanë më. Por sot po e ndajnë kafshatën përgjysmë. Kjo tregon se shqiptarët e Kosovës kanë se ku të mbështetën. Dhe edhe sot e nesër do të kenë mbështetjen e popullit shqiptar të Shqipërisë e të viseve shqiptare rreth kufirit. Kjo do të thotë që populli i Kosovës, pavarësisht situatave që do të krijohen, do të ketë një mbështetje reale.

Në anën tjetër, kjo afirmon një ndjenjë të madhe të popullit shqiptar të të dyja anëve të kufirit – atë që janë të një gjaku dhe që janë të pandashëm.

Kjo hedh poshtë gjithë atë që është proklamue dhe propogandue ditëve të fundit, sikur shqiptarë nga Shqipëria po sulmojnë fshatrat rreth kufirit në Kosovë.

Kjo do të thotë se ata të cilët kanë sulmuar fshatrat rreth kufirit në Kosovë, kanë qenë banda të cilat kanë bashkëpunuar me sigurimin serb dhe sigurime të tjera, dhe nuk është populli i Tropojës dhe i viseve të tjera të kufirit. Kjo ka një rëndësi të veçantë tani për tani dhe për të ardhmen, që të gjithë ata të cilët kanë qenë të luhatshëm, të gjejnë vijën e bashkimit dhe të bashkëveprimit.

Pyetje : – Dje dhe mbrëmë u njoftua se ata që janë aktualisht në Kosovë po bëjnë qëndresë. Nga njoftimet mësohet se dy pleq në dy fshatra të ndryshme kanë vrarë me bomba nga tre policë serbë sejcili në momentin që policët po tentonin tu hynim forcërisht nëpër banesa. Ata pleq po mbrojnë pragjet e shtëpive të tyre. Çfarë mëndon Sali Çekaj kur tashmë lufta s’është në prag por është ndezë dhe po vazhdon dhe serbët po vritën, po i vritka plumbi edhe serbët.

Përgjigje : – Shqiptarët sa më shpejt që ta bindin vetvetën se nuk është lufta gati për të shpërthyer, por lufta ka shpërthyer dhe ne jemi në luftë, situata do të tejkalohet shumë më lehtë.

Sa më tepër që subjekti politik dhe subjektet shtetërore do të mendojnë se kjo çeshtje do të shtyhet, do të zgjidhet pa luftë, sigurisht që kjo gjendje do të jetë më e rëndë. Populli po vetëorganizohet dhe do të vetëorganizohet, mirëpo kjo duhet të kordinohet në masën më të madhe me subjektet politike dhe institucionet shtetërore të republikës së Kosovës.

Serbët nuk janë të pavdekshëm. Ata duhet ta kuptojnë se në fshatrat e rrethit të Deçanit e më gjërë nga ku janë shperngulë njerëz, serbët kanë patur të bëjnë me gra, fëmijë e pleq. Por në momentin që serbët do të ballafaqohen me forcat reale ushtarake të Kosovës, ata me turp do ta lëshojnë Kosovën. Dhe kjo ditë nuk është e largët.

Shpresoj se të gjithë këta që kanë ardhë nga Kosova në Shqipëri, një ditë shpejt do të kthehen në trojet e tyre etnike, në vatrat e tyre. Pavarësisht se edhe këtu janë në tokë shqiptare dhe këtë kufi ndërshqiptar e konsiderojmë artificial, ata do të kthehen aty ku kanë lindë e rritë, aty do të kthehen patjetër.

