SHKRUAN: PAL SHTUFI
Ibrahim Rugova, që kur u ftua në darkë nga ish ambasadori amerikan, Warren Zimmermann (1988 – Hotel Grand), ishte në shërbim të ndërrimit të epokave politike dhe historike. Dy vjet më vonë, plejada e intelektualëve shqiptarë të kohës, Millosheviqit ia vendosën përballë një antipod, të cilin as nuk arrinte ta mundte por as të fitonte gjë.
Natyrisht, për dëshirë do ta vendosnim një Wesley Clark përballë Millosheviqit, por nuk e kishim. Nuk kishim asgjë, sepse nuk ishim të sapo pushtuar, por të robëruar gati një shekull nga Serbia. Serbinë e kishim edhe nëpër shtëpitë tona, pale në udhë e në institucione.
BUTËSIA E PATHYESHME
Rugova ishte një përballje paqësore me shumë mend e përgjegjësi. Ishte si një kandil shprese por njëkohësisht ishte përfaqësues i PAFUQISË tonë kombëtare. Jo më shumë.
Pafuqinë nuk e solli Rugova, ai veçse diti ta menaxhojë atë, duke i krijuar shtet paralel Serbisë, pra, rezistencë paqësore. Askujt për asnjë minutë nuk ia ka ndaluar rezistencën e armatosur. Kurrë. Ishte pafuqia jonë ajo që nuk rezistojë më shumë, jo Rugova.
ADEM JASHARI RESPEKTONTE DHE NDERONTE RUGOVËN
Adem Jashari u flijua me tërë familjen, pa kërkuar nga Rugova më shumë se mundësitë reale që kishte ky i fundit. Ademi u flijua nën fotografinë e Presidentit të tij, sepse ishte institucionalist. Nderonte dhe respekton hierarkinë e shtetit të projektuar dhe të udhëhequr nga Rugova.
Ademi e dinte që udha drejtë lirisë shkonte përmes diplomacisë dhe rezistencës së armatosur. Ai zgjodhi më të vështirën, rezistencën e armatosur. Pa fjalë, pa sharje e pa nënçmuar njeri. E shihni, sa fisnike po aq e thjeshtë kjo punë.
Në njërën anë, Rugova ishte i përcaktuar PAQËSOR, por i pathyeshëm në kërkesat optimale të kombit. Këtë e dinte Adem Jashari, prandaj shkonte në Shtëpinë e Vogël të Pavarësisë për të marrë prushin e dijeve që i duheshin për luftë të armatosur.
Në anën tjetër, Ademi shkoi në përjetësi pa shikuar anash se kush mirrej me luftën e kush me paqen. Ai kryente detyrën sipas bindjeve që kishte, sepse patriotizmin nuk e kishte biznes por vlerë të trashëguar në damarët e gjakut e të shpirtit të tij bilur.
NUK KA PAQËSOR ME PUSHKË NË DORË
Një popull që ka rreth 2 milion banorë, nuk do duhej të kishte vetëm një Rugovë, pra vetëm krahun politik të një rezistence kombëtare. Si çdo lëvizje kombëtare, edhe kjo e jona do duhej ta kishte rezistencën e armatosur, por jo të udhëhequr nga paqësori i deklaruar botërisht si i tillë.
Kërkesa absurde, që nga një paqësor të kërkohet luftëtari i armatosur, është kërkesë dritëshkurtër që ta kujton politikën e Arafatit, i cili natën organizonte aksione terroriste, ndërkaq ditën vishte petkun e paqësorit.
Faleminderit, fitore të Palestinës, Bosnjës dhe të Çeçenisë nuk ka dashur Rugova dhe askush prej shqiptarëve racionalë.
Fitore amerikane, po.
Bekuar qoftë dita që lindi Shtetet e Bashkuara të Amerikës!