SHKRUAN: EDISON YPI
Te rruga ime fjala më e bezdisëshme është “puna”, zbavitja më e këndëshme është Interneti, filmi më i bukur është teleovela, muzika më e pëlqyer është sirena e makinës së policisë që vjen për të arrestuar komshiun.
Dy ndër tre banorë te Rruga ime ja ka vënë syrin dikujt për ta vrarë sa më shpejt të jetë e mundur.
Katër në pesë banorë te Rruga ime që presin dikush ti vrasi, i shtyjnë ditët me shpresë që kjo të ndodhi sa më vonë.
Për rrugën time vera më dehëse është vjedhja, rakia më e mrekullueshme është hilja, pija freskuese më e pëlqyer është vrasja.
Për 99 nga 100 banorë të rrugës time libri nuk ekziston.
Te Rruga ime, ku kafenetë çahen nga muhabetet për gjeopolitikë botërore, askush nuk ankohet se mallrave nëpër dyqane nuk vënë çmime.
Te Rruga ime mosmarrja e kuponit tatimor quhet veprim trimëror hakmarrës ndaj qeverisë së keqe.
Te rruga ime gjallojnë mijëra nostalgjikë të dëshpëruar për jetën e sotme monotone të palezetshme kur nuk mund të realizohen atentate nëpër rrugica, nuk mund të organizohen mbledhje të fshehta, nuk mund të vrasin pas shpine, nuk mund të ngjisin natën trakte mbi mure.
Populli i Rrugës time, kapitalizmin dhe pluralizmin nuk i lidh me Lirinë, begatinë, prosperitetin, por vetëm me papunësinë, emigracionin, mungesën e rendit, korrupsionin, hajdutllëkun, krimin, farmacinë, somniferët, pilulat, tabletat.
Banorët e Rrugës time nuk i hedhin asnjë qindarkë violinistit serioz që luan Erik Satie mbi trotuar por vetëm lypsarëve pisanjosë që s’dinë të bëjnë asgjë.
Brenda dyqaneve te Rruga ime, fort rrallë sheh blerës. Vetëm shitsen elegante kokulur mbi celular duke bërë selfie ose shetitur në fejsbuk.
Rruga ime është e vetmja rrugë në botë që ka qeflie, interesaxhie, budallaqe, delirante, kurva, por nuk ka asnjë femër che non ti rompe i coglioni.
Te Rruga ime ka plot obezë, kardiopatë, endokrinopatë, edhe nën 30 vjeç.
Qindra delirantë që bëjnë si të ditur, dhe po aq grafomanë që bëjnë sikur shkruajnë, popullojnë Rrugën time.
Kafenetë te rruga time janë plot me spiuna të qeshur që u kanë nxirë jetën kushedi sa njerëzve.
Rruga ime ka me dhjetra zgëqe ku mbrëmjeve mblidhen të rinj ngordhalaqë që tymosin hashash.
Rruga ime ka panumurim bij që duan të vrasin babain, nipa që ëndërrojnë të helmojnë xhaxhain, kunata që duan ti mbytin në gëlqere të pashuar kunatat, nuse që ëndërrojnë tua rjepin lëkurën vjehrrave, vjehrra që duan tua presin fytin nuseve.
Te Rruga ime ka qindra të rinj që duan të ikin në Gjermani për të vetmen arësye sepse janë biondë. Qindra të tjerë në Turqi sepse u duket vetja të talentuar për aktor telenovele. Panumurim të tjerë në Itali ku, sipas tyre, vidhet kollaj.
Budallenjtë e Rrugës time që duan të duken të mençëm dhe seriozë, njihen kollaj, janë ata që mbajnë kravatë.
Te Rruga ime komunistat e kanë harruar luftën e klasave, merren me biznes.
Te rruga ime qindra demokratë për ta shkatërruar Partinë Demokratike përdorin mënyrën staliniste të zbatimit të luftës së klasave mes vedit.
Te rruga ime ku janë tre kioska që shesin gazeta, fort rrallë sheh dikend që blen një gazetë. Blerja e një gazete te Rruga ime është si blerja e një kostumi të shtrenjtë në një Butik nga dikush që s’njihet dikur kur s’dihet.
Banorët e rrugës time nuk janë kurrë vetëm vrasës, hajdut, votues, militant politik, evazor fiskal, budalla, delirant, por gjithmonë një mpleksje e këtyre cilësive.
Rruga ime me problematika sa për dhjetë milionë njerëz, ka vetëm tre mijë banorë që presin të vdesin, megjithse kurrë nuk kanë lindur.