Na vjen shumë keq që disa pleq e plaka kanë rënë viktimë e terrorit serb. Asnjë ushtri në botë nuk e bën atë që po bën ushtria serbe. Edhe ushtri të tjera kanë sulmuar dhe kanë marrë teritore në vende të ndryshme, por në momentin kur ka kaluar ushtria, nuk është marrë kund me pleq e me plaka. Vetëm një ushtri që nuk ka besë në vetvete, që nuk ka forcë, vetëm ajo merret me pleq e me plaka. Sikur të ishte një ushtri e rregullt e një shteti, atyre pleqve e plakave do të duhej tu jepte ndihmë, ti strehonte ose ti mbante robë. Por serbët janë aq të dobtë, aq të ligj saqë merren me pleq e me plaka. Ende nuk janë ndeshë me forcat e mirfillta ushtarake të Kosovës. Sepse serbët nuk do të mund të silleshin kështu. Kam shumë shpresë se nuk do të lejohën serbët të përsërisin masakra. Lufta që ka nisë do të marrë përmasa shumë të mëdha. Serbia, dashtë e pa dashtë, do të largohet prej Kosove. Sepse në Kosovë kanë qenë e do të jenë shqiptarët.

Pyetje : – Çfarë mesazhi do të japë Sali Çekaj para se me hy në Kosovë. Për ata që kanë ardhë në Shqipëri, për ata që po strehohën nëpër Kosovë, e sidomos për ata që po luftojnë në Kosovë.

Përgjigje : – Për mua kjo është më e vështira. Të gjithëve atyre që janë në Kosovë, të gjithëve atyre që po luftojnë në front ballë për ballë me ushtarët serbë, të gjithëve atyre që janë vendosë në Shqipëri, kisha me ju thanë të mos ta ndjejnë vetën të vetmuar. Sepse shqiptarët kudo që janë po bëjnë përpjëkje për një organizim të mirëfilltë.
Ju them atyre që janë në front se nuk do të jenë të vetmuar. Do të kenë çdo ditë e më tepër njerëz krah për krah. Do të jenë krah për krah me të gjithë shqiptarët e tjerë. Dhe ushtria e policia serbe do të detyrohen me turp ta lëshojnë Kosovën.

Kurse bashkëvendasve të mi të Deçanit, rrethinave e viseve të tjera, do tu them se nuk janë të vetmuar. Sepse qindra e mijëra shqiptarë janë të gatshëm dhe po bëjnë përpjëkje bashkë me organet e institucionet e Kosovës të organizohën mirëfilli për ta përballuar këtë gjendje.

Ndersa shqiptarëve që kanë ikë prej dhunës serbe e janë vendosë në Shqipëri, ju premtojmë dhe garantojmë se një ditë shpejt do t’ua krijojmë kushtet që të kthehën në Kosovë, në vatrat e tyre. Do t’i rindërtojmë ato dhe do të bëjnë një jëtë tjetër në vendin e tyre.
Gjithë atyre që këto ditë hapën shpirtin e tyre, zemrat e tyre, që të pranojnë shqiptarët e Kosovës, i falenderojmë nga zemra.

Pyetje : – Merret vesh z. Sali, se mjaft djem të rinj të Kosovës po e lënë punën në perendim dhe po kthehën për luftë në Kosovë.

Përgjigje : – Kjo është një e vërtetë që qëndron. Sepse shqetësimi i kosovarëve është i arsyeshëm. Mjetet e informimit po e përcjellin gjendjen tragjike të krijuar në Kosovë. Shqiptarët e Kosovës edhe pse kanë qenë të larguar e të vendosur në vendet më të mira të perendimit, ata janë të vetëdishëm se ato vende nuk janë vendet e tyre. Ndaj ata po kthehen e duhet të kthehen përkrah vëllezërve e motrave të tyre.

Pyetje : – Dhe ky kthim për të hyrë në luftë, kjo ardhje për të hyrë në luftë është vlerë dhe vitalitet i shqiptarëve, apo jo z. Sali.

Përgjigje : – Pavarësisht se si do të zhvillohen situatat në Kosovë, pavarësisht sa do të zgjasë kjo luftë e si do të jetë kjo kjo luftë, Kosova është e jona, me luftë, me paqe, ose pa luftë, Kosova është e jona.

Faleminderit zoti Sali.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top