Rruga

16, Nën, 2020 | OPINIONE

SHKRUAN: EDISON YPI

Rruga që nuk kishte formën e rrugës së plumbit quhej “rrugë e shtrembër”.
“Rruga e shtrembër” përfundonte në një gropë që quhej “internim” ose në një humnerë që quhej “burg”.
Rruga më e rrezikshme ishte “Rruga e armikut”.
“Rruga e armikut” ndodhej nga shtëpia te “Rruga e burgut”.
“Rrugës së mesme”, që ishte më e trafikuara, i mohohej ekzistenca. Për këtë rrugë thuhej “s’ka”.
“Rruga e historisë”, ajo që historikisht ishte “çarë” me shpatë në dorë, gjatë dhe pas “luftës” u “ça” me plumb pas shpine, terror, fukarallëk, spiunllëk.
“Rruga e lavdishme”, “Rruga heroike”, “Rruga jonë”, ishin rrugët ku kalonin të lumtur duke bërtitur “partia”, “populli”, “klasa puntore”.
Nuk thuhej se filan rrugë kalon nëpër këto e ato fshatra. Thuhej ajo rrugë ato fshatra “i lidh”.
Rruga më e vështirë për tu “çarë” ishte “Rruga e jetës”.
“Rruga zyrtare” për qarjen e ndonjë halli apo zgjidhjen e ndonjë problemi ishte si barka pa vela dhe pa busull në mes të oqeanit me dallgë.
“Rruga ligjore” të çonte në ca labirinte prej të cilave nuk dilje dot kurrë.
“Rrugët kryesore”, “Rrugët dytësore”, “Rrugën e periferisë”, të gjitha rrugët ishin plot me gropa dhe me bajga.
‘Rruga ime”, “Rruga jote”, “Rruga e këtij”, Rruga e atij”, ishin rrugët ku gjallonte njëri e tjetri të cilët pavarsisht se nuk udhëtonin i rrente mendja se “Rrugë” kishin.
“Rrugaç” quhej gjithkush që dëgjonte muzikë a shihte ndonjë film “të huaj”.
“Rrugaçe”që kishte hyrë në “Rrugën e imoralitetit” cilësohej çdo femër që bënte dashuri.
“Të merrje rrugën” për në Korçë ishte njësoj sikur sot të nisesh për në Kinë.
“Rrugën për ‘jashtë shtetit’ ” edhe mund ta “merrje”. Halli qe se po të niseshe në atë rrugë, mundësia të mos të merrte plumbi i kufitarit ose breshëria e kalashnikovit ishte 1 në 1 milionë.
Ekzistonte “Rruga e keqe”, ku mund të hyje duke u shoqëruar me ndonjë “armik”.
“Rrugët e tërthorta” ishin rrugët që përdornin “armiqtë” për t’ja futur ujin nën rrogoz Shqipërisë.
“Rrugën e pagabueshme” që duhej “ndjekur” e mësoje nga televizori, nga filmi, dhe e harroje sapo fikej televizori sapo mbaronte filmi.
Rrugët jo vetëm “bëheshin” dhe “çaheshin”, por edhe “haheshin”. Për spiunat që kishin qënë “jashtë shtetit” thuhej “ka ngrënë” dy rrugë Italie, një rrugë Gjermanie, 1 rrugë Kine, 3 rrugë Greqie.
Përmes tejkalimeve të planit “i pritej rruga” rrethimit të egër kapitalisto-revizionist”.
Hapeshin “Rrugë të reja”, por nuk dihej ku ishin dhe ku “të çonin”.
“Rrugët nëntokësore” ishin ato të minierave që varrosnin për së gjalli me mijëra jetë, kryesisht të burgosur.
“Rruga hekurudhore” “të çonte” nga Tirana në Pogradec për 10 orë.
“Rrugët detare” përdoreshin për të sjellë qymyr nga Polonia dhe mineral hekuri nga Brazili.
Për ndonjë rrugë që bllokohej nga dimri thuhej “rruga nuk punon”.